Ilir Levonja: Rënia e murit të Berlinit dhe lartësimi i murit mes shqiptarëve
Ka një shprehje për murin e Berlinit, ra brenda një nate sikur të ishte ndërtuar po për një natë. Në fakt nuk është ashtu, megjithëse po atë mbrëmje ky qytet konsiderohej në kronika sikur të ishte një kantier latinojugor, një qytet magjik, ekstazë shpirtërore, plot syresh nuk përtonin ta bënin disa herë, vajtje-ardhje. Kapërcenin murin, preknin perëndimin, pinin birra, ktheheshin mbrapshtë etj. Ishte zgjuar gjithë njerëzia dhe thoshin se nuk mund të flemë, ai që sonte fle, ka vdekur përbrenda. Qe e gjitha fundi i një dhune shtetërore njëzet e tetë vjeçare të një regjimi që ndau mëdysh një vend të madh si Gjermania. Ra brenda një natë sikur të ishte ndërtuar po brenda një natë kjo në kontekstin e fuqisë sociale, solidarizimit qytetar, shoqërisë. Nisi në Lajpzig në një meshë të së hënës në kishën e saksonit Martin Luter, por edhe Sebastian Bach, një meshë që u kthye në një protestë paqësore e cila e zuri gafil Stasin. Dhe pas një muaji konkretisht në tetor 1989 protesta u përsërit dhe pjesëmarrja e saj shënonte një numër gati të katërfishuar nga e ajo e para. Dhe një javë më vonë shifrat shënonin mbi 60% të shoqërisë, Berlini lindor qe ndezur dhe muri ra pikërisht më 9 nëntor 1989. Kësisoj nisi dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, por edhe e regjimeve të tjera diktatoriale në lindje të Europës, përfshi këtu edhe Shqipërinë tonë.
Ndryshe nga Gjermania Perëndimore, ajo lindorja vinte e gjitha nga një kolaps ekonomik dhe luftë e ashpër klasash ku kalendat kanë të memorizuar se një ndër 6 qytetarë qe informator i Stasit, një farë Sigurimi i Shtetit si ai në Shqipërinë tonë. Rreth 270 mijë njerëz të punësuar të përndiqnin figurat e mendimit ndryshe dhe 500 mijë ose afro gjysëm milioni spiunonin pa para, survejues a spiunë të rekrutuar nën tagrin e vullnetarit. Mbas riunifikimit u ngrit një komision federal për verifikimin e spiunëve dhe ky ju besua disidentëve ose ndryshe viktimave të Sigurimit të shtetit. Kjo bëri të mundur që në vitin 1992 të hapen dosjet e sigurimit me qëllim të daljes së përgjegjësisë, të personave përgjegjës me qëllim largimin e tyre nga postet drejtuese.
Në Shqipërinë tonë nuk u hapën kurrë, seç shpiku pas zhdukjes së fashikujve ca komisione verifikimi kot fare, madje i sheh ata edhe sot në poste kyçe duke folur për demokracinë, votën e lirë dhe të tjera, pikërisht për virtytet e viktimave të tyre duke përvetësuar rishtas dhe me dhunë një sundim të ri. Kësisoj Gjermania Perëndimore shpenzoi disa trilion marka gjermane vetëm në vitet e para, kjo së pari për pagat, për t’i sjellur ato në nivelet e atyre në anën perëndimore, të cilat nga 35% shkuan në 70% dhe pensionet nga 40% në 80%. Kjo për arsyen e thjeshtë që fatura në çështjen kombëtare e ka pa limit numrin e zerove.
Rënia e murit të Berlinit sot po përkujtohet kudo. Thuajse në një masë absolute rrjetet sociale sjellin fakte të reja dhe rëndësinë e hapjes së botës, për më tepër kur një lloj lufte e ftohtë blloqesh gëlon aty. Kjo shtuar edhe dozën e radikalëve me metodat xhihadiste etj., pa harruar edhe mbetjet botërore të ndarjeve nga lufta e parë e ftohtë, si sot Koreja e Veriut dhe ajo e jugut. Kurse tek ne hidhet foshnjarake ideja e bashkimit, e riunifikimit të faktorit shqiptar, apo ndryshe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Them foshnjarake për faktin se idetë tek ne nuk pranohen asnjëherë me rolin e ekonomisë, por me forcën e propagandës. Rasti i murit të Berlinit nuk ka asnjë diskutim që është një realitet ndryshe por ka një bazë të fortë që ne e neglizhojmë, faktorin ekonomik dhe atë moral. Pikërisht faktori ekonomik nuk është i favorshëm për të dy shtetet tona dhe për më keq akoma Shqipëria ka theqafje të pandërprerë, si të thuash vazhdon e bjerret. Pyetja nuk është më se kush do e paguaj faturën, por a mundet Shqipëria dhe Kosova të kenë një ekonomi stabël, produktive komunikuese që muri i Qafë Morinës të jetë formal, një mur me kunja shkrepsesh etj? Kjo është gati eterike ndaj belbëzohet si qejf foshnjor, si gugitje! Në raport me Gjermaninë Federale, të Helmut Kolit, Shqipëria nuk ofron asgjë për Kosovën, po kështu edhe Kosova e cila akoma nën trysninë e ish vendasit të pushtuar, ka një farë admirimi për flamurin, por nuk ofron asgjë. Ndaj ideja e forcimit ekonomik duhet të jetë parësore për të dy vendet, që termi Shqipëria e madhe të zëvendësohet me Shqipëria në kufijtë e saj natyralë etj. Por kjo nuk ndodh. Ndaj është logjike që Gjermania të jetë superfuqi e ekonomisë, model pajtimi, riunifikimi etj. Dhe në raport me pamjet e çekiçëve që thyejnë betonin, në portën e Brandeburgut, bulevardit të Tiranës i rrofshin fotot e guerrilasve.