Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: ARTI I PËRGJITHËSIMEVE ONTOLOGJIKE (1)

Image result for mehmetali rexhepi

Mehmetali Rexhepi

Studim

 

 

Shefik Shkodra “AUREOLË E PËRHITUR”; SHB Sogjetime, Gjilan, 2019

Tashmë në dorë e kemi librin. Le t`i shfletojmë ngadalë e me kujdes njëqind e tridhjetë e një faqe të librit “AUREOLË E PËRHITUR”; pastaj nëpër shtatë ciklet: Parafjalë, Mashtrime, Kujtime e mallëngjime, Herezia për veprën, Margjinale, Kallëzore dhe Trajtat eliptike, të eksplorojmë e t`i vjelim gjithë ato fryte të mbjella, që në pranverën e hershme të rinisë, të pjekura hapësirës së Erëverës, për t`ua parë e ndier ngjyrat e shijet e vjeshtës  të  poetit, studiuesit e publicistit Shefik Shkodra.

* * *

Shtatë cikle të lartshënuar të librit “Aureolë e përhitur”, e lidhin në një tërësi arkitekturën poetike të këtij libri. Në pesëmbëdhjetë poezi i shohim datat e publikimit nga dyzet e shtatë sosh, që nga viti 1987, deri në qershor të 2018-s, mbi tridhjetë vjet! Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se poeti ishte i lidhur përjetësisht me artin e të shkruarit. Shkrimi artistik është vokacion i paepur i poetit Shefik Shkodra, përkundër trysnive materiale e joshjeve tjera, të buta e të forta, “diferencimeve” dhe  tmerreve që ia përplasnin strukturat politike të kohës. Poezia ishte e mbeti vatra dhe pema e përhershme e këtij poeti. Ai vijoi ta ujiste këtë pemë degë-shumë edhe kur e godiste  thatësira, edhe kur nuk i jepej mundësia për vjelje…

Shefik Shkodra  si dashnor i pasionuar dhe besnik e kultivoi poezinë, ndërsa këtu jemi brenda vëllimit tij të tretë.

Dihet, këto pohime rrethanore për qenësoren e poezisë janë kushtëzime relative; nuk prekin thelbin,  in medias res të poezisë. Hapësira aq e gjatë e ardhjes, e bymimit të kësaj poezie brenda kopertinave të këtij vëllimi, lë shkas për përsiatje të ndryshme. Në këtë hapësirë kishte hyrë lufta e zhbërjes dhe mbijetesa e etnisë së autorit. Kategoritë e tragjikes, heroikes dhe të së shëmtuarës e përshkuan burimin e gjallë të rrjedhës së poezisë. Duke lexuar, madje rilexuar vëllimin “Aureolë e përhitur”, që nga poezia “Autoqefale” tek ajo përmbyllëse “Madrigal”, në këtë libër poezish, si veçanti e tërësi, askund nuk hasim gjendje dorëzimi, as kapitullim para ndeshtrashave çnjerëzore. Nuk hasen qasje anakronike, ndonëse zhgënjimi është i pashmangshëm. Zhgënjimet e një pas njëshme të aureolave shkëlqyese, herë-herë ia kishin përhitur dhe nxirë bardhësinë e vizionit për ardhmëri… E bardha, e kuqja, e gjelbra, e verdha të pleksura me të përhiturën, shkrimtarit  ia terratisën, por nuk ia frenuan cakun  drejt  idealeve estetike, etike dhe etnike.

Që në nismën e mësymjes së shkrimit si një identitet shpirtëror, mëdyshjet e animit nuk ia humbën baraspeshën e përcaktimit për përmbushjen e synimit jetësor, shfaqur përmes vetës së dytë:

“Ti këndon kur vetë  dëshiron, kur thua bën

s`ka rëndësi kush të sheh a të dëgjon…!”[1]

Ky është  kursi vetëmohues i poetit jashtë çdo diktati…

 

*  * *

Gjithnjë pas leximit e rileximit, në këtë vëllim poetik, të shtohet kureshtja të hysh në hapësirën e gjerë të tekstit e nëntekstit me përbërës të shumtë figurativ e ideor. Në këtë tekst të vargëzuar të del përpara galeria ose moria e figurave artistike, me të cilat lidhet vazhdimësia e realitetit të djeshëm, me të dukshmet e ngazëllimit dhe të fshehtat e hidhërimit, me përjetime të   përziera të poetit në të sotmen dhe, hedhjen e shikimeve për të nesërmen. Doemos figurat, sistemi figurativ nuk do të prodhonte reflekse poetike pa ndërveprime kushtëzimesh e përfytyrimesh emocionale-ideore, sprovash e pjekurish jetësore, kulturës së akumuluar për shkrimin e qëmtuar…

Për dallim nga proza e gjatë, ku rreth skeletit të epikës lidhen të gjitha fijet e rrëfimit të romanit, kapitujt janë hallka të ndërlidhjes e të pushimit, poezia del nga subjekti poetik si avull dhe  kthehet në pika shiu, në fije meditimi, si frymë valësh deti, si melodi gjethi, si shpresë e pengut…

Në vëllimin “Aureolë e përhitur” emërtimet e cikleve nuk janë vendosur kuturu, ato shfaqin emëruesin e përbashkët të ciklit, dëftojnë kahen, por veçse në mënyrë finoke, nga njësia në njësi të pritura tematike, me mëvetësi të përcaktuara motivesh e motivimi, për t`iu bashkëngjitur njësive vijuese, që shpijnë në rrumbullakimin tematik, emocional, ideor, estetik, stilistik, etik e filozofik. Të gjitha këto kategori, gjithë botën shpirtërore e të mendimit e mbështjell sfondi i një çfarësie poetike  e  titulluar “Aureolë e përhitur”.

Vërejmë se  kah do  që të shikosh gamën e gjerë të vargjeve, përbërjen e tyre të shtruar, fijet e fjalëzave të qëmtuara e tëhollojnë  dhe  dendësojnë  anën figurative të fjalës. Paraqitje të tilla të një sintakse poetike i përshkojnë poezitë më cilësore të këtij libri. Tërësinë e trajtave të thënies emocionale, idetë etike, estetike dhe filozofike, i mbanë të lidhura brenda koherencës së gravitetit të vet koncepti poetik i trajtës së pashquar: Aureolë. Mirëpo, pse kjo Aureolë nuk shkëlqen?! Aureola nuk shkëlqen ngase fantazmat e djeshme dhe të sotme ia kanë Përhitur shkëlqimin! Ideali estetik dhe etik i poetit, i shtruar kësisoj, doemos i jep shtytje anës tjetër: synimit jetësor, prirjes krijuese që Aureolës së Përhitur t`ia kthejë kuptimin mbiemëror: Aureolë e Bardhë!

* * *

Poezitë e vëllimit “Aureolë e përhitur” nuk janë shfrime çasti, pohimin e dëshmon largësia e datave në fund të poezive. Shtytja e çastit është shkreptimë, përflakje e joneve pozitive e negative, bubullimë e shpirtit të tendosur, që godet  furishëm edhe aty ku nuk duhej goditur… Të shumtën retë poetike të poetit dendësohen dhe zbrazin shi të prajshëm pa eufori, aq sa e duan dheu, flora, fauna, kopshtari, lavërtari dhe i mallëngjyeri…

Poeti Shefik Shkodra kaherë e ka kultivuar shkrimin e fjalës së bukur, mirëpo, përherë mes censurës dhe vetë-censurës… Kjo e dyta i parashtronte kërkesa dhe kritere të rrepta, madje, ndonjëherë ishte më frenuese se sa e para! Dëshmi për këtë rrethanë art-(j)etike është peshorja e tij për matje sasie dhe të cilësisë së shkrimit… Poeti ynë ka botuar gjithsej tri vëllime poetike… Poezinë, ndër më të hershmen, të titulluar “Fjala”, ia kishte botuar revista e vetme letrare shqipe e asaj periudhe “Jeta e re”, më 1966. Kjo revistë shënonte periudhën  e mëkëmbjes të letërsisë ndërmjet shqiptarëve. Prej atij “zgjimi” shpirtëror nuk kishte pushuar së shkruari, duke  publikuar herë pas herë poezi në të përkohshmet tona kulturore, letrare-artistike.

Vonë tepër vonë poeti Shefik Shkodra doli me librin e tij të parë poetik “Shtjella”, përmes SHB “Era”, Prishtinë, 2000. Autorit nuk iu përmbush pasioni i rinisë për publikim libri… Shkaqet janë kryesisht objektive: nuk hapeshin lehtë dyert e Parnasit, edhe për një individualitet të tillë letrar, si Shefik Shkodra?! Mes censurës shtetërore kolonialiste dhe zilisë klanore të politikës botuese, ai vëllimin e parë e publikoi atëherë, kur anarkia e botimeve pa kriter dhe krejtësisht për interesin e lekut, vërshoi çdo mjedis, secilën skutë; aq sa vlerat  mirëfilli të arrira u bashkërenduan me diletantizëm dhe,  diktuan psikologjinë e standardit mediokër!

* * *

Si do të dukej formula përcaktuese e bukurisë te togfjalëshi paraprijës “Aureolë e përhitur”? Në tërë poezinë e poetit Shefik Shkodra, vendin meritor e zë bukuria ose e bukura, jo vetëm si tipar me forma e vija të elegancës së përsosur… Po të shikohet me kujdes fondi i shkrim-thurjes, vjen pyetja tjetër: pse poeti para këtij libri nuk nxori disa vëllime tjerë me poezi? Njëri nga poetët tanë bashkëkohorë (Agim Vinca), kontekstin shoqëror të superstrukturës artistike, e kishte përkufizuar si “Kohë e keqe për lirikën.” Megjithatë, qoftë e keqe, qoftë e mirë poetët e shënojnë kohën me ndjeshmërinë dhe vizionet e veta. Po ashtu, edhe Shefik Shkodra e shënoi kohën…

Si i sheh ky poet: natyrën, hapësirën e ecejakeve, gjësendet, dukuritë, esencën e pamjeve, plotësinë dhe mangësitë, dhuntinë e njeriut, rrjedhat dhe nyjat e fatit, kategoritë estetike, qëndresën, dinjitetin, ligësinë, makutërinë, stoicizmin e karakterit njerëzor?… Doemos kësaj vepre po t`ia kërkonim vetëm një anames emocional pa përbërës të tjerë, madje tej-figurativë, do ta rrudhnim deri në lëndim. Leximi sipërfaqësor ose lexuesi pa një kulturë themelore teorike, mund të hyjë e të dalë kësaj hapësire poetike dhe të rrëshqas lehtë, edhe aty ku nuk shkelë mbi akuj.

Ai lexues që kërkon shtresime e reflektime idesh të hapura, të stilit eseistik e publicistik, këtu nuk do t`i gjejë, ndonëse nuk përjashtohen pleksje të aty-këtushme eseistike në minimumin e masës. Sidoqoftë, hedhja e shikimeve shkarazi mbi këtë ndërtim artistik, nuk të lë mundësi ta  cilësosh si tipologji e mbylljes hermetike. Të trokasësh në një derë të mbyllur, por pa e hapur nuk mund të paragjykosh se çfarë ka brenda. Përderisa nuk të është çelur ajo derë, të sillet vërdallë moria e përsiatjeve: vallë çfarë ka brenda çelësit të asaj brave që hapet nga brendësia? Pra, për të hyrë në atë brendësi do të duhej çelësi përkatës. Çfarë do të jetë kureshtja jote? E aty për atyshme ose paksa më e thelluar, varet prej shtytjes e forcës së motivimit? Andaj, pohimi i pamotivuar: zmadhues e rrënues nuk çon peshë  në  peshoren e vlerave.

Përkundrazi, kërkon të thërrasësh tek një derë e  hapur, për të cilën nuk të duhet çelësi: i sheh gjërat, sendet, orenditë si janë të renditura… Pyet veten: është a nuk është renditja e gjësendeve sipas arkitekturës funksionale të hapësirës?… A mund të bëhej ndryshe? Askush nuk të përgjigjet, vazhdon monologun me vetveten… Kështu, bie në gracka të buta të veprës dhe, nëse ti ke rënë  në ato gracka, atëbotë  të  paska joshur shkathtësia e saj, magjia e leximit!…

Duke iu qasur në mënyrë paksa më të përqendruar poezisë së tipologjisë “hermetike” në këtë libër, duhet t`i nënvizojmë ngërthesat e vargjeve. Çfarë rebusi ideje fshihet te poezia “Nuk të harrova?” Për zbërthimin e idesë e të reflekseve, mos të lypim ndonjë çelës “hermetik” jashtë sferës së kësaj poezie! Kuptimin poetik e dendëson kujtesa, pamja e kujtesës e cila i lidh periudhat e jetës… Në qoftë se aludimi sjell përfytyrimin e vashës, afshin rinor, njëkohësisht harresa hap një përfytyrim tjetër, kalueshmërinë e moshës, nga freskia e djeshme në zbehjen dhe zverdhjen e nesërme… Përfytyrimi i parë lëvizë rrathë të shumtë koncentrikë parafytyrimesh:

“për një ditë dy a deri nesër në mëngjes

aty do të ishte zbehë si ftua ngjyrë-verdhë”[2]

I tërë vargu i dytë i cituar merr shtrirje metaforike, zgjeron rrathët e asociacioneve të idesë… E njëjta ide evoluon në trajta vargjesh kur autori i rikthehet objektit të abstraguar  në  harresë. Në atë gjendje harrese, “shpirti ndihej-shportë e zbrazur.” Sërish hazëronte bredhërija e poetit, që konceptit t`ia gjente emëruesin e përbashkët, të cilin ia kishte mbuluar “muzgu” figurativ-imagjinar. Ky gjakim vështirë i kapshëm e vë në sprovë pasionin jetësor të poetit, aq sa mëtonte të tërhiqej, t`i shmangej atij përcaktimi e pasioni, qarta-qejf i gjumit e t`i kthehej vogëlsisë tij të rëndomtë…

Krejt atë përkushtim për idealin estetik, për kultivimin e të bukurës, aty ku nuk kishte premisa për të bukurën, kishte diçka mitike në shpirt, që nuk e lejonte dorëzimin e shkrim-kërkimtarit te dëshpërimi:

“Pa dyshim kurrë s`do të  largoja as në gjumë!”[3]

Në të gjitha poezitë nën kopertinat e librit “Aureolë e përhitur”, pikësynim parësor poeti ka të bukurën. Ai të bukurën e sheh jo si e shohin të tjerët… Ku është  bukuria nën vellon e së “përhiturës?” E bukura është kategori e zgjeruar, ngërthehet edhe në të rëndomtën e një shkëlqimi:

“ai lumi atje nën urë me vashën e kaltër; “pylli i dendur…”, shpresa si një dritë e përhershme, të cilën nuk e fikë goditja e dëshpërimit… Në kërkimet për rrugët e jetës, poetit i shfaqej Liqeni i Zanave me korin e cirkave  përreth, por i duhej:

“që t`i fusje në pe varg fëmijëri e rini sa më shpejt”, sepse:

“ndërgjegjja të ha rrugës mbete sa një rruazë e hiç”[4]

Përmes vargjesh si këto i ndiejmë ofshamat e poetit për t`i bartur përgjegjësitë, të cilat i kishte ngarkuar jeta, por ia ngarkonte dhe vargu, prej të cilit herë-herë e shmangu Kosova, një modifikim i trishtueshëm i Arbërisë! Poeti shtegtonte Arb-Dheut, i shtrënguar prej gjithfarë izmash, që të ruante të pastër ndërgjegjen mes të bukurës e të madhërishmes… E para: e kishte shtyrë ta kërkonte kudo atë thesar shpirtëror; ndërsa e dyta: për të përmbushur detyrime njerëzore, i lypte kursin e paepur të stoicizmit e të nderit! Rrugës së gjatë që të dyja ia gëlltisnin energjitë:

“grishje për fatin  i zhgënjyer në nënkresën gjumore”[5]

Pamjet e projektuara të bukurisë në unin e tij poetik, poetit Shefik Shkodra të shumtën  ua turbullonte“ e përhitura…” Shtrohet pyetja: a mund të duket bukuria e pikturave të jetës e mbuluar nga e hirta? Bukuria te ky poet nuk është shkëlqim a prarim kalimtar. Pleqëria edhe ajo ka bukurinë e vet, kur vishet me teshat e reja të mençurisë dhe zë logun ballor në kuvendin e burrave… Nëse shkëlqimi verbues i bukurisë ngërthen mashtrimin, ajo për poetin nuk ka shije estetike, ndaj përjashtohet nga plotësia e kategorisë.

Forca shprehëse e një poezie shpërthen, kur me anë të antitezës të së shëmtuarës, arrin të zgjojë tek lexuesi përfytyrimin e kundërt, alternativen e anës tej mesit, së cilës i ka zënë vendin e shëmtuara. Qysh do të shfaqej ajo, ana tjetër e të keqes, e cila është ngulitur e shtresuar në shpirtin dhe gjymtyrët e shkalluara të etnisë? Fantazmat shfaqen sa herë e merr vetën dhe ngre kokë e zbukurohet etnia! Madje, në periudha të caktuara e bukura kishte humbur kuptimin?! Pse?! Pse nuk mund t`i afroheshe kundërmimit të luleve, përderisa konaku kishte mbetur i mbyllur:

“Kopilët zinin hije-natyra e zezë shfaq fantazmat

Konaku mbetej pa hyrje-dalje te kopshti me lule!”[6]

* * *

Zjarri i kujtesës nuk ishte fikur, por në shpirtin e poetit bartej me të tëra gacat e historisë gojore; kishte djegur  shpirtra, përvëluar zemra nënash e nusesh: në Jemen, Pleme të Vogël e në Çana Kala… Për historinë gojore të gjëmës së pashkruar, poeti i përqaset ngjyrave romantike të ndjenjës,  në strofën e parë të poezisë “Histori gojore”:

“Këndo zog me gaz e me vaj në heshtje

thuaje qartë atë që s`e dëgjojnë miqtë,

pos teje e meje, na heq pak mall e zjarr

dhe lutjen e shpëtimit e bën për të gjithë”[7]

Figura e zogut të njerizuar dhe subjekti poetik, ndërsjellash përçojnë tërë atë dhimbje, dialogun e munguar të injorimit kombëtar, për shpëtimin e qenies shqiptare nga asgjësimi në luftëra të huaja të luftëtarëve, të cilëve as varri, as emri nuk u dihej! E kapur si përjetim mes  subjektit frymor e zogut këngëtar, si shpalim i heshtur, lënda e brumosur nuk kishte si të rrinte statike për vetë brumin, që fryhej e fryhej derisa të piqej në spikamën e gjëmës. Gjëmën e brumit të derdhur e të djegur në largësi, tragjiken e saj e spikati apostrofa.

Sipas historisë gojore të tragjedisë sonë, Shefik Shkodra vazhdoi, me sprova ontologjike, të ngre përkufizime përshkallëzimesh dramatike për tatëpjetat e dramës kombëtare.

Le t`ia marrim poezisë “Histori gojore” vetëm tetë vargje, të karakterizimit përmbyllës, nga gjithsej pesëdhjetë e tre sish: e ndjejmë thellë se si jehona tragjike merr përmasa rrëqethëse!

1 ”Mezi arrite ta ruaje e ribëje vetëm emrin”

2  “Krejt cullak kur ëndrra i kishte dalë!”

3 ”Dro, skëterra i gëlltiti dhe ata në përjetësi!”

4 ”Brenda uji lë lëkurën veç me kripë që djeg!”

5 “Natë e ditë nëna falej për kthimin e djalit!”

6 “- Emri arnaut pastaj shiftar në tefter e spisak fute!”

7 “Sa herë ka ndërruar moti s`ke arritur n`atë majë!”

8 “Atë këngë që kur e përjetove e s`mund e thoje (…)

Çdo qasjeje për shtjellimin e këtij diskursi, vetëm do t`ia pohonim në mënyrë të përsëritur plagët e tragjedisë, e cila vijoi esencën e pashërueshme në periudhat vijuese, si plagë që kullon e dhemb e, poeti nuk deshi ta gjente hijen e indiferentit…

Por, për çfarë i duhej poetit rikthimi te tema drithëruese e gjëmës? Pikërisht për drojën e përtrollitur të përsëritjes së gjëmave… Për çka tjetër?… Assesi jo për ndonjë arsenal revanshist. Në dufin dëshpërues, zhgënjyes dhe rebelimin e poetit askund  nuk villet urrejtje, as shfrim racist, as mallkime (ç) njerëzore…

Te poezia “Përralla e një mbretërie” idetë poetike vishen me ironi therëse për skenat e absurdit, për kontrastet e theksuara të skllav-pronarit e skllevërve, për Kartagjenën dhe Trojën e harruar, për zezonat që nuk i parandienin indiferentët, për çakejtë përfitues plojash, për zgjimin e fantazmave në emër të vënies së një “rendi”, sipas masës e shijes së pangopur sadiste!

Poeti e shtrin konceptin e tij poetik në gjithë-kohë. Gjithë-koha e fantazmave në trurin e njerëzimit!… Ai si krijues nuk parapëlqen prirjen për t`i përzgjedhë temat e mendësisë barbare, pse ta merrte flamurin e pararojës së etnisë? Assesi! Por, vetëdija etike, estetike dhe ontologjike e poetit bartë barrën e shumëfishtë të shqetësimit: të mos pjellën bastardë e buba-gjela të rinj! Të mos i “thurin” të vërtetës përralla në kuzhinat e tyre: gënjeshtarët, mashtruesit, spekuluesit e predikuesit shekullorë të  paqes nën rrogoz! Rrotën e historisë e rrokullisin fantazmat kahes së  dëshiruar…

 

 

[1] Shefik Shkodra “AUREOLË E PËRHITUR”, Sogjetime, Gjilan, 2019, f. 7

[2] Po aty, f. 11

[3] Po aty, f. 11

[4] Po aty, f. 13

[5] Po aty, f. 13

[6] Po aty, f. 17

[7] Po aty, f. 19

Please follow and like us: