Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda Gjoci: Dita botërore e diabetit!

 

 

Në 14 Nëntor në ditën botërore të diabetit, të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi” të re globale.

14 Nëntori, si dita botërore e diabetit është vendosur për nder të ditëlindjes së Frederik Banting, i cili së bashku me Charles Best, dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit Insulinën e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën.

Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike.

Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.

Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.

Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.

Por diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen 366 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet të jenë 520 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti.

Sipas OBSH, Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%.

Në çdo 10 sekonda në botë shtohen dy njerëz të tjerë me diabet dhe se çdo 10 sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me diabetin.

80% e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme në këto vende do të rritet me 80%.

Në vendet e zhvilluara diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në mosha mbi 65 vjec, ndërsa në vëndet në zhvillim diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në moshat 45-64 vjeç, por vitet e fundit diabeti tip 2 po takohet më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç.

Fakte nga vendi ynë

Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40 % të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Diabeti që takohet më shumë është diabet tip 2 me 90 % dhe 10 % diabet tip 1.

Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë dhe shpesh të” heshtur” ndaj thelbësore është sensibilizimi, informimi i komunitet për njohjen e diabetit

Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit.

Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak.

Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës. Format e diabetit janë:

Diabeti tip 1 haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë pa insulinë, ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjëndje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.

Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç,por ai po haset gjithnje dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze.

Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “çbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë, si mbipesha, obeziteti

Diabeti i shtatzanisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë. Ai ndodh në 2 %-5 % të grave shtatzane dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i kurueshëm por kërkon një mbikqyrje mjekësore gjatë shtatzanisë. Rreth 20 %-50 % e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë.Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik.

Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë:Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme, personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale, etj.

Shënjat e diabetit janë: Etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe, urinim i shpeshtë/dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqëndrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme.

Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.

Disa nga alternativat e mjekimit të diabetit aktualisht sot mungojnë në tregun tonë farmaceutik ose janë në qarkullim nga firma fantazmë që nuk japin efektin e duhur tek pacienti.

Ministria e Shëndetësisë sot jep shifra nga check-up i dështuar sepse tashmë matshmëria e treguesve të shëndetësisë nuk ekziston në këto institucione.

Shëndetësia “falas” i fshiu të gjithë këta matës për t’u referuar të dhënave qesharake të Vilmës, oligarkes së Ramës dhe për të fshehur kaosin që po kalon shëndetësia dhe babëzinë me PPP.

Please follow and like us: