Vizitë në muzeun e Shkupit, ku ndodhet varka e arratisjes nga diktatura e 16 qytetarëve pogradecarë
Bardhyl Berberi
Shkupi është befasues sa herë që ta vizitosh. Por udhëtimi i kësaj radhe në Shkup kishte një peshë krejt të veçantë. Një delegacion me pushtetarë vendorë, shkrimtarë, gazetarë të afërm të familjes Fezollari shkonin për herë të parë pas 44 vjetësh në muzeun ushtarak të Akademisë së Shtetit Maqedonas për të parë varkën e ekspozuar atje, me anën e së cilës plot 30 vjet më parë u arratisën 16 qytetarë pogradecarë nga familja Fezollari nëpërmjet liqenit. Gjithsecili nga ne mezi pret që të shkojë sa më parë në Shkup.
Pasi kemi lënë Strugën, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën, nën një mot të ftohtë dhe me shi, tej në horizont shfaqet Shkupi. Tej në horizont fillojnë të duken ndërtesat shumëkatëshe të Shkupit dhe lumi Vardar, i cili kalon mespërmes qytetit dhe nanuret me një qetësi perëndie midis urave të shumta dekorative të ngritura mbi të.
Mikrobuzi ynë ka ecur për gati një orë mes përmes qytetit deri në periferi të Shkupit. Kemi shkuar në Akademinë e Policisë së Maqedonisë ku ndodhet muzeu ushtarak. Në oborrin e Akademisë na pret me përzëmërsi Drejtorja e Akademisë së Policisë së Maqedonisë Sllagiana Taseva dhe dhe profesor doktor Jovan Spahievski. Pas pritjes shumë të ngrohtë dhe një kafe e përbashkët.
Futemi në muze. Qëndrojmë para asaj varke historike e cila sfidoi diktaturën komuniste. Vërtet kjo paska qenë varka që mbarti 16 persona të familjes nga më e moshuara, nënë Kushja 60 vjeç deri tek më i vogli fëmija 9 muajsh.
Ja, tregon Selvikua, gruaja e Feridonit, ajo që kishte qepur mushamanë anembanë varkës këtu qëndronte nënë Kushja e moshuar tek ky cepi ishte Barjami djali im, ai mbante një sasi të madhe eksplozivi që nëse do të na diktonin rojet dhe skafi i kufirit të hidheshim të gjithë në erë; më mirë të vriteshim se të binim në dorë të tyre që na i nxinë jetën. Atë natë të 3 korrikut 1975 frynte erë dhe kishte një hënë të zbehtë.
Të ngjitet mallëngjimi në grykë kur sheh atë varkë primitive të ulur të gjithë në të nga të moshuarit deri tek foshnja për të shpëtuar nga diktatura. Ata kaluan kufirin duke sfiduar diktaturën. Qytetarët pogradecarë ndjenë se kishte filluar një kohë e re, sfida ndaj diktaturës komuniste. Përfaqsuesit e diktaturës aso kohe u kthyen në kukulla kartoni duke lënë postet e tyre partiake dhe shtetërore. Diktatorit Hoxha që ishte në Pogradec duke pushuar iu helmuan pushimet. Diktatura sajoi athere lloj-lloj hipotezash se arratisja me varkë ishte e pamundur dhe ata mund të kenë ikur me ndonjë batiskaf që ka ardhur e i ka marrë nga ana tjetër e liqenit. Por faktet treguan ndryshe. Ata ikën larg pas arratisjes në Australi dhe kur u hap Shqipëria kur të tjerët iknin ata u kthyen në vendlindje.
Konstruktori i varkës dhe ideatori i arratisjes së madhe Feridoni shkroi mbi faqen e bardhë të murit të dhomës ku banonin ne lagjen Gorice “Ne po ikim nga atdheu ynë jo se nuk u duam atë, por nuk durojmë dot diktaturën e egër komuniste”.
Kjo është një pjesë e hidhur e historisë sonë që na i imponoi diktatura komuniste. Drejtoria e Akademisë së policisë së Maqedonisë Sllagiana Taseva tha se ky është një rast unikal dhe ne jo pa qëllim e kemi vendosur në muzeun ushtarak ku pëgatiten studentët dhe mbresat e tyre janë të jashtëzakonshme. Kjo është pjesë e historisë sonë të përbashkët, kështu e njohim njëri-tjetrin më mirë dhe forcojmë miqësinë.
Me mbresa të jashtëzakonshme në mbrëmje vonë jemi larguar nga Shkupi, kryeqendra e Maqedonisë, një qytet i transformuar që ka prishur identitetin e tij duke ndërtuar një Shkup krejt ndryshe me projektin ‘Shkupi 2014 ‘të Gruevskit. Shkupi është i vrullshëm dhe i rrëmujshëm me jete nate. Këtu ka lulëzuar piratëria e CD, baret e natës me muzik jazz, klube të të rinjve që këndojnë live.
Me kolegët gazetarë nga Shkupi kemi hyrë në një bar nate, ku era e mariuanës të shpon hundët. Këtu pihet birrë ‘Skopska’ dhe dëgjohet muzikë orjentale. Jemi kthyer të nesërmen në qytetin tonë me mbresa të paharruara nga ajo varkë historike, e cila shpërfilli kufirin e diktaturës komuniste, ajo tashmë është pjesë e historisë sonë dhe një ditë ajo duhet të kthehet në muzeun tonë…