Avdulla Kënaçi: Të vdekurit në ballë të aksionit
Kujtime të hershme
Gjatë viteve të demokracisë, shumë miq e shokë që njohin historitë e fshatit tim, Golëmit të Gjirokastrës, më kanë bërë pyetjen: “Si shpjegohet që nga fshati juaj nuk është burgosur njeri për agjitacion e propagandë? Janë tërë ato ngjarje dhe episode plot ironi, humor dhe sarkazëm që vërtetojnë se ju jeni tallur me pushtetin, komunizmin dhe korifejtë e marksizmit”?
Realisht nuk kam gjetur dot një përgjigje të saktë. Po ju rrëfej një ngjarje, ndoshta disa nga brezi im e kanë harruar: Ishte koha kur në shtyp e radiotelevizion, nën shembullin e popullit vëlla kinez, gjëmonte parrulla revolucionare: “T’i kthejmë kodrat e malet në toka pjellore si dhe fushat”. Brigadat e bujqësisë së kooperativës malore të Golëmit duke iu përgjigjur flakë për flakë këtij kushtrimi, iu qepën shullërit në Lera, aty ku nis Gryka e Rehovës. Ishte betejë heroike për ta kthyer atë pllajë gjithë gurë e sfaka në tokë buke. Akoma nuk ishte shkrirë bora. Ishte diku aty nga mesi i prillit.
Fluturoi lajmi shpresëplot në Tiranë se Golëmi po bënte kërdinë duke hapur tarraca në kushte të vështira. Ata malësorë trima nuk donin t’ia dinin as për akullin, as për motin. Nuk u durohej sa të shkrinte bora, por rrëmbyen kazmët, shatat e lopatat sikur të ishin lugë e pirunë… Në ballë të aksionit ishte organizata heroike e rinisë. Ia vlente që Golëmi të bëhej shembull për gjithë Republikën. U nisën urgjent dy gazetarë nga “Zeri i Rinisë”. Mbërritën tek Ura e Kardhiqit, afër Gjirokastrës. Golëmi nuk dukej nga që ishte pas maleve të zhytur në shi e mjegull. Duhet të ecnin 4-5 orë më këmbë për të arritur në “frontin” e punës. Moti ishte i keq, nuk bëhej më i keq. Si do t’ia dilnin me sukses këtij shërbimi? Zunë pritë në të vetmin klub tek Ura e Kardhiqit, aty ku kryqëzoheshin rrugët. Po prisnin me durim fakirët nëpunës shtetërorë të takonin ndonjë të ri apo pushtetar golëmas.
Pas ca kohe u buzëqeshi fati. Qëlloi që zbritën nga malet dy të rinj gojëbrisk e të muhabetit. Gazetarët u lehtësuan. Hapën blloqet e nisën të shkruajnë përgjigjet e pyetjeve. Erdhi puna tek emrat. Ju duheshin më të dalluarit. Dy të rinjtë hazërxhevap u dhanë emra me kënaqësi më shumë nga sa ata kërkuan. Nuk vonoi gjatë dhe artikulli pa dritën e botimit në gazetën “Zëri i Rinisë”. Dhe a e dini kush ishin të dalluarit? Pleq tek 80-90-të, fëmijë në djep apo të vdekur.
Me kujtohet një emër: Sabo Isufaj. Kishte vite që kishte vdekur. Ndjesë të afermëve të saj që po i përmend emrin.
Pas kësaj ngjarje të bujshme të rinjtë u qortuan, por nuk u burgosën. Në se do të dënoheshin, pushteti mund të merrte një kosto më shumë se sa dënimi i tyre…
Toronto, 18 nëntor 2019 (Foto: Pamje e fshatit Golëm nga Taro Stroka).