Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/ MBI NJE DRAME TE KUJTIM SPAHIVOGLIT NE KLUBIN E KULTURES TE KOMBINATIT TEKSTILEVE “STALIN”

Denoncimi i Spahivoglit te Ramiz Alia

 

Bashkë me shokun Idriz morëm takim me shoqen Eftimi Lito dhe drejtorin e Klubit të Kulturës shokun Osman Laze për çështjen e një drame që Kujtim Spahivogli i ka paraqitur këtij institucioni. Shoku Osman Laze, si drejtor i Klubit të Kulturës, i ka klërkuar Kujtimit një dramë ku të paraqitej figura e gruas tekstiliste të Kombinatit. Kujtimi i është përgjigjur kërkesës dhe i ka thënë se për një vepër të tillë, unë po punoj dhe e kam titulluar “Kurvat e Kombinatit”.

Shoku Osman i ka thënë se me këtë titull nuk ta pranoj në asnjë mënyrë. Mbas një koje Kujtimi e ka dorzuar dramën me titull “Hapat e para, dhimbjet e fundit”. Pjesa është diskutuar nga shokët e Këshillit Artistik të Klubit dhe nuk është aprovuar. E cilëson si një vepër që nuk i përgjigjet realitetit dhe poshtëron figurën e gruas.

Ne e lexuam këtë dramë dhe me të vërtetë përmbajtja të revolton. Sido që titulli është ndryshuar, përmbajtja mbetet po ajo. Po japim shkurtimisht disa gjëra:

Pesë personazhe (shoqe), paraqiten në dramë si femra të degjeneruara, të dezilizionuara në jetë, pijenece, të pacipta, të braktisura nga një e më shumë dashnorë. Jeta në konvikt e këtyre shoqeve paraqitet e ulët dhe poshtëruese. Nga goja e këtyre vajzave të reja që kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur në Kombinat, del një fjalor i çthurur që të dhimbsen për jetën ku janë katandisur. Ato kanë rënë pas alkolit, pas librave të verdha, pas dashurisë së çthurrur, janë bërë viktima të matrapazëve dhe për gjëndjen e tyre shpirtërore nuk kujdeset njeri. Vetkuptohet se këtu kemi të bëjme me një vetështrembërim flagrant të realitetit tonë socialist. Lumta, një nga personazhet kryesore që ka dështuar në dashuri, përfundon me Demon, me të cilin kanë dhe një fëmi. Duke mos i rezituar opinionit përbuzës në Kombinat, Demo e bind Lumton të largohet nga Kombinati, ata enden pa streh nëpër Tiranë, pa punë, në një gjëndje të vështirë ekonomike. Një plakë i strehon për mëshirë. Por edhe këtu çiftin e ndjekin fatekeqësitë e thashethemet. Gjithnjë nën motivin si “vajzë e Kombinatit”, matrapazët i vërsulen. Demo, i shoqi, përfundon vetë si matrapaz. Lumto çoroditet. Në tërë këto peripecira ajo mbtetet fill e vetme. Nuk di ku të ankohet, ku ta qajë hallin. Opinioni i shëndoshë, forca e partisë nuk duket gjëkundi. I vetmi personazh disi i ftohtë del Iliri, biri i plakës, ku këta janë strehuar por ky nuk është deçiziv. Kështu Lumto ndjek një rrugë fataliste, krejt individuale, karakteristike kjo për vëndet kapitaliste e revizioniste. Nga fundi, autori na jep monologun e Lumtos drejtuar plakës ku i thotë: për historinë e një vajze, e cila duke mos dëgjuar prindërit, ju përgjigj thirrjes së Partisë dhe erdhi në Kombinat, por këtu atë e ndoqën fatkeqësitë. Mesa duket, autori këtu bën një lloj proteste, por kundër kujt?!

Nga fundi autori e këthen Lumton në konvikt, midis vajzave dhe shoqeve të saja ku pak më parë në aktin e pestë gjendja na jepet e pandryshuar.

Duhet thënë se, sido që kjo dramë nuk u vu në skenë, shokët e Kombinatit duhet të kishin mbajtur qëndrim duke bërë një diskutim masiv.

Andon Rrudha

 

Please follow and like us: