Eduard Halimi: Kaosi në Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, si institucioni i parë që po prodhohet pas vetingut, është në kaos. Vendi i vetëm në botë pa një Gjykatë Kushtetuese (ose Supreme) dhe pa Gjykatë të Lartë gjithashtu, vazhdon të vijojë në një situatë kaosi. Të gjithë aktorët, politikë, vendës, të huaj, ata jopolitikë dhe qytetarët e thjeshtë kërkojnë ngritjen sa më shpejt të këtyre institucioneve. Dje unë shkrova pak më shkurt lidhur me qëndrimin e BE-së ndaj MV-së sa i përket ndërprerjes së fillimit të procesit të vetingut atje dhe shpreha disa konsiderata teknike lidhur me arsyet pse kemi ardhur te ky kaos dhe kujdesin që duhet treguar për të shmangur zhytjen e mëtejshme. Përpos tyre, sot dua të shkruaj për kaosin në GJK. Nuk ka dyshim se çështja numër një që do të ketë për shqyrtim Gjykata e re Kushtetuese, do të jetë “Kushtetutshmëria (ose e jo) e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit”. Është bërë pothuajse refren nga çdo partner ndërkombëtar i Shqipërisë, se ekuacioni i zgjidhjes së krizës politike fillon me një vendim të kësaj gjykate, që në rastin më të mirë të opozitës, do të sillte përsëritjen e zgjedhjeve lokale në vitin 2020. Pas Departamentit të Shtetit muaj më parë, Bundestagut në tetor dhe PPE-së në pikën 5 të rezolutës vendosën këtë refren: “Të krijohet Gjykata Kushtetuese dhe të japë një vendim lidhur me pretendimin për zgjedhjet lokale”. Partia Popullore Europiane është forca kryesore politike në Europë, që ka grupin më të madh të eurodeputetëve në Parlamentin Europian, drejtuesit e BE-së, si Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, drejtuesit e shteteve dhe qeverive kryesore në Europë, duke përfshirë Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Kryeministrin e Kroacisë që merr Presidencën e BE-së në janar 2020, kryetarët e qeverive të Austrisë, Irlandës, Rumanisë, Norvegjisë, Hungarisë etj.
Kaq mjafton besoj, për të kuptuar se nuk duhet të çuditemi nga debati politik rreth krijimit të Gjykatës Kushtetuese. Por jo vetëm kaq. Për shkak të profesionit aktual, unë nuk dua të bëj komente politike, duke ua lënë ishkolegëve të mi në të dyja krahët këtë debat, por për ta mbyllur këtu këtë argument, dua të shtoj se edhe pa çështjen numër një cituar si më sipër, (e cila nuk ishte imagjinuar ndoshta në 2015) sërish procesi nuk do kalonte kaq qetë.
Qëllimi im primar, kur u ula të shkruaja sot këtë tekst për gazetën, ishte thelbësisht teknik në vijim të dy shkrimeve rreth kësaj çështjeje në korrik dhe shtator, me dëshirën për t’i përcjellë lexuesit njohuritë e mia lidhur me paketën ligjore të Reformës në Drejtësi që po implementohet. Është e vërtetë se personalisht nuk jam marrë me draftimin e propozimit, që ka ardhur në 2015 në tryezën e reformës, por kam punuar shumë me analizën e atij propozimi, ngritjen e shqetësimeve në Komisionin e Venecias dhe jam përpjekur shumë që ato të implementohen në draftin final kushtetues, që u miratuan natën e 22 korrikut 2016. Kur unë botova në korrik 2019 në këtë gazetë shkrimin “Ngritja e GJK, sa afër dhe larg”, u mundova të përcillja te lexuesi mesazhin se, “nëse KED (prej korrikut) do të respektonte me përpikëri Kushtetutën dhe ligjin, shanset që GJK-ja të ngrihej në dhjetor (jo në korrik e shtator siç thoshin disa) do ishin të mëdha, në të kundërt GJK-ja do të ishte akoma larg. “Konkluzione të tilla vijnë nga një analizë logjike e rreshtimit të veprimeve të institucioneve sipas mekanizmit kushtetues të rënë dakord dhe doemos me rolin dhe pozicionin e secilit organ kushtetues dhe kjo nuk ka lidhje me asnjë aftësi parashikuese (që sigurisht nuk e kam).
Por sot, drejtësia është në kaos. Edhe më në kaos seç ishte në korrik. GJK-ja sot është akoma më larg funksionimit për shkak të kaosit ku hyri. Edhe nëse disa çështje nuk qartësohen, sërish do jemi përpara kësaj situate në zgjedhjen e anëtarëve të tjerë dhe janë jo pak. Ndaj, në këtë analizë le të shohim të gjithë komponentët e këtij ekuacioni në një ekran, që siç e perifrazon mrekullisht Anthony Robbins në librin e tij “Unlimited Power”, nuk duhet të jetë as drama, as komedi, por thjesht atë se si unë përpiqem ta shoh dhe dua ta përcjell.
KËSHILLI I EMËRIMEVE NË DREJTËSI
KED ishte një propozim eksperimental në atë kohë, ku do ishte dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë etj. (shih draftin e propozuar në atë kohë dhe imagjinoni debatin nëse drafti do të ishte miratuar i tillë). E gjithë struktura e propozuar ishte tejet komplekse dhe këtij shqetësimi iu përgjigj pozitivisht Venecia në Raportin Interim të 4 dhjetorit 2015:
65. “Komisioni i Venecias vëren se projektamendamentet prezantojnë një numër organesh të reja, që supozohen të kontrollojnë njëri-tjetrin. Megjithatë, kjo skemë e komplikuar institucionale mund të ketë një pasojë të pasynuar: krijon një atmosferë mosbesimi, e cila rrezikon të ndikojë vlerësimin publik të gjyqësorit, i cili është tashmë mjaft i ulët. Gjithashtu, krijimi i kaq organeve të reja do të kërkojë rekrutim masiv të profesionistëve ligjorë, ndërkohë që numri i kandidatëve që zotërojnë arsimin, trajnimin, përvojën dhe pavarësinë e nevojshme, mund të jetë disi i kufizuar në një vend kaq të vogël sa Shqipëria”.
Shqetësimi real që ekziston sot është te mungesa e profesionistëve në rezervuarin që do të ketë KED dhe kjo shihej qartë, edhe pse në raportin final të datës 12.3.2016, Venecia theksoi se:
10. …Gjatë vizitës në Tiranë relatorët u siguruan që në Shqipëri ka një numër të mjaftueshëm personash të kualifikuar për të plotësuar këto vende, me qëllim që sistemi i ri të mund të funksionojë.
Duket qartë se ndryshimi i mendimit erdhi nga Shqipëria, ku sa ish- gjyqtarë e prokurorë pjesëtare te ekipit dhe sa ish-ekspertët e nivelit të lartë arritën të ndryshonin opinionin, me qëllimin që sot të dallohet qartësisht: të ketë sa më pak kandidatë që ata të hyjnë vetë dhe të mos kenë konkurrencë. Sot, besoj se qytetarët mund të mirëkuptojnë plotësisht qëndrimin racional që kemi mbajtur para 4 vjetësh, si për draftin dhe për ekspertët e nivelit të lartë të zgjedhur nga njëra palë politike, që të mos ishin pjesë e institucioneve të reja. Pasi shihet se qëllimisht është përdorur kjo situatë, për të pasur si kandidatë për vendet në institucionet e reja në pjesë dërrmuese, ish-ekspertët e nivelit të lartë të njërës forcë politike.
Por, KED edhe për Venecian përbënte një problem që duhej parë nga afër. Në Raportin Interim të 4 dhjetorit 2015 do të theksohej me të drejtë se:
69. Krijimi i KED-it e komplikon strukturën e gjyqësorit dhe synon të pakësojë lirinë e zgjedhjes së organeve kushtetuese, që përfshihen në procesin e emërimit. Përbërja e këtij organi duhet shqyrtuar më nga afër. Në sistemin e propozuar të emërimeve KED, një organ shumë i vogël elitar, vendoset në një pozicion shumë të fuqishëm. Nga njëra anë, kjo përbërje synon të mbrojë KED-in nga ndikimi politik; në të njëjtën kohë, ajo rrit rrezikun e korporatizmit meqenëse anëtarët e lidhur me gjyqësorin janë në shumicë neto ……
Të gjitha këto, përfshi edhe propozimin qeveritar për të qenë pjesë e KED-it, e bënte alarmant shqetësimin. Pas zhveshjes politike në letër dhe tërheqjes së qeverisë, KED u miratua më 22 korrik në përbërjen që është sot. Personalisht, kam qenë kundër ekzistencës së KEDit, jo aq për atë që po ndodh sot, sesa për elementin e korporatizmit, të cilin do ta hasim në vitet e ardhshme dhe që është harruar për momentin. Por, politika është arti i kompromisit dhe kjo dilemë e imja u mbyll pas ardhjes së raportit final në mars 2016. As nuk dua të them se ndonjë prej nesh që diskutuam/miratuam paketën kushtetuese 3 vjet më parë e kishte menduar se Gjykata Kushtetuese do bëhej zero, se opozita do digjte mandatet, një Parlament do kishte një maxhorancë 100% etj., etj.
Ajo që dua t’i përcjell lexuesit, është se imagjinata e ligjbërësit nuk ka qenë lidhur me skenarë të tillë, të cilët erdhën përmes fakteve dhe grupfakteve gjatë këtyre 3 vjetëve me sabotimin e KED-it, për sa kohë nuk drejtohej nga individi që e drejton sot. Qëllimi ka qenë i mirë, pra që KED të drejtohej nga një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, që mendohej se do zgjidhej nga KLGJ-ja, se do bënte një renditje racionale, jotelekomanduese, se do të respektonte kohën e përcjelljes, etj., etj. Shkurt, do të zbatonte me përpikëri të lartë urdhërimet kushtetuese e ligjore.
Siç kam shpjeguar edhe në shkrimet e mëparshme, besoj se është e qartë për lexuesin e thjeshtë se KED, edhe pse është organ që ripërtërihet çdo vit, ka një rëndësi e peshë të madhe. Ky organ ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së kandidateve për në GJK.
Për propozimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese nuk ka dyshim se për çdo vend duhet të ketë jo më pak se 3 kandidatë. Pra, nëse KED duhet të propozojë kandidatë për 4 vende, minimalisht sipas Kushtetutës ajo duhet të përcjellë 4×3=12 kandidatë. Kjo është shumë e thjeshtë, e kupton dhe vajza ime që është 10 vjeçe. Unë di vetëm faktet e njohura botërisht deri tani lidhur me procedurat e ndjekura, apo me shqetësimin e përmendur më sipër nga unë më parë e pastaj konfirmuar nga Venecia lidhur me rezervuarin e kandidatëve, por të çosh 5 kandidatë për 4 vende, duke i renditur disa herë (A,B,C pastaj B,A,C, pastaj C,B,A, e kështu me radhë), kjo është pak të thuash që nuk është fare në përputhje me ligjin. Nëse kjo është bërë me vendim kolegjial apo jo, unë nuk e kam këtë informacion. Por, ajo që jam përpjekur t’i përcjell lexuesit në korrik dhe dua t’ia përcjell sërish sot, është se: KED kushdo qoftë, me cilindo kryetar, duhet që të ndjekë ekzaktësisht zbatimin e Kushtetutës, duke propozuar një listë të plotë, të qartë, si në formë dhe në përmbajtje, të shfazuar në kohë sipas Kushtetutës (siç do ta shpjegoj më poshtë) dhe në të gjitha rastet nëse nuk ka kandidatë, të rihapen procedurat me një bashkëpunim normal institucional mes KED (cilado qoftë)- President (cilido qoftë)- Parlament (kushdo forcë politike qoftë).
Nëse këtë bashkëpunim dikush e pengon, e saboton etj., etj, kjo gjë duhet thënë menjëherë në mënyrë që edhe qytetarët të jenë në dijeni, edhe presioni pozitiv mbi atë që përpiqet të manipulojë të ushtrohet korrektësisht.
PRESIDENTI DHE PARLAMENTI
Gjykata Kushtetuese (GJK) përbëhet nga 9 anëtarë: 3 gjyqtarë emërohen nga Presidenti, 3 gjyqtarë nga Parlamenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Ky model mbetet i pranueshëm: “Emërimi i gjyqtarëve kushtetues nga institucione të ndryshme shtetërore ka avantazhin e mbrojtjes së emërimit të disa anëtarëve nga aktorët politikë”, ka theksuar jo pak herë Komisioni i Venecias jo vetëm për Shqipërinë në 4 dhjetor 2015, datë 12 mars 2016, por edhe për Malin e Zi (CDL-AD(2013)028.
Edhe pse debatet kanë qenë të mëdha mes ligjvënësve në atë kohë, edhe pse formulat nga ekspertët ndërkombëtarë nuk munguan bazuar në modelet ndërkombëtare si VBM/VVT apo Condorset, (nuk po i trajtoj këto se nuk kanë interes për lexuesin e thjeshtë, por jam duke treguar se sa gjatë u debatua teknikisht kjo çështje), sërish duket se gjithçka ka dështuar dhe me të drejtë shumë njerëz janë skeptikë.
Nuk është fare rastësi vendosja në Kushtetutë e radhës së votimit, 1. Presidenti, 2. Parlamenti dhe 3. Gjykata e Lartë dhe pastaj sërish nga e para duke u përsëritur 3 herë, (3×3=9). Kjo formulë, bashkë me shfazimin në kohë, + shumicë të cilësuar, synon të eliminojë mundësinë që një forcë politike apo një President të emërojë njëherësh të gjithë anëtarët që i përkasin institucionit.
Në opinionin final të 12 marsit 2016, Komisioni i Venecias e thekson fort këtë kriter, pa e lidhur me faktin se kush do jetë në pushtet:
39. Thënë kjo, zgjedhja e tre gjyqtarëve kushtetues nga Parlamenti me shumicë të zakonshme (krahasoni nenin 125 me nenin 78 pika 1 të Kushtetutës) meriton vëmendje. Në përvojën kushtetuese europiane, zgjedhja nga parlamenti e gjyqtarëve kushtetues shpesh mbështetet nga kërkesa për shumicë të cilësuar me qëllim që të sigurohet një zgjedhje e përbashkët me mbështetjen pluraliste të partive politike dhe jo vetëm nga shumica. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur Presidenti dhe Parlamenti janë të një bindjeje politike dhe mund të emërojnë 2/3at e gjyqtarëve në të njëjtën kohë. Në rrethana të zakonshme, ky risk nuk është shumë i lartë, nisur nga dispozitat tranzitore për zëvendësimin gradual të gjyqtarëve të GJK-së në detyrë (shihni nenin 179 pika 1). Megjithatë, duke pasur parasysh faktin që në GJK mund të hapen vende të tjera vakante, Komisioni i Venecias rekomandon prezantimin e një rregulli, që kërkon shumicë të cilësuar për tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti.
GJK është aty për t’i thënë jo qeverisë kur nxjerr akte, vendime, kushdo qoftë ajo, për të mbrojtur zbatimin e Kushtetutës nga cilado qeveri. Ndaj dhe për Venecian emërimi i të gjithë anëtarëve nga një forcë e vetme politike nuk është në përputhje me standardet europiane.
Krijimi i saj nga zero, sigurisht që nuk ishte imagjinuar që do të bëhej nga një Parlament, një President dhe një Gjykatë e Lartë. Imagjinoni dot ndonjë debat sikur PS-LSI të ishin bashkë sot? Qeveri-KED-Presidencë në sinkron do kishim 6 anëtarë, që do emëroheshin brenda një dite, duke kursyer dhe idiotësitë e betimit te noterja buzë Lanës. (Kam bindjen se asnjë nga ish-anëtarët e Komisionit të Reformës, majtas apo djathtas, nuk e mbështetën këtë “betim noterial”).
Unë nuk e di çfarë e pengoi KED-in të çonte 12 kandidatë, pra nga 3 për çdo vend, çfarë e pengoi t’i çonte listat sipas radhës çdo ditë, nëse ky vendim ishte individual apo kolektiv. Ashtu siç nuk e dimë të gjithë se çfarë e pengoi Parlamentin të votonte ditën 10, 20 dhe pse priti ditën e fundit të afatit, ashtu si dhe do ishte mirë që debatet që Presidenti ka bërë me KED-in gjatë këtyre muajve të kishin dalë në pah në kohën e duhur. Janë të gjitha këto bashkë, që e kanë futur GJK-në në kaos dhe për herë të parë, opozita jo vetëm që nuk ka faj, aq sa nuk ka dhe çdo qytetar i thjeshtë e çdo gazetar, por ka të drejtën të falënderohet për ngritjen e shqetësimit 4 vjet më parë.
Në konkluzion tim, ajo që dua t’i përcjell lexuesit sot është se: Qëllimi i mirë i ligjbërësit kushtetues në 22 korrik 2016, nuk mjafton nëse zbatimi me përpikëri i sundimit të ligjit devijon, për më tepër kur bashkohet me qëllimin dhe interesin politik, e dëmton tej mase gjithçka. Sado të mira të jenë ligjet, formulat, modelet që përdorin ligjbërësit, duhet doemos të ekzistojë mbi të gjitha në zbatimin e tij, sa vullneti, po aq sa qëllimi i mirë, aq edhe sanksioni ndaj atyre që qëllimisht devijojnë zbatimin e tij. E duke pasur parasysh kaosin e krijuar në ekranin e përshkruar nga A.Robbins në “Unlimited Power”, gjithçka duket dramë, por nëse ka vullnet politik nga të gjithë për të zbatuar me korrektësi Kushtetutën, ekziston një bashkëpunim i sinqertë institucional, dëgjohen zëra racionalë, përzgjidhen njerëzit e duhur, me integritet dhe pa lojëra politike, atëherë drama me kaosin që duket sot do të kthehet me një komedi ku do mbahet mend “betimi” buzë Lanës, siç bënin dikur grekët e lashtë me çarçafin hedhur përballë detit!/panorama