Frank Shkreli: Festa kombëtare, ftesë për reflektim
Shqipëria jonë dhe kombi ynë shqiptar po kalojnë ditë të vështira. Ky 28 Nëntor, fatkeqësisht, nuk është si të tjerët më parë. Shumë familje shqiptare po vishen në zi në këtë festë kombëtare, ndërsa një hije e rëndë ka rënë mbi të gjitha trojet tona. Këtë 28 Nëntor nuk ka kengë e valle dhe pothuaj askujt prej nesh nuk i qeshet buza.
Vërtetë se ky 28 Nëntor — Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ditës më të shenjtë në kalendarin historik të shqiptarëve — këtë vit nuk është një ditë gëzimi, por nuk duhet të jetë as një ditë dëshprimi e pa shpresë. Por, ama duhet të jetë një ditë reflektimi, për të gjithë e sidomos për ata në krye të vendit dhe të kombit. Ndonëse Shqipëria dhe Kombi shqiptar po kalojnë ditë të vështira, si rrjedhim i goditjes së rëndë të tërmetit, humbjes së jetëve që nuk këthehen më, të plagosurve, të cilëve të gjithë iu urojmë shërim të shpejtë, dhe dëmeve materiale të cilat mund të zevëndosen shpejt, kollaj dhe pa ndonjë problem — Shqipëria dhe Kombi ynë, gjatë historisë, kanë kaluar ditë edhe më të vështira, por të parët tanë kurrë nuk e humbën shpresën, mbi të gjitha shpresën në vetveten dhe shpresën në Zotin.
Atyre askush dhe asgjë nuk mund t’ua hiqte nga zemra shpresën, as dëshirën dhe as vullnetin e tyre për ringjalljen e Kombit, për realizimin e endërrës shekullore që u arrit nga një grusht burrash të zgjedhur të Kombit me 28 Nentor, 1912, të cilët në krye me plakun e mençur Ismail Qemalin ngritën në Vlorë Flamurin e Gjergj Kastriotit -Skenderbe, Flamur i cili për mbi 400-vjetë mbeti i palosur në fshehtësi. Atë ditë, sot 107 vite më parë, ata u betuan se pa marrë parasyshë vështirsitë e çfardo natyre qofshin, të mbrendshme dhe të jashtme, Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skenderbe nuk do të ulet kurrë më nga shtiza e tij.
Ç’është ky betim, ç’është kjo besë e dhënë. Besa, kjo fjalë që nuk ekziston në asnjë nga gjuhët e tjera, kjo Besë që është ndër të parat cilësi të Kombit shqiptar. Në kohë të vështira, me ketë Besë u lidhën burrat e Kombit rreth Gjergj Kastritotit – Skenderbe, me ketë Besë u lidhën burrat e Kombit në Lidhjen e Prizrenit, me ketë Besë u lidhën me 28 Nentor 1912, burrat e Kombit që shpallën Pavarësinë Kombëtare nga zgjedha otomane pas pothuaj 500-vjetësh.
Siç thashë më lartë, ky 28 Nëntor, fatkeqësisht, nuk është ditë gëzimi, por nuk duhet të jetë as ditë dëshpërimi – por duhet që, patjetër, të jetë një ditë reflektimi, nga të parët e këtij Kombit sot. Ky tërmet ka shkundur themelet e shumë ndërtesave, pallateve e shtëpijave duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe ka lënë pa strehë qindra familje shqiptare. Burrat dhe patriotët e vërtetë dallohen në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira. Këto janë ditë të vështira për të gjithë shqiptarët kudo gjëndemi, por veçanërisht, për viktimat e këtij tërmeti dhe familjet e tyre në Durrës e Tiranë por edhe në zona të tjera. Në ditë të vështira si ky 28 Nëntor, burrat e vërtetë të Kombit nuk gëzohen, por as nuk dëshpërohen dhe as nuk dorëzohen, por reflektojnë!
Ndërtesat dhe pallatet e shembura nga tërmeti, jam i bindur, do të ndërtohen së shpejti. Udhëheqësit e vërtetë reflektojnë në këtë ditë të shenjtë të Pavarësisë! Reflektojnë që me fjalët dhe me sjelljet e tyre, ndërsa merren me përballimin e kësaj tragjedie të përkohshme, të mos bëhen shkaktarë të shkatërrimit të asaj NDËRTESE TË MADHE, që e quajmë Shqipëri. Ashtu si gjatë historisë, edhe kësaj rradhe u bën thirrje të gjithëve, ajo BESA Shqiptare: për një bashkim mendimesh e qëllimesh, për realizimin dhe çimentimin e vërtetë të objektivave kombëtare të përcaktuara nga Burrat e 28 Nëntorit të vitit 1912 në Vlorë.
Po e përfundoj këtë shënim modest me një amanet, që deri diku përputhert, situatën — mjaft aktual të Mehdi Frashërit, drejtuar shqiptarëve kudo, me rastin e 39-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1951 në Romë, (përballë problemeve të asaj kohe midis shqiptarëve), një thirrje aktuale kjo edhe sot, me rastin e këtij 28-Nëntori:
“Shqiptarë dhe Shqiptarka… Harroni gjithë mëritë dhe grindjet. Lidhni Besën simbas zakonit shqiptar për shpëtimin e Atdheut. Indipendenca shqiptare ka pasur idealet e veta të cilat janë zhvillimi i vendit tonë nga çdo pikëpamje, për me ua mbërrijt popujve të Perendimit më të përparuar, në Drejtësi dhe në Liri dhe për me plotësue aspiratat kombëtare. Si popull ilirian, natyra na tërheq nga Oksidenti. Ndjekja e ideologjive të ardhura nga stepet e Siberisë dhe të Rusisë, prej ku kanë dalë Attila dhe Gengish Khani, nuk e shpjen Vendin tonë veçse në rrënim”.
Mehdi Frashëri e ka përfunduar mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në vitin 1951, në fillim të Luftës së Ftohtë, me rastin e 39-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke i cilësuar fjalët e tij, drejtuar gjithë shqiptarëve, si të “sinqerta, pa ambicje dhe pa prapamendime”.
Pikërisht, në këtë frymë është edhe ky mesazh modest i imi me rastin e këtij 28 Nëntori që, fatkeqësisht, është ndryshe nga të kaluarit, si përfundim i tërmetit të rëndë që goditi Shqipërinë – jo për gëzim, por as për dëshpërim. Por është një thirrje modeste e një shqiptaro-amerikani për reflektim, sidomos në kohë të vështira si kjo tragjedi. Është një thirrje vëllazërore e një shqiptaro-amerikani, i cili me mend e me zemër vuan për ju dhe me ju këto ditë të vështira –ashtu si të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës — por që, njëkohësisht, edhe beson se nepërmjet bashkimit dhe respektit për njëri tjetrin, midis shqiptarëve, Shqipërinë e presin ditë më të mira. Është radha e juaj që jeni në krye të Vendit sot, që me BESË e fjalë nderi, me respekt dhe bashkpunim me njëri tjetritn, të shkruani faqe të arta në kapitullin e radhës të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për një të ardhme më të mirë për mbarë Kombin, në muajt dhe vitet e ardhshme.