Moszbatimi i rekomandimeve të KLSH, problemi i madh i administratës publike
Performanca vjetore institucionale, është një përmbledhje e rezultateve kryesore të arritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij për vitin 2019. KLSH, si një institucion modern i auditimit të jashtëm, progresin e rezultateve të arritura e ka bazuar në vlerësimin analitik të faktorëve avantazhues që ndihmojnë, si dhe atyre që e frenojnë apo e pengojnë veprimtarinë e saj, nga pikëpamja e të gjithë burimeve të brendshme e të jashtme, si dhe duke u fokusuar qartësisht në qëllimet, objektivat dhe në sfidat e së ardhmes. Një analizë e tillë SWOT (Strength- Fuqitë, Weakness- Dobësitë, Opportunities- Mundësitë, Threats-Kërcënimet) identifikon dhe zbërthen këto elemente, me preokupimin për minimizimin e dobësive dhe kërcënimeve si dhe kthimit të oportuniteteve në një avantazh dhe përparësi/fuqi efektive në dobi të veprimtarisë audituese të KLSH.
Pa u ndalur në mënyrë të hollësishme në të gjitha elementet e fuqisë së KLSH, ndër më kryesoret, cilësojmë:
Është më se e kuptueshme që ndër fuqitë kryesore të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë mandati i saj kushtetues lidhur me pavarësinë institucionale, fokusin e punës dhe detyrat funksionale, si dhe Ligji nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e KLSH”, i cili jo vetëm forcon pavarësinë financiare të KLSH-së, konsolidon pavarësinë organizative, zgjeron sferën audituese të KLSH-së por dhe specifikon aksesin në grumbullimin, analizimin dhe publikimin e informacionit, duke adresuar transparencën në komunikim, me theks në etikën e integritetin profesional të punonjësve dhe ekspertëve të KLSH-së.
Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (ISSAI), për të cilët bëhen përpjekjeje maksimale për zbatimin në punën audituese, dhe që janë një element i fuqishëm në këtë analizë, tashmë janë përkthyer, përshtatur dhe publikuar nga vetë KLSH, në funksion të rritjes së integritetit të menaxhimit të procesit auditues dhe forcimit të përgjegjshmërisë gjatë veprimtarisë audituese.
Kështu, referuar raport-progresit të KE për Shqipërinë, datë 26.5.2019, kapitulli 32 “Kontrolli Financiar”, në lidhje me këtë aspekt theksohet se: “Kuadri kushtetues dhe ligjor i Shqipërisë parashikon pavarësinë e Institucionit Shtetëror të Auditimit (SAI), në linjë me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI)”.
Në linjë me këto prosperime, janë miratuar dhe janë në funksionim një kuadër i brendshëm rregullator administrativ e organizativ, së bashku me Manualet dhe udhëzuesit specifikë në funksion të zbatimit në praktikë të Standardeve ISSAI. Në dorë të audituesve të KLSH numërohen sot mbi 15 guida kryesore dhe manuale metodike sipas tipologjive të auditimit publik, që i shërbejnë zbërthimit të panelit INTOSAI GOV në përditshmërinë dhe praktikën e punës audituese.
Në aspektin organizativ jo vetëm që ka një shtrirje të konsiderueshme të fuqive, por edhe një hierarki të qartë të roleve dhe përgjegjësive për arritjen e objektivave institucionalë, shprehur në konsolidimin e plotë të Departamentit të Auditimit të Performancës, dhe krijimin e Departamentit të Auditimit të IT. Përveç sa më sipër, janë edhe investimet për rritjen e kapaciteteve audituese në tërësi, përdorimi i instrumenteve të duhura për rritjen e integritetit dhe të etikës së stafit auditues, duke vazhduar me kulturën institucionale të lidershipit në favor të transparencës dhe llogaridhënës brenda dhe jashtë KLSH-së, motivimin dhe promovimin për rritjen në karrierë dhe deri te menaxherë me grada shkencore, përvojë të gjatë institucionale dhe njohuri të thelluara në fushën e auditimit, aplikimin e testimeve periodike për rifreskimin kontrollin dhe shtimin e njohurive audituese etj.
Gjithashtu, ekziston një kornizë rregullative dhe udhëzuese si korpus i plotë me rregullore, manuale, udhëzues, sistem elektronik të menaxhimit të auditimeve në kohë reale etj.
Trajnimet e përditësimit të njohurive, të ofruara nga partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë, që në fund të vitit 2019, audituesit e KLSH kanë marrë pjesë mesatarisht në 25 ditë trajnimi për auditues, indikator i cili rezulton të jetë 12 herë më i lartë se viti 2009 ku kishte vetëm 2 ditë mesatare trajnimi.
Gjithashtu në total janë 23 auditues të KLSH-së që kanë fituar internship-et tek ECA, si dhe nga bashkëpunimi i suksesshëm me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO) ka vazhduar pjesëmarrja e audituesve tanë në një fellowship 4-mujor pranë kësaj zyre dhe e kanë përfunduar këtë program 6 auditues
Duhet vënë në dukje që politikat e rekrutimit të punonjësve janë një faktor avantazhues në lidhje me progresin e deritanishëm në veprimtarinë audituese të KLSH-së pasi është arritur që mosha mesatare në KLSH në fund të vitit 2019 është 42.6 vjeç, nga 52 vjeç në vitin 2011.
Veç sa më sipër, një epërsi në vijim e veprimtarisë së KLSH kanë qenë botimet profesionale dhe shkencore në lëmin e auditimit, si edhe prania e rritur në mënyrë të vazhdueshme e audituesve në median e shkruar.
Në kërkim dhe analizë të përmirësimit të vazhdueshëm të veprimtarisë audituese të KLSH, ne kemi hulumtuar dhe analizuar edhe dobësitë tona. Kështu,
Pavarësisht rezultateve të arritura, implementimi i standardeve ndërkombëtare të auditimit mbetet ende një sfidë institucionale, jo vetëm për ne, por për çdo SAI modern. Vështirësitë qëndrojnë jo vetëm në mungesën e një studimi dhe përvetësimi të kujdesshëm dhe integral të ISSAI-eve nga të gjitha strukturat brenda KLSH-së, por dhe në interpretimin e tyre brenda kontekstit shqiptar të auditimit të aktivitetit ekonomik publik,.
Studim i pamjaftueshëm i dokumenteve audituese dhe qasje jo e plotë ndaj problemeve të konstatuara, evidentohet për shkak të dobësisë në thellim të evidencës audituese, të mangësive në teknikat e mbledhjes dhe analizimit të informacionit, duke çuar në një qasje reaktive ndaj problemeve të konstatuara.
Gjithashtu, konsiderohen dobësi edhe ineficienca hierarkike në disa hallka, mungesa e kapaciteteve të stafit auditues, rezistenca ndaj ndryshimeve për të ndryshuar traditën e trashëguar, vështirësi në përthithjen e qasjes inovative në auditime etj.
Megjithëse mundësitë janë të shumta, si: promovimi dhe motivimi mbi bazën e rezultateve në punë (vlerësimi i aftësive, shpërblimin moral dhe material); rritja e përgjegjshmërisë së punës në grup (përkushtimit më të madh dhe rritjes së shanseve për sukses); rritje e impaktit në publik, për shkak të kufizimit të ndikimit nga ndërhyrjet e jashtme (shtimi i influencës së raportimeve, duke u ngritur profesionalisht mbi këtë premisë, e kombinuar me rritjen e kapaciteteve të stafit auditues); inkurajimi i institucioneve homologe, organizatave, shoqatave të ndryshme dhe njësive akademike për aktivitete të përbashkëta trajnimi, auditimi paralel dhe shkëmbimi eksperience etj., të gjitha këto janë mjaft të rëndësishme në aktivitetin e KLSH.
Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë merr dhe analiza e raportit të fundit mbi INTOSaint – vetëvlerësimin vullnetar të integritetit- (proces ky i kryer ditët e fundit nga SAI-e simotra në KLSH), duke i shndërruar në një mundësi potenciale rekomandimet e këtij raporti, me qëllim fillimin e praktikave të auditimit të integritetit sipas këtij kuadri.
Padyshim që veprimtaria e KLSH, në rrafshin e analizës SWOT ka dhe kërcënimet e veta, të cilat mund të kenë ndikuar në frenimin e progresit në këtë drejtim.
Kështu mund të përmendim:
- Duhet theksuar se viti 2019, është karakterizuar nga një dukuri, veçori juridike dhe kushtetuese që është jashtë atributeve, jurisprudencës, kontrollit dhe influencës menaxheriale të këtij institucioni, (e pa ndeshur më parë në gjithë historikun e këtij institucioni të pavarur), dhe e kushtëzuar nga mosarritja e një emëruesi të përbashkët të hallkave dhe autoriteteve më të larta shtetërore për dekretimin dhe miratimin e Kryetarit të Ri të KLSH përgjatë vitit 2019. Kjo situatë, dashur – pa dashur, ka influencuar në mënyrë indirekte e në një farë mase, impaktin dhe rezultatet e institucionit në vitin e kaluar dhe në vijimësi.
Kjo situatë e drejtimit të KLSH-së me qëndrimin në detyrë deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, në përputhje me kërkesat e nenit 24 të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e KLSH-së”, në një farë mënyre e ndikon vijueshmërinë normale institucionale. Në këto kushte, në emër të gjithë audituesve të KLSH u bëj thirrje Presidentit të Republikës dhe mazhorancës qeverisëse që të përshpejtojnë proceset e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KLSH, me qëllim, që efektet e këtij kërcënimi të zbuten dhe minimizohen, duke shprehur vullnetin tim për sigurimin e vazhdimësisë deri në ardhjen e titullarit të ri të institucionit, referuar kuadrit ligjor aktual.
Në lidhje me sa sipër, unë si Kryetar i KLSH-së edhe sot kam një qëndrim të pandryshuar, të shprehur edhe në Kodin Etik të Kryetarit të KLSH-së, miratuar me vendimin nr. 27, datë 20.4.2018, adresuar zyrtarisht Presidentit të Republikës përmes kërkesës time për mos rikandidim për t’u rizgjedhur në postin e Kryetarit të KLSH-së, për të cilën kam bërë me dije dhe autoritetet e larta shtetërore përfshirë Kuvendin e Shqipërisë.
- Perceptim i deformuar i opinionit publik, palëve të interesit dhe subjekteve të audituara, pavarësisht angazhimit të KLSH në fushën e komunikimit, kërcënon arritjen e një sërë objektivash të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH-së. Nga analizat dhe vlerësimet tona, del se në shumë raste nuk ka një kuptim të drejtë mbi funksionin e KLSH, pasi ne nuk bëjmë politika, nuk zbatojmë politika dhe nuk kemi funksione ekzekutive, por vetëm rolin rekomandues, siç kemi vepruar deri më tani dhe në vijim.
- Vazhdon të mbetet ende problem zbatimi dhe ndjekja e rekomandimeve që KLSH iu ngarkon institucioneve dhe enteve publike të audituara, duke cenuar rezultatet e veprimtarisë audituese të KLSH-së, duke furnizuar antikulturën e pandëshkueshmërisë;
- Numri i lartë i auditimeve, spektri i zgjeruar i llojeve të auditimit dhe hera-herës aplikimi i kombinuar i tyre, përbëjnë risk për rënie në gabime, dhe si të tilla kërkojnë menaxhim të kujdesshëm nga stafi audituese e drejtues në KLSH.
- Përplasjet politike në vend, në lidhje me ngadalësimin e proceseve të zgjedhjes së Kryetarit të ri të KLSH.
- Pamjaftueshmëri kapacitetesh njerëzore të specializuara dhe logjistike për të mbuluar me auditim të gjitha institucionet dhe entet publike, sjell për pasojë që përzgjedhja e subjekteve dhe temave audituese të bëhet në përputhje me burimet e kufizuara në dispozicion.
KLSH objektivitetin dhe pavarësinë institucionale e siguron përmes ushtrimit të mandatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj dhe në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit, kodin e etikës dhe normat e sjelljes profesionale.
Në këtë mënyrë KLSH si agjent i Kuvendit ndikon në rritjen e besimit në shpenzimin e fondeve publike dhe luan një rol aktiv në rritjen e dimensionit të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë publike. Duke aplikuar kauzën e ISSAI 12 “Demonstrimi i vazhdueshëm i rëndësisë që ka SAI për qytetarët, parlamentin dhe palët e tjera të interesit”, KLSH evokon mbrojtjen e interesit të taksapaguesve dhe palëve të tjera, duke qenë një kontribuues i transparencës e llogaridhënies në shërbim të mirëqeverisjes, si dhe burim i besueshëm e i dobishëm informacioni dhe idesh.
Dëshiroj të theksoj se gjatë vitit 2019, KLSH:
- ka përmbushur përgjegjësitë e veta kushtetuese,
- ka përmbushur detyrimin e saj ligjor,
- ka përmbushur misionin e saj auditues, duke
demonstruar për një aktivitet që reflekton pajtueshmërinë me ISSAI-t, që aftëson dhe pajis audituesit me njohuritë dhe dijet e nevojshme për kryerjen e angazhimeve cilësore, në përputhje me Standardet dhe Praktikat më të mira Ndërkombëtare të Auditimit Publik; proces ky i konfirmuar, certifikuar dhe mbështetur si nga partnerët ndërkombëtarë me vlerësimet e tyre të pavarura, ashtu dhe nga Rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë, duke kontribuar në këtë mënyrë drejtpërsëdrejti edhe në proceset integruese të vendit.
Në nivel global, KLSH ecën në gjurmën e traditave të INTOSAI dhe është angazhuar me ambicien për të forcuar traditën e bashkëpunimit me partnerët me GAO dhe anëtarët e EUROSAI-t etj., duke e konsideruar këtë partneritet si një mundësi të pazëvendësueshme dhe mjaft të rëndësishme për të bërë përpara. Nëpërmjet auditimeve dhe angazhimeve në grupe të përbashkëta të punës të këtyre forumeve, auditimeve të përbashkëta me SAI partnere etj., ne kemi zërin tonë dhe kontributet modeste rajonale e globale, ku integrohen dhe çështjet që lidhen me Agjendën 2030 të Zhvillimit të Qëndrueshëm, për të cilat pareshtur kemi vëmë theksin te sfidat e përbashkëta me të cilat ndeshemi sot, veçanërisht te varfëria, pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe degradimi mjedisor, paqja, drejtësia dhe arsimimi etj.
Meriton një vëmendjen e posaçme dhe duhet të theksohet e të evokohet në këtë analize vjetore fakti që: ky vit shënjon një progres të padiskutueshëm në planin e zhvillimeve mbarëkombëtare profesionale, pasi, siç jeni në dijeni, në Kongresin XXIII të INTOSAI-t të mbajtur në Moskë në datat 23-27 Shtator 2019, u konfirmua propozimi i 20 shteteve anëtare në Bordin Drejtues të INTOSAI-t si dhe me mbështetjen e fuqishme të Zyrës së Auditimit Qeveritar të SHBA-së (GAO) dhe Kontrollorit të Përgjithshëm z. Gene Dodaro, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, falë përpjekjeve dhe angazhimit të Auditorit të Përgjithshëm z. Besnik Osmani, pranohet anëtarja e 194 me të drejta të plota në familjen e INTOSAI-t.
Duke e përmbyllur fjalën time, Ne si institucion suprem i auditimit shtetëror, do të vijojmë përpjekjen e pandryshuar që, “të jemi shërbestarë dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve shqiptarë, synojmë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së institucioneve publike”, si dhe do të vendosim në prioritetet tona të ardhshme direktivën e Kongresit të fundit të INTOSAI-t, sipas së cilës, “SAI-t inkurajohen të edukojnë audituesit e së ardhmes…, dhe të veprojnë si; Aktorë strategjikë, Shkëmbyes të njohurive dhe Prodhues të largpamësisë”.