Cikël poetik nga Astrit Gjunkshi
BIG BANGU NË KOPËSHTIN E EDENIT
E pa perëndia se diçka mungonte
Adami mërzitur i dukej pa masë
iu deshën milona vite atë ta krijonte
e kopështin në Eden ia kish bërë parajsë.
Mendoi, mendoi, në fund zgjidhje gjeti
një kopje i bëri me disa ndryshime:
për trupin mori model një sirenë deti
muskuj e lëkurë të lëmuar pa qime.
Nga kopështi i Edenit këputi qershitë,
buzët qershi ia ngjeu, i dha qafën si të mjelmës.
gjithë nuancat e ullinjve pasqyroi te sytë
faqeve u hodhi aromën e pjeshkës.
Si flokë i solli gjithë shtjellat e erës
dy kodra të buta mbi gjoks i vendosi
llërë e kofshë të bardha si bora e bjeshkës.
Kështu u krijua Eva, grua, çdo detaj ia përsosi.
E në fund i porositi të luanin bashkë sa të donin,
por mollën e vetme të kuqe mbi pemën e madhe
kurrë mos ta preknin, të mos e kafshonin
sepse ishte fort e hidhur, sillte fakeqësi e halle.
Kaloi ca kohë, miqësinë të dy forcuan aq mirë
kërcenin e qeshnin, luanin dhe me duar,
dhe shijonin në Eden çdo frut gjithë ëmbëlsirë
por mendja u rrinte lart te molla e ndaluar.
Ndaj s’duruan gjatë, një ditë sa doli drita
iu afruan pemës, pa prekur mollën kafshuan
nga një anë Adami e nga ana tjetër Eva
u shijoi aq shumë, buzët në fund u takuan.
Shije e paprovuar nga buzët hyri në shpirt
flakë po ndizej gjaku e gufonte zemra
kuptim mori jeta se hyri shumë dritë
e kuptuan se nga puthja do fillonte jeta.
Por, ashtu e ëmbël, nuk zgjati kënaqësia
u përmbys qielli mbi to me rrufe e vetëtima,
dhe ashtu si nga Bing Bangu kish filluar gjithësia
filloi nga puthja një Bing Bang i dytë
nga ku lindi fryma
dhe u përhap jeta e u shtua njerëzia.
24 Mars 2018
ZGALEMI I DASHURISË
I mbushur me zjarr dashurie
bëhesh me flatra
ngritur në qiell lart mbi re
aty ku mbretëron e kaltra
e ku të puthin rreze të arta.
Nga lartësitë, i dashuruar
duken të vogla hallet e jetës,
por vjen dhe koha, i detyruar
me to do ndeshesh
e në krah ke njeriun e zemrës.
Mbushur me të keqen retë e nxira
rrebesh mbi koka t’virtutit derdhin
gëzimin shuajnë fryrë nga cmira,
shpirtrat e varfër që kanë shok vesin
zbrazin rrufe e vetëtima që dashurinë duan ta vdesin.
Flatra të dobëta po të ketë
nuk mundet kurrë dashuria
të çajë furtunat, stuhitë në jetë
plot bubullima ku gjëmon fort ligësia,
të kapërcejë male kurthesh edhe të dalë përmbi retë.
Por dashuria po të ketë flatrat e forta të zgalemit
zogut të furtunës
dete e male me furtuna dhe errësirën mund të çajë,
vetëm zgalemi i dashurisë thyen shigjeta vetëtimash
e dashurinë lart në qiell me diell ndriçuar mund ta mbajë.
23 Shkurt 2018
VJEN NGA HYJNESHAT KRIPA E DASHURISË
I plotfuqishëm nëpër detra
ishte prej shekujsh perëndi
Poseidoni
dhe për të kripa,
e tretur në ujërat e pa fund
në detrat pa kufi,
ishte magjia
që bënte të gjallojë jeta.
Në pambarim, me brigjet deti
përplasej natë e ditë,
uji me kripë
i bardhë shkumbëzonte
tokën në breg e ledhatonte
me dashuri
dhe lindi shkuma e magjisë
të bukur e të bardhë
hyjneshën Afërditë
mburojë të dashurisë.
Shpërndau dashurinë
mes njerëzve në zemra
hyjnesha Afërditë
ndriçoi shumë shpirtra
lidhi martesa
e në familjet zbrazi nga vetja
shkumën e detit me ujë e kripë.
Ndaj
dashuria e vërtetë
në shoqëri, nëpër familje
jeton shëndetshëm se nga deti
kripën e sjell
e tret në jetë,
i jep çdo buzëqeshje shije
dhe buzëqeshjen me dashuri
e gjen edhe në gjellë.
Edhe Atena,
Minerva te romakët,
hyjnesha e urtësisë,
dha një këshillë :
O njeri
dashuri mbill,
ti fjalën mund ta kesh të pakët
por shumë kripë hidhi
se do marrë shije dashuri!
Me kripën nga detrat e thellë
ruan njerëzimi dashurinë
që është hyjnore
sepse hyjneshat vetë
nga deti e morën, e futën në çdo pore,
e sollën midis nesh në jetë.
10 Gusht 2018.
SHTATË SHPIRTRA E GJYSËM
Mizore më dukej, e pështirë
kur dikur dëgjoja shëmtuar të thonin
‘’gruan s’e gjen gjë, shtatë shpirtra ka,’’
por kaluan vite dhe njoha nga afër krijesën e mirë,
mrekullinë grua ku gjithnjë ndriçonin
shtatë shpirtra perla, cilësi të mëdha.
I njoha të parin shpirtin e nënës për fëmijën
që e ka si dritë në sytë e saj
me shpirt e mbështjell që kur i jep jetën
që shpirti fëmijën të sigurt ta mbajë.
Pashë një shpirt të dytë se si për familjen
pa frikë e jep, kurrë nuk e kursen,
si fole të lumtur i jep gjithnjë shijen
e me sakrifica çdo sfidë kapërcen.
Shpirtin e tretë ia fal dashurisë së jetës
me zemrën plot zjarr që i rrahu në rini
për atë që hapi gjithë dyert e zemrës
e që do ta donte deri në pleqëri.
Për bukurinë ruan të katërtin shpirt
shpërndan hijeshinë te gjithçka përreth
derdh nurin e bukur që rrezaton dritë
kënaqësi njerëzore ndjen kudo që e sheh.
Grua e kanë emrin rregulli dhe finesa
i ka thellë në shpirt, si një shpirt i pestë
gjithnjë papushuar duart edhe mendja
i punojnë që dita të na duket festë.
Buzëqeshje, gëzim kërkon të shikojë
ndaj një shpirt të gjashtë, të butë e të ndjeshëm
si melhem e ka që shpritrat t’i qetësojë
me ndjeshmëri ledhaton dhe s’ndjehemi vetëm.
Dhembjet njerëzore, trupat e drobitur
një dorë e butë mbi ballë e vënë
si një shpirt i shtatë që hyn pa trokitur
të shëron kur jepet nga një grua, bijë a nënë.
Shtatë shpirtra pasi ka dhënë për njerëzit e dashur
gjysmë shpirti për vete, më shumë s’kërkon
se shpirtin plot ka një grua kur i bën të lumtur
njerëzit përreth dhe jetën që aq shumë e don.
GJYSMA E VETES
E bukur, e re, plot ëndje e jetë
dashurinë ta fal sapo zbardh agimi
ndjen si hyn në shpirt lumturia vetë
është shoqja e jetës për ty si bekimi.
Një fole të bukur që bashkë keni ngritë
familjes që mban një emër të denjë
mendja e dora e saj i kanë dhënë nur e dritë
e “gjysma më e mirë e vetes ” i themi pa peng.
Sa i punon mendja e dora, kurrë s’pushon
edhe kur nga hija e moshës ka humbur freskia
sakrificat me të ndan kur vërtet e don
mbaheni tek njëri tjetri kur afron pleqëria.
Dhe ndodh jeta e padrejtë tregohet
se s’duhet goditur një engjëll që lëshon mirësi,
atëherë kambana bie që burrëria të provohet
« gjysma më e mirë e vetes » ç’ka qenë për ty.
Të gjitha sakrificat bien mbi ty, se s’mundet ajo,
kurajë asaj e vetes t’i japësh përkarshi të keqes
e në krah ta mbash kur duhet, nuk e bën kushdo
vetëm burra të fortë, me shpirt të madh
pa kushte e duan gjysmën më të mirë të vetes.
AH NËNAT FYTYRËHËNAT!
Fytyra i qesh si Hëna e plotë
fëmijën e saj kur e sheh të lumtur
çdo nëne mbi këtë botë,
e argjentë ngjan si një perëndeshë e bukur.
Merakun e saj në fytyrë tregon
kur shpesh duket aq e zbehtë
për frutin e saj të shpirtit duket se mendon
që çdo hap në jetë t’ia bëjë të lehtë.
Ashtu nga meraku, si fytyrëhëne
rritet, zvogëlohet çdo natë e ditë
dhe njëlloj si Hëna zemra e çdo nëne
të njëjtin cikël ka çdo muaj dhe pasqyron dritë.
Në gosti mbase fëmija diku është shtruar
e nëna mendon nëse është i ngrënë
dhe i lë mënjanë nga pjata që ka gatuar
për vete numëron kafshatat, ah nëna fytyrëhënë!
Veshur edhe ngjeshur fëmija nga dera
doli në mëngjes, por jashtë nis stuhi
përgjon në dritare, zemra i rreh fort e mjera
si Hëna e nxirë në qiell nëna në dritare rri.
Lumurinë e pa fund për fëmijën ëndërron
shpresa edhe brenga fsheh shpirti i saj prej nëne
si faqja e padukshme e Hënës kurrë s’i tregon
ah të shtrenjtat, heroinat tona, nënat me fytyrëhëne!
PËRRALLAT E NËNËS
Kur koha për të fjetur vinte
në mes të shtratit nëna futej
krahët hapte e na përkëdhelte
që gjumi në qepalla të ulej.
Përrallë më parë i kërkonim,
ëndrrat e jetës fëmijnore të ushqenim,
me fantazinë e saj nëna krijonte,
fantazisë sonë krahë i jepte.
Kur lodheshim, gjumi na kaplonte,
përralla në ëndrra si një film vazhdonte,
personazhet e përrallës gjithnjë i takonim,
dhe porsi të njohur me ta bisedonim.
Ndodhte që përralla me seri vazhdonte
fantazia jonë pa pushim punonte.
Dhe shpesh personazhet që në përralla njohëm
u bënë modele që na udhëhoqën.
Kur jeta na rriti me të mirat dhe ashpërsinë e saj
personazhet e përrallave trajta reale morën.
Filozofinë e të mirës dhe të keqes pa skaj,
e ndeshëm kudo në jetë, edhe e përdorëm.
Dhe sa herë sot në jetë
na ndodhin gjëra që përshtypje na bëjnë,
mendja tek personazhet e përrallave na shkon.
Dhe zërin e nënës,
atë zë magjik
e kemi sërish në vesh,
të ngulitur thellë në gjithë qenien tonë.
NËNAT E LAGJES
Në sytë e mi, perëndeshë qiellore
Mbetet nëna ime sikur është gjallë,
Nga ylli ku prehet fjalë mëmësore
Më dërgon çdo ditë, e dëgjoj me mall.
Por sa fort rreh zemra kur ma sjellin pranë
Mjaft miq të familjes që i kam të shtrenjtë,
Kur tregojnë kujtime nga e mira nanë
Për shpirtin e saj me mirësi të shenjtë.
……………………………………………………
…………………………………………………..
Kujtime të vogla, por mbushur me jetë
Që miq e të njohur na falin aq bukur,
Mozaikut të kujtimeve i shtojnë vërtet
Diamantë të çmuar, që na bëjnë të lumtur.
Të shenjtë nënat tona e kishin familjen,
Por ishte e madhe zemra e tyre e bardhë
Urtësi e gëzim jepnin për të gjithë lagjen,
Si “nëna të lagjes” i kujton brezi ynë mbarë.
……………………………………………………………….
……………………………………………………………….
Kujdeseshin shumë nëna të mos bënim ne gabime,
“Mos me nanën!”- zënkën ndalte zëri i tyre si kambanë,
Për punë të mira: “Ashtu me nanën!”- merrnim përgëzime,
Eh, çfarë arritëm në jetë dhe gjurmët e tyre mban!
Tani janë në parajsë, që të gjitha bashkë,
Na shohin, gëzohen për punët tona të mira,
Këshilla vijojnë të na japin ditë edhe natë
Nga yjet ku janë vjen prej tyre drita!
Poezitë janë marrë nga librat me tituj “Botët brenda shpirtit”, “Shpirti rri zgjuar” dhe “Të hapësh botën e njeriut”, që autori i ka botuar në vitet 2016 – 2018.