Cikël poetik nga Ledia Dushi
Ledia Dushi u lind në vitin 1978 në qytetin verior të Shkodrës. Ajo studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe dhe më pas përfundoi studimet në master dhe doktoratë në etnologji-folklor pranë të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA). Ajo punoi si përgjegjëse e kulturës pranë Bashkisë Shkodër. Më pas punoi në Universitetin e Beogradit si lektore e letërsisë shqipe, për të vazhduar gjithashtu si lektore në Universitetin Evropian të Tiranës (UET). Aktualisht ajo është kërkuese shkencore në fushën e Etnologjisë dhe Folklorit pranë Departamentit e Folklorit, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Tiranë.
Ajo është gjithashtu përkthyese nga gjuha angleze, italiane dhe spanjolle. Ajo përktheu autorë si Gabriele D’Annunzio, Cesare Pavese, Dylan Thomas, Jorge Luis Borges, Umberto Eco, Andrea Camilleri, Carlos Ruiz Zafon, Jane Austen, Hilary Mantel etj. Poezia e saj e mirëpritur është shkruar në dialektin e Shkodrës, gegë.
Ajo ka botuar vëllimet: Ave Maria bahet lot, Tiranë 1997; Seancë dimnash, Shkodër 1999; Me mujt me fjet me kthimin e shpendve, Tiranë 2009 dhe një vëllim poezitë e saj është botuar edhe në italisht, Tempo di pioggia, Prishtinë 2000, në anglisht, Rain in the dark (me përkthimin e Robert Elsie) Transcendent Zero Press, USA 2019, si dhe N`nji fije t`thellë gjaku, ONUFRI, Tiranë 2019.
Poezia e saj është përkthyer në gjermanisht, anglisht, polonisht, frëngjisht, maqedonisht, greqisht, serbisht, kinezisht, rumanisht, italisht etj.
Ledia Dushi është fituese e “Pendës së Argjendtë” Për Libër të Parë 1998 me Ave Maria bahet lot.
Gjithashtu poezia e saj është përfshirë në disa revista letrare ndërkombëtare.
Femna s’ashtë Njeri
Nata
del
prej avujsh t’përroit,
si lodhja e vajzës
t’derdhun andrrash…
Shiu frymon
ndër pemë,
engjëjt lëshohen
fruta
n’parrizat
e trupit tim…
Gurëzit
janë qetimet
që rrëshqasin me verën
prej bishtit t’trunit…
Se dielli
u zhbaka
n’tavana t’zambakët…
lulediella t’zinj
dillojnë
përmbas shiut.
Fushë me lule
Fushë me lule n’veri
shpijat frymojnë nën ty…
Hana lind
tue ta shtri dritën…
Pyjet
vorret tona n’t’gjallë,
shpijat
kishat e përuljes…
Pse s’je e gjithëmendun
Zojë Virgjën?
Lutemi me t`pa!
Vajza t’përgjumuna
thithin
zambakët e vokun
t’ujit.
s`dihet çka asht e ujit
s`dihet çka ashtë e ujit
shpija mbetun mes gurësh
mugullimi i lëmyshkët
sytë e përmbytun
sende t`kafkullta uji
ankthi i bregut
thirrma e pulbardhave
hana e pathyeme
zhvoshket veçse mbi gjak
cirka fjalësh t`langëzueme n`gojë
ama e rrushit të shkelun me kambë
trup i shtypun me taft
ndër gra soset gjithshkafja
frymë vena mbërthyese
që rrëzohet në fund të barkut
çka përhumbet cijatje grash
çikërrima zogjsh shkapetje uji
ndër shkambije përmbas dallge
za fryme za tingulli s`dihet
ujana ashtë e mefshët e asgja s`thotë
për ishuj dhembjen që del nesh
e rrethon me tokë
bijn` yje
sonte bijn` yje e secila grue grish tjera gra
mbështjellë n’sende t’buta ndoshta kangë a dashni
bijn` yje e gratë bahen pezullì e ndezin kangë a dashni
n’turra drush nën qiell n’pyll digjen gra ndër turra drush kangësh a dashunish
e rrugës s’kthimit shihen mbështjellca plym n’yje t’mbledhuna
e kensa që lëshohen gulçues me dukat e grave
t’mbetuna hi blatimi n’pyll
Marrë nga https://poetetshqiptare.com/