Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Astrit GJUNKSHI: VIRUSET, SHOQËRIA DHE SHËNDETI I SË VËRTETËS

Image result for ASTRIT GJUNKSHI

Astrit Gjunkshi

 

Nuk është koha për të bërë politikë.Por, mendoj se është koha më e përshtatëshme për të reflektuar për jetën dhe për shoqërinë tonë. Në këtë periudhë të vështirë, kur rrezikohet shëndeti dhe jeta jonë, kur shpresojmë që ta kalojmë sa më shpejt për të filluar jetën normale, a nuk është logjike që të pretendojmë për të shijuar një normalitet me pretendime më të larta pastaj? Jeta është e bukur, por është realisht e bukur kur jetohet në normalitet, me standarde të larta e të qytetëruara.

Personalisht, përpiqem të reflektoj në çdo kohë, të reflektoj se si mund të shkojnë më mirë disa gjëra në shoqërinë dhe në politikën tonë, në mënyrë që vendi ynë të jetë një vend më normal, në çdo fushë. Megjithatë, reflektimi më emergjent është për atë që po përjetojmë- për gjendjen e  shtetrrethimit që po kalojmë nga frika e përhapjes së Koronavirusit, që ka krijuar anormalitetet dhe sikur ka ndaluar edhe kohën. Është një anormalitet që jemi të detyruar ta pranojmë, sepse kemi  kuptuar një të vërtetë: se virusi është një kërcënim që nuk të fal, godet shëndetin, jetën tonë dhe të të tjerëve. Kemi pranuar edhe të vërtetën se nuk duhet t ëbëjmë asnjë kompromis me zbatimin rigoroz të rregullave që janë rekomanduar dhe urdhëruar për përballimin e kërcënimit. Kur të ketë kaluar e keqja, shpresoj sa më shpejt dhe pa dëme, do të kemi kohë të shëtisim më tepër me familjarët, të marrim pjesë në aktivitete të larmishme, të pijmë kafe me shokët dhe të shijojmë jetën, në çdo aspekt.

Natyrisht, nga kjo epidemi, duhet të nxirrren mësime për sigurinë shëndetësore në të ardhmen. Duhen ngritur më lart standardet, si shoqëri, për higjienën personale dhe për higjienën e përbashkët në familje, në rrugë, në vendet e punës, në shërbime dhe në lokale; për të korrigjuar disa zakone si përqafimi e puthja mes shokësh kur takohemi,  të ndenjies për orë pa fund nëpër kafene, të pështyrjes për tokë, të hedhjes pa përgjegjësi të plehrave, etj. Nga ana tjetër, qeveria dhe institucionet e tjera duhet të reflektojnë për të marrë masa parandaluese në aspekte që ndikojnë në parandalimin e sëmundjeve dhe epidemive ku veçoj, ndër kryesoret, rritjen e sigurisë ushqimore, përmirësimin drastik të standardeve të depozitimit të plehrave, rritjen e investimeve për shëndetësinë, përmirësimin e trajtimit të mjekëve me paga e kushte pune- që të mos emigrojnë, rritjen e investimeve për furnizimin me ujë etj.

E thënë shkurt, duhet të shihen në sy të vërtetat që lidhen me sigurinë shëndetësore: Shëndetin e godet dhe e shkatërron virusi, infeksionet dhe moszbatimi i masave përkatëse të shpie në anormalitet dhe në fatalitet. Për të përballuar këtë virus që kemi nëpër këmbë, si dhe infeksione të tjera në të ardhmen, do të ishim më të sigurt po të kishim një shëndetësi më të zhvillluar, një ekonomi më të fortë, institucione më të shëndetëshme, kulturë jetese më të qytetëruar, standarde më të larta jetese, qytetari më të lartë për zbatimin e rregullave të jetesës së përbashkët etj, etj.

Megjithatë, le të vazhdojmë logjikën tonë edhe për kërcënime të tjera që godasin dhe shpien në anormalitet shoqërinë dhe vendin tonë dhe për të vërtetat që lidhen me këtë.

Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se normaliteti i vendit tonë le shumë për të dëshiruar, pavarësisht ndryshimeve në disa drejtime. Mbetemi ende një nga vendet më të korruptuar në Evropë, një vend me papunësi të lartë dhe me varfëri të prekshme, me paga dhe pensione të ulta, me shërbime që fyejnë dinjitetin e njeriut, me institucione që, formalisht, kanë strategji ndërsa improvizojnë në realitet; një vend ku i paafti komandon të talentuarin, ku mediokriteti merr çmime, ndërsa vlerat mbështeten pak, ku krimi dhe trafiqet kanë hedhur rrënjë, ku emigrimi mbetet masiv dheku stresi e drama të tjera sociale janë në rritje.

Të gjithë fajësojnë politikën për këtë gjendje. Në këto 30 vite, qeveritë e njëpasnjëshme kryqëzohen nga opozita e rradhës dhe nga ata që u shkojnë pas, thuajse për çdo gjë. Ndërkaq, edhe pse politika ka përgjegjësinë kryesore, mendoj se edhe vetë shoqëria ka përgjegjësi. Në fund të fundit, niveli i politikës pasqyron nivelin e zhvillimit të shoqërisë. Dukuritë e sipërpërmendura  janë deformime në zhvillimin e vendit tonë. Ato mbeten si sëmundje të shumta që kanë infektuar shoqërinë dhe nuk po tejkalohen. Dihet se, për të kuruar një sëmundje, në rradhë të parë duhet gjetur shkaku i infeksionit. Unë mendoj se shkaku i vërtetë i sëmundjeve të shumta nga të cilat vuan vendi ynëështë si një virus- është virusi që ka infektuar TË VËRTETËN, ka shtrembëruar të vërtetën dhe ka goditur shëndetin e saj.

Doni disa shembuj bindës? Të dy krahët e politikës dënojnë njëra-tjetrën për deformimin e zgjedhjeve parlamentare apo lokale kur, në fakt, secila prej tyre ka kontribuar ndjeshëm në deformimin e rradhë. Dhe, ngaqë nuk është nxjerrë asnjëherë e vërteta, secila palë e ka përsosur deformimin. Akuzojnënjëra tjetrën për cënimin e pavarësisë së pushteteve kur, secila palë, ka tentuar për të futur në dorë të gjithë pushtetet kur ka qenë mazhorancë qeverisëse. Akuzojnë njëra-tjetrën për pamjaftueshmëri investimesh në shëndetësi, në arsim, për varfëri e papunësi që shtohet, për fshatra të harruar, për pasiguri në ushqimet që konsumojmë, për çmimet e larta të biletave të avionit apo për tarifat e transferimit të parave si më të lartat në Evropë, etj, etj. Ndërkaq, ajo që nuk thotë asnjëra palë dhe mbështetësit e tyre është se këto dukuri kanë qenë realitet edhe gjatë periudhës kur ata vetë kanë qeverisur. Diçka ka qenë mbase më mirë gjatë periudhës së tyre, porka qenë më keq diçka tjetër. Pra, siç thotë populli, janë pesë e pak, pesë pa pak!

Ajo që nuk e thonë dy krahët e politikës dhe pasuesit e tyre të devotshëm, është E VËRTETA. Natyrisht, i bën shërbim të madh zhvillimit dhe demokracisë goditja nga opozita e të metave të qeverisjes, me të gjithë forcën e mjeteve demokratike. Por errësimi i çdo arritjeje të palës tjetër kompromenton edhe të vërtetat që njëra palë thotë për defektet dhe dështimet e palës tjetër. Duke vepruar kështu, palët errësojnë të vërtetat, indoktrinojnë pasuesit e tyre në shoqëri dhe pengojnë bashkimin e përpjekjeve për të konsoliduar atë qëështë arritur dhe për të korrigjuar mangësitë. Për rrjedhojë, mangësitë vazhdojnë si rezultat i një infeksioni që nuk mjekohet, sepse nuk luftohet virusi i rrezikshëm- VIRUSI I SË VËRTETËS SË DEFORMUAR.

Konkluzioni logjik që vjen drejtpërdrejt është që, për të shëndoshur vendin dhe shoqërinë nga sëmundjet e rënda që po kalojnë, duhet të shëndoshim të vërtetën, t’i japim asaj shëndetin që meriton. Dhe, ashtu si lufta kundër virusit që po na sulmon shëndetin, duhet luftë skrupuloze,e organizuar, nga njerëz që janë aktivënë rolin e tyre emancipues për të thënë të vërteta. Këta njerëz mbase nuk janë shumë por, thellë-thellë, i gjithë populli e don të vërtetën. Por, që e vërteta të shëndoshet nga infeksioni ajo duhet mbështetur, gjithnjë e më shumë, nga çdo individ. Ashtu si lufta që po bëjmë kundër coronavirusit, ku secili ka përgjegjësi për familjen e vet, edhe lufta e secilit për tëmbështetur tëvërtetat kontribuon për shëndetin e të gjithë shoqërisë. Vërtet mbrojtja e mirëqenies së familjes është detyrë e prindërve. Por kjo mirëqenie nuk duhet siguruar pa asnjë skrupull, duke i shkuar pas qorrazi, për interesa personale, politikës. Ajo duhet siguruar me mjete të ndershme, duke mbështetur të vërtetën dhe duke mësuar edhe fëmijët me të vërtetat dhe mbrojtjen e tyre. Kjo është rruga më e sigurt dhe më e qëndrueshme për interesat e përgjithëshme dhe ato familjare. Ashtu si lufta kundër coronavirusit, e ardhmja jonë nuk do të jetë e shëndetëshme nëse na rrethon një shoqëri e sëmurë nga deformimet sociale.

Deformimi i të vërtetave dëmton shëndetin e shoqërisë, sidomos kur kthehet në modë, në mënyrë mendimi dhe veprimi. E vërteta shëron shoqërinë. Për shërimin e sëmundjeve që po kalon shoqëria jonë duhet të nxirren mësime pas kalimit të kësaj lufte të vështirë me coroanvirusin.  Me po këtë angazhim e ndërgjegje duhet të përpiqemi që të fitojmë edhe betejën për të shëndoshur të vërtetat e shoqërisë dhe të politikës sonë nga shtrembërimi i tyre i virusuar. Atëhere do të kemi një shoqëri vërtet më të lumtur e më të zhvilluar, që e ëndërrojmë të gjithë.

 

Tiranë, 13.03.2020

 

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash, shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit. 

 

 

Please follow and like us: