Albspirit

Media/News/Publishing

Gjirokastra dhe Korça nuk janë greke, kurse Vlora është zemra e Shqipërisë

100 vjet më parë, “The New York Times” botoi letrën e protestës nga Kostandin Çekrezi

 

(Më poshtë vijon “Të Drejtat e Shqipërisë” – letra e plotë e Përfaqësuesit Diplomatik të Shqipërisë, në SHBA, e botuar nga gazeta e njohur njujorkeze, në 14 mars 1920 dhe përkthyer nga Ruben Avxhiu.)

Editoriali juaj sot për Shqipërinë ka zgjuar në zemrën time ndjenja të përzjera përgëzimi po edhe kritike – përgëzimi për shkak të mbështetjes tuaj për parimin e Presidentit Wilson se territoret e Shqipërisë nuk mund të përdoren si dëmshpërblim për të zgjidhur konflikte që nuk kanë të bëjnë me vendin tim, por edhe kritikë për deklarimet tuaja lidhur me Gjirokastrën dhe Korçën si dhe ato për Vlorën. Më tej për çështjen më të përgjithshme të aftësisë së shqiptarëve për t’u bashkuar dhe për të patur qeverinë e tyre kombëtare pa ndonjë mbikqyrës të huaj.
Deklarata se “Grekët duhet të marrin Gjirokastrën dhe Korçën” është diçka që më trondit vërtet sepse, fare pa e ditur, jeni duke kërkuar që t’ia jepni Greqisë krahinën ku kam vendlindjen, atë të Korçës, së bashku me mua e me njerëzit e mi dhe mbarë popullsinë që është e pastër shqiptare dhe e cila ka pësuar vuajtje e mizori të patregueshme gjatë pushtimit grek të këtij rajoni si rezultat i Luftrave Ballkanike.
Më vjen keq ta them se shumë njerëz ende janë viktima të përshtypjes së gabuar të krijuar prek shtrembërrimit grek të karakterit kombëtar të këtyre rajoneve. Në fakt, grekët pretendojnë se nga 200,000 shpirtra që banojnë në provincat e Korçës dhe Gjirokastrës 80,000 janë shqiptarë dhe 110,000 janë grekë. Në vështrim të parë këto statistika mund të duken korrekte, mirëpo mbrapa tyre fshihet një gënjeshtër monumentale sepse të ashtuquajturit “grekë” janë shqiptarë të pastër, të cilët i përkasin kishës ortodokse greke, ashtu si unë dhe familja ime janë pjesë e shumë familjeve të tjera që përbëjnë të ashtuquajturit 120,000 “grekë”.
Ju me të drejtë keni shtuar në provizon tuaj se pretendimi grek është vetëm një nga të shumtit, duke gjykuar nga kaq larg, sepse largësia dhe keqinterpretimet greke të fakteve është ajo që bën të gjithë dallimin. Megjithatë, dizavantazhi i largësisë mund të drejtpeshohet nga dëshmitë e amerikanëve të mirënjohur, të cilët e kanë vizituar së fundi këto rajone, disa prej tyre të dërguar në formë zyrtare, të tillë si: J. E. Haven, Gjeneral George P Scriven, USA, Miss Eleanor Cabot nga Bostoni, Sidney Howard nga New York-u, Zëvendës-Konsulli i Shteteve të Bashkuara, Robert Swan Townsend, i cili tashmë është përkohësisht i vendosur në Korçë, si dhe shumë të tjerë për të mos përmendur shumë njësi të Kryqit të Kuq Amerikan të stacionuara në Korçë dhe Gjirokastër. A duhet injoruar dëshmia e këtyre njerëzve duke favorizuar manipulimet e qëllimshme të fakteve të vërtetuara? Në anën tjetër, delegacioni shqiptar, ka bërë të njohur në mënyrë të përsëritur Konferencës së Paqes gatishmërinë e tij që të pranojë një plebishit për këto provinca. A ka ndershmëri më të madhe se kjo?
Përsa i përket pretendimeve italiane për Vlorën, më vjen keq t’ju them se një padrejtësi e madhe është bërë duke ia njohur këtë kërkesë të padrejtë të Italisë për këtë port kryesor të Shqipërisë. Arsyet strategjike nuk mund të justifikojnë dot kurrë këtë fatkeqësi të madhe ndaj popullit shqiptar sepse Vlora mund të quhet më saktë si zemra e Shqipërisë dhe se Presidenti i Qeverisë Shqiptare vetëm pak ditë më parë kërkoi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara që të ndërhynte në këtë çështje.
Së fundi, pjesa ku ju shkruani se: “shqiptarët janë mjaft patriotikë, ndonëse një pjesë e madhe e patriotizmit të tyre është më shumë lokalist sesa kombëtar, por nuk ka ende prova se përveç një pakice të vogël, janë të aftë për vetëqeverisje”, është thjesht parashikime të panevojshme të problemeve të ardhshme bazuar vetëm në keqinformime të armiqve të Shqipërisë, të cilët po i përhapin me qëllimin për të justifikuar pretendimet e tyre të padrejta ndaj trojeve shqiptare. Padyshim, vendi që ka prodhuar “Perandorë Shqiptarë që kanë shpëtuar Romën” si e përmendni edhe ju vetë do të jetë mëse i kualifikuar për t’u kujdesur për interesat e veta, ndonëse “kohët kanë ndryshuar”.
Në kohën e tashme, shqiptarët janë më të aftë për vetqeverisje se çdokush tjetër në shtetet e Ballkanit në kohën e emancipimit të tyre. E vetmja gjë për të cilën kanë nevojë është një shans i drejtë për ta demonstruar këtë aftësi.

Kostandin A Çekrezi
Përfaqësues i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

Please follow and like us: