Kuvendi i Senicës, kuvendi që hodhi themelet e Rilindjes Kombëtare
Nazmi SEJFO
Në ditët e para të muajit Prill të vitit 1770, zhvilloi punimet Kuvendi i Senicës. Pikërisht këtë vit po mbushen plot 250 vjet nga kjo ngjarje e rëndësishme. Mendoj se është obligim për ne që jo vetëm ta kujtojmë, por edhe t’i japim vlerat që meriton kësaj ngjarjeje me rëndësi të madhe kombëtare.
Kuvendi i Senicës u mblodh me inisiativën e patriotit dhe vizionarit Idriz Sulli, i cili nëpërmjet autoritetit të tij moral bëri të mundur pjesmarrjen në të të krerëve më në zë të trevave të Jugut, me shtrirje nga zonat e Labërisë, Himarës, Çamërisë, Delvinës, e më gjerë. Ky kuvend ishte ngjarja e parë e rëndësishme, me një pjesëmarrje të tillë, që organizohej pas tre shekujsh muzgu në historinë tonë kombëtare, për shkak të pushtimit Otoman dhe Venecian.
Ishte periudha kur brenda Perandorisë Otomane dhe Portës së Lartë kishte filluar të merrte jetë ideja e krijimit të kombit turk, e cila mbështetej kryesisht mbi pjesmarrjen në të të popujve brenda Perandorisë, që i përkisnin fesë muslimane, ose me shumicë të tillë, siç ishte edhe populli ynë.
Idriz Sulli, si një prijës i mënçur dhe vizionar, duke parë rrezikshmërinë e të ardhmes së Kombit Shqiptar nga realizimi i një ideje të tillë, e shtroi si një nga çështjet kryesore këtë problem në këtë Kuvend. Ai ishte kundër idesë së Portës së Lartë dhe kishte përpunuar në vetëdijen e tij dhe mbështeste fort fillimin e procesit për rilindjen e Kombit Shqiptar, jo mbi bazë regjionesh fetare, por mbi bazën e lidhjes së gjakut dhe gjuhës, ku të gjithë regjionet fetare, brenda hapësirës shqiptare, do ta ndienin veten të barabartë. Eshtë lapidare thirrja që Ai u bën që në hapjen e punimeve të këtij Kuvendi gjithë krerëve, pjesëmarrës në të: “Dëgjoni o kapedanë,/ Të krishter e muslimanë,/ Të madhe u bëj rixhanë/ S’jemi turq, as venecianë/ Jemi një gjak e një farë,/Jemi të gjithë shqiptare”.
Ideja e tij për këtë çështje u përkrah fuqimisht nga të gjithë pjesëmarrësit, si nga ata që i përkisnin fesë muslimane dhe nga ata që i përkisnin fesë së krishtesë, duke e cilësuar këtë kuvend si Kuvendi i Pallcimit (fillimit të krijimit të një strukture të gjallë, vertebrore të çështjes kombëtare). Ishin këto themele, mbi të cilat më vonë filluan të vendosnin gurët e ngritjes dhe konsolidimit të ndjenjës kombëtare rilindasit tanë, deri në arritjen e krijimit të shtetit të ri Shqiptar, në 28 Nëntor 1912.
Gjithë këto çështje u diskutuan gjerë e gjatë edhe nga prisat e tjerë pjesëmarës dhe përfundimisht u vendos që diskutimi i tyre të vazhdonte edhe më tej, pasi të njihej edhe popullsia e zonave përkatëse me to, duke lënë mundësinë e marrjes së vëndimeve përfundimtare në një kuvend tjetër. Ky kuvend u zhvillua në fshatin Zhulat, në vendin e quajtur Rrapi i Agait, në vitin 1775. Pas këtij Kuvendi këto ndryshime u miratuan, duke u njohur si Shartet e Idrizit dhe u bënë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha trevat e Jugut. Nuk është momenti që t’i paraqes këto ndryshime, por kush është i interesuar të njihet me to, mund t’i gjejë në përmbledhjen që u ka bërë Prof Ismet Elezi dhe botimit të tyre në librin Kanuni i Labërisë.
Duke përkujtuar 250 vjetorin e këtij Kuvendi, mendoj se hedhim dritë mbi këtë ngjarje, nga të parat dhe më të rendësishmet e Shekullit të XIII-të për popullin tonë, e cila ka ngelur deri diku e panjohur dhe ku historiografia tonë ka bërë shumë pak, ose aspak, për njohjen e saj, ndoshta edhe pa dashje. Lënia në heshtje e këtyre kuvendeve, ka qenë në planet e pushtuesve turq e venecianë dhe më vonë edhe të qarqeve greke e fqinjve të tjerë, pasi koncepti dhe vendimet e mara në ta për çështjen tonë kombëtare, nuk përputheshin me interest e tyre aneksuese dhe asimiluese, prandaj nuk na lejohet me tej harresa dhe mos ineresimi.
Shprehja: “Le t’i japim Qezarit, atë që i takon Qezarit” na detyron neve që në hierarkinë e vlerave të patriotëve dhe ngjarjeve historike t’u japim vendin që meritojnë edhe patriotëve me në krye Idriz Sullin dhe kuvendeve që ata zhvilluan. Ky vend për ta, kam besim të plotë, mund të jetë pa hezitim ndër majat e faqeve të ndritura të historisë sonë kombëtare./gsh.al/