‘Aty ku këndohet, vdekja kthehet mbrapsht’, më tha gjyshja
Helena Halilaj
Nganjëherë nuk i njohim hapsirat, mundësitë e vogla dhe plot dashuri rreth vetes derisa i takojmë. Këto ditë kuptuam që shtëpia ka shumë punë për të qenë aq mirë sa e mban mami, vjerra apo ndonjë gjyshe e fortë.
Këto ditë kuptuam që shtëpia ka shumë punë për të qenë aq mirë sa e mban mami, vjerra apo ndonjë gjyshe e fortë. Nga lulet tek pluhurat, nga pazari tek gatimi, nga rrobat tek larja. Në këto ditë mesuam ku ka më shumë nevojë shtëpia, sa pak receta kemi gatuar deri tani, sa gjethe të thara kanë lulet, bleme ushqimin e zogjve etj. Biseduam me fisin, u informuam mbi ndryshimet e tyre, njohëm dhe komshiun kur biseduam nga ballkoni se as në ashensor si flisnim deri dje. Kuptuam që pallati ka disa plaka, ka të sëmurë, ka fëmijë, ka mjekë. I shfletuam dhe ca libra të blerë në panaire, të marrë dhe dhuratë.
U morëm dhe me fëmijërinë, rininë, i hapëm albumet e vjetër harruar në fund të dollapeve. Gatuam me fëmijët, u bëmë gjithë brum petullash, mësuam nga nënat dhe gjyshet për fëmijërinë tonë, për lodrat, ushqimet, veset dhe pritshmëritë që kishim. Na treguan për lindjen tonë, për këngët e fëmijërisë. Na treguan dhe për dasmat. U fol dhe për darkat e mëdha kur flinin shumë njerëz në nje dhomë, madje përtokë në shumë raste.
Biseduam me babain, burrin për tema të shumta, bëmë edhe mbledhje familjare. Në këto ditë i lamë rrugica e tapete, pimë kafe turke në ballkon, qeshëm kur gjyshja donte të na mësonte shtizat. Folëm dhe për sakrificat e prindërve, gjyshërve tanë.
Edhe për dashurinë deshëm të na flisnin më shumë, për njohjet, propozimet, ngacmimet. U mblodhëm në dreka e darka sa jemi mbledhur për një vit në kohë të tjera.
Gëzuam sytë e gjyshërve, prindërve se u bëmë të gjithë bashkë. Biseduam me fëmijët për të gjitha ëndërrat e tyre, njohëm më shumë jetën sociale, pasiguritë, shqetësimet, mësuam online cdo ditë.
Fëmijët lexuan, lodruan me prindërit, mësuam receta tradicionale gatimi. U përqafuam, i kishim harruar përqafimet në darkë, të gjithë bashkë. Sa shembuj të mirë u dhanë në pak ditë. Të gjitha këto ditë i veshëm me komunikim zemre. U fol shumë nëpër të gjitha shtëpitë tona të vogla ku mund të rrijë dhe dashuria e madhe. U dashuruan të harruarit nëpër punë, diku diku edhe sherre ka mes çifteve për mendime dhe situata të ndryshme, por u pajtuam sërish. Ne u rinjohëm në këto ditë ku emëruesi i përbashkët është vazhdimësia e jetës.
U zhytëm nëpër filma të shumtë dhe morëm mesazhe, diku dhe qamë, diku u frymëzuam për të dhënë falje, për ta kërkuar atë. U përqafuan, rrëfyem ndjesi, u penduam ndonjëherë. Përtej të gjitha brengave dhe shqetësimeve kuptuam që familja është me ty gjithkund, gjithmonë. Se gjaku ujë nuk bëhet asnjëherë. Se në udhë të veshtira mund të hapim udhë të reja dashurie e të dalim fitimtarë. Nuk i lamë të varura çiftelitë apo kitarat në mure se gjyshet tregojnë se aty ku këndohet edhe vdekja erdhi dikur në një familje dhe u kthye mbrapsht, nuk e prishi këngën. Edhe ne le ta këndojmë të gjithë bashkë këngën e jetës…
https://www.botasot.info/kultura/1258672/aty-ku-kendohet-vdekja-kthehet-mbrapsht-me-tha-gjyshja/