Romario Metanj: Një 5 me hatër nga BE
Një nga ditët më të rëndësishme të shtetit shqiptar është padyshim 20 shkurti i vitit 1991. Do të mbetet si një ditë simbol. Kjo datë përkon me rënien e statujës së diktatorit Enver Hoxha nga studentët e dhjetorit të mbështetur nga masat popullore. Më në fund regjimi diktatorial, nga më të egrit në Europë mori fund. Motoja ishte shumë e qartë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Bashkimi Europian e dëgjoi këtë thirrje dhe tregoi gadishmëri për t’iu ofruar shqiptarëve vlerat dhe liritë e vendeve perëndimore, modelet qeverisëse dhe anëtarësim në strukturat ndërkombëtare. Rruga ishte e gjatë deri në arritjen e objektivit “anëtarësim me të drejta të plota në familjen e madhe europiane”. Menjëherë u vendosën marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me BE dhe të dyja palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin. Marrëdhëniet u bënë më të ngushta dhe u zgjeruan në disa fusha të ndryshme.
Tashmë Europa ishte partneri kryesor për Shqipërinë, duke ofruar mbështetje falas, duke nisur së pari nga asistenca teknike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, administratës, studime;
Së dyti në investime infrastrukture, sektorin prodhues, zhvillim rajonal.
I gjithë ky bashkëpunim do të sillte anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Hapat pozitivë të bërë do të tronditeshin me një periudhë të vështirë, atë të viteve ’97-’98. Bashkëpunimi do të dobësohej për shkak edhe të ngjarjeve të cilët shoqëruan Ballkanin, deri në fillim të dekadës së re. Vitet kalonin dhe gjendja vazhdonte te mbetej e njëjtë, një vend pa ujë e drita, një vend i mbytur në korrupsion, një vend i cili kishte dështuar në mbajtjen e zgjedhjeve të lira, një vend ku një grup njerëzish e kishin “privatizuar” për interesa personale, një vend ku sistemi i drejtësisë nuk funksiononte, një vend ku mbizotëronte politika e papërgjegjshme, etj. Në çdo fushatë partitë politike vazhdonin të çirreshin nëpër foltore se ëndrrën e studentëve të dhjetorit për një Shqipëri Europiane do e bënin realitet,por kjo ngeli një ëndërr në sirtar edhe sot. Askush nuk e mbajti përgjegjësinë në rastet e falimentimit të proçesit. Kush merrte drejtimin e vendit ngutej t’i depozitonte Brukselit zyrtar kërkesën e vendit kandidat.Refuzimi nga njëra anë dhe mosnxjerrja e mësimeve në anën tjetër. Thirrja e vendeve anëtare ishte e qartë “Shqipëria dhe shqiptarët e duan BE, por nuk arrijnë t’i afrohen standarteve të kërkuara me shumë ngulm”. Ngeleshim në klasë, sepse nuk kishim vullnetin për të ndërrmarrë reforma të mëdha,duke u shndërruar në nxënësin më të keq. Kjo është tabloja e këtyre 3 dekadave. Mbështetja e Brukselit zyrtar është e fortë,por problemin duhet ta kërkojmë mes qarqeve të larta politike në vend. Në gjithë këto vite në organet drejtuese të vendit u vendosën njerëz të cilët në të kaluarën i kanë shërbyer rregjimit komunist duke lënë të rinj të mirarsimuar në hije. Shqipëria me qëllime demokratike është e drejtuar nga njerëz me vizion komunist.
Po cilat janë arsyet pse pas çdo refuzimi,BE vendos detyra shtëpie cdo herë e më shumë? Edhe mbledhja e ditës së djeshme e vendeve anëtare për Shqipërinë vendosi hapjen e negociatave me kusht, plot 13 të tilla. Faji i ngelet i Shqipërisë edhe këtë herë. Ndërsa vendet europiane funksionojnë mbi bazën e demokracive ku shteti i së drejtës është i konsoliduar, ligji i barabartë për të gjithë, në Shqipëri është akoma e dobët demokracia liberale. Ndërsa në vendet europiane respektohet dhe mbrohet me forcë të madhe parimi i ndarjes së pushteteve (legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor) në Shqipëri nuk mund të imagjinohet nga politikanët e forcave politike. Ndërsa në vendet europiane zgjedhjet e lira konsiderohen si një nga bazat e funksionimit të demokracisë dhe cënuesit e proçesit zgjedhor vendosen para ligjit, në Shqipëri është e pamundur të zhvillohen zgjedhje të lira pasi politika nuk e ka akoma konceptin e lirisë duke sjellë mos vendosjen para para ligjit të cënuesve të proçesit zgjedhor. Ndërsa në vendet europiane çdo personi i sigurohet e drejta e pronës private, në Shqipëri gjatë këtyre 3 dekadave rezultojnë pafund prona me më shumë se një pronar të ligjshëm. Ndërsa në vendet europiane ekziston një pushtet i katërt “media” të cilat vëzhgojnë qeverisjen në interes të publikut, në Shqipëri media është bardh e zi dhe puna e saj drejtohet gjithnjë në kah të qeverisë. Ndërsa në vendet europiane arsimi është cilësor dhe qeveritë investojnë tek të rinjtë duke i konsideruar aset kombëtar, në Shqipëri ndodh e kundërta duke pasur një arsim i bazuar në sasi dhe jo në cilësi. Europa nuk ka nevojë për një patericë për t’u mbajtur në këmbë, ndaj këto më sipër janë objektivat e shoqërisë dhe politikës shqiptare për t’i arritur. Të arrijmë këto dhe nuk do ngelemi në klasë.