Shaip Emërllahu: BARBARIA NË SYTË E MOSHËS SË PAFAJSISË
Më mirë se çdokush tjetër, masakrën e 24 marsit në Kotlinë e panë sytë e pozicionuar në frëngjinë e minaresë së fshatit, të 13 vjeçarit, Çelik Lahu. Ai kishte dëgjuar rafalet e krismave dhe zhurrmën e autoblindave që sillnin rrugët e Laçit, Gurit të Zi dhe të Ivajës, si gjithë të tjerët dhe kishte gjykuar me moshën e pafajsisë së tij si vend më të sigurt “shtëpinë” e zotit. As derën nuk e kishte mbyllur. Piskama e dhimbjeve të gjurit të shkaktuar nga një plumb e axhës Zymer e ndoqi prapa dhe vazhdoi ta shoqërojë gjatë kohë. Mbështeti pëllëmbat e dorës për murin e minaresë dhe i drojtur afroi njërin sy në frëngji. Sapo kishte dalluar skenën lemeritëse të ngjarjes ishte tërhequr menjëherë dhe përmes një frymëmarrjeje të thellë kishte rruajtur drejtpeshimin.
Edhe disa rafalle sharjesh të vrazhda serbe të shoqëruara me krisma tankesh qenë kapur nga veshi i Çelikut. Afroi përsëri syrin në frëngji, por këtë rradhë me një siguri dhe shtrëngim dhëmbësh.
Tashmë, 48 banorë të fshatit ishin fshehur te Kështjella, një pjesë ishin ngjitur faqeve të malit plot ah dhe tjetra që gumëzhinte nga qarjet e fëmijëve dhe vringëllimat e armëve të paramilitarëve të Arkanit dhe policisë serbe rrinte në lëdinën e fshatit e rrethuar nga tytat e armëve.
Kjo ishte ofenziva e dytë në këtë fshat të Kaçanikut.
Aty afër mbrëmjes, paramilitarët serbë e zënë grupin e banorëve prej 22 vetësh, (të moshës 16 deri më 40 vjeç) të strehuar në pjesën e malit mbi fshat të quajtur Shulla. I rrahin mirë e mirë me hu gardhi plot me gozhda dhe para se të bjerë mbrëmja i detyrojnë të bartin njëri-tjetrin deri te dy puset në malin mbi fshat, të hapur para tri vjetësh nga Adem Kuqi në kërkim të ujit.
Aty me ta ishte vetëm zoti dhe fati i ngrirë. Qante toka, thonin banorët që i shpëtuan masakrës. Gjashtëmbëdhjetë kotlinas i hudhën në njërin e gjashtë në tjetrin pus … dhe më pas eksplozivin. Trolli i mbyti rënkimet e të masakruarve dhe gjurmët e bëmave të maskave të zeza. Në degët e drunjve që rrethonin pusin e vogël shihej një shtresë bloze dhe teshat e bëra copë e çikë.
Çeliku, sytë si kishte nda nga dy vrimat qiklope të Shulasë. Ndonëse nuk e kishte dalluar qartë skenën, ai kishte formuluar fundin me krismën e dinamitit në orën 18,15 të mbrëmjes.
Në atë kohë kishte rënë edhe në klapi. Ai ishte i vetmi banor që kishte qëndruar në fshat.
Çka pe Çelik, i ishin drejtuar banorët e fshatit kur qenë kthyer?! Si ndodhi?!
Nuk foli gjë. Sytë i kthen shpesh te puset syqiklopi mbi fshat. I njomen … Atëherë e tash ai ka një heshtje të çuditshme.