Ndue Ukaj: Nëse duam që nesër të mos na gjykojë historia
Ndue Ukaj
Ç’mund të thuhet tanimë kur është krijuar përshtypja se të gjitha janë thënë dhe se gjuha, mendimi, fjala nuk kanë fuqi të ndryshojnë këtë ligështim kombëtar dhe këtë realitet të zymtë?
Në këso raste, në ndihmë na vijnë figurat e mëdha, shembullore, ato që sublimojnë vlera të jashtëzakonshme dhe të tejkohshme. Nënë Tereza është një e tillë. Ajo na këshillonte se më mirë është të ndezim një qiri sesa të ankohemi për errësirën.
A mund të mësojmë nga ky mendim?
Nëse duam, me siguri se po. Sidomos nëse duam që nesër të mos na dënojë dhe të mos na gjykojë historia.
Dhe kjo mund të ndodh nëse besojmë te kapacitetet që ka gjuha dhe fjala për të ndryshuar realitetin, raportet ndërmjet nesh, ato me historinë dhe me dëshirat e aspiratat tona.
Kombi shqiptar është i dërmuar si pasojë e zhvillimeve negative historike dhe po vazhdon të kalojë momente të rënda.
Sot, kudo ku ka shqiptarë, flitet për ikje, gjëma, vuajtje…
Përballë këtyre klithmave dhe gjëmave, breznia jonë ka përgjegjësi të madhe para historisë dhe breznive tjera për vuajtjet dhe gjëmat që po ua bartim brezave që do të vijnë.
Po, breznia jonë jemi me faj, sepse nuk kemi arritur ta shërojmë kombin nga plagët e së kaluarës e as nga dhimbjet e mëdha. Përkundrazi, i kemi shtuar.
Po, breznia jonë jemi me faj pse nuk kemi arritur të ngjizim më shumë dashuri për vendin.
Po, breznia jonë jemi me faj dhe do të gjykohemi pse sot është humb besimin në aftësitë kombëtare për të përmbyllë këtë periudhë të stërzgjatur vuajtjesh.
Askush nuk mund ta amnistojë këtë brezni për mëkatet e bëra.
Për gjuhën e pështirë që përdor.
Për mendimet shterpe dhe të shkreta.
Për pazotësinë ose mosdëshirën për t’u çliruar nga e keqja.
Për pazotësinë ose mosdëshirën për t’i sjellë kombit mirëqenie ekonomike dhe paqe shpirtërore.
E kam thënë dhe përsëritur shpeshherë se për këtë degdisje nuk janë kurrë fajtorë vetëm “ata”, siç jemi mësuar të themi dhe siç dimë të bëjmë me gisht. Fajtorë jemi të gjithë ne. Po – me faj jemi të gjithë ne që nuk arritëm dhe nuk po arrijmë të gjejmë paqe me vetveten. Ne qe nuk po arrijmë të mbyllim etapën e stërzgjatur të klithmave dhe vajit të llojit o moj Shqypni e mjera Shqypni…
Shqiptarët e dërmuar sot kanë nevojë për një gjuhë tjetër, të përkorë dhe humane, për një gjuhë që shëron dhe nuk vret, për një gjuhë që ndërton dhe nuk shkatërron, për një gjuhë që afirmon dhe nuk linçon.
Por kjo nuk ndodh vetvetiu dhe nuk pikë nga qielli.
Dhe këtë nuk mund të na dhurojë askush.
Është proverbiale shprehja se gjuha është ma e fuqishme se njëmijë ushtri. Po, gjuha i paraprin të mirës dhe të keqes.
Prandaj sot shtrohet pyetja: Kujt i duhet ky ligjërim i stërkeqët?
Besoj se shumica e atyre që merren në çështje shoqërore e dinë mirë se ky ligjërim i pështirë që mbizotëron tash e sa vite mbi jetën tonë shoqërore, e ka dërmuar dhe ligështuar tej mase kombin tonë.
Ndaj, ne kemi nevojë për një ligjërim tjetërfare. Për një gjuhë humane. Për ma shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe vendit, për dashuri ndaj historisë dhe etërve të kombit tonë. E mbi të gjitha, për ma shumë kujdes ndaj fjalës publike.
Ky popull i dërmuar s’ka kapacitete të kapërdijë gjithë këtë helm të gjuhës që e ofron poetika dhe e ndihmon media. Gjithë këto lajme negative. Gjithë këtë mllef e propagandë me qëllime të pastra denigruese. Gjithë këtë shumësi “informatash” dhe “lajmesh” idiote.
Borgesi i ditur e përqafonte pohimin se ta lësh librin në duar të injorantit, ishte po aq i rrezikshëm sa ta lësh shpatën në duar të fëmijëve.
Borgesi, sot, po të ishte gjallë mes nesh, do të thoshte, fjala publike në duar të injorantëve, është po aq e rrezikshme sa bomba në duar të terroristëve.
Prandaj, njerëz, kujdes, gjuha shëron, por edhe vret.
Mos u përcaktoni për të dytën.
Nëse vazhdohet të flitet kështu, rrezikojmë që ta rrisim edhe një brez të helmuar me gjuhën e urrejtjes, me neuroza dhe urrejtje pa fund. Me kontradikta e përplase absurde dhe pa fund.
Prandaj sot ma shumë se kurrë duhet ta mësojmë artin e durimit dhe atë të refuzimit estetik, duke vepruar sipas këshillës së Nënë Terezës.
4 mars 2019.