Albspirit

Media/News/Publishing

Mbrojtja e Shëndetit Mendor gjatë pandemisë së Koronavirusit

MSc. Rikela Fusha, Specialiste e Shëndetit Publik

Shpërthimi i sëmundjes së Koronavirusit 2019 (COVID-19) është padyshim një situatë stresuese për njerëzit. Frika dhe ankthi nga një sëmundje mund të jenë dërrmuese dhe të shkaktojnë emocione të forta tek të rriturit dhe fëmijët.

Stresi gjatë një shpërthimi epidemik mund të përfshijë:

  • Frikën dhe shqetësimini për shëndetin tuaj dhe të të dashurve tuaj;
  • Ndryshimet në gjumin ose mënyrën e të ngrënit
  • Vështirësi në gjumë ose përqendrim
  • Përkeqësimi i problemeve shëndetësore kronike
  • Përkeqësimi i gjendjes së shëndetit mendor
  • Shtimi i konsumit të alkoolit, duhanit ose drogave të tjera

Ёshtë e rëndësishme të kuptojmë se secili prej nesh mbart perceptim të ndryshëm të situatës dhe për rrjedhojë dhe reagimet janë të ndryshme. Dikush mund ta kalojë këtë situatë duke shtuar orarin e gjumit, dikush mund të mbyllet tërë ditën në dhomë…

Pasojat në shëndetin mendor variojnë nga depresioni, ankthi deri tek stresi post traumatik. Mund të vini re se vetë ju ose të tjerët përreth jush janë më të agresivë, të irrituar ose të zemëruar; të pafuqishëm; nervozë ose të shqetësuar; të pashpresë, të trishtuar ose të dëshpëruar. Praktikimi i distancës sociale mund shkaktojë vetmi ose izolim.

Njerëzit të cilët mund të reagojnë më fort ndaj stresit të një krize përfshijnë:

  • Njerëz të moshuar dhe njerëz me sëmundje kronike që mund të mbartin risk më të madh për komplikacione nga COVID-19
  • Fëmijët dhe adoleshentët
  • Njerëzit që po ndihmojnë në përgjigjen ndaj COVID-19, si mjekët dhe ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor
  • Njerëzit të cilët kanë probleme të shëndetit mendor si edhe idividët që kanë probleme me përdorimin e substancave.

Ka disa hapa që mund të marrim për të mbrojtur shëndetin tonë mendor. Këto aktivitete përfshijnë angazhimin tonë në përditshmëri duke ndryshuar rutinën, deri në përdorimin e metodave alternative të kontaktit me profesionistët e shëndetit mendor, nëse situata përkeqësohet dhe ndikon në funksionimin normal të individit.

Krijoni një strukturë

Krijoni një orar të përditshëm aktivitetesh për ju dhe familjen tuaj. Përpiquni ta mbushni atë me aktivitete kreative që angazhojnë të gjithë familjen si një lojë apo vizatim.

Mundohuni të kufizoni sasinë e kohës që kaloni duke parë, lexuar ose dëgjuar lajmet. Merrni informacionin tuaj për shpërthimin e koronavirusit nga një burim i besueshëm, siç është Organizata Botërore e Shëndetësise,  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një ose dy herë në ditë.

Krijoni hapësirë ​​për aktivitete dhe biseda që nuk kanë asnjë lidhje me shpërthimin epidemik.

Ruani shëndetin tuaj fizik

Mbroni gjumin tuaj. Gjumi cilësor dhe i mjaftueshëm jo vetëm që ndihmon në mbështetjen e sistemit tuaj imunitar, por gjithashtu ju ndihmon të menaxhoni më mirë stresin dhe rregulloni emocionet. Të rriturit duhet të synojnë 7–9 orë, ndërsa fëmijëve dhe adoleshentëve u duhen edhe më shumë.

Mundohuni të hani vaktet e rregullta dhe të zgjidhni produkte me vlera ushqyese kur është e mundur. Përpiquni t’i rezistoni tundimit për të konsumuar produkte më sheqerna (karbohidrate) apo yndyrna. Në vend të tyre, frutat e stinës apo uji detoks (ujë + limon, kastravec, mente ose ndonjë frut i stinës i prerë dhe i vendosur brenda në të) janë të përshtatshme dhe të shëndetshëm për t’u shijuar.

Mbani një rutinë ushtrimesh, edhe nëse nuk mund të shkoni më në palestër. Ushtrohuni në shtëpi duke përdorur një video të stërvitjeve në internet, ose një ecje pa ndërprerë të paktën 10 minuta rreth shtëpisë aktivizon sistemin muskulo-skeletik. Gjithashtu praktikimi i jogës ose meditimit (pak muzikë joga, frymëmarrje të thella të vazhdueshme dhe stretching/shtriqje) është e nevojshme për të ruajtur balancën e shëndetin mendor dhe atij fizik.

Mbështetni dhe krijoni komunitetin tuaj (virtual)

Krijoni një grup virtual dhe ruani kontaktet me të afërmit tuaj. Falë teknologjisë, sot ka shumë mundësi për t’u lidhur, duke përfshirë dhe opsionet me kamera të rrjeteve sociale Facebook (Messenger), WhatsApp. Gjithashtu, ‘eksperimentimi’ me platformat e reja si Skype apo Zoom do të ishte një alternativë interesante.

Gjatë kësaj kohe izolimi, lidhja me njërëzit e dashur (përmes Internetit) është më e rëndësishme se kurrë. Nëse nuk mund të lidheni përmes Internetit, atëherë telefonata dhe dërgimi i mesazheve është i rëndësishëm.

Krizat ofrojnë një mundësi për kohezionin e komunitetit dhe solidaritetin shoqëror, dhe vullnetarizmi është një mënyrë për të ndihmuar jo vetëm të tjerët, por edhe veten. Shkenca ka treguar vazhdimisht se vullnetarizmi mund të përmirësojë shëndetin mendor. Shikoni thirrje të ndryshme ose ju vetë mund të ndërmerrni një nismë të ndihmuar fqinjët dhe komunitetin tuaj.

Nëse keni fëmijë, bisedoni me ta me sinqeritet për atë që po ndodh, si dhe në një mënyrë të përshtatshme për moshën. Ndihmoni fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre në një mënyrë pozitive, qoftë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, duke vizatuar ose lexuar.

Këto janë vetëm disa nga mënyrat e sugjeruara për të qenë produktivë gjatë periudhës së karantinës. Të qenit aktivë, shmang ndjesinë e ndryshimit të menjëhershëm të rutinës dhe redukton gjasat për të shfaqur çrregullime të shëndetit mendor.

Mos harroni se emocionet që mund të përjetoni janë reagime normale ndaj rrethanave të vështira. Jini të sjellshëm me veten dhe të tjerët. Mundohuni të qëndroni pozitiv dhe të përdorni këtë kohë për të kaluar më shumë kohë me familjen tuaj, provoni gjëra që keni lënë pas dore, të tilla si leksione në në internet, të mësoni një aftësi të re ose të punoni me tuaja aftësitë  krijuese.

Mund të jetë e vështirë të mendosh se çfarë po ndodh sot, por mos harroni se kjo sfidë është e përkohshme dhe gjërat do të kthehen në normalitet./shendeti.com.al/

Please follow and like us: