Mustafa Spahiu: VETMIA – DINJITETI
Mustafa SPAHIU
1.
(Thith – plagës helmin)
Vjen zog në kohën e tretë
më shënjestërojnë përtokësit
se njoh ngjyrën e frikës larvë
shtatë pash i kam rrënjët zgjim
në tokë e qiell me tre snajper
më qëllonin nën qerpik kënga
shtrojera e këngës m’i ndalë
arnave plumbat tuaj “dum-dum”
ku ka plagë e dritë aty jam i tëri
nuk do kridheni gjolit të gjakut.
2.
(Natë pa gjumë-kjo ëndërr)
Ndërrohet moti mbrëmjen e dua
lutjet e ditës dridhje të duarve
jam shelgje e kuqe midis lumi
degëve më ulen pëllumbat e
bardhë gugasin sa magjishëm
lumit të madh notoj me buzët
barkushet m’i mbushin frymë –
trari i shtëpisë së vjetër bëhet
urë s’ankohem për fatin dhiata
prapë mjegulla ikën nga Dielli.
3.
(Digjem në vetmi-pa mëkate)
Më jepni fakte qëlloni në zemër
as mos u dridhni sikur tarabeca
mos më ushqeni me dorë Jagoje,
ushqim i kam vargjet ndër lule –
sa bën koka e Mustafa Spahiut, se
i shpërndau bufat tanë të tradhtisë
ne jemi leshverdhë, kuqalosha qen
na i rrëzoi gotat gostisë me shqehët
do ia ham zemrën pa pikë loti, ai –
se ndal rrugën këngët albatros.
4.
(Ngushëllim i bukur-egjër)
Me gërsheta ta lidhim djerrinës
t’ia gatuajmë bukën rreth unaze
ta mbërthejmë me shtjellë ndjesë
mos të kërkojë as nëpër malkurie
lisit pa qirinj hëna le ta qajë trishtë
t’ia shtojmë ndëshkimet gjarprit
të zi se luftonte me flatrat e vargut
paguar t’ia shtypim kobrës kokën
po nxjerr amfora të fundosura
dhe guaska me okarina ilire.
5.
(Bjeshkës së shtatë-gjuhë zjarri)
Zjarri dhe asgjë hirit thneglat
bëjë gjumë me katër sy radari
mëngjesit zgjohem me rruaza
të kuqe gjaku purpur shpresat
zgjatem në gishtërinjtë e syve
ta shoh si shërohet çmenduria
dema të shkordhur me ushujëza
mos shkoni ore somnambul
të tëra i keni: murtajën, mordjen pas
koronavirusin dhe shpirtin plot helme!
Mustafa Spahiu u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup. Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”. Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë. Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë. Është anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Është anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. Pas 41 vjet shtazh pune është pensionist, krijon, punon, lexon, përkthen, boton dhe jeton në qytetin e Shkupit. Vendlindjen e ka burim të pashtershëm frymëzimi.
Biografi lirike e librave të autorit:
– Buzëqeshjet e okarinave – (1981)
– Ylbere lirie… – (1982)
– Mollëkuqet e blerimit – (1984)
– Fëmijët kalojnë nën ylbere – (1988)
– Nobelistët për fëmijë – (1989)
– Livadhi im – “Moja livada” – (1989)
– Buzëburimi – “Pokraj izvorot” – (1992)
– Sytë që shkrepin fëmijëri – (1994)
– Fëmijët lozin në brerore – (1994)
– …Më ka marrë malli… – (1995)
– Rregullat e mirësjelljes (Bonton) – (1995)
– Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve – (1996)
– Vallja e okarinave – (1999)
– Kolovajza e ëndrrës sime – (2000)
– Këngët e trishtilit – (2000)
– Sikur t’isha djalë i diellit – (2004)
– Fëmija është bilbil i shtëpisë – (2005)
– Me buzëqeshje ju dal përballë – (2005)
– Fëmijët fshihen në gjelbërim – (2007)
– Era s’ka shtëpi (haiku) – (2007)
– Fermanet e pranverës – (2009)
– Një imazh fshati më mungon – (2011)
– Çka ëndërron dallandyshja – (2011)
– Flamingo (haiku) – (2011)
– Unazë në amforë (haiku me rimë) – (2013)
– Shtëpia me melodi violinash – (2013)
– Vashëza ullinjore fsheh ishullin – (2013)
– Rreze mbi lirikën e zogut – (2015)
– Në ballë të ditës bukuritë – (2015)