Kjo sjellje e re ndaj ofrimit të kujdesit është një formë e re e për kujdes virtual, është koha për të zgjeruar përdorimin e saj dhe ofrimin nëpërmjet shëndetësisë dixhitale apo të “tele – sjelljes”.

Vizitat virtuale po ofrojnë një mënyrë tjetër qasjeje tek pacientët dhe familjarët e tyre, në ambjentin ku ata banojnë dhe jetojnë. Kujdesi virtual është një komponent i ri, kryesor i funksionimit të sistemit shëndetësor. Të dy palët, pacientë dhe mjekë do të fillojnë të ndërtojnë dhe rrisin vetëbesimin ndaj një marrëdhënie të re të ofrimit të shërbimit dhe kjo do të vijë duke u rritur sa herë e më shumë kjo të gjejë përdorim. Një mënyrë për të filluar nga një program i suksesshëm i shëndetësisë dixhitale që ka potencialin për të ndërtuar një lidhje pozitive besueshmërie, do të fillojë të rritet duke i dhënë zgjidhje më të lehtë nevojave të pacientëve. Në këtë mënyrë pacientët dhe ofruesit do të jenë më të sigurtë, ata do të fillojnë të rrisin besimin ndaj njëri tjetrit dhe do t’i besojnë shërbimit të ofruar nga shëndetësia dixhitale. Kjo do të krijojë një modalitet të ri të ofrimit të shërbimit dixhital. Sot, po kuptojmë se dixhitalizimi nuk është në vetvete qëllimi, pasi dixhitalizimi shëndetësor është një mjet si mjetet e tjera të panumërta, por që na ofron mundësinë për të arritur në një zhvendosje të re të ofrimit të kujdesit shëndetësor, në një kulturë të re të përdorimi të shërbimeve shëndetësore.

Ndër vite kemi lexuar, mësuar e dëgjuar për kujdesin shëndetësor që në qendër ka njeriun, dhe ky ka qenë deri dje një mendim rreth asaj që pacientët fizikisht duhet të shkonin në një qendër shëndetësore për t’u trajtuar.

Përdorimi i dixhitalizimit shëndetësor po e ndryshon këtë qasje, duke krijuar një marrëdhënie të re të ofrimit të shërbimit virtual. Kështu pandemia sot, po kthehet në një mësim për të ardhmen, një mësim solidariteti, pjekurie dhe ndërgjegjësimi se si, duhet të veprojmë në jetën tonë të përditshme duke ndryshuar edhe përdorimin e ofrimit të kujdesit shëndetësor.

 Gjërat për të cilat shumë njerëz nuk ishin të vetëdijshëm deri dje për ti përdorur, tani po bëhen të dukshme dhe nuk duhet të lihen në harresë në të ardhmen. Mesazhi “qëndro në shtëpi” duhet të ndryshojë përgjithmonë sjelljen, e cila mund të kthehet në një vlerë për kujdesin shëndetësor.

Ditët e fundit shumë qytetarë e kanë ndjerë, e kanë përjetuar se, nuk ju ndërpre për asnjë moment përkujdesja apo ofrimi i shërbimit duke qëndruar në shtëpi, përkundrazi mjeku i familjes u bë pjesë e shoqërimit dhe zgjidhjeve të ankesave të tyre shëndetësore. Ne sot, si sistem shëndetësor, nuk do ta menaxhonim më mirë epideminë, në qoftë se, nuk do të kishim në përdorim dhe akses në një sistem të dixhitalizuar. Edhe ndonëse, nuk kemi shkuar shumë larg me përdorimin e botës dixhitale shëndetësore, shumë inovacione të implementuara të këtij sistemi po na ndihmojnë dhe po zbatohen. Shëndetësia digjitale, kujdesi shëndetësor dhe koronavirus, ndër të tjera, do të na tregojë se ne, do të kemi nevojë të fuqizojmë dhe të mbështetemi në përdorimin e teknologjisë dixhitale. Nesër, kur të kalojmë koronavirusin, dhe gjithcka të venitet me kohën, përdorimi i shëndetësisë dixhitale do të inicojë përmirësime duke treguar se nuk është qëllim në vetvete, por justifikon lehtësinë e trajtimit në jetën e përditshme.

Një konsultë me video, një bisedë telefonike, një zë i përkushtuar, një figurë me pacientin, rrit besueshmërinë mjek – pacient, krijon një lidhje të re dhe në të njëjtën kohë ofron më shumë siguri dhe besim ndaj kujdesit shëndetësor.

Është koha për ti dhënë një vizion të ri shëndetësisë dixhitale dhe për ta kthyer në sfidë, pasi përfitimet që vijnë nga revolucioni në shëndetësinë dixhitale është kjo tek e cila, ne duhet të mbështetemi dhe që duhet ta zhvillojmë në të ardhmen./balkanweb/

*Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.