Albspirit

Media/News/Publishing

GJED bllokon Kolegjin Disiplinor të Gjyqtarëve në Poloni, rast i ngjashëm me Shqipërinë

GJED bllokon Kolegjin Disiplinor të Gjyqtarëve në Poloni—rast i ngjashëm me Shqipërinë

Gjykata e Drejtësisë së BE-se (GJED) urdhëroi të mërkurën Poloninë të pezullojë punën e Kolegjit Disiplinor, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e këtij institucioni.

Kolegji është një komision i krijuar brenda Gjykatës së Lartë, me ndryshimet e reja kushtetuese në Poloni, i cili heton dhe shkarkon nga detyra gjyqtarët të Gjykatës së Lartë dhe gjykatave të ulëta.

GJED argumentoi se ky kolegj është i ndikuar politikisht dhe vendimet e marra prej tij ngrenë dyshime për paanshmëri.Në vendimin përfundimtar, GJED do të shprehet nëse kolegji është ose jo i pavarur sipas ligjit polak.

Në janar, Komisioni Europian i kërkoi GJED-së të shprehet në lidhje me paanshmërinë e Kolegjit dhe kërkoi pezullimin e veprimtarinë së tyre deri në një vendim përfundimtar.KE argumentoi se nëse gjykata nuk pezullon veprimtarinë e Kolegjit ekziston “rreziku i një dëmi të pariparueshëm për gjyqtarët polakë”.

Kolegji Disiplinor në Poloni është konsideruar nga shumë ekspertë si mjet në duart e qeverisë, për të larguar nga sistemi gjyqësor, gjyqtarët kundër saj.

Vendimi përfundimtar i GJED është i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi me ndryshimet e reja kushtetuese në vitin 2016, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët po hetohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Detyrat e tyre janë të ngjashme me ato të Kolegjit Disiplinor në Poloni.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit kanë kompetencë të hetojnë dhe shkarkojnë nga detyra gjyqtarët e prokurorët. KPK dhe KPA janë kritikuar shpesh për vendimet e dyshimta  dhe për mënyrën e emërimit të anëtarëve të tyre.

Komisioni i Venecias kritikoi në mars, në mënyrë direkte një sërë rregullash e procedurash të ndjekura në procesin e vetingut të cilat mund të kenë krijuar probleme aq serioze, sa sugjeroi rihapjen e vetingut për raste të caktuara magjistratësh të përjashtuar nga sistemi.

Ndërkohë disa magjistrantë të përjashtuar padrejtësisht nga vetingu, kanë çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Ky i fundit pyeti qeverinë shqiptare për paanshmërinë dhe legjitimitetin e komisioneve të rivlerësimit të tyre./ exit.al/

Please follow and like us: