Gjëja më e mirë që mund të na ndodhte në prag të Muajit të Ramazanit
MALËSIA “CORONA FREE ZONE”- Gjëja më e mirë që mund të na ndodhte në prag të Muajit të Ramazanit
Po plotësohet një muaj, nga mbrëmja kur dikush na dha lajmin morbid, me të cilin, në Malësi, si pasoja e pandemisë, parashikoheshin, në rastin më të mirë, 140 viktima. Një lajm i till ogurzi, nuk mund të linte askënd indiferent, e sidomos jo ne, që duhej të zbatonim kërkesën për izolim imediat. Malësia u shtang, u vrenjt, por nuk bëri panik. U mbyll, si asnjëherë më parë, respektoi të gjitha kërkesat dhe treva me më se 0,2% të popullsisë, të infektuar, për më pak se një muaj, e para doli pothuaj “corona free zone”.
Kështu, i njëjti burim që më 24 mars na paralajmëroi 140 viktima, me 21 prill pohoi se “epidemia në komunën e Tuzit është ndaluar plotësisht”. Edhe pse mund të dukej, apo edhe të thuhej, siç edhe u dëgjua, se izolimi ishte i pamëshirshëm e i padrejtë, them se realiteti i sotëm i arsyetoj masat. Por, shkrimet dhe pohimet, se izolimi që iu bë komunës sonë, ishte një e padrejtë, e pamëshirshme, e paparë ndonjëherë e ndoku, unë nuk dua t’ua mohoj, e as të polemizoj me to, por dua të veçoj faktin se ne na doli mirë dhe se izolimi dha rezultate diametralisht të kundërta me parashikimet. Kjo madje më kujton një thënie mbi këmishën e vjehrrës. Thonë se ajo lahet më e mira. Edhe pse këmisha e vjehrrës vërtet do të duhej të lahej më e mira, sepse ajo ka rritë, siç thotë kënga, “sokol për mua”, ajo, sipas barcoletave për raportet vjehër-re, lahet më së miri nga inati që ka reja, e cila i lanë këmishën vjehrrës më rënd, e ndrydhë më fort, prandaj këmisha e sajë rezulton si më e lara.
Kaq për këtë!
Gjithsesi, edhe me këtë rast dua të veçoj se, edhe përkundër shumë përkrahjeve që na erdhen nga njerëz e adresa të ndryshme, e ne forma të ndryshme, mbetet fakti i hidhur se ditëve të para na stigmatizuan, na izoluan, dhe nëse dikush me targa TZ, ndodhej “matanë” ishte në pozitë jo fort të lakmueshme.
Natyrisht se kohët e vështira zbulojnë vetitë tona të vërteta, qofshin ato altruiste, apo egoiste. Prandaj, nuk ka kohë të këqia e të mira, por njerëz të tillë, e koha do ta dëshmojë më së mirë, se kush ishim ne. A ishim të vegjël për punë të mëdha, e të mëdhenj për punë të vogla, apo njerëz të denjë për t”u përballuar me sfidat që na duelen para. Ky ishte një test për të gjithë ne, dhe unë dua të besoj se e kaluam me sukses.
Prandaj, mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kontribuuan. Në rend të parë për ata që respektuan kërkesat, jo nga frika për masat që mund të merreshin, por nga vetëdija e lartë për konsekuencat e mundshme që shkakton pandemia. Pastaj për ata që ndihmuan qendrimin në shtëpi, qofshin donatorët apo vullnetarët në teren, por natyrisht edhe për sherbimet e komunës që treguan pjekuri, urti, maturi, e edhe guxim në përballje me situatën e krijuar.
Shpresoj se edhe tutje do të vazhdohet me kujdesin e nevojshëm, në mënyrë që stigmatizimi i shndërruar në shembull, më shumë se për mburrje, t’i shërbejë shëndetit të familjeve tona.
Në fund, po e përmbyll këtë shkrim lajm-mirë, me urimin për Muajin e Madhërishëm të Ramazanit, për të gjithë ata që agjërojnë. Muaji i pastrimit të trupit dhe shpirtit, qoft edhe muaji i pastrimit nga kjo e keqe që ka atakuar njerëzimin!
Gëzuar!