Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Erebara: BORONICA NË BOBOSHTICË

Mimoza Erebara: DITË HIGJENE DHE BREKË - Albspirit

Mimoza Erebara

BORONICA NË BOBOSHTICË (megjithëse jemi në gjendje të jashtëzakonshme, vëmendja nuk duhet humbur…)

 

Kur nocionet e nacionit dhe të etnive vihen në funksion të ngushtë të një strategjie politike, të një shteti të caktuar, është e lehtë të spekullohet në të gjitha nivelet. Në politikën standarde “kërraba” tërheq gjithnjë nga më i  forti. Dhe të tjerët nuk bëjnë gjë tjetër veçse luajnë lojën që u ofrohet, nganjëherë edhe kundër dëshirës dhe interesave të veta. Në fakt, shtete të ndryshme e politika të ndryshme shtetesh, kur vjen puna për këtë lloj politike gjithnjë thirren në historinë e kaluar. Duke u përpjekur të gjejnë fakte historike edhe atje ku ato sheshit mungojnë. Dhe dihet që rezultati i këtyre përpjekjeve gjithnjë është një gjysëm përfundim, që më shumë hap kuasipikëpyetje,  se sa u jep përgjigje pyetjeve që vetë i parashtroi.

Në pamje të parë duket si një ngatërrim i rastit, që ndodh në përpjekje të tilla madhore, të përcaktimit të historisë në funksion të përditësisë. Por në të vërtetë punët nuk janë fare kështu. E gjithë kjo tymnajë është e qëllimshme dhe ka një objektiv të mirëpërcaktuar. Politika të dobta shtetesh të zhytur në injorancë dhe korrupsion, janë një pre e shkëlqyer për një strategji të mirëmenduar. Kështu paraqitet e ashtuquajtura politika shqiptare, e cila për hir të interesave të ngushta vetjake mbetet një  mendjeshkurtër e pandryshueshme. Ngjarjet në Himarë flasin fare qartë dhe nuk kanë nevojë për koment. Janë disa principe që një shtet nuk i shkel, i respekton dhe i ruan me forcë e xhelozi.

Kjo gjë nuk ndodh me të. Ajo “harron” dhe anashkalon çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me konceptin e ekzistencës së kombit, çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me dinjitetin kombëtar, çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me noconin e nacionit dhe etnisë. Në këtë mënyrë ajo hyn në një lojë të rrezikshme dhe me pasoja të pariparueshme, të cilat nga ana e tyre ndikojnë drejtpërdrejtë tek populli i vet. Kjo fillon që me përcaktimin e terminologjisë që përdoret në raste të tilla, të përcaktimit të grupeve të popullit, në përcaktimin e saktë të rolit dhe të të drejtave të tyre. Të thuash që je shqiptar nuk ka lidhje vetëm me territorin, me kufirin politik më saktë. Dihet tashmë që Shqipëria është i vetmi shtet  që kufizohet nga vetvetja.

Kjo shtron, për politikën e më të fortit ato kuasipikëpyetjet. Të jesh shqiptar nuk është vetëm përkatësia territoriale, por edhe ajo përkatësi kulturore, historike, gjuhësore, etnografike. Kombi është një nocion më i  gjerë se sa shteti dhe si i tillë mbart mbi vete përgjegjësi më të thella. Sigurisht që identiteti  shqiptar përmban në thelbin e tij disa komponentë. Një prej të cilëve është edhe feja, besimi fetar, përkatësia fetare. Por duhet theksuar që është vetëm një nga komponentët dhe jo vetë komponenti unik.

Dihet që shqiptarët e ndajnë besimin e tyre mes tre feve kryesore, pa përmendur edhe disa të tjera që në raport me numrin e popullsisë  dhe me praktikat religjioze janë në minorancë. Tek e fundit si në shumë shtete e kombe të tjera. Por në kontekstin e nje realiteti të sotëm kjo në asnjë rast nuk ngatërrohet me kombin. Logjika është e thjeshtë. Nëse i referohemi Lindjes së Mesme dimë që ajo mbizotërohet nga feja myslimane, por kombet që praktikojnë dhe besojnë në këtë fe janë të ndryshëm. Ne themi vërtetë arabë dhe ata i identifikojmë me myslimanët, por vetë arabët  ndahen në sirianë, marokenë, irakianë, iranianë, palestinezë. Sikur për analogji mund të flisnim edhe për fetë e tjera të mëdha botërore, Kristianizmin, Ortodoksizmin, Budizmin.

Shihet qartë që flitet për gjëra krejt të ndryshme nga nocioni – nacion. Nacionalitetet janë të ndryshme, ndonëse hera herës me referenca ngjashmërie, pasojë e një historie të përbashkët apo të fqinjësisë gjeografike. Por shpesh herë kjo është edhe “ngatërresa e qëllimshme” e politikës së më të fortit. Çasti kur ata, qëllimisht identifikojnë kombin me fenë. Mendoni se çfarë katrahure do të bëhej në botë nëse të gjithë shtetet që mendojnë se janë të fuqishëm do të kërkonin njësimin e kombeve vetëm me fenë! Por identiteti i një kombi nuk ka të bëjë me anën e jashtme të tij, por me një nocion “nënë”, le ta quajmë. Dhe meqë feja dhe besimi bëjnë pjesë në anën e jashtme të një identiteti kombëtar, kuptohet që ato nuk mund të merren për bazë, nuk përbëjnë qelizën nënë,  kështuqë detyrimisht janë të përjashtuara nga përcaktimi final i këtij identiteti. Kjo nuk do të thotë që nuk merren në konsideratë, patjetër që po, por në thelbin e vet vetëm si një faktor plus. Për hir të së vërtetës nëse një komb është i qëndrueshëm, besimi edhe ndryshon. Historia e dëshmon këtë.

Por le të flasim më konkretisht: Me sa duket grekët e kanë shumë të vështirë të pranojnë ekzistencën e një kombi të mirëformuar. Në mendjen  e politikëbërësve, shqiptarët nuk duhet të jenë të tillë. Ata duhet të jenë grekë. Kjo është një uri  historike  e tyre. Fakti që një pjesë e popullsisë shqiptare i përket besimit ortodoks e shtyn politikën greke të deklarojë dhe të quajë si një të drejtë të mohuar padrejtësisht!!!, humbjen e identitetit kombëtar grek!! Pra, për ta shumë thjesht. Por shihet qartë e sa i  cunguar është ky pretendim. Kjo i shtyn më pas që të përsërisin vetveten, duke e bjerrë fantazinë në atë pikë sa Odiseut do t’i vinte turp! Këto pretendime,  ku në një mënyre tejet  absurde  vihen në diskutim, a janë shqiptarët ortodoksë grekë apo jo,  padyshim që çon në  këtë përfundim të cunguar që trumbetohet me forcë si një “e drejtë e mohuar”. Dhe meqë  ata thirren në këtë mohim të drejtash, dhe pohojnë me forcë se janë një vend demokratik dhe se në kushtetutë i garantojnë të gjitha të drejtat e njeriut sipas Kartës së Helsinkit, sikur ndodh me të gjitha vendet që kanë një sistem demokratik, sikur ndodh edhe me Shqipërinë e shqiptarët,  kjo përbën një kontradiktë me vetë sistemin e tyre ligjor, për të mos folur për sistemet e tjera të vlerave njerëzore. Atëhere përse shqiptarët nuk mund të jenë shqiptarë dhe ortodoksë?

Përse shqiptarët duhet medoemos të jenë edhe grekë edhe ortodoksë? E përse sipas kësaj llogjike grekët nuk janë  sllavë dhe ortodoksë, por janë vetëm grekë dhe ortodoksë? Në fjalorin tim i gjithë ky trazim dhe kjo politikë, gjithë aludimet si nëpër  gjumë, është racizëm. E drejta jonë e madhe është e thjeshtë, më e thjeshtë se sa thjeshtësia e mendjes greke. Boronicat bëhen në Boboshticë dhe kjo është diçka e pranuar sepse është një e drejtë e arsyetuar. Është një fakt. Një fakt që e bën Boronicën një element të lirë dhe pronare të ligjshme të rrënjës së vet. Ç’kuptim ka të pretendosh në këtë rast të dish atë që dihet? Ka shumë! Sepse është mirë që politika mendjeshkurtër, egoiste e krenare, injorante dhe e korruptuar të hyjë në natyrën më të thellë të një rrënje boronice që rritet në Boboshticë. Vetëm kështu imoraliteti i madh nuk do të shkelë mbi zhvillimin dhe nuk do të ketë nevojë  të na paraqesë viktimat e së djeshmes, si heronj të së sotmes, duke “harruar”, se ato s’janë gjë tjetër vetëm se viktima të së nesërmes.

Please follow and like us: