Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Dashuri nga brinjët e së djeshmes

Dashuri brënda mureve të kështjellës / Tregim nga Sabina Darova ...

Tregim

Unë dhe ti, dy të panjohur të të njëjtit qytet. Dy valixhe të ngritura pezull mbi krahë aeroplanësh, të barsura me harta vendesh të pa shkelura. Dy palë sy në gjuajtje planimetrish të panjohura me dëshirën e urisë së rinisë. Njëra për kërkim të fjalës së lirë dhe tjetri në kërkim të lartësive. Çfarë ndodh përtej gërmave që nxijnë faqet e librave heretikë të perëndimit, apo çfarë ndodh në lartësitë e katit të 25-të?
Unë dhe ti, që kur ikëm, patëm guxim të mos kthejmë kokën mbrapa për të parë lotët e qytetit që shtrydheshin si shegë.
Ishim ndër të parët që njohëm dobësinë e mureve të tij E akuzuam që shtrëngonte gjymtyrët e na shkaktonte dhimbje kur kërkonim shtriqjen e krahëve  dhe zgjatjen e hapit. Mjaft, qytet me thashethemet e tua  kafeneve te pazarit të vjetër! I njohim të gjitha historitë e tua, ato të fshehurat në haure e ato të zbuluarat nga telat me rrobat nderur . Njohim emrat, moshat, profesionet, dëshirat, dashuritë, nusen e re të  pandershme, që kthehet mbrapsht mbas natës së parë të martesës, tradhëtitë, zënkat, mëritë, hasmëritë, hipokrizitë,ditëlindjet, datat e martesave, dhe ato pak ndarje. Njohim mobilimin e kuzhines apo të dhomës së gjumit, vendin ekzakt të lules së shqiponjës në dhomën e pritjes. Njohim menunë e darkës kur bujtet me mysafitë: pilaf me pulë, raki, një kokë qepë e hudhër, djathë, tekja e  rakisë e së fundi  kallëpi i revanisë.
E njohim përmëndësh qytetin, deri në mërzi, në bajatje, në urrejtje, në ankim.
Ikëm!
Unë dhe ti, dy të panjohur të të njëjtit qytet, mbi një avion mbas vitesh në mërgim. Dy valixhe me dy libra me të njëjtin titull: “Mall për qytetin tim”.  Sytë veshin shkëlqimin e ujrave të ylbertë mbas shiut, e ndërsa kalojmë Atlantikun, ajo shega e dikurshme fillon të shtrydhë rruazë për rruazë të kaluarën.
Unë dhe ti, të rritur.
Njëra shitëse në një boutique dhe tjetri pilot avionësh. Nuk jemi parë as këtu në qytetin e huaj një milionsh. E megjithatë, ndjehemi si dy të njohur të vjetër që fëmijë. Emrat, vitet, ngjarjet e atij qyteti të mërzitshëm, të vjetër e bajatë, bëhen të dashur. Ndjehemi si dy protagonistë të një filmi të vjetër bardhë e zi që kalon nëpër makineri për t’i riaktivizuar ngjyrat.
Koha, kjo zonjë e rëndë, pa u vënë re, ka nxjerrë shtizat, e nis për të punuar, fustanin e një dashurije që po lind nga brinjët e së djeshmes.

Please follow and like us: