Albspirit

Media/News/Publishing

ARBËRIA APENINE KËRKON CERTIFIKIMIN SHQIPTAR

Turp për ty dhe tutorin tënd', ish-deputeti Azgan Haklaj ...
Azgan Haklaj

-Arbërshet e Italisë duhet të pajisen me pashaportë shqiptare

-Ata janë Nderi i Kombit Tonë.

-Edhe sot pas pesë shekujsh i kthejnë foshnjat e sapolindura me fytyrë nga Atdheu i të parëve.

-Askush nuk i ka vlerësuar deri më sot meritat e tyre historike në fushën e kulturës e të patriotizmit shqiptar dhe kontributet e dhëna për çështjen kombëtare shqiptare.

Arbëreshët, mbartësit e emrit mesjetar të Shqipërisë, së Epokës Heroike të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), komuniteti që ka ruajtur mrekullisht Genin Iliro-Dardano-Arbëror, traditat, doket e zakonet tona të lashta emigruan drejt Italisë, pas vdekjes së Heroit Kombëtar, rënies së kështjellave të Krujës dhe Shkodrës e pushtimit të vendit nga barbarët e Azisë.
Shpërnguljet biblike të viteve 1470-‘80 të princërve, fisnikërisë e popullit të Arbërisë ishin prologu i natës së gjatë osmane që pllakosi trojet tona për 5-së shekuj me rradhë.
Bëhet fjalë për qindra e mijëra arbëreshë që kapërcyen dallgët për t’i shpëtuar robërisë, siç thuhet në një këngë të lashtë:
” Dyqindmjë kaluan detin
Për të ruajtur besën”!
Ata morën me vehte dashurinë për Atdheun, tokën e të parëve të tyre, këngët dhe legjendat, doket e zakonet, kostumet e mrekullueshme popullore dhe armët e tyre me të cilat vulosën Epopenë e Motit të Madh dhe bënë betimin për t’u kthyer përsëri në trojet nga lind Dielli e për të luftuar për çlirimin e Atdheut të robëruar.
Hemoragjia e Atdheut pas pushtimit turk ishte e tmerrshme. Familjet princërore arbërore dhe aristokracia ushtarako- politike e kulturore, e cila kishte hedhur rrënjë qysh me Shtetin e Arbërit 3 shekuj para Epokës së Moisiut tonë, Gjergjit të madh, u larguan nga Atdheu.
Nga ana demografike ky pushtim i shkaktoi një goditje aq dramatike Shqipërisë saqë Shqipëria Londineze në vitin 1912 numëronte rreth tetëqind mijë banorë.
Arbëreshët dëshmuan edhe atje, matanë brigjeve të Adriatikut, një forcë e vitalitet të jashtëzakonshëm dhe një dashuri të flaktë për Atdheun.
E ndërsa në fushat dhe malet tona pllakoste zia e trishtimi arbëreshët e mëdhenj Marlin Barleti, Dhimitër Frangu, Anonimi Tivaras, përmes veprës së tyre të shquar kushtuar Heroit Kombëtar, ndezën në zemrat e bashkëatdhetarëve të tyre flakadanin e lirisë.
Ishte ky ideal që jetonte i gjallë në zemrat e arbërorëve që frymëzoi Princin Gjon Kastrioti të zbarkonte në Himarë në vitin 1481, në krye të një armate të përbërë nga arbëresh napolitanë e venecianë për të çliruar Atdheun. Në tre vjet beteja Ai çliroi pjesën më të madhe të Arbërisë së asaj kohe, por nuk e mbajti dot përballë ushtrive ta panumërta e më armatim të rëndë tê kulçedrës aziatike.
Arbëreshët mbollën në tokën italiane një copëz Arbërie, por të vetëdijëshëm se guri i rëndë peshon në vend të vet dhe të shtyrë nga dashuria e flaktë për trojet stërgjyshërore nuk hoqën kurrë dorë nga ëndrra për t’u kthyer në Atdheun e tyre.
Është kjo kujtesë historike e ngulur thellë në genin e tyre, që është shprehur mrekullisht nga Rilindasi e poeti i shquar arbëresh Zef Serembe përmes vargjeve poetike:
“Arbëria matanë detit na kujton
Se ne të huaj jemi tek ky dhé .
Sa mote shkuan e zemra nuk harron
Se nga Turku mbetëm pa Mëmëdhe”.
Nëse duam të zbulojmë të vërtetën historike rreth faktit se shqiptarët dhe Gjuha e tyre i shpëtuan në shekuj e mijëvjeçarë asimilimit nga pushtuesit e huaj e kemi tashmë një çelës për të zbërthyer këtë enigmë të madhe të historisë dhe ata janë Arbëreshët tanë të vendosur prej shekujsh matanë detit në Gadishullin Apenin.
“Një popull i asimiluar është i vdekur klinikisht, i paaftë për të reaguar, për të njohur vetëvehten e për të tjerët që e rrethojnë”. Këtë postulat të historisë e njihnin mirë burrat e mëdhenj të Arbërit Frangu, Barleti, Anonimi Tivaras, ashtu si Familja e shquar Albani e pinjolli i saj i madh Papa Klementi XI-të -Albani, nën kujdesin e të cilit u mblodh në fshatin Merqi të Lezhës, në vitin 1703 Kuvendi i Arbërit, i cili për nga roli e rezultatet që dha në shekujt që e pasuan e meriton plotësisht e përjetësisht të quhet Djepi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Papa Klementi në aksionin e madh kulturor, humanist e rojtar për të ndalur zhbërjen e popullit të tij të origjinës nuk harroi arbëreshët e Italisë, vëllezërit e tij të gjakut. Ai hapi kolegjin e Shën Adrianos dhe e financoi atë duke e kthyer atë në vatër të pashuar të kulturës të arbëreshëve të Italisë.
Ardhja e Rilindasit të madh Jorenim De Rada në skenën letrare, kulturore e patriotike shqiptare shenoi hopin e madh cilësor në levizjen patriotike e kulturore të Popullit Shqiptar.
Në moshën 23 – vjeçare shkroi kryeveprën e letërsisë sonë “Këngët e Milosas” e krahas kësaj me gazetën e tij “Flamuri i Arbërit” u angazhua e dha kontribut të madh për t’i treguar opinionit europian e kancelarive të Fuqive të Mëdha të vertetën për ekzistencën e Kombit Shqiptar, të historisë, gjuhës, dhe kulturës së tij. Me veprimtarinë e tij shumëdimensionale dhe ideve gjeniale për ta bërë Shqipërinë së pari një komb kulturor De Rada është i pari nacionalist e poet i madh shqiptar e njëherësh një nga figurat më të ndritura shqiptare të të gjitha kohërave.
Populli ynë ka një shprehje të urtë: “Trimi i mirë me shokë shumë”
Komuniteti Arbëresh ka nxjerrë edhe figura të tjera të ndritura, të cilët me pushkë, penë e diplomaci dhanë gjithçka për Arbërinë e tyre të shtrenjtë.
Në vitet e Kongresit të Berlinit, kur trojet shqiptare ishin në rrezik të ktheheshin në plaçkë tregu mes armiqëve tanë, ishte Arbëreshi i madh Françesko Krispi, asokohe Kryeministri i Italisë së Bashkuar, i cili e dërgoi çështjen Shqiptare në tavolinën e burrështetasit të madh që kishte bashkuar Gjermaninë, Kancelarit të real-politikës Bismark dhe u bá avokat i saj.
Krahas De Radës njě kontribut të shquar në kulturën arbëreshe e atë kombëtare kanë dhanë Lek Matrenga, Gavril Dara e Zef Serembe e deri tek profesor Françesko Altimari.
Në vitin 1911 ishte arbëreshi Torenc Toçi, i cili pas një dekade aksioni patriotik e diplomatik pranë kancelarive përendimore arriti të organizonte një Kuvend të madh me përfaqësuesit e aristokracisë, krerëve e popullit të Veriut dhe të shpallte Qeverinë Kombëtare dhe planin e kryengritjes çlirimtare.
Komuniteti Arbëresh është një Arbëri e vogël në tokën italiane.
Kanë mbijetuar në sagën e gjatë përmes kasandrash e kulisash pa u asimiluar, megjithëse jetojnë në prani të një kombi e një kulture, e cila është prej mijëra vjetësh në panteonin e civilizimit europian e botëror.
Arbërorët tanë kthejnë edhe pas pesë shekujsh fëmijët e posalindur me fytyrë nga Atdheu i të parëve.
Ata janë Nderi i Kombit prej pesë shekujsh.
Ka ardhur koha më në fund që Zonja Mëmë Shqipëria të nderojë bijtë e bijat e saj:
T’u japë dy shtetësinë, sepse stërgjyshërit e tyre e lanë tokën e shqiponjave me gjak në luftë me hordhitë aziatike.
Please follow and like us: