Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtim Mateli: Provinca dhe talenti në këndvështrimin e poetit Bardhyl Londo

Image may contain: 1 person, outdoor 
Duke parë profilin poetik të Bardhyl Londos në vitet 80-të, do të kuptojmë më mirë rrëfimin e tij tek libri i tij “Jeta që na dhanë”, Tiranë 2013. Pjekuria artistike dhe guximi qyetar i Londos në vitet 80-të, i ka rrënjët në vitet 70-të, rrënjë që ia gjejmë në atë qytetin jugor me emrin Përmet. Nuk është një libër kujtimesh, është një dëshmi për vitet 70-të. Një dëshmi për atë që ndodhi në këtë qytet në juglindje të Shqipërisë. Një dëshmi për protagonistët e asaj ngjarjeje. Edhe lexuesi do të meditojë sipas mënyrës së vet për ato që ndodhnin në Përmet në vitet 70-të.
Ishin vite kur gjithçka pritej sipas kallëpeve që koha e komunizmit kishte caktuar. Prodhohej njeriu i ri sipas modelit që përcaktonte teoria e marksizëm-leninzmit. E njëjta qethje, e njëjta veshje, e njëjta mënyrë e të mbajturit të flokëve, e njëjta mënyrë jetese, e njëjta, njëjta, njëjta… Mendohej e flitej sipas teorisë së marksizmit. Kush mendonte ndryshe, nuk kishte mendime, por lakra në kokë. E bashkë me lakrat shpata e diktaturës priste dhe kokën. Ishte e frikshme të mendoje ndryshe.
Londo na thotë se edhe prodhimet ishin modeluar në të njëtin kallëp, për t’i thënë qënies njerëzore, se bota komuniste ka vetëm një model. Si shembull na sjell fabrikën e sapunit në Rrogozhinë. Sapuni i saj shpërndahej në të njëjtin model në të gjithë Shqipërinë. Këtë lloj sapuni kishte njohur gjatë gjithë fëminisë atje në Përmet.
“Më vonë sapuni na ndoqi edhe në jetën studentore. Ishin të njëjtët kallëpe sapuni, me të njëjtën masë, ngjyrë, aromë dhe përbërje që përdornim në konvikt për të larë corapet e djersitura nga hallakatjet djaloshare, e njëjta copë sapuni që përdornim te godina e dusheve sa herë laheshim, e njëjta copë sapuni që mbanim në komodinë dhe e merrnim me vete në mëngjes për të larë fytyrën.
Më vonë, po i njëjti sapun do të na ndiqte nëpër aksione, nëpër zbore apo në zborin pesëmujor, kur mbaruam universitetin”. (Bardhyl Londo, ‘Jeta që na dhanë’, fq. 23, Tiranë 2013).
****
Londo kërkonte përtej këtij modeli. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës sipas modelit që aplikohej, i njëjtë deri dhe tek sapuni, duhej të kthehej në Përmet. Aty u ndesh me marrëzinë e parë ku duhej të kuptonte mençurinë që prodhonte kjo marrëzi apo e thënë ndryshe mençuria njerëzore do të klasifikohej sipas kallëpeve që prodhonte absurditeti i kohës.
E kishin thirrur në komitetin e partisë dhe i komunikuan: “Enver Hoxha i kishte dërguar një letër Laver Bariut, se e donte shumë Laver Bariun dhe Përmetin, se letra do të dorëzohej me ceremoni në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës, se në fund duhej të falënderonte Laveri, por që të dilte më bukur falënderimin duhej ta shkruaja unë, sepse unë isha nga të vetmit shkrimtarë në atë qytet etj. etj”. (Bardhyl Londo, ‘Jeta që na dhanë’, fq. 27, Tiranë 2013).
Kuptohet. Kallëpit që vinte nga lart sipas modelit marksist-leninist duhet t’i përgjigjej i njëjti kallëp edhe nga njeriu të cilit i adresohej letra. Po artisti i madh shqiptar, Laver Bariu, e kishte gjithë prodhimin e tij muzikor jashtë këtyre kallëpeve. As krijimtaria, as botëkuptimi i tij nuk kishin lidhje me këto kallëpe të teorisë marksiste. Ai mbeti i madhërishëm si njeri dhe me krijimtarinë e vet deri në ditët tona, se burimi i formimit të tij artistik ishte gurra popullore dhe filozofia e banorëve të Përmetit ku Laveri kishte lindur dhe jetonte deri atëhere. Në përfundim ndodhi diçka e paparashikueshme: Laveri e refuzoi kartën që do t’i hartonin.
Londo pa tek Laveri se shpirti njerëzor nuk ishte përthyer e deformuar plotësisht. Shpesh, pa se nëpër koncertet zyrtare të 24 majit, Laveri e injoronte këngën e parë që i kushtohej Partisë a të parit të saj. Pyeste se nga ishte i pari që kishte ardhur për festë (i deleguari nga qendra) dhe fuste një këngë nga krahina nga ishte i deleguari. Megjithëse ishin koncerte zyrtare, që hartoheshin sipas një programi të caktuar, Laveri respektonte traditën. Për të zotin e shtëpisë, që në këtë rast ishte Laveri, ai respektonte së pari mikun që e kishte nderuar me ardhjen e tij. Kjo është një traditë e lashtë shqiptare dhe që respektohet në çdo familje përmetare. Të tjerët, sado të rëndësishëm që të ishin dhe në këtë rast bëhet fjalë për njerëzit e kupolës së kuqe, do të respektoheshin pasi të nderohej miku që nderonte të zotin e shtëpisë.
Po jo të gjithë mendonin dhe vepronin si Laveri. Edhe në Përmet, në dasma e gostira, miku që të kishte shkelur shtëpinë injorohej dhe dollia e parë ngrihej për ata të Tiranës. Madje dhe mbyllja bëhej me ata të Tiranës. Jo vetëm mendimi politik, por edhe qeliza e shoqërisë, familja, po formohej sipas kallëpit që rekomandonin ata të Qendrës.
*****
Londo ka qenë i lidhur fort me Përmetin, me vendlindjen e vet. Këtë lidhje e shihte dhe tek bashkëqytetarët e vet, që herë pas here ktheheshin në vendlindje. Mentor Xhemali ishte i pranishëm në çdo koncert që zhvillohej çdo vit në 24 maj. Njerëzit e këtij qyteti kishin një lidhje që donin ta mbanin dhe të përjetshme. Kur dikush vdiste larg Përmetit, e linte amanet që ta varrosnin në vendlindje. Diçka misterioze, gati e pashpjegueshme, i shoqëronte banorët e kësaj treve. Londo vëzhgonte me kujdes si komunikonte shpirti i vjetër i qytetit me banorët e vet. Ishin ngritur ndërtesa të reja pesëkatëshe, vepër e epokës socialiste. Po Londo kishte me to një lidhje të ftohtë. Të gjitha ndërtesat ishin sipas të njëjtit kallëp, brenda të cilit jetonte njeriu i socializmit. Edhe njerëzit ishin formuar sipas të njëjtit kallëp. Kjo pjesë e mërziste London. Po prisheshin pjesë të bukura të qytetit. Ato konsideroheshin të vjetra. Po zhdukeshin njëra pas tjetrës xhevahire të dorës njerëzore. Londo ndiente dhimbje. Lidhjet e tij shpirtërore i kishte tek qyteti i vjetër. Sillte në mendje cezmat me ujë të ftohtë ndanë portave të shtëpive që nuk ekzistonin më. Mejhanet e vogla ku tregtohej kukurrec aromatik dhe koka qingjash të pjekur. Dyqanet e zanatçinjve të të gjitha llojeve. Në mëngjes, kur sapo kish ardhur agu i ditës thotë se: “Dëgjoj kambanat e shtatë kishave të tij, njëra prej të cilave, Shën Mëria e Pazarit ishte bash në qendër si për t’i dhënë identitetin e një qyteti europian, si shumica e qyteteve europiane që kanë në qendër pikërisht një kishë. Shikoj vertikalizimin prej selvive të dy xhamive, ndërsa lart në kodrën që edhe sot quhet Kodra e Teqesë, hijeshinë dhe solemnitetin mistik të teqesë së qytetit”. (Bardhyl Londo, ‘Jeta që na dhanë’, fq. 41, Tiranë 2013)
****
Këngët përmetare ishin një tjetër oaz shpirtëror ku Londo gjente pak qetësi, pas një propogande që i shurdhonte veshët për krijimin e njeriut të ri sipas shabllonit marksist-leninist. Qetësohej teksa murmuriste me vete vargje këngësh që i klasifikonte si brilante të folklorit shqiptar.
“Megjithëse mund t’i kishe dëgjuar vetëm një herë, melodia e tyre, teksti krejt i veçantë dhe mënyra e pasioni si këndoheshin, të nguliteshin në mend dhe udhëtonin gjithë jetën me ty:
O bandill, bandill
të paça sa malet,
pse s’më vjen një natë
që të qajmë hallet.O bandill, bandill
më të rënçin mishrat,
unë jam sëmurë
ti më kërkon cicat

O bandill, bandill
mor qen i tërbuar,
s’më le vend pa puthur
s’më le pa kafshuar. (Bardhyl Londo, ‘Jeta që na dhanë’, fq. 42, Tiranë 2013)

Këto këngë kaq të vjetra, nuk përputheshin me mendësinë e njeriut të socializmit. Nëse nuk mund të ndryshoheshin, të mos këndoheshin më. Londo tregon në librin e vet: “Jeta që na dhanë” një episod tepër të çuditshëm që tregon marrëzinë e kohës dhe mençurinë njerëzore për t’i bërë ballë kësaj marrëzie.
Kompozitorit Aleksandër Peçi i ishte kërkuar që këngës “A kanë ujë ato burime” t’i ndryshoheshin dy vargjet e fundit: “Shihemi me gojë s’flasim/si durojmë nuk pëlcasim”.
Logjika? Në socializëm nuk kishte brenga. Nuk mund të kishte ndarje, as fshehtësi. Dashuritë socialiste janë të lumtura dhe të hapura. Londo kujton se si i shtoi këngës dy vargje të reja që i qëndronin këngës si mish i huaj. U ndryshua përmbajtja e saj nga dy vargjet e rinj të Londos: “Duhemi të gjithë e dimë/nuk e fshehim dashurinë”. Me gjithë talentin e Londos dhe ambientit socialist që e kërkonte këngën të ndryshuar, ajo shumë shpejt shkoi në rrjedhën e mëparshe duke u kënduar lirshëm ashtu siç ishte dhe krijuar kohë më parë.
*****
Si kudo, edhe Përmeti i provoi flakët e luftës së klasës. Dikë e dogjën më shumë e dikë më pak. Pati kjo luftë anën tragjike dhe anën komike të saj. Tragjike se nga ato flakë vuajti një shpirt njerëzor, plotësisht i pafajshëm. Komike se akuza ndaj tyre ishte një gjykim foshnjor që mund të ketë pika takimi me periudhat më të errëta të shoqërisë njerëzore. Këta shpirtra njerëzorë që vuajnë, vendosen njëri pas tjetrit, deri sa arrijmë tek Zisoja i famshëm nga Miçani. Po çfarë kishte bërë Zisoja që u ndëshkua aq rëndë? Kishte punuar gjithë jetën në Francë ku dhe kishte arritur të merrte një pension të mirë. Kishte para të mjaftueshme të flinte në hotel dhe të hante në restorant. Po kështu dhe një tjetër përmetar me emrin Pilladh, u kthye nga Franca për t`i kaluar vitet e fundit të jetës në vendlindjen e tyre, në Përmet.
Londo tregon se si në vendlindjen e tyre nuk i quanin më as shqiptarë, as përmetarë, por francezë. Madje Zisoja u fut në burg se kishte krijuar një këngë kundër rregjimit që ua kishte kënduar fëmijëve që të zbaviteshin. Zisoja vdiq në burg, por kënga nuk u harrua:
Më s’pushonte shiu
atë ditë vjeshte,
u ngrit kocomiu
dhe kafenë deshte.
Një këngë e tillë bënte që të vdisje burgjeve, në rastin më të mirë të tjetërsonte siç ishte rasti me Pilladhin e dhjetëra raste të tjera.
****
Në atë qytetin e tij të vendlindjes, Londo donte të shkruante. Ky ishte dhe misioni i tij si poet. Po për çfarë të shkruante. Një pjesë e qytetit të vjetër ishte shkatërruar dhe ishte krijuar një qendër e re banimi. Muza zyrtare e drejtonte t’i këndonte kësaj pjese. Muza e shpirtit të tij drejtohej tek ajo pjesë e qytetit të vjetër që mund të konsiderohej pa frikë si qendra më e vjetër mesjetare në Jug të Shqipërisë. Admironte njerëzit e thjeshtë si karrocierin Esat apo hamallin Ahmet që, pas ditës së lodhshme, kthenin ndonjë gotë dhe ishin krejtësisht të tyret dhe jo të atyre që bënin ligjin. Në ato çaste ata ishin vetvetja, ishin shfaqje e shpirtit të qytetit. Shpirti i Londos ishte binjakëzuar me këta banorë dhe me pjesën e vjetër të qytetit. Për ta duhej të shkrunte, për ta duhej të thurrte poezi. Nuk i adhuronte nëpunësit e qytetit, prerë sipas modelit të sapunit të Rrogozhinës. Po ç’të bënte? Këngët duheshin për njeriun e ri dhe qytetin e ri. Londo botoi në ato vite vëllimin e parë me poezi “Krisma dhe trëndafilë”, për të cilën thotë se asnjërën prej atyre poezive nuk e përfshiu në botimet e mëvonshme. Siç na e thotë vetë poeti, ky libër ishte modeluar sipas kallëpit të sapunëve të Rrogozhinës.
Londo kujton se mjaft talente përmetare nuk e realizuan ëndrrën e tyre. Dhe përmend disa prej tyre: Paskal Josifi, i talentuar, me ëndrrën se mund të shkruante shumë libra, përfundoi disa herë në spitalet psikiatrike duke i dhënë fund jetës në moshë fare të re.
Ivan Nikolla, piktor i talentuar dhe që në Institutin e Lartë të Arteve e mbanin si një nga shpresat e pikturës shqiptare, pas ardhjes në Përmet, u mbyll në vetvete. Kështu përfunduan dhe mjaft talente të tjera që nuk mundën të realizoheshin, atje në Përmetin e largët.
“Dy miqtë e mi të mirë, Paskali dhe Ivani, patën pikërisht këtë fat tragjik. Hijet e tyre tani bredhin natën në qytetin e vjetër dhe vetëm aty e ndiejnë veten të lirë. Hijet e tyre janë bërë pjesë e pandarë e shpirtit të qytetit”. (Bardhyl Londo, ‘Jeta që na dhanë’, fq. 88, Tiranë 2013)
Londo mendon se treva e Përmetit, e ndodhur skajshmërisht nga kryeqyeti i vendit, nuk krijonte kushte për zhvillimin e talenteve. Në këtë rast, Përmeti ishte një provincë që talentet e kishin ndeshjen të dyfishtë: me censurën që krijonte rregjimi dhe izolimin që krijonte pozicioni gjeografik. Po edhe në këto kushte mjaft talente i rezistuan censurës dhe provincës. Si shembull në këtë libër merret kompozitori Aleksandër Peçi, por edhe piktori Minella Tanellari e shumë të tjerë.
****
Po kush ishte zot i atij qyteti të vogël me emrin Përmet? Po ku mund të shtrohej kjo pyetje në atë kohë. E shkruar kudo, madje dhe në monumentin që ndodhej në mes të qytetit: populli në fuqi. Mbrëmjeve, qytetarët dilnin të shëtisnin në shëtitoren e qytetit, por sa shihnin që në krye të bulevardit shfaqej silueta e sekretarit të parë, ata që e ndienin veten të largët me të, ngjiteshin menjëherë në trotuare, duke lënë të parin e vendit të shëtiste lirshëm me suitën e tij.
Londo jep me mjeshtëri sjelljet e sekretarit të parë në publik, për t`u dukur se nuk donte të jetonte ndryshe nga populli, në kundërshtim me atë që ndodhte në realitet. Po njerëzit që formonin partinë në atë qytet, kishin nuhatjen se kush i simpatizonte e admironte, kush bezdisej nga prania e tyre. Londo, megjithëse admirohej si poet, nuk hyri dot në kastën e të previlegjuarve. Po kush i bënte karshillëk partisë ose dënohej, ose dëbohej nga qyteti. Londo patin fatin që t’i binte për pjesë kjo e dyta. E syrgjynosën në fshatin më të largët të Përmetit, ku vetëm pak kilometra e ndanin nga kufiri shtetëror me Greqinë. Mos vallë, ishte një kurth për ta joshur drejt vendit fqinj dhe pastaj ta shpallnin armik, siç kishin bërë dhe me të tjerë deri atëhere?
Londo jetoi atje në Zhepën e largët pa i shkuar ndonjëherë mendja për një veprim të tillë. Dy ishin karakteristikat e këtij fshati që tërhiqnin vëmendjen e tij: kisha në qendër, e madhe gati sa një katedrale dhe që ishte kthyer në shtëpi kulture dhe i ashtuquajturi brezi i butë, ku bëhej identifikimi i ndonjë shkelësi të kufirit.
“Megjithëse nuk shkrova asnjë varg në Zhepë, jam shumë i sigurtë se në rast se nuk do të kisha jetuar atje dy vjet në moshën time më të bukur, unë nuk do t’i shkruaja më vonë as “ Vdekja e vajzës së Naim Frashërit”, as “ Epitaf për shtatë ëndrra” dhe as “Thirrjet e gjakut”. (Bardhyl Londo, ‘Jeta që na dhanë’, fq. 140, Tiranë 2013).
****
Poezia e viteve 80-të që krijoi Londo, nuk mund të kuptohet pa jetën e tij në vitet 70-të që i ndau midis qytetit të Përmetit dhe fshatit Zhepë. Duke lexuar këtë libër e kupton, pse poezia e Londos doli nga rrjedhat normale të realizmit socialist që krijohej kryesisht për njerëzit e kupolës së kuqe dhe iu drejtua popullit. Londo iu shkëput grupit të poetëve që dinin të lustronin realitetin. E gjithë krijimtaria e tij u bë një himn për njeriun e thjeshtë. Mungonin ato tema që inkurajonte kupola komuniste. Shqiponjat komuniste jo vetëm që nuk fluturonin lart në poezinë e Londos, por ato as dukeshin gjëkundi në hapësirën poetike të tij. Krijoi një realitet poetik, që ishte në kundërshtim me realitetin poetik e politik që paraqitej në vitet 80-të.
Kjo poezi e re dhe e guximshme nuk ishte thjesht një rebelim që buronte nga qëndrimi individual i poetit me realitetin. Londo vuri re, atje në vendlindjen e tij, atë hendekun e thellë që ekzistonte midis popullit dhe atyre që ishin vënë në krye për ta drejtuar atë. Pa hipokrizinë dhe falsitetin e rregjimit.
Atje, në Përmetin e largët, politika zyrtare e kohës, megjithëse me institucione të rregullta si në çdo pjesë tjetër të Shqipërisë, kishte dështuar. Përveç disa gjyqeve politike të stisura, për të treguar se edhe në Përmet vepronte armiku i klasës, siç e tregon dhe Londo për gjyqin e Zisos nga Miçani, në Përmet ishin gati inekzistente gjyqet që preknin jetën shoqërore. Individi i shoqërisë përmetare, nga një traditë kushedi sesa mijëvjeçare mund të jetë, nuk dëshiron të prek hapësirën e lirisë së tjetrit. Krijon harmoni me shoqërinë, pa prekur integritetin e tjetrit. Individi përmetar di të respektojë ato tradita e ligje të shkruara e të pashkruara që mbajnë në këmbë të shëndetshme një shoqëri njerëzore. Kjo është një nga vlerat më të çmuara. Këtë vlerë nuk e prishi përmetari edhe gjatë regjimit komunist, e cila e donte shoqërinë të trazuar nën petkun e luftës së klasave.
****
“Jeta që na dhanë” është një dëshmi e poetit Bardhyl Londo. Aty jepen ato marrëdhënie që shteti komunist i viteve 70-të krijoi midis përfaqësuesve të partisë-shtet dhe një pjese të shoqërisë përmetare që nuk mundi t’i nënshtrohej asaj mënyre jetese dhe politikës zyrtare. Konflikti, midis dëshirës për ta jetuar jetën ashtu siç e kishin jetuar paraardhësit e tyre dhe asaj mënyre satandarte që u imponohej nga regjimi komunist, pati viktimat e veta. Pikërisht, këtyre viktimave, një pjese e të cilëve i rezistuan kohës dhe pjesa tjetër u vranë dhe u vetëvranë, u kushtohet ky libër. Këta janë heronjtë përmetarë, që iu kundërvunë drejtpërdrejt një regjimi-diktaturë duke bërë jetën e tyre dhe jo atë mënyrë jetese që kërkonin t`u impononin. Në këtë shkrim jam munduar të sjellë disa grimca dhe diku, ndonjë copëz nga mozaiku që ka krijuar Londo për trevën e Përmetit. Po Londo e gjeti të njëjtin realitet edhe kur erdhi në Tiranë, në fund të viteve 70-të, realitet që pasqyrohej dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Edhe për jetën që jetoi në Tiranë, nga Londo kemi një dëshmi. Ndaj qëndrimi ndaj këtij libri-dëshmi do të jetë pro dhe kundër. Përtej qëndrimeve miratuese apo mosmiratuese të individëve të ndryshëm, ky libër është një faltore ku shenjtorë të saj janë të gjithë ata që u flijuan. Të parët që duhet të hyjnë në këtë faltore janë ata që duhet të kërkojnë ndjesë. Pastaj ata, që me indiferencën e tyre, i dhanë mundësi rregjimit të flijonte njerëz që të mbante në këmbë grehinën e vet.
Korrik 2013.

Please follow and like us: