Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (7)

NACIONALIZMI SHQIPTAR NË KOSOVË

 

Lojaliteti jugosllav

 

Në konfigurimin e reliefit politik të Kosovës duhet bërë një përkufizim më të qartë të rolit të përbërësve kryesorë të identitetit kosovar. Komunistët, ata që kishin marrë pjesë në LNÇ, që kishin bërë organizimin partiak në Kosovë dhe që Kosovën e kishin lidhë pashkëputshëm me Jugosllavinë, në pikëpamje teorike, deri me shfaqjen e Mahmut Bakallit në skenën politike, nuk ishin në gjendje të shqyrtonin në mënyrë të qëndrueshme asnjë segment të zhvillimeve politike në Kosovë. Madje as t’i kuptonin ato. Ata ishin zbatues besnikë të politikave që përcaktoheshin në nivelin e Serbisë ose të Jugosllavisë, në Kosovë e ushtronin pushtetin në formë të padiskutueshme, bënin jetë të mbyllur, përfitonin aq sa mund të përfitohej në ato rrethana, qarkullonin sa më shpesh që mundeshin në relacionin Prishtinë-Beograd, kishin nga një dashnore serbe ose ishin frekuentues të rregullt të shtëpive publike gjysmë legale. Më anë tjetër, brenda klanit ushtronin konkurrencën dhe xhelozinë, ndërsa në raport me qarqet publike shfaqeshin unikë, të papërçarë. Tregoheshin të kujdesshëm kundrejt kuadrove të reja, të cilat i rekrutonin përmes strukturave të partisë, të lidhura ngushtë me UDB-në dhe spiunët e saj.

Pavarësisht se me kohë ndodhi njëlloj demokratizimi i jetës politike në Kosovë, ashtu sikundër ishte trendi në mbarë Jugosllavinë, klani qeverisës për shumë vite arriti të ruante strukturë pothuajse të pandryshuar, me një shtrirje horizontale tepër të kufizuar, më të kufizuar së të gjitha hapësirat e tjera të ish-Jugosllavisë. Arsyet pse ndodhi kështu ishin të shumta, por më e besueshme është vështirësia e rekrutimit të kuadrove të reja, për shkak të kritereve rigoroze që aplikoheshin në Kosovë, respektivisht të një mosbesimi të përgjithshëm për shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme. Pavarësisht se mund të ishin tepër të devotshëm në kryerjen e shërbimeve ndaj shtetit jugosllav, siç e kemi thënë, shqiptarët duhej ta verifikonin rregullisht lojalitetin e tyre.

Prandaj në Kosovë klani i pushtetarëve mbeti i kufizuar dhe nuk arriti të përfshinte brenda vetes struktura më të gjëra të shoqërisë, më shumë intelektualë, më shumë profesorë universiteti, më shumë gazetarë, në shumë mjekë, më shumë inxhinierë, më shumë ekonomistë, juristë, më shumë krijues të fushave të ndryshme. Klani i pushtetarëve në Kosovë, sipas shembullit të vet, u mjaftua të krijonte rrathë luajalësh gjithandej Kosovës, por nuk u tregua i gatshëm të hapte dyert e institucioneve dhe të organeve të pushtetit për shumë prurje të reja. Prandaj, edhe përkundër ushtrimit të gjatë të pushtetit, edhe përkundër favoreve që u bëheshin, klasa e pushtetarëve në Kosovë, me gjithë trashëgimtarët dhe mbështetësit e tyre të të gjitha niveleve, nuk besoj se arriti të përfshinte më shumë se 5% të popullsisë.

Po t’i shihje më nga afër, dilte se edhe kjo klasë luajalësh kishte diferenca dhe çarje të brendshme dhe, sikundër e thamë, shfaqeshin unikë vetëm kur ishin të kërcënuar nga jashtë. Kështu, diferenca të dukshme kishte ndërmjet vetë luftëtarëve të LNÇ-së, të cilët tashmë ishin ndarë në dy taborë: në njërën palë që ende mbaheshin shqiptarë dhe përpiqeshin të ruanin njëfarë drejtpeshimi ndërmjet identitetit shqiptar dhe lojalitetit jugosllav; dhe, në palën tjetër, të cilët ishin të gatshëm të hiqnin dorë ose tashmë kishin hequr dorë nga identiteti në këmbim të lojalitetit.

Të parët ishin më të pranueshëm për shqiptarët e Kosovës, sepse kishin familje shqiptare, fëmijë që iu flitnin shqip dhe i kultivonin lidhjet miqësore brenda klanit, ku prania serbomalazeze nuk ishte aq vendimtare. Kultura dhe mënyra e jetës së tyre qëndronte në një kapërcyell që kurrë nuk kalohej tamam: kishin përvetësuar çdo gjë jugosllave, por ende nuk kishin hequr dorë nga një identitet pasiv shqiptar. Ata ishin plotësisht luajalë ndaj Jugosllavisë, Titos dhe vëllazërim-bashkimit, por meqë ende kishin paraqitje deri diku shqiptare, nuk konsideroheshin krejtësisht të besueshëm nga organet e sigurimit serb, veçmas në situate kritike. Më anë tjetër, konsiderohej se as lidhjet me Kosovën reale nuk i kishin shkëputur tërësisht.

Të dytët, ndërkaq, bënin jetë jugosllave plotësisht të integruar, kishin bërë martesa të përziera, nëpër familje flitnin kryesisht serbokroatisht, lidhjet familjare i kultivonin me sllavë dhe vetë kishin filluar ta flitnin keq gjuhën shqipe. Besimi ndaj tyre ishte i madh dhe, në situata kritike, ishin ata që pyeteshin legalisht ose jolegalisht për ndonjë zhvillim specifik në Kosovë. Por, më anë tjetër, të tillët dërgoheshin kryesisht për të ushtruar funksione republikane ose federative, atje ku ushtrimi i pushtetit kishte shumë privilegje, por pak përgjegjësi.

Taborin e tretë e përbënin luajalët e rinj, ata që së fundi, pas një shoshitjeje të gjatë nga partia dhe organet e sigurimit, kishin treguar se mund të ishin të besueshëm për të vazhduar politikat jugosllave në Kosovë. Përveç besueshmërisë, të rekrutuarit në këtë tabor duhej të dëshmonin se, mbi të gjitha, nuk ishin nacionalistë shqiptarë, se kishin respekt për revolucionarët e vjetër dhe se ambicien e tyre për t’u ngjitur rrugës së karrierës nga prapavija duhej ta mbështeste së paku një kuadër i besueshëm i klanit të vjetër, ose të kishte një lidhje krushqie me të. Për këta burra shkallët e ngritjes në karrierë nuk ishin të lehta, sepse t’i çaje radhët e ngjeshura të revolucionarëve të vjetër ishte një punë shumë e vështirë dhe delikate. Prandaj, nuk ishte aspak e rastit që pas kthesave të mëdha në Kosovë, siç ishin vitet 1968 apo 1981, mënjanimet e para ndodhnin pikërisht nga radhët e luajalistëve të rinj, të cilët, sa herë që shihej e nevojshme, sakrifikoheshin lehtësisht nga “ujqërit” e vjetër, kështu që nuk ishte aspak e rastit që edhe pas dyzet vjet të pushtetit socialist numri i kuadrove që qarkulloheshin në pozita të larta në Kosovë kishte mbetur afërsisht i njëjtë dhe emrat që lakoheshin dilnin krejtësisht të njohur.

 

Qëndrimi ndaj Shqipërisë

 

Ishte e ditur dhe krejtësisht normale për rrethanat, se politikën e jashtme të shtetit të atëhershëm jugosllav e bënte Titoja. Por ishte dyfish normale që pikat nevralgjike të politikës së jashtme, siç ishte në këtë rast Shqipëria, me rigorozitet të madh i orientonte dhe i kontrollonte vetë njëshi i shtetit dhe i partisë, pa i lënë asgjë rastësisë. Po përse Shqipëria e izoluar, me reputacion të shkatërruar ndërkombëtar, pa miq dhe pa mbështetje nga asnjëri bllok politiko-ushtarak, ishte kaq e rëndësishme për politikat e jashtme të Jugosllavisë, që atëbotë konsiderohej njëri nga shtetet prestigjioze të botës, miqësinë e së cilës përpiqeshin ta fitonte si Lindja, si Perëndimi…?

Pozicioni i Shqipërisë u bë i rëndësishëm për Jugosllavinë veçanërisht pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe vazhdoi të ishte po kaq i rëndësishëm pas daljes së saj formale nga Traktati i Varshavës dhe lidhjes miqësore me Kinën. Pozicioni i Jugosllavisë së “painkuadruar” ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm në raport me blloqet ushtarako-politike dhe ndërhyrjet e shpeshta të Bashkimit Sovjetik në shtetet e Lindjes ishin bërë tmerr për Titon e miqësuar me Perëndimin, por pa një mbrojtje të drejtpërdrejtë nga asnjë aleancë dhe nga asnjë shtet i veçantë. Jugosllavia i kishte në kufijtë e saj NATO-n dhe Traktatin e Varshavës, dihej se në Jaltë ishte vendosur ndarja e saj, vetëm një raport shumë i balancuar i forcave që ushtronin ndikim mbi Jugosllavinë mund ta ruanin këtë shtet që të mos merrte tatëpjetën e pakthyeshme.

Në këtë raport forcash që ushtronin ndikim mbi Jugosllavinë, pozicioni i Shqipërisë ishte tejet i rëndësishëm, sepse Shqipëria kishte brenda shtetit jugosllav një minoritet tepër të madh dhe të papërballueshëm edhe për Jugosllavinë njëzet milionëshe, veçmas nëse rebelimin e këtij minoriteti e ndihmonte një Shqipëri e kthyer serishmi në përqafimin e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës. Titoja e dinte se vetëm një Shqipëri çfarë ishte, e armiqësuar me tërë botën, i shkonte për shtat më së miri politikës së balancave të kujdesshme të Jugosllavisë. Duke bashkëpunuar me Shqipërinë në planin ekonomik dhe tregtar, ai shpresonte të bëhej gradualisht partneri i saj më i rëndësishëm, në mënyrë që ta minimizonte nevojën e Shqipërisë për të pasur pranë një fuqi të madhe botërore. Më anë tjetër, ai e dinte, sepse këtë e kishte provuar edhe më parë, se mënyra më e mirë e pacifizimit të Kosovës mund të bëhej përmes Shqipërisë së varur politikisht dhe ekonomikisht. Zgjimi kombëtar shqiptar në Jugosllavi, i cili dukej i paevitueshëm, më së lehti mund të kontrollohej përmes Shqipërisë.

Nga raportet që bënin për Shqipërinë vizitorë të ndryshëm jugosllavë, përfshirë edhe kosovarët, nga fundi i viteve ’60, kur filluan qarkullimet e para me Tiranën, interesim më i madh shfaqej rreth asaj, nëse kishte shenja të riafrimit të mundshëm të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, pastaj i bëhej një analizë e rrethanave të brendshme dhe, së fundi, theksi vihej vazhdimisht te gatishmëria e Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Një kujdes i jashtëzakonshëm tregohej për fjalimet e Enver Hoxhës, analizoheshin me kujdes nëse aty mund të gjendej ndonjë element i ri, nuk u vihej veshi sharjeve dhe vulgarizmave politike dhe ideologjike, por një analize të hollësishme iu nënshtroheshin paragrafët ku flitej për raportet me fuqitë e mëdha dhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë. Kur Enver Hoxha thoshte, ta zëmë, se nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria përsëri do të luftonte përkrah saj, siç e tha në një rast në Tropojë, këto fjalë barteshin nga një stenogram në tjetrin, nga një analizë në tjetrën dhe interpretoheshin si vullnet i mirë i Shqipërisë për ta rikthyer miqësinë e vjetër me Jugosllavinë.

Të gjithë e dinin në Jugosllavi, përfshirë edhe Titon, se përmes bashkëpunimit kulturor Shqipëria do të eksportonte në Kosovë edhe romantizëm nacional, edhe nacionalizëm, edhe ideologji marksiste-leniniste, edhe enverizëm, edhe spiunazh, pra të gjitha që ajo i kishte të mjaftueshme ose me tepri. Çmimi që duhej të paguante Jugosllavia, për t’iu kundërvënë kësaj makinerie funksionale të Shqipërisë, ishte shumë i madh. Por për këtë ishte përpunuar një strategji, e cila në asnjë rrethanë nuk duhej të dështonte. Që më përpara, përmes formave të ndryshme të joshjes dhe të shantazhit, Jugosllavia, para se të bënte çdo gjë tjetër në Kosovë, kishte rekrutuar bashkëpunëtorë të shumtë të UDB-së.

Nuk është e tepërt të thuhet se të tillë kishte shumë në Kosovë, qoftë për shkak se Kosova, krahas traditave pozitive, të tilla që pothuajse nuk i gjeje askund tjetër, kishte edhe traditën e gjatë të nënshtrimit ndaj pushtuesve, respektivisht të qenit në shërbim dhe shërbëtor, pra edhe spiun. Në vitit ’50 dhe ’60, por edhe më vonë, rekrutimi nga UDB-ja ishte masiv, qoftë përmes parasë, perms privilegjeve, përmes punësimit, përmes shkollimit; qoftë edhe përmes kërcënimeve, siç ishte ndonjë njollë në biografinë personale, të prindërve, të farefisit, ose edhe të njerëzve me të cilët mund të kishe kontakte sporadike. Pra, të gjitha mekanizmat ishin vënë në veprim, por duket se më së miri funksiononte paraja, ngase Kosova, në përgjithësi, kishte një gjendje të rëndë ekonomike dhe ngase mercenarizmi, sikundër e thamë, është një traditë gjithëshqiptare e kultivuar dhe e ushtruar për një kohë të gjatë.

Siç u zbulua pas vitit 1981, Jugosllavia, në raport me Shqipërinë, kishte bërë përgatitje që edhe një herë, si në vitin 1941 me themelimin dhe diktatin ndaj PKSH-së, pothuajse të njëjtën gjë ta bënte me një depërtim të fuqishëm në liberalizimin e jetës politike në vend, duke ndryshuar sistemin, duke nxitur lëvizje politike, duke rekrutuar njerëz etj. Për këtë kishte pasur një plan, i cili tërthorazi u zbulua pas atyre ngjarjeve. Ata që kishin “dizajnuar” bashkëpunimin kulturor Kosovë-Shqipëri, nuk ngurruan të thoshin botërisht se kishin pritur jo shpërthimin dhe destabilizimin e Kosovës, por të kundërtën, atë të Shqipërisë, sepse, sipas mendjes se tyre, efektet e bashkëpunimit disavjeçar duhej të reflektoheshin pikërisht në rënien e sistemit në Shqipëri. Ata kishin qenë të bindur se sistemi jugosllav ishte superior ndaj atij të Shqipërisë, se njerëzit edhe në Kosovën e prapambetur jetonin shumë më mirë se në Shqipëri, se qarkullimi i shpeshtë i njerëzve të estradës, të artit, të arsimit, të shkencës, përzier në shumë raste me spiunë dhe provokatorë ordinerë, herë do kur do të krijonte efekte të rebelimit dhe të rënies së pushtetit të Enver Hoxhës. Pra, Jugosllavia edhe një herë ëndërronte që Shqipërinë ta mbërthente fuqishëm pas vetes.

Në kuadër të këtyre raporteve gati të çmendura ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, Kosova u gjend në mes, e pafuqishme të përvetësonte vetëm njërën apo të refuzonte vetëm tjetrën anë. Vetë konstalacioni politik i kosovarëve ishte tepër i ngatërruar. Elita politike e Kosovës e urrente Shqipërinë, sa për shkak të Enver Hoxhës që e kishte shkruar vetë historinë e LNÇ-së dhe i kishte nxjerrë në sipërfaqe shumë gjëra të pakëndshme që kishin të bënin me Kosovën, sa për shkak të propagandës së fuqishme që distribuonte Tirana, në të cilën udhëheqja e Kosovës quhej e shitur dhe tradhtare.

Ndërkaq, kjo elitë politike kosovare aspak nuk ishte kreatore e politikës jugosllave ndaj Shqipërisë. Atë politikë e bënte Titoja me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Beograd, ku kosovarët nuk bënin pjesë. Elita politike kosovare dukej se e kishte të ndaluar edhe të fliste publikisht për Shqipërinë. Vetëm në mbledhje të mbyllura ajo shprehej lirshëm dhe shfrynte, në dukje të parë kundër Enver Hoxhës, por në të vërtetë shante Shqipërinë në tërësinë e saj. Aty ku kishte mundësi dhe ku nuk binte në kolizion të drejtpërdrejtë me politikat qendrore, po t’i vinte rasti, kjo elitë politike e Kosovës persekutonte pa mëshirë këdo që mund ta gjente të dyshimtë në lidhje me Shqipërinë, duke hapur procese hetimi edhe për ata që dëgjonin Radio-Tiranën. Për të zhvilluar një luftë të ashpër kundër nacionalizmit shqiptar, klasa politike e Kosovës nuk ishte e motivuar dhe e nxitur vetëm nga qendra. Ajo shpesh i tejkalonte udhëzimet që merrte, duke e bërë luftën politike edhe më të ashpër nga ç’duhej të ishte në të vërtetë.

 

Lindja e romantizmit nacional

 

Më anë tjetër, në Kosovë, përveç opozitës nacionale, e cila konfrontohej drejtpërdrejt me regjimin dhe për këtë arsye burgosej pa mëshirë, ishte krijuar edhe opozita e heshtur dhe e fshehtë, e cila jopublikisht kontestonte çdo gjë që thoshte politika zyrtare. Kjo opozitë e heshtur dhe shumë masive ishte tërësisht mosbesuese ndaj pushtetit dhe njerëzve të saj, pavarësisht në bëhej fjalë për zhvillimet politike në Kosovë dhe Jugosllavi, apo për sharjet dhe përçmimin që ia bënin Shqipërisë. Kosovarët ishin gënjyer dhe mashtruar për një kohë të gjatë nga Jugosllavia, për çdo gjë, më së shumti për të drejtat e barabarta në kuadër të bashkësisë jugosllave. Ata tashmë kishin përfituar aq dije politike, sa të kuptonin se premtimet që ishin bërë dhe fjalët që thuheshin gjithandej nuk korrespondonin me realitetin. Në një rrethanë të këtillë, kur gënjehej në mënyrë kaq të hapur për realitetin që kosovarët e jetonin dhe e kishin para sysh çdo ditë, përse të mos besohej se shumëfish më shumë gënjehej për Shqipërinë, të cilën ata nuk kishin mundësi ta shihnin? Në të vërtetë, realiteti i Shqipërisë për kosovarët ishte realitet virtual, i krijuar me efektet tingullore të Radio-Tiranës, me lajmet e saj, me reportazhet e saj, më vonë me imazhet e kurdisura të Televizionit Shqiptar. Si realitet që nuk jetohej, ai kishte mundësi më të mëdha që të besohej.

Por a kishin zgjedhje tjetër kosovarët, përveç se ta besonin një Shqipëri-ëndërr, një Shqipëri imagjinare? Është e vërtetë se Shqipëria, përmes propagandës, i keqpërdori kosovarët, duke ndërtuar në sytë e tyre një shtet krejtësisht të pamundur, aq i përsosur pretendohej se ishte. Por edhe kosovarët, në mënyrën e tyre, e keqpërdorën Shqipërinë, sepse në hapësirën e saj të kufizuar, në pamjen e saj të rrëgjuar, në mundësitë e saj të vogla projektuan të gjitha mungesat që i kishin tani dhe që i kishin pasur gjatë historisë. Përveç që duhej të ishte një vend ideal në sytë e tyre, Shqipëria duhej të ishte e aftë të bënte luftë për kosovarët, t’i mbronte ata, të kishte armatim superior ndaj Jugosllavisë, të kishte avionë supersonikë, raketa tokë-tokë të largësive të mëdha, armë bërthamore, çdo gjë. Po të mos e besonin këtë Shqipëri imagjinare, çfarë duhej të bënin kosovarët? Cilën alternativë e kishin? Jugosllavinë dhe integrimin në të gjithë përbërësit e saj. Ata tashmë e kishin vërejtur se ky integrim nuk donte të thoshte vetëm lojalitet politik ndaj Jugosllavisë, as vetëm përvetësim dhe miratim i padiskutueshëm i standardeve të saj ideologjikë, por edhe humbje e sigurt dhe pakthyeshme e identitetit.

Shqiptarët që e përvetësonin pa rezervë integralizmin jugosllav ishin masë që deformoheshin shpejt dhe pasojat bëheshin të dukshme që në hapat e parë. Rrugëve të Prishtinës tashmë nuk e kishe të vështirë të shihje djem të rinj që imitonin “homot” e Beogradit, ose vajza të reja që çmendeshin pas idhujve të estradës jugosllave, sikundër që mund t’i shihje gjithandej bijtë dhe bijat e gjeneratës së parë të shqiptarëve të integruar, me nëna serbe që flitnin serbisht dhe bënin shkollë serbisht; me nëna boshnjake që flitnin serbisht dhe bënin shkollë serbisht; me nëna maqedone, me nëna hungareze, me nëna kroate, madje me nëna dhe baballarë shqiptarë, që flitnin në familje serbisht dhe bënin shkollë serbisht; apo që nuk flitnin serbisht dhe nuk bënin shkollë serbisht, por që tashmë ishin futur me tërë qenien në spiralen e ndërtimit të identitetit jugosllav. Nga shumica e kosovarëve nuk mund të miratohej një rrëshqitje kaq e shpejtë në identitetin jugosllav (në këtë rast serb, sepse identiteti serb participonte më së shumti në identitetin jugosllav dhe shqiptarët me të i krijonin afritë më të mëdha), sepse të shumta ishin plagët e këtyre marrëdhënieve dhe varret vinin radhë-radhë nëpër të gjitha kohët e historisë.

Të rinjtë kosovarë, nxënësit dhe studentët e fundit të viteve ’60 dhe të viteve ’70, të cilët përbënin potencialin biologjik, botëkuptimor dhe dituror të të gjitha zhvillimeve politike deri në pavarësinë e Kosovës, kishin dy alternativa: ose të shkonin te salla e sotme “1 Tetori” (atëherë “25 Maji”) në Prishtinë dhe të dëgjonin ansamblin “Belo dugme”; apo të shkonin në ndonjërin nga auditorët e atëhershëm të Fakultetit Filozofik dhe, të ulur nga dy vetë në një karrige, të dëgjonin ligjëratat e Eqrem Çabejt, Aleks Budës, Shaban Demirajt etj., të cilat vërtet që për shumë syresh ishin të pakuptueshme dhe shkencërisht tepër të lartësuara, aty-këtu edhe nacional-romantike gjithsesi, por së paku ishin të tilla që thërrisnin në identitet përmes dijes dhe shkencës. Kishte edhe nga ata, doemos, që mund të ishin të pranishëm edhe në koncert, edhe në ligjëratat e profesorëve të Shqipërisë, por të tillët, të dyzuar dhe të papërcaktuar, filluan të bëheshin gjithnjë e më të paktë.

Duke mos mundur dhe duke mos qenë e interesuar që vetë të krijonte identitet të ndarë, e lidhur fort pas Shqipërisë, Kosova u bë nacional-romantike për një kohë tepër të shkurtër. Predispozitat për këtë i kishte të mjaftueshme: Kosova ishte në një shkallë të tillë të zhvillimit dhe të emancipimit, një ambient i tillë arsimor dhe kulturor, i cili absorbonte lehtësisht idetë nacional-romantike. Ajo, më një anë, kishte të pazgjidhur problemin kombëtar, kishte prapa vetes një histori të dhimbshme, e cila e thërriste për vetëdijesim, ndërsa më anë tjetër kishte trysninë e shovinizmit serb, që e ndiqte hap pas hapi; kishte integralizmin jugosllav që i kërcënohej me shpërbërje të identitetit, si dhe kishte ofertën Shqipëri, e cila ishte më e afërt dhe lehtësisht e akceptueshme.

Rrëshqitjen e shpejtë të Kosovës në romantizëm nacional dhe më pas në nacionalizëm nuk e ndalnin dot as klasa e politikanëve vendorë, të cilët, duke dashur t’i mbeteshin luajalë Jugosllavisë në çdo rrethanë dhe duke qenë të paarsimuar dhe dogmatë në perceptimin e nacionalizmit, derdhën shumë mund, dhe bënë shumë tautologji ideologjike, dhe ranë në grackën e antishqiptarizmit, jo pse ishin të vetëdijshëm se nacionalizmi shqiptar rrezikonte Jugosllavinë, por më shumë për faktin se atyre dhe fëmijëve të tyre iu shfaqej përpara një e ardhme e pasigurt, në një Kosovë ku ata për shumë kohë kishin bërë punën e spiunëve të vegjël dhe tradhtarëve ordinerë.

Ata nuk e ndalnin dot bashkëpunimin me Shqipërinë, nuk ndalnin dot librat, koncertet, profesorët, shfaqjet teatrore (të cilat i kritikonin në çdo rast në mbledhjet e tyre të mbyllura në Brezovicë ose në Gërmi), sepse Titoja kishte thënë ndryshe. Por as ndonjë kontroll më të rreptë nuk venin dot, qoftë sepse ishin të padijshëm, qoftë nga se e nënçmonin nacionalizmin shqiptar, që kishte fraza dhe parulla të shkruara me shkumës nëpër shkolla, ose pamflete të shtypura me makina të vjetra shkrimi dhe asgjë më shumë se kaq.

Njerëz që lexonin vetëm shtypin e Beogradit (ndonjëri pak më i avancuar edhe ndonjë revistë të Zagrebit), ata nuk dinin asgjë për librat, për revistat dhe për produktet e tjera kulturore që vinin nga Shqipëria. Duke qenë struktura parapolitike, struktura publike të sigurimit të shtetit dhe të policisë së fshehtë, ata e kishin përqendruar tërë vëmendjen në zbulimin dhe dënimin e grupeve ilegale, kështu që nuk e kishin as idenë se çfarë ndodhte në botën përreth tyre. Disa syresh, duke dashur të dukeshin më tolerantë, më liberalë, më të afërt me popullin e vet, krijonin ndonjëherë edhe marrëdhënie afrie me nacionalistët shqiptarë, por për këtë menjëherë pastaj bënin autokritikë në mbledhjet e shpeshta të organizatave të partisë.

Nacionalizmin shqiptar ata nuk e ndalnin dot edhe për një arsye tjetër: ai po shfaqej në skenë në të njëjtën kohë me nacionalizmin e popujve të tjerë të Jugosllavisë dhe atje, madje, kishte edhe mbështetjen e nomenklaturave partiake dhe politike të republikave dhe të kombeve brenda tyre. Mirëpo, kur nacionalizmi shqiptar u bë i dukshëm, u bë publik, siç ishte rasti i vitit 1981, Jugosllavia u bë unike, u ngrit në këmbë dhe i goditi shqiptarët në të gjitha format. Si u bënë, pra, kosovarët nacional-romantikë dhe çfarë gjetën të glorifikonin te kombi i tyre? Si të gjithë popujt e Ballkanit, gjetën shumë luftëra që i kishin humbur dhe shumë më pak nga ato që i kishin fituar. Nga kjo histori e vuajtjes dhe e pësimit dilte një konkluzion, se kombi është një dhembje e bukur, pra është vuajtje, është sakrificë, që bëhet për një ide të lartësuar. Ky lloj sadomazohizmi është i pranishëm te të gjithë popujt që kombin ende e kanë ide abstrakte, pra, që kombin nuk e përjetojnë si bashkësi që krijon favore, por si bashkësi që kërkon t’i bëhen favore. Në fazën e konstituimit dhe të konsolidimit, të gjithë kombet e kanë këtë atribut, atributin e martirizimit dhe të sakrificës.

Në rastin e Ballkanit, në sytë e europianëve kjo duket atipike dhe te kosovarët në mënyrë të veçantë, sepse proceset e vonuara sikur përsërisin një histori tragjike, diçka si ngarendje e fantazmave të ferrit në pikë të ditës. Në të vërtetë historia nuk po përsëritej në Ballkan, vetëm po ndodhte një zhvendosje në kohë e asaj që vetë Europa e kishte kultivuar një shekull më parë. Më pastaj vinin përbërësit e tjerë romantikë, që glorifikoheshin dhe lartësoheshin në mënyrë joracionale. Këtu bënte pjesë lashtësia, pra origjina ilire e shqiptarëve, e cila te kosovarët mori një domethënie të veçantë. Ata ishin të nënçmuar nga sllavët, me të cilët jetonin në të njëjtën bashkësi, pa dëshirën e tyre.

Kosovarët ishin të varfër, të paemancipuar, pa traditë kulturore, në çdo pikëpamje inferiorë ndaj të tjerëve, prandaj duhej ta kërkonin dhe ta gjenin krenarinë në një kohë tjetër. Për kosovarët, të kishe origjinë ilire donte të thoshte të ishe më i lashtë se sllavët në Ballkan, se atëbotë kishe pasur kulturë dhe një civilizim që mund të barabitej me antikën greke dhe romake. Ky idealizëm historik ose gjysmë-historik, gjysmë-legjendar, i përvetësuar dhe i bartur si ide nga shekujt e mëparshëm, nuk u bënte përshtypje vetëm shqiptarëve në atë Jugosllavinë e atëhershme, por edhe të tjerëve, veçmas atyre që kufizoheshin me shqiptarët: serbëve, malazezëve dhe maqedonasve. Liria që secili komb të shprehte identitetin e vet në kuadër të Jugosllavisë, kishte bërë që në njëfarë mase të zhvillohej një garë e brendshme për mitologjinë historike: secili glorifikonte mitet e veta nacionale dhe secili i mbante ato si argumente për barazi ose superioritet. Nëse pranohej teza e origjinës ilire të shqiptarëve, kosovarët dilnin më superiorët e bashkësisë jugosllave. Por, mbi të gjitha, origjina e ilire e shqiptarëve kontestonte të drejtën historike të serbëve mbi Kosovën, sepse me këtë përkufizim serbët shpalleshin “të ardhur në tokën e huaj”.

Teza e origjinës ilire të shqiptarëve në esencën e saj nuk mund të ishte as nacionaliste, as nacional-romantike. Vetëm përdorimi i saj politik i jepte këto atribute. Kosovarët e përdorën atë si një emblemë mbrojtëse kundrejt sulmeve që ndërmerreshin ndaj tyre, si shumicën e përbërësve të tjerë të nacional-romantizmit. Ata nuk patën asnjë mundësi që mitet e tyre nacionale t’i shndërronin në veprime konkrete dhe, në këtë mënyrë, të rrezikonin ose ta cenonin në çfarëdo mënyre ekzistencën e popujve të tjerë. Ata thoshin se kanë origjinë ilire, por nuk kishin në dispozicion asnjë instrument të forcës apo të dhunës, që do t’u jepte mundësi të zgjeroheshin në krejt ato territore, ku dikur ishin shtrirë ilirët. Por, sido që të ishte, Kosovën e donin për vete, jo pse aty ishte ruajtur më së miri vazhdimësia dardane-shqiptare, por më shumë për faktin se hapësira e tyre jetësore që një shekull e prapa ishte rrudhur në vazhdimësi dhe tani kishin dy zgjidhje: ose të qëndronin aty ku ishin, ose të merrnin arratinë, në Turqi, në Shqipëri, kudo qoftë. Ky pozicion vetëmbrojtës i shqiptarëve, pozicion krejtësisht natyror, madje biologjik, nga serbët, maqedonët dhe të tjerët e bashkësisë jugosllave u quajt nacional-shovinizëm shqiptar.

As në këtë rast kosovarët nuk nisën ndonjë ndarje me Shqipërinë, ndonëse patën mundësi ta bënin këtë. Brenda origjinës ilire ata mund të specifikoheshin si dardanë, fis ilir që kishte banua pjesën më të madhe të territoreve ku jetonin shqiptarët në hapësirat e Jugosllavisë, por ky specifikim nuk mori ndonjëherë atribute të një origjine të ndarë, ose të së drejtës historike vetëm kosovare. Në perceptimin e origjinës si përbërës të identitetit kombëtar, kosovarët përvetësuan një zgjidhje krejt logjike krahasuese, madje shkencërisht të qëndrueshme: ilirët ishin populli, dardanët ishin fisi; shqiptarët ishin kombi, kosovarët ishin pjesë e tij.

Pra, idenë e ndarjes nga njësia kombëtare ata e minimizuan maksimalisht, sa që as kundërshtarëve të tyre nuk u ra ndër mend ta bënin këtë. Vetëm pas vitit 1981 dolën disa zëra sporadikë që thanë se ishte bërë gabim që kjo ndarje nuk ishte bërë me kohë, madje duke krijuar emërtimin dhe perceptimin për dy entitete: shiptari për shqiptarët në Kosovë dhe albanci për shqiptarët matanë Bjeshkëve të Nemuna. Të gjithë e dinin, edhe hartuesit e elaborative gjenocidale, se një ndarje e këtillë ishte shkencërisht e paqëndrueshme dhe nuk kishte si të aplikohej te pakicat e tjera kombëtare, të cilat nuk ishin të pakta në Jugosllavi. Kjo ndarje krijonte edhe implikime të tjera politike: po të bëhej nga shqiptarët në Jugosllavi një komb më vete, atëherë kjo do t’i shëmbëllente maqedonëve dhe një republikë e tyre do të ishte e paevitueshme. Këtë më së paku e donin serbët, malazeztë, maqedonasit.

Një përbërës tjetër i nacional-romantizmit shqiptar, nga fundi i viteve ’60 u bë Skënderbeu. Kosovarët e morën nga Shqipëria idenë e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Tashmë në Kosovë kishte arritur një literaturë e mjaftueshme që fliste për Skënderbeun, apo edhe për historinë e popullit shqiptar në përgjithësi; pastaj libra të mjaftueshëm të letërsisë së traditës, libra shkencorë të historisë, të gjuhësisë dhe përgjithësisht të shkencave albanologjike.

Rilindësit shqiptarë, të cilët i kishin kënduar Skënderbeut dhe bëmave të tij sa historike aq edhe të pabesueshme; që u kishin kënduar bukurive të vendit dhe kishin ngritur në qiell virtytet shqiptare, në Kosovën e sapo dalë nga errësira e analfabetizmit dhe prapambetjes përnjëherësh u bënë shumë popullorë, të lehtë për t’u kuptuar, të afërt për nga idetë dhe nxitës për nga angazhimi kombëtar. Letërsia e Rilindjes në Kosovë gati për gjysmë shekulli shërbeu si mjeti kryesor i emancipimit: ajo lexohet dhe rilexohet, mësohet përmendësh dhe recitohet, në shkolla dhe në të gjitha aktivitetet kulturore. Përmes saj krijohet përfytyrimi për atdheun, për Shqipërinë, krijohet edhe modeli për heroin kombëtar, për njeriun e qëndresës dhe të sakrificës. Ai, natyrisht, është Skënderbeu, trim i paepur, i pamposhtur nga armiqtë, i pagabueshëm në veprime dhe në gjykim. Ai i shërben Kosovës edhe si symbol i luftës kundër orientalizmit, kundër mentalitetit anadollak, i cili kishte qëndruar i konservuar kryesisht në ambientet urbane, gjysmë turke, gjysmë shqiptare.

Në Prishtinë, në vitin 1968, mbahet një simpozium shkencor për Skënderbeun, në të cilin ligjërojnë shkencëtarë të shquar të Shqipërisë. Në sytë e kosovarëve ata kthehen në heronj të dijes, të erudicionit dhe të angazhimit kombëtar. Shfaqet edhe filmi për Skënderbeun, bëhet një ekspozitë tematike dhe shpërndahen emblema me figurën e heroit kombëtar. Ky është një kuadër i mjaftueshëm për të krijuar një përbërës të nacional-romantizmit, i cili në rrethanat e Kosovës gradualisht po merrte atributet e identitetit funksional, i forcës që shtrëngon radhët dhe bëhet element kohezioni dhe qëndrueshmërie.

 

Përbërësit e tjerë të identitetit

 

Ndërsa punoja redaktor i suplementeve kulturore të gazetave të Prishtinës, jo shumë vjet më parë më kishte rënë në dorë një fotografi e vitit 1941, e bërë në Pejë më 28 Nëntor të atij viti jo edhe aq të largët. Në atë foto, dy djem të rinj pejanë, rreth të njëzetave, të gjatë, të hijshëm, njëri i veshur me rroba tradicionale të qytetit, ndërsa tjetri “allafrënga”, shihen në qendër të qytetit të Pejës tek mbanin me vete një flamur shqiptar, të cilin e kishin punuar vetë. Në të vërtetë, në foton bardh-zi flamuri duket një improvizim i çuditshëm: një copë katrore e çarçafit të bardhë, në të cilin me bojë të zezë është vizatuar diçka që i ngjan shqiponjës dykrenore.

Kjo foto bën me dije se më 1941, kur kosovarët për herë të parë patën mundësi ta përdornin flamurin kombëtar, shumica e tyre nuk kishin as idenë si dukej ai. Edhe nëse në kohën e Haxhi Zekës mund të ishte përdorur flamuri kombëtar, gjë që lë shumë për të dyshuar, që atëherë kishin kaluar më shumë se dyzet vjet të ndarjes me Shqipërinë, kohë kjo e mjaftueshme për të tronditur në esencë identitetin e paqëndrueshëm të kosovarit të zakonshëm.

Kjo foto shpjegon edhe një gjë tjetër: se kosovarët, edhe përkundër pjesëmarrjes në ngjarje të rëndësishme kombëtare, për shkak të oriantalizmës së tyre më të madhe se ç’mund ta mbante një identitet i pakonsoliduar; për shkak të lidhjes shumë të ngushtë me Perandorinë Osmane dhe më vonë me Turqinë; dhe, së fundi, për shkak të shkëputjeve të mëdha me Shqipërinë, e cila tashmë kishte marrë rolin e Piemontit të idesë kombëtare; pra, për të gjitha këto arsye, kosovarët duhej të riformësonin ose të rithemelonin identitetin e tyre kombëtar. Vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ato të paktë që erdhën pastaj, luajtën rol të rëndësishëm për rikthimin në identitet të kosovarëve, por fill pastaj erdh një shkëputje e re, e cila zgjati deri në fund të viteve ’60.

Pra, nga fundi i viteve ‘60 kosovarëve iu lejohet përdorimi i flamurit kombëtar, atij flamuri për të cilin ata tashmë kishin lexuar ode dhe himne, kishin lexuar histori dhe bëma heroike, kishin dëgjuar për pësime dhe sakrifica. Jo shumë vjet më parë, po për këtë flamur ishin futur në burg dhe ishin dënuar me shumë vjet heqje lirie grupe irredentistësh kosovarë. Për ata tani rrëfehej legjenda se në mbrëmjen e 28 Nëntorit flamurin kombëtar e kishin vendosur natën në të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe lokomotivën e një treni, i cili, me flamurin shqiptar sipër, në mëngjes kishte hyrë “triumfalisht” në Beograd.

Kosova, pra, tani kishte krijuar edhe legjendat e saj për flamurin, kishte edhe heronjtë e saj të këtij simboli. Më anë tjetër, ajo tashmë kishte përfituar aq emancipim, sa ta akceptonte flamurin si një simbol themelor të identitetit të saj të ringritur. Ndonëse është fenomen i njohur dhe i përhapur gjithandej, në rastin e shqiptarëve janë dy faktorë që flamurit kombëtar i japin atribute kombëtare, jo vetëm shtetërore: e para, sado që në masë të kufizuar, flamuri filloi të funksiononte si simbol i shqiptarëve përpara se të bëhej Shqipëria (u quajt flamur kombëtar përpara se të quhej flamur shtetëror); dhe, e dyta, ishte Kosova ajo që më këmbëngulje deri në sakrificë kërkoi të ishte e përfshirë në funksionimin gjithëpërfshirës të këtij simboli. Ndoshta çudia më e madhe për rrethanat e Kosovës ndodhte me një paradoks: flamuri shqiptar zyrtarisht ishte lejuar në Kosovë, ndërsa nëpër burgje vazhdonin të qëndronin ata që e kishin kërkuar lejimin e përdorimit të tij. Kjo, ndër të tjera, dëshmonte se politikat jugosllave rreth Kosovës ende ishin në luhatje, ishin joparimore dhe shpesh konfuze.

Për shkak të natyrës së saj si përbërës jopolitik i identitetit, gjuha e njësuar, gjuha letrare, gjuha standard shqipe nuk u afishua asnjëherë si element i nacional-romantizmit kosovar. Meqë gjuha do të trajtohet veçmas në kuadër të këtij shqyrtimi për identitetin, le t’i theksojmë këtu tri çështje që nuk janë të panjohura, por që mendoj se duhet sjellë në vëmendje të lexuesit pikërisht në këtë vend: e para, se Kosova bëri hapat paraprak të njësimit të gjuhës së saj letrare me gjuhën letrare të Shqipërisë shumë vjet para Kongresit të Drejtshkrimit; e dyta, se që nga viti 1966 dhe prapa, si në shumë fusha të tjera të kulturës, në Kosovë ekzistonte një lloj i idealizmit dhe entuziazmit gjuhësor; dhe, e treta, se vendimi që gjuhëtarët e Kosovës të merrnin pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit ishte vendim politik që i tejkalonte suazat e Kosovës.

Lidhur me çështjen e parë, le të rendisim këtu një kronologji ngjarjesh gjuhësore, të cilat ndodhën në Kosovë deri në vitin 1972, ashtu siç i paraqet Rexhep Ismajli në shumë studime të tij për këtë problematikë. Kështu, më 1952, pra njëzet vjet para Kongresit të Drejtshkrimit, në Kosovë u bë një mbledhje gjuhëtarësh, në të cilën u vendos që “si gjuhë letrare të vazhdonte të përdorej gegërishtja e mesme (e përgjithësuar), por me njohjen e tërë leksikut të shqipes si të gjuhës letrare”.

Pesë vjet më vonë, më 1957, u mbajt një mbledhje tjetër e gjuhëtarëve, ku u theksua nevoja që gjuha letrare “të ishte sa më afër gjuhës së folur”. Kjo mund të ishte mbledhja që bëri përpjekje të largonte gjuhën e kosovarëve nga “gjuha e Shqipërisë”, por sikundër vërehet më vonë, me vendimet e këtij tubimi nuk dolën të kënaqur as gjuhëtarët, as intelektualët e Kosovës, të cilët disa vjet më vonë, më 1964, duke u mbështetur në ortografinë e Tiranës të vitit 1956, nxorën një ortografi të gegërishtes, e cila çonte në drejtim të afrimit më të madh të dy dialekteve. Atmosfera që u krijua pas vitit 1966 në Kosovë solli frymën e përafrimit më të madh të gjuhës me shqipen letrare të Shqipërisë, kështu që më 1968, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës fuqizoi vendimin që në Kosovë në përdorim zyrtar dhe publik të vihej shqipja letrare, ashtu siç ishte kodifikuar në “Projektin e rregullave të drejtshkrimit”, publikuar në Tiranë në vitin 1967, që në të vërtetë ishte një projekt në diskutim public dhe që synohej të miratohej në momentin përkatës.

Organizatorët e Konsultës i pret Fadil Hoxha, që atëherë ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës, që domethënë se ky tubim shkencor për gjuhën merr edhe miratimin zyrtar. Ka të ngjarë që në vitin 1957 duket të jetë bërë përpjekja më e drejtpërdrejtë e shkëputjes së gjuhës letrare të Kosovës nga gjuha letrare e Shqipërisë, respektivisht synimi për të krijuar një variant autentik të gjuhës së shkruar shqipe për Kosovën, e cila do të ishte kryekëput dialektore, e mbështetur në gjuhën e folur, duke mos qenë as një gegërishte me bazë historike. Kjo është koha kur Kosova përjetonte një gjendje të rëndë, kur asaj i qenë pezulluar pothuajse të gjitha atributet e autonomisë, përjetonte dhunë sistematike, kishte kaluar aksionin e armëve dhe shpërnguljet masive për Turqi.

Trysnia politike doemos që do të jetë reflektuar edhe në vendimin e gjuhëtarëve, të cilët në këtë rast i nënshtrohen situatës dhe duket se marrin vendime të dirigjuara, sepse jo plotë shtatë vjet më vonë, në një klimë pak më të favorshme, e ndryshojnë plotësisht këtë qëndrim dhe adaptojnë vendime që shkojnë në drejtimin tjetër, në përafrimin e gjuhës së Kosovës me të Shqipërisë. Por ajo që bie në sy më qartë në krejt këtë situatë, është varshmëria e pakundërshtueshme e vendimeve të gjuhëtarëve të Kosovës në raport me vendimet që paraprakisht ishin marrë në Shqipëri. Hapat që bën Kosova që në atë fazë për përafrimin gjuhësor me Shqipërinë, kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimet e mëvonshme, sepse gjuha shfaqet këtu si një lidhje shpirtërore që Kosova vazhdon ta mbajë me Shqipërinë, pavarësisht se lidhjet e tjera ishin dobësuar shumë dhe komunikimi kulturor pothuajse ishte ndërprerë tërësisht.

Atëherë, a kishte pra një romantizëm gjuhësor te kosovarët në këtë periudhë dhe si shfaqet ai? Doemos. Gjuha nuk mund të ndahej nga atmosfera e përgjithshme, e cila sundonte në ato vite, pas vitit 1966 dhe deri më 1981. Ishte atmosferë e entuziazmit, e rizgjimit kombëtar, e euforisë, e romantizmit nacional dhe në gjuhë kjo atmosphere do të reflektohet në një përpjekje pothuajse masive për të përvetësuar sa më mirë një normë letrare dhe një ortografi tepër të vështirë për Kosovën, e cila sapo i kishte bërë hapat fillestarë të nxënies së shkrim-leximit.

Pra, në atë atmosferë entuziazmi, e cila mbretëronte në fund të viteve ’60, as që mund të mendohej ndonjë vendim tjetër i gjuhëtarëve të Kosovës, edhe sikur të provonin diçka të tillë, përveç se një adoptim i plotë i vendimeve që tashmë ishin marrë në Tiranë. Por, megjithatë, nuk mund të thuhet se gjuha letrare në Kosovë, në këtë rrethanë, qenkësh zhveshur nga funksioni i saj themelor dhe paskësh marrë atribute që nuk i takojnë. Nëse funksioni themelor i gjuhës është komunikimi, atëherë ky komunikim me literaturën e Shqipërisë, e cila kishte vërshuar të gjitha fushat e dijes, do të ishte i pamundur nëse nuk adaptohej një gjuhë letrare e afër me të Shqipërisë. Kosova kishte arritur në gjysmën e viteve ’60 me një numër tekstesh shkollore të përkthyera, me pak letërsi dhe me një shkrim publik dhe zyrtar të deformuar, për shkak të ambientit bilingual dhe dominimit të serbokroatishtes. Për një kohë shumë të shkurtër të gjitha nevojat elementare me tekste dhe literaturë u plotësuan nga Shqipëria, me marrje të drejtpërdrejtë ose me ribotime.

Shfrytëzimi i kësaj literature ishte bërë i domosdoshëm për rrethanat e Kosovës dhe një komunikim me të do të ishte i pamundur nëse nuk adoptohej edhe në Kosovë një gjuhë letrare e përshtatur me atë të Shqipërisë. Gjuha letrare që vinte nga Shqipëria për Kosovën e atyre viteve ishte gjuhë e arsimimit dhe emancipimit. Pa këtë gjuhë letrare, Kosova do të ishte e destinuar të varej jo nga vetvetja, sepse gjërat e veta i kishte aq të pakta, por nga dija dhe kultura sllave, e cila edhe ashtu kishte marrë një shtrirje tepër të gjerë dhe ishte futur në të gjitha poret e jetës, përfshirë edhe fushat e mendimit. Le të ishte politik vendimi për të njësuar gjuhën letrare; le të ishte i padrejtë dhe i imponuar; Kosova nuk kishte alternativë tjetër, përveç se ta adoptonte me çiltëri dhe entuziazëm. Nuk mund të thuhet se këtë e bënte për shkak të ideologjisë, ose vetëm për shkak të patriotizmit, as për shkak të inferioritetit kundrejt Shqipërisë, megjithëqë kishte pak nga të gjitha. Ajo e bënte këtë për shkak të nevojave të saj, për shkak se nuk kishte rrugë tjetër. Me një gjuhë letrare të ndryshme nga Shqipëria, Kosova do të shkërmoqej, do të shpërbëhej, do të tretej. Nuk do të krijonte identitet, por do të vajtonte identitetin e humbur.

 

Implikimet ideologjike

 

Një detaj i shkëputur nga kujtimet e Fadil Hoxhës të nxit të mendosh se çfarë në të vërtetë kishte ngjarë në nivelet e larta të politikës jugosllave, pikërisht në kohën kur Kosova fillon të ndërtonte subjektivitetin e saj politik në kuadër të Jugosllavisë. Detaji thotë kështu: Miratimin për të marrë pjesë kosovarët në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 e kishte dhënë Petar Stamboliqi, një politikan serb i niveleve më të larta, që nuk shquhej për ndonjë simpati ndaj shqiptarëve, përkundrazi. Po të mos e thoshte vetë Fadil Hoxha, askush në Kosovë nuk do ta besonte këtë gjë, sepse për një shumicë kosovarësh miratimi duhej të vinte pikërisht nga Fadil Hoxha, eventualisht pas një konsultimi me Titon, por jo nga një politikan serb i proveniencës nacionaliste. Pse, pra, Petar Stamboliqi duhej të pyetej për këtë dhe pse pikërisht ai duhej ta jepte miratimin për pjesëmarrjen e kosovarëve në Kongresin e Drejtshkrimit? Pse Serbia, në këtë rast, i bënte Kosovës koncesione të këtilla? A ishte kjo rrethanë e atmosferës liberale, që atëbotë mbretëronte në Jugosllavi, apo bëhej fjalë për diçka tjetër?

Pas vitit 1981, ndonjë politikan naiv, si puna e Sinan Hasanit, do të thoshte se Jugosllavia kishte bërë gabim që e kishte miratuar pjesëmarrjen e kosovarëve në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972, sepse, sipas tij, gjuha e njësuar kishte qenë një nga burimet e nacionalizmit shqiptar. Kjo tezë atëbotë nuk u mbështet as nga nacionalistët serbë, jo për shkak se ishte një tepri që nuk do të mund të gëlltitej nga politikat e barazisë nacionale, të cilën e proklamonte Jugosllavia, por pikërisht për shkak të disa implikimeve të tjera. Në të vërtetë, në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 çështja e shqiptarëve në Jugosllavi kishte arritur deri në atë pikë, sa të bëhej i domosdoshëm përpunimi i një strategjie, pjesë e së cilës doemos që mund të ishin kosovarët, pavarësisht në ishin luajalë ose jo ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë.

Kjo strategji duhej të jepte një përgjigje të qartë, nëse shqiptarët në Jugosllavi duhej të krijonin një identitet të mëvetësishëm nga shqiptarët e Shqipërisë dhe, në këtë e sipër, të merrnin atributet e një kombi të ri, siç kishte ndodhur me maqedonët, apo të trajtoheshin si pakicë kombëtare. Në rrethanën e ngjashme me maqedonët, Kosova do të merrte atributet e njësisë së veçantë federative me të drejtë shkëputjeje, ashtu siç e kishin republikat, ndërkohë që një zgjidhje të këtillë në asnjë variant nuk mund ta pranonte Serbia.

Këtë strategji e kishte përpunuar Titoja me udhëheqjen e ngushtë serbe dhe jugosllave që më 1968, kur përfundimisht u mohua kërkesa e Kosovës për republikë. Më anë tjetër, që të mos kishte çfarëdo luhatjeje në këtë drejtim, krerët partiakë dhe shtetërorë jugosllavë e ndiqnin me shumë kujdes vijën e mosndarjes dhe të veçimit të Kosovës nga trungu identitar i Shqipërisë. Me këtë qëllim, por edhe me qëllimin e mbajtjes së Shqipërisë më afër pikërisht perms Kosovës, duke iu frikësuar kthimit ose futjen e saj eventuale në ndonjë aleancë ushtarake, jugosllavët toleruan pak romantizëm nacional panshqiptar dhe pak nacionalizëm shqiptaromadh në radhët e kosovarëve, por, natyrisht, jo edhe të shqiptarëve të tjerë, veçmas jo atyre të Maqedonisë.

Ata, pra kosovarët, mund të mbanin flamurin kombëtar njësoj si të Shqipërisë, pa asnjë shenjë dalluese; mund të kishin hero kombëtar Skënderbeun; mund të futnin në përdorim zyrtar gjuhën e njësuar letrare; mund të sillnin pedagogë universitarë nga Tirana, që të jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës; mund të importonin libra pa ndonjë censurë të veçantë, sepse në Jugosllavi tashmë ishte ngulitur ideja se socializmi vetëqeverisës jugosllav kishte superioritet të padiskutueshëm mbi derivatet e tjera të këtij sistemi kudo në botë. Të gjitha këto Kosova mund t’i bënte në këmbim të identitetit të mëvetësishëm dhe të synimit për sovranitet dhe shkëputje. Kosovarët nuk ishin dhe nuk mund të bëheshin komb, ishin pakicë kombëtare, kombësi siç thuhej atëherë, dhe nuk mund të dilnin nga kjo kornizë me asnjë çmim.

Në të vërtetë, këtë trajtim nuk e kundërshtonin as vetë kosovarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike dhe nga diferencat e brendshme ideologjike. Të dyja palët, edhe nacionalistët shqiptarë, edhe integralistët jugosllavë në një moment u gjenden në të njëjtën anë, në të njëjtin front, duke i harmonizuar qëndrimet e tyre rreth avancimit të statusit të Kosovës nga krahina në republikë, secila palë duke e shikuar këtë çështje në mënyrën e vet dhe për interesa politike krejtësisht të ndara. Nacionalistët kishin krijuar idenë se një republikë e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, në rrethana të caktuara, do të mund të shkëputej dhe t’i bashkëngjitej Shqipërisë, sepse me kushtetutat jugosllave dhe me kushtetutat e republikave bashkimi i popujve në Jugosllavi ishte bërë mbi bazë të vullnetit të lirë të popujve, që domethënë se edhe shkëputja buronte po nga kjo e drejtë. Kosovarët me bindje jugosllave, ndërkaq, republikën e pane si një mundësi për të avancuar pozicionin e tyre prej pushtetarësh dhe për t’i dhënë Kosovës një status të barabartë në federatë, atje ku ata ishin të anashkaluar dhe të nënçmuar nga Serbia.

Më 1968, kur të dyja palët u gjenden pranë njëra-tjetrës, në Kosovë u krijua një konfuzion i madh politik, që nuk ishte parë kurrë deri atëherë. Kosovarët nacionalistë u hodhën në demonstratë, kërkonin republikë dhe brohoritnin emrin e Fadil Hoxhës dhe disa emra të tjerë të hierarkisë politike dhe intelektuale të Kosovës, që në atë kohë realisht ishin në të njëjtin tabor. Por nuk u deshën më shumë se disa ditë që të kuptohej se në të vërtetë bëhej fjalë për një keqkuptim dhe mashtrim reciprok. Sapo u vërejt se nacionalistët e kërkonin statusin e republikës për të drejtën e shkëputjes, kosovarët e përfshirë në strukturat e pushtetit dhe ata me bindje jugosllave, bënë një prapaktheu të shpejtë dhe u distancuan nga të gjitha kërkesat, të cilat deri atëherë pothuajse i kishin mbështetur legalisht. Kjo në të vërtetë ishte ndeshja e parë ndërmjet luajalëve jugosllavë dhe nacionalistëve shqiptarë, ndërsa viti 1981 paraqet ndarjen e tyre përfundimtare.

Mirëpo, ajo që do vërejtur në këtë rast, asnjëra palë, as më 1968 dhe as më 1981, apo më vonë deri në vitin 1999, në skenën legale politike ose në prapaskenat e saj, në lëvizjen ilegale apo në manifestimet publike të saj, asnjëherë nuk u nxor ideja e formimit të një kombi të veçantë, kosovar, dardan apo çfarëdo emri tjetër që mund të kishte ai. Gjatë asaj periudhe, pra që nga viti 1968 e prapa, ndërsa lëvizja politike në Kosovë njohu faza dhe përshkallëzime të ndryshme, në pikëpamje të identitetit çështja mbeti “e pazhvilluar”, pra as në stadin e një ideje të hedhur kuturu, se kosovarët mund të krijonin një identitet të veçantë ose identitet të ndarë. Duke mos u zhvilluar bashkë me idetë e tjera politike, me idenë për republikë, me idenë për pavarësi, me idenë për bashkim kombëtar, ideja për identitet të ndarë mbeti krejt e papjekur, disi infantile. Përse të ndodhte kështu? Përse edhe kjo ide të mos kalonte nëpër fazat e saj, të kishte historinë e saj dhe të arrinte në një pikë, kur nuk mund të injorohet ose të anashkalohet?

Janë dy arsyet për këtë: E para ka të bëjë me historinë, pra me ato zhvillime që ndodhën në fazën e konstituimit të kombeve, kryesisht në shekullin XIX, kur Kosova nuk prodhoi identitet, por mbeti e lidhur pas Shqipërisë dhe Turqisë. Historisë i takojnë edhe ato zhvillime, kur Kosova, pas vitit 1912, degradoi tërësisht në pikëpamje politike, kombëtare dhe identitare dhe u detyrua të bëhej atribut i pashkëputshëm i Shqipërisë. E dyta, ndërkaq, ka të bëjë me mënyrën se si u perceptua kombi dhe çështja kombëtare gjatë shekullit XX, përfshirë këtu edhe periudhën e socializmit dhe mënyrën si u mendua ta zgjidhte çështjen kombëtare ky sistem dhe ky rend botëror. Natyrisht që çështja e Kosovës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, nuk mund të dilte jashtë postulateve ideologjike të socializmit, as nga këndvështrimi jugosllav, as nga ai shqiptar, sepse në të dy krahët, pavarësisht se bëhej fjalë për kualitete të ndryshme, baza teorike mbetej e njëjtë. Në Shqipëri për çështjen kombëtare i referohej Stalinit, në Jugosllavi i referohej Kardelit.

Kështu, në perceptimin e përbërësve të identitetit ideologjia socialiste futi elemente të reja, siç ishte lufta e klasave, internacionalizmi proletar etj., u mundua të shpjegonte çështjen përmes materializmit historik, por nuk ndryshoi diçka thelbore në interpretimin që u bëhej çështjeve të veçanta kombëtare. Socializmi nuk gjeti zgjidhje për asnjë çështje të hapur kombëtare, kudo që të ketë ekzistuar ajo. Përkundrazi, me identifikimin që bëri me nacional-socializmin, si instrument për ruajtjen e pushtetit në disa nga këto perandoritë lindore, shtetet socialiste gradualisht filluan të ktheheshin në varre të kombeve. Pra, thënë me një fjalë, as interpretimi socialist i çështjes kombëtare dhe as situatat e krijuara në realitetin politik jugosllav apo shqiptar nuk krijuan rrethana të favorshme as të disfavorshme që çështja kosovare të merrte një trajtim tjetër. Ajo mbeti një çështje e pazgjidhur kombëtare, me rrënjët e saj në periudhën para socializmit dhe që u bart si çështje e pazgjidhur deri në periudhën pas socializmit. Socializmi nuk ndryshoi gjë në këtë rrjedhë, përveç se krijoi vonesa në disa pika, duke e futur ideologjinë jo si shans të zgjidhjes, por si ngatërresë të saj.

 

Hipokrizia dhe morali i dyfishtë

 

Krijimi i elitës kosovare, e tillë çfarë u bë ajo, ndodhi pikërisht në këto rrethana të depërtimeve të fuqishme nacionaliste dhe ideologjike nga Shqipëria dhe të avancimit të autonomisë nëpër të gjitha fazat e saj, pra të një dualizmi të papajtueshëm ndërmjet kundërshtive të interesave politike dhe kombëtare. Vetëm se kosovarët, në një fazë, sikur arritën t’i pajtonin këto dy kundërshti, duke i dhënë Kosovës arritje të shpejta dhe të jashtëzakonshme në fushën e arsimit, të kulturës dhe përgjithësisht të infrastructures institucionale. Ky kohabitacion politik dhe ideologjik në rrethanat e Kosovës u tregua i mundshëm, madje i domosdoshëm, duke pasur në dijeni mungesat e mëdha që kishte ajo në punë të krijimit dhe të konsolidimit të elitave politike dhe intelektuale. Për një kohë, për më shumë se një dekadë, që nga viti 1968 e deri më 1981, nacionalistët kosovarë, që ishin forca kryesore e perceptimit në opinion, që ishin “eminenca” gjysmë klandestine e çdo vlerësimi politik, nuk e drejtuan shënjestrën e tyre kundër autonomistëve dhe të tjerëve të përfshirë në ndërtimin e institucioneve. Nga opinioni nacionalist ose nga vetë nacionalistët ata nuk u gjykuan si tradhtarë, ose si “të shitur” te Titoja dhe Jugosllavia e tij. Ata nuk e mohonin se me ta ishin kundërshtarë politikë të papajtueshëm, por faza e ekskomunikimit të tyre ishte tejkaluar disi, me zhvillimet që kishin ndodhur nga viti 1966 e prapa. Ndarja ishte zbutur ndjeshëm, sepse luajalistët jugosllavë të Kosovës, nga tradhtarë dhe antishqiptarë që ishin konsideruar deri atëherë, shpejt u bënë njerëz “të dobishëm”, të cilët mund të çonin përpara çështjen e Kosovës, qoftë duke avancuar pozitën e saj kushtetuese, qoftë duke ndërtuar institucione të rëndësishme. Kjo mund të ishte arsyeja pse në Kosovë, para luftës së vitit 1999, nuk kishte atentate politike, edhe përkundër polarizimeve të mëdha që kishte pasur atëbotë.

Krahas kësaj zbutjeje në ekstremet politikisht të polarizuara, një ndryshim ndodhi edhe në perceptimin e elitës intelektuale, e cila politikisht ishte autonomiste, por formimin e kishte thellësisht nacional. Kjo elitë arsimore, kulturore dhe profesionale, e cila ishte krijuar me ndihmën e institucioneve autonomiste (sepse vetë shteti jugosllav kishte investuar në krijimin e saj), gradualisht, nga fundi i viteve ’80, shndërrohet në elitë intelektuale, kur nga interpretuese e ngathtë e ideve shndërrohet në prodhuese e ngathtë e ideve, me rëndësi të madhe për Kosovën dhe për zhvillimet rreth saj. Pavarësisht nëse ishte arsimuar në Universitetin e Prishtinës apo në ndonjërin nga universitetet jugosllave, kjo elitë kosovare, me të filluar punë në institucionet e Kosovës, para vetes kishte dy mundësi zgjedhjeje: të ishte e qëndrueshme dhe koherente në raport me interesat kombëtare të shqiptarëve, apo të bëhej pjesë e estabilishmentit politik, që nënkuptonte një avancim më të shpejtë në karrierë dhe një sërë privilegjesh që shkonin bashkë me to. Në përgjithësi njerëzit me arsim të lartë dhe me aftësim të mirë profesional zgjidhin kohabitacionin: ta kishin mirë me kërkesat minimaliste të nacionalizmit shqiptar, por njëkohësisht të kryenin shërbime sa më cilësore dhe sa më profesionale në hierarkinë institucionale të Kosovës. Nëse nuk pretendoje të përfshiheshe në ndonjë organizim ilegal, kërkesat e nacionalizmit shqiptar nuk ishin të papërballueshme. Përkundrazi. Pragu moral, të cilin nuk duhej ta kalonte asnjëri, ishte të qenit spiun, megjithëqë së fundi u zbut shumë edhe ky kriter, duke proklamuar nëpër qarqe të caktuara se një spiun shqiptar, i punësuar në policinë e fshehtë, në një rrethanë të caktuar, mund të ishte shumëfish më i mirë dhe më i dobishëm se një spiun serb.

Kërkesat e tjera që shtronte nacionalizmi shqiptar në të shumtën e rasteve ishin deklarative. Kjo bëri që morali i dyfishtë të bëhej rregull sjelljeje për shumë njerëz, të cilët gjatë ditës e shpallnin veten nacionalistë, kurse gjatë natës bënim spiunime e matrapazllëqe politike gjithfarëshe. Ndërsa ky moral i dyfishtë ruante në Kosovë njëfarë baraspeshimi ndërmjet nacionalizmit shqiptar dhe lojaliteti jugosllav dhe në këtë pikëpamje mund të quhej më i dobishëm se sa një adoptim i tërësishëm i integralizmit jugosllav, në pikëpamje të formimit të korpusit intelektual dhe në përgjithësi të integritetit moral dhe të personalitetit, ky dualizëm shkaktoi pasoja të pariparueshme në Kosovë, sepse në momente të caktuara ai u bë pjesë e edukatës dhe mënyrë e jetesës. Në këtë pikëpamje, Kosova ka shumë individë moralisht dhe konceptualisht të deformuar, me personalitet të dyzuar, me një shpërpjestim të jashtëzakonshëm ndërmjet asaj që deklarojnë dhe asaj që bëjnë. Tashmë është pjesë e sjelljes publike e njerëzve në Kosovë një dualizëm moral, i cili, në rrethanat e reja, pothuajse ka marrë përmasat e një hipokrizie kolektive.

Më anë tjetër, qëndrimi i luajalistëve jugosllavë ndaj nacionalistëve shqiptarë njohu faza të ndryshme, herë të zbutjes e herë të ashpërsimit të skajshëm, varësisht nga rrethanat politike në Kosovë dhe Jugosllavi. Para vitit 1966 nacionalizmi shqiptar në Kosovë ishte pothuajse embrional dhe kishte një shtrirje tepër të kufizuar. Analfabetizmi dhe injoranca, pastaj represioni i egër i pushtetit e bëri pothuajse të pamundur mbijetesën e një fryme nacionaliste të shtrirë në jetën publike ose institucionale. Nacionalizmi shqiptar në këtë periudhë ishte bindje individuale, ishte botë e brendshme e individit, që vështirë merrte ndonjë formë të manifestimit të jashtëm, madje rrallë arrinte të përfshinte edhe jetën familjare, sepse edhe aty ndjehej i pasigurt. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet që erdhën pastaj, pavarësisht se çfarë emri iu dha represionit dhe me çfarë preteksti bëhej ai, nacionalistët ishin ata që do të pësonin në të gjitha variantet, si kolaboracionistë, si ballistë, si tradhtarë, si NDSH-istë, si antikomunistë, si kundërrevolucionarë etj. Sekush u vra, sekush u dëbua, sekush u dënua me burgime të gjata, por në përgjithësi numri i tyre u zvogëlua ndjeshëm.

Nga fillimi i viteve ’60, ndërkaq, për herë të parë Kosova filloi të njihte aktivitetin ilegal të grupeve të organizuara, të cilat zunë ta kundërshtonin në mënyrë programatike mbajtjen e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Shfaqja e këtyre grupeve, që nga ajo periudhë e prapa, e orientoi në një pikë luftën kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar: tani nuk ishte i tërë populli shqiptar i Kosovës kundër Jugosllavisë, siç u proklamua në vitet e para të pasluftës, por vetëm disa individë dhe grupe të caktuara, të cilët duhej ndëshkuar në të gjitha format, sepse ata vepronin sa kundër shtetit, po aq edhe kundër interesave të popullit të vet. Përfshirja e intelektualëve në grupet e organizuara ilegale do të përbëjë shqetësim të madh për pushtetin dhe për luajalistët jugosllavë të Kosovës, kështu që, edhe përkundër shtimit të ndjeshëm të numrit të tyre, kontrolli i pushtetit mbi këtë kategori shoqërore do të jetë I vazhdueshëm dhe i ashpër. Ata survejoheshin, shantazhoheshin, kërcënoheshin në forma të ndryshme dhe, nëse kjo mënyrë tregohej e paefektshme, atëherë vihej në veprim ndonjë proces i montuar politik (me përgjegjësi partiake, që reflektohej në karrierë) ose gjyqësor (me përgjegjësi penale).

Survejimet e shumta në atë periudhë dhe më vonë në Kosovë krijuan atmosferën e mosbesimit ndërmjet njerëzve, në radhët e intelektualëve në mënyrë të veçantë. Të gjithë ishin patriotë, të gjithë ishin të dyshimtë. Përveç kësaj, në jetën publike u bë një përzierje e pashembullt e ekzemplarëve me bindje dhe mendësi të kundërt. Shantazhimet, ndërkaq, krijuan kategorinë e intelektualëve të frikësuar, të cilët tërhiqeshin nga veprimtaria publike dhe bënin jetë të mbyllur. Të kërcënuarit gjithashtu. Ose, jo rrallë ndodhte thyerja dhe njerëzit, një numër i madh syresh, pas kërcënimeve dhe shantazheve, përfundonin si bashkëpunëtorë të organeve të sigurimit, shpesh jo për të bërë ndonjë shërbim kushedi se çfarë, por më shumë për të dëshmuar lojalitet. Një “përpunim” i këtillë i shtresës së arsimuar të njerëzve, që për rrethanat e Kosovës quhej shtresë intelektuale, ishte pothuajse gjithëpërfshirëse, deri me hapjen e fakulteteve të para të Universitetit të Prishtinës. Kush dërgohej me studime në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë gjithsesi duhej të kalonte një filtër përshtatshmërie.

Më vonë, me shtimin e madh të numrit të njerëzve të përfshirë në arsimin e lartë, kjo situatë evoluoi ndjeshëm, kështu që përshtatshmëria si kriter i kontrollit politik, nga organet e sigurimit, të cilat më parë e kishin kompetencën ekskluzive, kaloi te një “kombinim informativ” ndërmjet po këtyre organeve dhe strukturave partiake, duke future kështu në veprim të ashtuquajturin kriter të përshtatshmërisë moralo-politike. Synimi i pushtetit për të kontrolluar sa më shumë njerëz në Kosovë, e çoi situatën në degradim të përgjithshëm, sepse nga mesi i viteve ’80 u bë e ditur një shifër fantastike e hetimit dhe e “përpunimit” të njerëzve, që kapte numrin mbi 700 mijë persona. Duket se, duke u zgjeruar në masë, kontrolli humbi në cilësi, kështu që dikur, pas vitit 1981, në Kosovë ishte vështirë të kuptohej se kush anonte në cilën anë: të gjithë sa për sy e faqe angazhoheshin kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, të gjithë ishin luajalë ndaj Jugosllavisë, të gjithë ishin komunistë të devotshëm, por njëkohësisht të gjithë ishin patriotë, nacionalistë shqiptarë etj. Mirëpo, sikundër e thamë edhe më herët, kjo mënyrë e sjelljes ndaj shtetit me hipokrizi dhe përgjithësisht shfaqja në jetën publike me një moral të dyfishtë, do të krijojë te shqiptarët e Kosovës një deformim karakteri dhe sjelljeje: nga jeta politike, hipokrizia dhe morali i dyfishtë do të kalojë në jetën shoqërore dhe aty do të marrë përmasat e një vesi shoqëror tmerrësisht refuzues dhe tepër negativ. Po kjo mënyrë sjelljeje ndaj shtetit, që nënkupton mashtrimin, hipokrizinë, moralin e dyfishtë, edhe sot do ta bëjë Kosovën një shtet të cilin askush nuk e do sinqerisht.

 

Amalgama ideore

 

Afërsisht, në këtë mënyrë ishte e mbushur hapësira ndërmjet dy ekstremeve, ndërmjet dy skajshmërive, nacionalizmit shqiptar dhe luajalizmit jugosllav, të cilët, ndonëse njohën zbutje të herëpashershme, deri në fillim të viteve ’90 qëndruan kryesisht në pozicione të kundërta dhe armiqësore, politike dhe ideologjike. Derisa lojaliteti jugosllav e ushqente klasën politike të Kosovës dhe mbështetësit e saj me privilegje, me farsën e vëllazërim-bashkimit dhe me ideologjinë e socializmit liberal të tipit vetëqeverisës, nacionalizmi shqiptar ushqehej me iluzione të pabesueshme, por tepër të fuqishme dhe joshëse për shumicën e popullsisë, e cila në Kosovë ende jetonte në varfëri. Në sytë e shumicës së shqiptarëve të Kosovës slogani i vëllazërim-bashkimit degjeneroi shpejt, sepse ai nënkuptonte, në radhë të parë, braktisje të çdo gjëje shqiptare dhe përvetësim të gjuhës, kulturës dhe mënyrës së jetës sllave, përfshirë këtu edhe pranimin e pabarazisë, respektivisht të superioritetit të racës sllave mbi atë shqiptare. Në kushtet e Kosovës, ta pranoje vëllazërim-bashkimin donte të thoshte të pranoje privilegje të pakontestueshme për serbët, malazezët, goranët, madje edhe turqit (me përjashtim të romëve) në dëm të shqiptarëve në të gjithë segmentet e jetës, në politikat e punësimit, në politikat arsimore, në politikat kulturore, në politikat sociale, në çdo gjë. Më anë tjetër, socializmi jugosllav kishte dështuar të zbatonte drejtësi sociale, çfarë ishte premtuar në fazat e hershme të socializmit dhe të tillë çfarë supozohej se e zbatonte socializmi real i llojit të Shqipërisë.

Për pasojë, në Kosovë tashmë kishte filluar të ndodhte një lloj diferencimi social i rëndë dhe i papërceptueshëm për shumicën e popullsisë së varfër. Në një gjendje shumë të rëndë sociale jetonte pjesa më e madhe e popullsisë fshatare, e cila nuk arrinte të mëkëmbej as në zonat me tokë të mjaftueshme, e jo më në zonat pasive. Toka e parcelizuar, shumë herë e zvogëluar nga kolonizimi dhe kooperativizimi, bujqësia dhe blegtoria ekstensive, tregu i pazhvilluar, të gjitha këto bënin të jetohej keq jo vetëm në fshatrat e Drenicës kodrinore-malore, por edhe të Dukagjinin me fusha jashtëzakonisht pjellore. Deri në vitet ’70 gjëra të pakta kishin ndryshuar në jetën e njerëzve: pa infrastrukturë, pa arsimim, e shkallmuar nga shtypja e gjatë sociale dhe kombëtare, pjesa më e madhe e kësaj popullsie mezi arrinte të siguronte bukën e gojës. Kjo popullsi ndihej e shtypur në pikëpamje kombëtare dhe sociale. Aty-këtu, në zonat rurale, dalloheshin për jetë më të mire bashkëpunëtorët e pushtetit, të punësuarit në mënyrë selektive: mësuesit, shoferët, rojat e pyllit, korrierët e shkollave, inkasantët e rrymës etj., të cilët, paralelisht me punën primare, zakonisht detyroheshin të bënin edhe punën e spiunëve. Ndjenjën e pabarazisë e krijonte edhe jeta shumë më e mirë në fshatrat serbe, ku toka ishte më e shumtë, më pjellore, ku punohej me mjete pune më të avancuara të siguruara nga shteti, ku kishte infrastrukturë, ku prodhimet bujqësore dhe blegtorale mblidheshin në mënyrë të organizuar etj.

Në qytete, ndërkaq, ku filloi një përqendrim më i shpejtë i popullsisë, diferencat sociale filluan të ndjeheshin ndërmjet një klase të sapo formuar proletarësh, e cila punonte nëpër fabrika ose kantiere ndërtimi dhe popullonte periferitë e qyteteve, si dhe të një shtrese të popullsisë etnikisht të përzier, serbë, malazezë, pak nga pak edhe shqiptarë, të cilët popullonin qendrat e urbanizuara të qyteteve. Gradualisht, edhe në Kosovë u konsolidua e ashtuquajtura borgjezi e kuqe, ngjashëm me republikat dhe krahinat e tjera jugosllave. Shikuar nga prizmi i sotëm i privilegjeve dhe abuzimeve të pushtetarëve, gjendja pasurore e kësaj shtrese shoqërore mund të duket e papërfillshme, por për rrethanat e kohës ajo nuk mund të quhej e tillë. Ata i gëzonin të gjitha privilegjet që ua mundësonte socializmi liberal i Jugosllavisë, privilegje këto që e bënin të avancuar standardin e jetës së tyre në krahasim me shtresat e tjera të popullatës.

Këto diferenca sociale i ndjenin fort të rinjtë, rinia shkollore dhe studentore, shumica me origjinë fshatare, të cilët kishin vërshuar Prishtinën për të bërë universitet dhe jetonin në gjendje të mjeruar. Më anë tjetër, nga Shqipëria vinte propaganda e vazhdueshme për drejtësi sociale, për luftën e klasave, për zhvillimin socialist të vendit, kështu që një masë e njerëzve në Kosovë filluan të bënin jetën ndërmjet një realiteti përgjithësisht të zymtë dhe të një fiksioni, i cili gradualisht u shndërrua në passion revolucionar, që i bën njerëzit joracionalë dhe nxit tek ata shpirtin e sakrificës. Kështu, një pjesë e kosovarëve e bënte jetën në Kosovë, ndërsa ëndrrat i shihte në Shqipëri. Ata nuk do ta kenë të lehtë ta pranojnë realitetin kosovar dhe do të bëjnë çdo gjë që ai realitet të përshtatet me fiksionin Shqipëri, të cilin e ndërtojnë mbi idetë e marksizëmleninizmit, mbi literaturën propagandistike, mbi letërsinë e realizmit socialist dhe mbi traditën nacional-romantike. Ishte kjo amalgama ideore, e cila vuri bazat e vetëdijes kombëtare të shumicës së kosovarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Ndërsa në anën tjetër të këtij polarizimi shoqëror vazhdon euforia jugosllave: shumica e kosovarëve tashmë përkundeshin në djepin ideologjik të Shqipërisë, pavarësisht se jetonin një realitet krejtësisht ndryshe dhe përgjithësisht bënin një jetë me mungesa dhe shtrëngesa më të pakta se bashkëkombësit e tyre matanë kufirit. Ta zëmë, fshatarësinë kosovare nuk e kishte përfshirë kooperativizmi dhe ajo ruante dhe kultivonte një ekonomi familjare deri diku autonome. Madje, ishte kjo ekonomi familjare dhe jeta e mbyllur patriarkale që e kishin ruajtur bërthamën e pacenuar të substancës shqiptare të shumicës së popullsisë. Për shkak të sulmeve të vazhdueshme të serbëve mbi pronat shqiptare dhe të idesë së cenimit të substancës kombëtare të kosovarëve pikërisht përmes shkatërrimit të pronës (kolonizimi, nacionalzimi dhe, në vitet e para të pasluftës, kooperativizimi), ideja e ruajtjes së pronës tashmë ishte kthyer në fetishizëm. Propaganda e Shqipërisë së kooperativizuar nuk mund të besohet se e ndryshoi këtë mentalitet, por fshatari kosovar mund ta gëlltiste në heshtje edhe këtë sakrificë të paperceptueshme, vetëm me kushtin që edhe ai të bëhej Shqipëri.

Në të vërtetë, në krejt këtë rrethanë kosovare kishte edhe pak hipokrizi, sepse sistemin e diktaturës së ashpër që zbatonte Shqipëria një pjesë e kosovarët e donin vetëm për Shqipërinë, por jo edhe për veten e tyre. Ta zëmë, është e njohur se ideologjia marksiste-leniniste njohu një shtrirje të gjerë ndër kosovarët e diasporës, respektivisht tek ata kosovarë që ikën në Perëndim, fillimisht për shkak të shtrëngesave ekonomike, ndërsa më vonë edhe për motive politike. Mbi këtë masë kosovarësh Shqipëria ushtronte një propagandë të papenguar dhe tepër agresive. Në të vërtetë, fillimet e kësaj fushate propagandistike (nga fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë, kohë kur edhe Sartri u bë maoist) gjetën një terren të përshtatshëm politik edhe në vetë botën perëndimore, ku tashmë ishin profilizuar organizata terroriste marksiste-leniniste të tipit “Bader Mainhof” dhe të ashtuquajturat “parti të gjelbra”, që kishin po atë ideologji.

Kosovarët pothuajse në asnjë rast nuk u përfshin në këto organizata, por punën e tyre politike e bënë në një mënyrë krejt tjetër: punonin në kushtet e një kapitalizmi jashtëzakonisht të zhvilluar, jetonin të paintegruar, lexonin libra të Enver Hoxhës dhe literature tjetër nga Shqipëria, organizoheshin në grupe marksiste-leniniste dhe shihnin ëndërr Kosovën e bashkuar me Shqipërinë. Po këta kosovarë, kur pas vitit 1991 ra diktatura në Shqipëri, pothuajse ishin të gatshëm t’i bashkoheshin Haxhi Lleshit, Nexhmije Hoxhës ose kujtdo tjetër për të rivendosur edhe me armë diktaturën në Tiranë. Kur disa syresh, të tillë që në ato vitet e para të demokracisë vinin në Shqipëri nga Zvicra, Gjermania ose Suedia, ndodhte t’i pyesja se si ishte e mundur që socializmin dhe diktaturën e donin vetëm për Shqipërinë, ndërsa jetën e tyre e bënin në kushtet e kapitalizmit jashtëzakonisht të zhvilluar, nuk të jepnin ndonjë përgjigje të vlefshme. Ata e kishin perceptuar dhe vazhdonin ta perceptonin Shqipërinë si vend i ëndrrave të tyre, por jo si vend ku do të bënin jetë reale. Po u shikua nga aspekti politik, kjo ishte hipokrizia më e madhe kosovare kundrejt Shqipërisë, por ishte tepër naive që të mund të nxiste hatërmbetje.

 

Please follow and like us: