Çapajev Gjokutaj: Pasuritë e njeriut…
Pasuritë më të çmuara të njeriut janë ato që mund t’i marrë me vete kudo që shkon, thotë Solzhenicin dhe nuk e ka fjalën për teshat, valixhet, ndonjë relikë apo bizhu me vlerë. Përkundrazi përfshin këtu: dijet, përvojat, kujtimet, gjuhët e mësuara etj.
Po ta shohësh kështu, pleqeria më drithëruese është pleqëria e dijetarëve. Përditë trupi i drobitur u kujton fundin, kurse mëndja i fton në limeret e trishtimit e të kotsisë: Ku do të shkojë mundi i një jete të tërë, thesarë dijesh të mbledhura grimcë pa grimce, si ari në Eldorado dhe të depozituara në tru.
Cvajgu kur flet për Frojdin përshkruan dilemat e dijetarit në moshën e tretë: frikën se koha nuk do t’i mjaftonte për të përfunduar korpusin e nisur si dhe dyshimet nëse teoritë e krijuara prej tij do t’i mbijetonin kohës.
Sot shkenca mjekësore, me qasje më esëll e më laboratorike, ka vërtetuar se shumica e tezave të Frojdit nuk kanë baza reale, teoritë e tij, që synojnë të shpjegojnë thuajse gjithçka me seksin dhe vdekjen, ngjajnë sa të stërzmadhuara aq edhe të kapërcyera.
E megjithatë veprën e Frojdit nuk e zhbën dot, si esencë e si mënyrë qasjeje jeton e do të jetojë në kryevepra artistike të krijuara gjatë shekullit të njëzet, por edhe në leximet që u janë bërë e do t’u bëhen thesareve që njerëzimi ka krijuar në shekuj. Thënë ndryshe ‘ari’ i dijeve, i mbledhur nga Frojdi grimcë pas grimce dhe i depozituar si thesar në mëndjen e tij tejet të mprehtë e kreative, është grimcuar e shpërndarë në Eldoradot e artit, kulturës dhe të shkencës botërore.
Dhe gjithçka ngjan si në poezitë panteiste të Naimit, rrjedh e ndryshon, por mbetet përherë e pranishme.
( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )