Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: In memoriam, mikut tim Servet Isufi

Sadik Bejko

 

Servet Isufi nuk është më dhe… zëri i tij që më vinte si nga qielli nga lartësitë malore të fëmijërisë

 

Kur urova “gëzuar Bajramin” një bashkëfshatarin tim, prej tij mora vesh se paska vdekur Serveti.
U pikëllova. Kishte vite që për mua Serveti ishte një zë që më fliste nga lartësi ajri që arrinin deri në qiell. Fshati ynë i lindjes, Komari, prej nga më telefononte ai, është në një malësi te 1000 metrat mbi nivelin e detit.
Jo për gjeografinë, për këtë lartësi mbi nivelin e detit, më dukej se me zërin e tij më fliste mali. Më fliste vendlindja.
Më fliste fëmijëria ende e gjallë te ato drurë e gurë, te zëri i lumit, i tokës së malit.
Më flisnin zëra të lashtë teksa në vite banoj në një botë librash, shfletues librash, banor kryeqyteti.

Për mua Jugu ka në vete një përmasë jo të lëndtë.
Është më tepër një ndërhyrje mistike.
Një vullnet që herë pas herë ka këmbëngulur të më kthente te guri e te balta te e shkuara te vendlindja ime.

Po ja paska vdekur Serveti
Tani për mua kjo linjë nuk ishte më në punë..

Ne lindëm në mbarim të luftës, në 1942, në 1943.
Fëmijë të luftës…
Po më shumë të malit.
Kur të lindte fëmija, thyhej poganiqja, një lloj buke e ritit. Të ardhshim në poganiqe, do me thënë: u bëfsh me fëmijë. Dmth të ardhshim për urim në ditëlindjen, a në ditën kur i vihej emri djalit a vajzës.
Në shkollë, klasë e parë më 1951… Aty pamë se ishim aq shumë djem gati të një moshe.

Po përse ëndërrojnë çunat e lindur në një mal disi të thatë?
Aty nuk nxirret lehtë buka. Të duhet kërraba e bariut, të duhet edhe mushka. Rrugët janë nëpër shkrepa. Ndaj buka duhet nxjerrë… nga guri, nga druri…
Aty ndodh që poganiqja e ditës së emrit të fëmijës këmbehet me drekën e vdekjes. Te qafa e malit, rrëzë  kodrës çdo lagje kishte varrezat.
Ne i kishim parë dhe nuset, dhe dasmat… dhe vdekjet… Por këto të fundit nuk na hynin në sy. I harronim. I mbulonim me ëndërra si toka që i mbulonte varret me mullaga.

Për çfarë mund të ëndërtojë një vocërrak mali? A kanë ëndrra fëmijtë e të lindurve ndër male?
Ëndërron shumë. Të bëhesh burrë aq trim sa të marrësh nga leshërat një grua.
Të bëhesh burrë sa të vësh në punë mushkën më të sertë, t’i vësh frerët kalin, ta presësh me pak të rëna sopate lisin… burrë që çan borën gjer në brez, kapërcen malin me ujq dhe në shtëpi sjell bukën, ndez zjarrin, rrit e marton vajzën, djalin.
Ja sa punë të bukura na bënin paraardhësit.
Këto ëndërra na mëkonte Mali. Modelin e burrit që ia dilte jetës tej…. se jo të gjithë ia dilnin. Dimrit mali ishte me ujq, prrojet me krongjinj akulli, hambarët zbrazur, pa bukë. Burrat që arrinin 60 vjeç… oh. Për ta thuhej ‘rrojti plot, rrojti e vdiq aq sa deshi vetë… 60 vjeç’.
Ëndërronim këtë burrë që çante e ndante. Çante akullin, ndizte zjarrin. Mbante familjen, mbante mikun, mbante jetën mbi shpatullat e tij.

Ëndrra të varfëra, por të plota, të forta. Nuk kishim të tjera… më të mëdha.

M’i solli  Serveti këto ndër mend. Se ai paska javë që ka ikur nga kjo botë.

Fëmijëria të bën të lirë. Luanim, rriteshin. Ishim të sigurtë se shtëpive tona do t’u hidhnim edhe një kat më lart. Shtëpitë me gurë, çatitë me gurë, rrugët e malit me gurë. Kishim secili huqet tona, po e dinim që nuk do ishim vatërshuar. Nuk do t’i mbillnin te dera ferra shtëpisë sonë, gurëve të të parëve tanë.
Ndonjëri i krenohej tjetrit se e ngulte sopatën thellë në trungun e lisit, tjetri se e ngulte fort belin në arë, dikush çmendej të flinte me delet… Ne patjetër do të kishim një jetë të gjatë e të gjatë përpara. Nuk do kishim kurrë sëmundje, as pengesa, as tronditje a thyerje… apo vdekje. Jeta shtrihej përpara e pafund.
Vonë dhe apritur vjen një kohë që ti e sheh jetën me fund. Numëron shokët që kanë ikur.

Por është ende herët për këto.

Më 1974 Serverin e gjeta në minierë, në Memaliaj. Ishin aty dhe djemtë e tjerë të lagjes sime dhe djem të tjerë nga gjithë krahina. Dhe djem 18-vjeçarë.

Djem fshatrash që lindëm në mbarim të L2B. Që u rritëm në lartësitë 900-1000 mbi nivelin e detit. Tani kishim rënë 100. 200, 300 metra nën tokë
Ishte aty Muharremi i Temes, Luftimi i Taipit. (Nokja, i vëllai i Luftos, ia kishte mbathur nga miniera, kishte hedhur gurin pas, si të vriste të shkuarën, të mos kthehej më aty.) Aty ishte Agua, Dylua i Hidaisë, Selfua (Çeçua) i Hasimesë, Kujtua i Sinanit, Serveti i Shaho Nexhipit… Edhe të tjerë.

Dikur ishim matur kush e hedh shurrën më lart, kush i hipën lisit deri në fletë, kush kap zogj në grackë, kush i hipën kalit pa samar e pa kapistër etj. Sytë e miqve të mi, sy që dikur nxirrnin zjarr, tani ishin tulatur ishin futur përbrenda zgavrës.

Disa nuk më kishin pasur fort qejf. Unë pëlqeja librat, kurse ata ndiqnin gjurmët e kunadhes dhe të ujkut nëpër borë… e shtrinin demin në tokë dhe me thikë në dhëmbë i ripnin lëkurën…
Po tani në janarin 1974 unë isha krah tyre. Dhe bënim bashkë të njëjtën punë, nxirrnim qymyr, flinim në banesat e minatorëve, hanim në mencë, shkonim një herë në 15 ditë në shtëpi linim rrogën te fëmijët, te shtëpia, gruaja.
Ishim ndarë dikur dhe ja, u bëmë bashkë. Unë vija me dënim nga lart tek ata… poshtë. Miqtë e mi më pranuan. Nuk më dënuan. Ishin disi ndryshe tani. 30- vjeçarë, por të kërrusur. Këmbët kthyer lug përbrenda. Kishin hedhur mbi supe xhaketën e hallexhiut. Jeta e tyre befas ishte ndërprerë. Robër të minierës, robër të shtëpisë. Si te lisi i prerë në trung, jeta e tyre vazhdonte me pjesën nëntokë, me rrënjët. Nuk e kuptonin mbase. Unë që isha ndarë me ta në çastin e kalimit nga fëmijëria në adoleshencë, e ndieja. Atëherë në fëmijëri më ngjanin sikur do fluturonin lart e larg në jetë… do zinin majat. Tani ishin të strukur brenda vetes. Të mbyllur.
Ata mua thjesht më pranuan… nga larg. Secili në hallin e vet.
Jeta kishte plot zhgënjime për të gjithë. Mbas ushtrisë ishin martuar. Në bujqësi, në kooperativë nuk të dilte buka. U bënë prindër, pleqtë e tyre nga ditë në ditë po mpakeshin. Me miq gjetën këtë punë nëntokë. Lekë merrnin. Po ishin si mysafirë në shtëpinë e tyre… fëmijët po rriteshin larg vështrimit të tyre.

Po më mirë se ata në fshat ishin.

Po të shpëtonin gjallë e pa ndonjë cen nga miniera, në 50 vjeç mund të riktheheshin në fshat me pension të mirë… me të mirat e fshatit, një lopë, një gomar, me pyllin, pemët…

Në minierë e pata të vështirë. Nga puna e rëndë dhe nga njeriu. E nisa me një turn. Pastaj vagonist me tre turne. Pastaj shtytës në llavë.

Llava ishte një ulluk, kanal nëntokë me gjerësi 70 cm, me po aq lartësi. Në pjerrësi 45 gradë, llava lëvarej nga lart poshtë në gjatësi 100 metër. Shtytësi shtynte me lopatë, me duar, me bythë qymyrin. Djersë, mungesë ajri, pluhur, jo rrallë edhe rrjedha uji mbi shpinë. Gurët e qymyri të ndiqnin nga pas. Duhet t’u vije prita. Një i ri adoleshent me mua shtytës kishte humor. Ç’të kam bërë moj, ç’të kam bërë që më qëllon me gurë? –  i thoshte minierës. Por, kur jeta të zë me gurë… duhet të ruhesh. Të ruash kokën.

Serveti më dha një xhup pambuku. Ishte i vjetër, vende-vende pambuku kishte dalë në vrima të vogla. Po kur djersitesha, mbas disa rendjesh me këmbë e duar nëpër llavë, mbështillesha me xhupin e Serverit, që e fshihja diku në qoshet mbrojtëse anash llavës. Ai xhup më ka mbrojtur, që mos merrja pleurit. Ia kujtoja gjithmonë atë xhup. Më ka ngrohur. Më shumë më ngrohnin miqtë e vjetër mua të dënuarin. Ishte më shumë se një xhup.

Tani Serveti nuk është më. Do më mungojë zëri i tij që më vinte si nga qielli nga lartësitë malore të fëmijërisë. Ishim takuar rrallë. Po në dy-tre muaj do ta merrja ose do të më merrte në telefon.
Atje ku ka shkuar, sado të thërras, s’e arrij dot.

Vitet pas 90-ës Servetin e gjetën në fshatin e lindjes. Besnik i vetes. Jeta ndërroi keqas…

Gjithçka u përmbys. Tani askush nuk besonte te çfarë kish ndërtuar e punuar më parë me mendtë e me krahët e tij. Të gjitha shkuan për lumë. Koha më parë të shtrëngonte sa gati të mbyste. Koha që erdhi nuk do t’ia dijë për ty. Vra veten a dili për zot vetes, ti e di, bëj si të duash. Vendi po braktisej. Fëmijët nuk i kishin më për model prindërit. Një prind pa para, me një jetë që i shkoi për lumë, nuk ka më as hije, as autoritet.

Serveti iu kthye zanatit të vjetër të bujkut. Me pensionin e minatorit e shtynte. U mbeti besnik gurëve të shtëpisë së gjyshërve të vet. Vatrat  e shtëpive të ne të tjerëve janë shuar që me gjalljen tonëë. Aty ku dikur ishin dyert, tani kanë mbirë ferrat. Serveti sa rroi, e mbajti ndezur vatrën e tij.

Para se të mbyllja së shkruari këto rreshta, mora në telefon disa nga shokët tanë të fshatit. Serveti vdiq nga sëmundje të mushkërive. Vuante prej vitesh. Si minator i vjetër që ishte. Një ichemi cerebrale, qe fundi i tij. Në këto ditë pandemie, kohë të largimit të njeriut nga njeriu, atij iu ndodhën pranë familja, gruaja, vajzat.

 

Please follow and like us: