Albspirit

Media/News/Publishing

Emrije Krosi: Rrëfimi i një prostitute!

POEMË

1.
….dhe hijet e natës,
janë muzgje frike,
kurse udhët e saj,
kufoma të pista,
si drunj vegjetativë,
me njolla të murrme hënore…

2.

Trishtimin kam pirë në kupa,
në humbutirat e kohës,
topolake e dehur,
në mejhane të tymta,
me burra të huaj,
zhulsa,
mjekërparruar,
erëdjersë,
të palarë,
mëkatarë,
drogaxhinj,
mjeranë,
brinjar,
vejanë
qelbashë erëpeshk,
me kanoçe birrash,
erëshurrë,
në kthina të ndyra,
qoshe nudo bythëjashtë,
unë joshësja e dehur,
sa mijëra burra kanë hyrë,
dhe dalë brenda meje…!

3.

E lodhur nga ikja,
në planet me identitet klounësh,
hënashurdhe,
dhe detëraqorre,
symbyllur plazheve,
të shterpëta,
vetëm me këmbëzogj pelikanë,
guacka barërash mbi duna rërash,
kam varur brekët tylzi,
me njolla të ndyra spermash,
vitheve me kanë peneluar vitet!

Bordello të pista!

4.

Në urata pa bekime,
protokollet e qirinjve,
që villnin mbi barkun tim,
të çjerrë,
(pa)urime,
prej gjysheje,
prej motre,
prej nipash,
kurse… ardhmëria,
po priste një pikëlimë shiu,
në rrathët e ferrit,
aktet tribush,
që pallojnë ethshëm,
në shëmtinë e tyre mëkatare,
pa gjykim.

Doja një tunel nëntokësor,
deri në Had,
dreqin ta përqafoja lumturisht,
kurse Luçiferin ta dashuroja, marrëzisht!

…mrekulli,
nuk u bëra nënë!

5.

…ndoshta mitra ime,
me plaçenta farërash të huaja,
zbrazi gjoksin tim bosh,
nga ‘mëkati’ i një fëmije,
se shumë burra,
dështakë shurraqë,
të dehur netëve dimërore,
gjurmuan ëndërrat e tyre,
në gremina e thellësive të mia,
pa dritëhije!

Në shpella të vdekura ku gjumi,
s’ka litarë ëndërrash,
që rrokullohet,
hollohet,
pengohet në honet,
e shalëve të mia mëkatare,
e zhveshur,
e hirshme,
e mistershshme,
e ftohtë,
në mërmërima epshesh,
marrësi e shthurur,
me shkronja pendimi,
vagabondë kurvarë,
‘u rrëzuan’ të përçartur ,
mbi nënbarkun tim ngjyrëgjak,
se njollat e turpit,
asnjë sapllak nuk i lan,
as me gjak,
e as me ujë!

6.

Qyteteve të ndyra,
Londra,
Parisi
Madridi,
Athina,
Milano,
Tirana,
Berlini dhe Nju Jorku,
unë kurva moderne,
me ID numërhumbur,
pa rregullaloje,
kam ikur dhe prapkthim,
duke kunguar shumëherë,
shpirtin në Danup,
Gang apo Senë,
kur paudhësitë i kam qafuar,
krahëruar,
mbytur në ujin e qelbur të Lanës,
me jashtëqitje ardhacakësh,
kurse brenda vaginës sime,
të gjithë lumenjt e botës,
u përmbyten,
gjersa mbeten stalagmite,
me lëkurë qimesh burrash anonimë!

7.

Pikojnë mëngjeset,
në agun yllnor krejt të ftohtë,
në shpirtin e vetmuar,
me shenja cigaresh,
nëpër kofshë,
dhe buzët e tharta,
me gëlbaza të qelbura puthjesh,
me aromë alkoli,
lëkurërudhur,
gjijvarë,
vrapova pas hijes,
së rinisë time në arkëmort,
se lakuriqësia ime,
tingujve të muzgjeve u gris,
pa nënkresa zgjimesh,
zgafellave të humbura,
ku shkëmbinjve okër,
ujëvarat eshtra shkumash,
kanë skalitur,
tango shirash të ngrohta verore.

Tani jam fishkur.
Me njolla në trup,
“tradhëtova” parajsën,
time të virgjër,
në turmat e aeroporteve,
apo trenave të fundnatës,
me përqafime udhëtarësh të panjohur,
në altare fronash,
perëndish të egra,
hapat e mia askush nuk i njohu!

Me tallën,
më qeshën,
më përçudnuan,
hamejtë e fjalës së thinjur,
tejpërtej kurrizeve të pasqyrave,
kur qesha me veten time,
me ‘protokolle’ të ngarkuara pritjesh.

8.
…dhe thashë do vijë një ditë,
një ditë,
kur do çelë
orkideja ime…
…por përsëri,
mbeta imoraliste,
me ëndërra cigane…
Tani jam lulethinjur,
lëkurërrudhur,
petaleplakur.
Vetëm,
epitafi i pasvdekjes,
do të shkruhet:
këtu prehet një prostitutë!

9.

Vetëm,
mua,
askush nuk më dashuroi,
se thuhet: – “kush dashuron,
plagët dhe dhimbjen tënde”,
– të dashuron VËRTETË!

@emitiranë 17. 08. 2020.
©copyright EMI KROSI.

Shënim: (Ky është rrëfim i vërtetë. Një grua me shenja të thella, në trup, me rrudha, me tualet të rëndë buzëvishnje, me thonj të vënë dhe gjijbërë, duke thithur pafund cigare, me tregoi ca sekuenca nga jeta e saj, “si historia e shoqes”, por fabula është e jetuar, ndërtimi poetik është subjektiv).

Emrije Krosi: Materia e (pas)jetës Kekiane

Emrije Krosi: ‘Dekonstruktimi’ oruellian i diktaturave, si kumt gjithëkohor…

 Emrije Krosi: Mbresa nga romani “Ankthi” i Kozeta Zavalanit

 

Please follow and like us: