Albspirit

Media/News/Publishing

 Emrije Krosi: Mbresa nga romani “Ankthi” i Kozeta Zavalanit

Emrije Krosi

 

Ese

 

Zbërthimi i “kodeve” femërore, në betejat për ndryshimin e vetvetes dhe të mjedisit shoqëror

 

 

Në pështjellimin e madh të rrëmujshëm paformë dhe patrajtë, të letërsisë moderne shqipe, si në poezi, ashtu edhe në prozë po ‘hyjnë e dalin hajnat lebrozë’ të asgjësë dhe të askushit. Në këtë vorbull të lëngshëm dhe larushan ndjesish ‘proletare’, ‘atdhetare’, ‘pacifiste’, ‘feministe’, ‘prozaiste’ dhe plot -are dhe -ista, gjithkush mundohet, të gjejë një ‘ishull’ fantazie, për të shpëtuar anijen ‘fantazmë’ të Piratit të Karaibeve, nga mbidoza e absurdit, të mbiprodhimit letrar shqiptar. Gjithkush, merr (atë që mund të marrë, apo merr ç’të mundet nga malli i ‘shtetit’) dhe bëhu poet, shkrimtar, fabulist, madje Ezopian, për të lënë ‘gjurmë’ në faqen e ‘pistë’ të letërsisë sonë shqipe. Në këtë hulli, ‘farëshumë’ shumëllojshmëria dhe ‘liria’ e rrëfimit plugojnë edhe djerrinat, ku fara bie në gurë shtuf.

*  *  *

Të hulumtosh apo qëmtosh në botën e letrave, ‘letërsia femërore’, (nuk e di nëse është togfjalëshi i duhur), ka hedhur rrënjë të forta këto vite postrealizëm. Mungesa e kritikës, ka lënë ‘hapësira boshe’ që në sinkroni dhe diakroni me kohën, janë pragjet e aurës së dritës dhe errësirës. Këto ‘gropa të zeza’ si vrima ozoni, nuk mbushem me ‘mish’ planetesh, por ushqejnë yllësitë të ndriçojnë, sepse jo çdo yll i galaktikave të largëta, mund të prekë aurën e pragut ‘të shijes’ së prozës apo poezisë, që ‘ta rrufitesh’ me një kafe mëngjesore, në bregdet me valë dhe diell. Në këtë harmoni të paqtë, vjen libri “Ankthi” i gazetares, publicistes, poetes dhe prozatores së njohur Kozeta Zavalani.

Kumti femëror i përtej vetvetes

 

“Ajo çfarë ka nevojë një grua nuk është të dominojë, por si natyrë-të rritet, si intelekt-të perceptojë, si shpirt-të jetojë e lirë dhe e shpenguar” f.69, është në sintoni me kohën reale dhe kohën ‘irreale’ letrare, duke margjinarizuar femrën si ‘personazh’ apo si ‘autore’, sepse jo rrallëherë, femrat nuk ‘përkrahen’ në misionin e tyre emancipues të shoqërisë. Thënia e Kadaresë, “zonjat e vogla të letërsisë”, përkundër dominimit mashkullor, të hijëzuara, koma nga ploja e burrave, “si thes me bajtë”, (Kodi i Lek Dukagjinit), kodifikon ‘urtinë’ dhe ‘paqtimin’ e shpirtrave të trazuar, u shkërmoq “Bukuria fatale” e Mona Cholet, (gazetare e botës diplomatike), për të ‘zhvlerësuar’ imazhin e rremë të një femre-kukull.

Por ‘ankthi i saj’ në roman është ankthi i çdo gruaje. Frika për të qenë, nënë dhe grua ngjizet që në kohëlindjen tënde: femër! Çdo bësh me kohën tënde? Në botën e bjerravlerave njerëzore, në përgatitjen për jetën, duhet të qartësosh ‘tejqyrën’ tënde, drejt një këndvështrimi sa me realist, aq edhe vizionar. Je grua.  Ç’duhet të bësh?! Nga duhet t’ia fillosh?! Nga vetvetja! Nga sinori i cepit tënd, i fund frikës tënde, duke kapërcyer vetveten, nga thellësia e shpirtit tënd, nga djepi yt, nga pragu yt, të kapërcesh EGON TËNDE!

Të mposhtësh frikën tënde, të mbash partiturën e muzikës së jetës, dashurisë, sepse ‘përmasa e madhështisë’ është e pasosur, ku forma e ‘pangopjes’ me lumturinë nuk peshon, në kandarin e meditimit, ku përmbajtja ka formë, dhimbja akuzë, kur LUFTOJMË, përjetën, të vërtetën, ardhmërinë.

“Lumturia është kombinimi i eleminimit të humorit të keq dhe arritjes të asaj që, një person dëshiron në jetë. Pra, lumturinë nuk e gjen, ajo fitohet…por kjo, nuk do të thotë që do të arrihet brenda natës ose në pak javë. Në mënyrë që të jeni të lumtur, duhet ta edukoni veten rreth emocioneve të keqija. Prej të cilave po vuani dhe të mësoni mënyrat, që mund t’ju ndihmojnë të largoheni prej këtyre emocioneve”. f.50-51.

Atëhere në rrugëtimin tënd ‘plojat e fatit’ janë me kurthe dhe kulisa, por duhet t’i kapërcesh, mos u bëj pre e frikës. Largoje hajnin (vjedhacakun) e ëndërrave dhe dëshirave të tua, për të ‘drejpeshuar kandarin’ e të mirës dhe të keqes. Të jesh femër, nuk është risi, por sfidë e pafundme e jetës, në luftë me vetveten dhe përditësinë tënde, për të perfeksionuar besimin dhe dashurinë për veten, trupin tënd, për të mposhtur dobësitë dhe frikërat e tua, për të pranuar dhe korigjuar gabimet drejt Triumfit dhe të Vërtetës. Të jesh femër nuk duhet të përkulesh, por të qëndrosh në këmbë, të ecësh ‘gjunjazi’ kur rrëzohesh, të zhytesh deri në llumin e ‘zhabave’ të moçalit të jetës, të shoqërisë ku jetojmë, tek rrethina e thashethemit, që ‘godet’ Ester Plinitek “Damka e turpit”  e Nathaniel Hawthorne, beteja femërore për emancipimin e shoqërisë, që rrëzohet, por sërishmi ringrihet si Feniksi.

*  *  *

Romanin “Ankthi” e kam trajtuar në rrafshin e dy kohëve rrëfimtare:

a) rrëfim me  kohën e tashme;

Në kohën e tashme, Klara (personazhi kryesor femëror dhe Mariana) gazetarja që lufton me sëmundjen e saj, kancerin e gjirit (një betejë e miliona grave në të gjithë botën, një sfidë me kohën dhe veten, sa e humbur dhe e fituar), Klara duhet të jetojë për të luftuar, apo të luftojë për të jetuar, për dashurinë: “Dashuria është një forcë e madhe lëvizëse. Ajo është një ndjenjë që të mbush dhe të bën të ndiesh si në parajsë. Është vërtet bukur që të biesh në dashuri, por jo gjithonë e lehtë për ta mbajtur atë. Njeriu ka nevojë të jetë i dashuruar, veçanërisht ta duan, që është edhe më e vështirë, megjithëse asnjërën prej këtyre ndjesive nuk e kemi në dorë vetë, diçka duhet të bëjmë për të vendosur një normalitet. Të duash në kuptimin më  universal të kësaj fjale, është një detyrim”, f.135, për karrierën: “dua të jetoj edhe disa vite, sa të përfundoj romanin tim, të martohem, të kem një fëmijë, të fitoj para dhe ta shpie atë nëpër botë, ku do ta njohin miqtë e mi. Unë porsa e kam filluar jetën…”, f, 195, sepse trashendekadenca e saj, mes frikës dhe ankthit, duhet të ‘thyhen tabutë’, të jetosh  me pafuqinë e qenies tënde të brishtë, që të udhëpërshkosh fatin tënd si Dranja e  Camajt, në amullinë ‘e kodeve te vjetra’ dhe nën trysninë e kohës marroke shqiptare (mentaliteti tipik ballkanik ku femra s’ka ‘forcë’ dhe duhet të nënshtrohet), realiteti i paskrupullt, i ‘pathyeshëm’ maskilist duhet të pranosh: ose mënyrën e jetesës me mbështjellje ankthi të përjetshëm, ose një spartane luftëtare, si gladiatore triumfiatore.

Ajo Klara, femra fatale, përthyet në horizontalitet ([kanceri=metafora, jo vetëm e gjirit pjesën më vitale të jetëdhënies femëror, gjiri + lëngu qumështor = JETËDHËNIE], por edhe kanceri si metaforë përmbysëse, që simblozon shoqërinë e ‘sëmurë’ nga simtoma e ‘skllavërimit të femrës’, si pjesa e dobët, e brishtë, e pafuqishme në vendimarrje dhe e paaftësi politikëbërëse), ajo është një Hera, një Teutë, një Kleopatra, një Circe, një Zhan D’ark, një Indira Gandi, një Merkel, një Antigonë që shprehet: “njeriu vetëm përballë vdekjes është i pafuqishëm”, asaj i duhej një “deux ex machina”.

Problemi që nuk shteron për Zavalanin është koha autoriale dhe koha gazetareske (një intertekst që nënkuptohet), shumë faqe të tipit: letërsi (teks) memoaristik (autobiografi) Kozeta -Klara, samitet dhe konferencat për gratë, (bota e televizionit apo bota virtuale e të qenit përjetësisht e bukur në mënyrën më të keqen, me bisturi) duke shprishur ekuilibrat e femrës ‘natyrale’ të kolme, me celulid, gjijvarur, me thinjat dhe rrudha, nën presionin e ‘bukurisë fatale’ të Mona Colet, apo të internetit (model mbarëbotëror dhe universal për ‘femra me rini të përjetshme’, shembull telenovesh, modele thatuqe, aktore të plastifikuara, ‘të imponojnë’, jetën, fizikun, egon ‘për t’u dukur’, ‘për pushtet’, ‘për sundim’) që shumë herë e ndryshon ‘natyralitetin femëror’ për të qënë BIO! Racionalja dhe irracionalja hepojnë kundër njëra-tjetrës.  Ata mëkojnë me tamblin (jetëdhënës), drejt “makinës së memorjes” me kërkim të Zotit. “Zot, më ndihmo të kujtoj që asgjë nuk do të më ndodhë mua sot, nga ato që ti dhe unë sëbashku nuk mund t’i drejtojmë e manipulojmë.  Më jep o Zot një dorë dhe një sy vrojtues, që askush nuk do të lëndohet, kur të kaloj unë”, f.  226. Zoti është Fuqia Dritësore, që hap dritaren kur ardhmëria rrugëton në trenat e shpejtë, dhe koha fraksionohet në mijëra sekonda, ku kujtimet, udhëtimet, takimet, vendimet, pyetjet, përgjigjet, dashuritē, mungesat, vuajtjet, hidhërimet, shpresat, tangentohen me dikokominë: JETË DHE VDEKJE! Klara jeton. Vdekja, streha e fundit e udhëtimit njerëzor, por jo për një 33 vjeçare (33 numri fatsjellës i moshës dhe besimit kristian) që lidhet me 30 vjeç ishte Krishti + 3 (Trinia e Shenjtë: ATI +BIRI +SHPIRTI)=33. Zoti është besim dhe dashuri kur “dashuria i vë gardh edhe vdekjes. Dashuria është jetë. Gjithçka, gjithçka, që unë kuptoj, e kuptoj vetëm sepse dashuroj. Gjithçka është e kufizuar vetëm nga dashuria. Dashuria është Zoti, dhe të vdesësh për mua, një grimcë dashurie të ktheht mbrapsht tek origjina universale dhe e përjetshme e dashurisë”, f.298, Zoti është Shelbimi i Përtejetës dhe Pasvdekjes. A besojmë tek pasvdekja?!

b) rrëfim në kohën e ardhme;

Në këtë pjesë, rrëfimi në kohën e ardhme, nuk konfiguron ‘hapsirēn dhe kohën’ letrare, sepse dallimet mes letërsive gjinore (femra dhe meshkujt), janë rrafshuar, sipas Virginia Wolf, “një femër duhet të ketë para dhe një dhomë për të shkruar prozë letrare”, sepse “koha e leximit” është  ardhmëria dhe beteja e Klarës është trasmentimi i kumtit të JETËS.

Kozeta Zavalani, si shkruese, me moton: femrat për femrat, se femrat janë krijuese të Pemës së Jetës, ato mëkojnë ardhërinë, janë ‘roje’ të jetës, janë vajtocat e vdekjes, janë ‘ilaçi’ i dashurisë, janë ato që përballen me fatin. [Metafora e Jetës (sfidë, dashuri, shpresë,rilindje) + Vdekje (frikë, pasiguri, ankth, tmerr)], përcakton kohën e ardhme të veprës, sepse: “koha jonë nuk është e përjetshme… por njerëzimi, fatkeqësisht, është në ankth për të ardhmen dhe po harron të tashmen”, f.59.  Termi ‘horizonti i pritjes’ është për lexuesin e kohës së tashme dhe të ardhme. Duke qenë se Zavalani (si femër shtegtare dhe me karrierë), lexuesi dhe vepra e saj ‘konsumohet’ nga tregu jo i paktë i librit shqip të këtyre tre dekadave. Ajo shkruan për problematikat dhe frikërat e femrave të tipit Daniele Steell, kur letërsia e saj ‘quhet letërsi konsumatore’ në tregun botëror të ‘leximit’ kryesisht femëror.

Si përfundim: “Ankthi” i Zavalanit, vjen çiltërsisht i shkruar thjeshtë, me një gjuhë përshkruese frymëpezull, ku çdo femër, grua, vajzë mban frymën dhe ‘formëson brendinë e shpirtit’. “Ankthi” nuk është aspak i ankthtë, por zhvendos kode letrare në kohësinë e pafundme të botës femërore, që përshkruhet mjeshtërisht nga një stil i çlirët prej femre, si Kozeta Zavalani.

Please follow and like us: