Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: XHA KASËMI

Avdulla Kënaçi

 

Tregim

I gjithë fshati ishte shurdhuar. Qysh dje mbasdite në gjithë luginën malore ndjehej era e vdekjes. Blegërimat e deleve kishin ndaluar. Zilet dhe çokanet e bagëtive të imta, madje edhe të kafshëve të trasha, ishin shtuposur me bar apo lecka të vjetra. Dielli i nxehtë i qershorit, i qetë, i patrazuar, ashtu si çdo vit, përshkonte mes përmes kupën e qiellit. Fëmijët ishin mbyllur Brenda oborreve të tyre dhe flisnin me zë të ulët sepse kështu i kishin porositur prindërit. Pritej një gjëmë e madhe, e padëgjuar. Vetëm harabelat, këta zogj të vegjël e trazovaçë, nuk donin t’ia dinin se çfarë kishte ndodhur dhe kush pritej të vdiste në fshatin malor të Labërisë. Ata rrotulloheshin brenda kurorave të gjelbra të pemëve duke këmbyer miliona cicërima që u ngjanin thashethemeve të grave në çezmën e vetme, në mes të fshatit.

Xha Kasëmi, në hije të qershisë, kryeplaku i fshatit, ulur mbi një trung të prerë, thithte çibukun i menduar duke lëshuar herë pas here shtëllunga tymi të zi perms mustaqeve. Qysh dje, kur Pleqësia e fshatit mori vendimin me vdekje për atë ezhdërha djalë, as kishte vënë gjumë në sy dhe as kishte ngrënë. Se si e mbante ashtu shpirtin ai njeri duke pirë njëra pas tjetrës vetëm kafe të pjekura në qebapin sterrë të zi! I vinte plasje që nuk kishte mundur t’i shpëtonte jetën Vullnetit 21-vjeçar. “Derëziu unë, si nuk e mbrojta dot djalin, ai çikë trimi, më azgani, më nikoqiri, më i miri i çobanëve. Ma hoqën nga duart zabërhanët, ma vranë…”. Kanuni i Labërisë jepte edhe dy ditë të tjera kohë gjer në ekzekutim. “Ndoshta Zoti bën ferk”, u lut ai nëpër dhëmbë, gati duke folur me zë, drejtuar fytyrën nga qielli. Ai kishte shtatë vjet i zgjedhur si kryeplak, por asnjëherë nuk ishte zënë kaq ngushtë sa këtë radhë. I drejtë sa nuk i njihej shok i dytë në krahinë; ndante qimen, siç thoshnin. Ishte i mprehtë si presë brisku, me llogjikë të hekurt.Gati për çdo javë e ftonin në fshatrat fqinje për të zgjidhur sherre, përleshje, apo vrasje. E dinte përmendësh Kanunin e Labërisë, por mprehtësia e tij shkëlqente më shumë kur ai sipas rastit interpretonte dhe e vinte në zbatim atë libër të shenjtë. Kur fliste e vendoste, asnjëra palë në konflikt nuk e kundërshtonte. Tregonin se kur një mik i fshatit fqinj erdhi për të lidhur krushqi duke i kërkuar të bijën për nuse tek djali i vet, xha Kasëmi iu përgjigj: “Nuk kam vajzë”. Miku mbeti me gojëhapur dhe vazhdoi duke i thënë: “Më mire thuaj se nuk dua ta jap në derën tënde se sa ta bësh hasha evlatin tënd”. Xha Kasëmi ngriti kryet, e pa mikun drejt e në kokërdhok të syrit dhe i tha: “Më shqip, po të them se nuk kam vajzë për djalin tënd. E di që yt bir nuk ka të sharë…”. Në fshat nuk mbeti derë shtëpie e njeri pa e qortuar xha Kasëmin: “I preu rriskun bijës së vet. Si e bëri këtë gabim, e kush pa, xha Kasëmi?! Njëherë të vjen zogu në dorë. Kush nuk do ta deshte për dhëndërr atë deli djalë që i solli fati në derë”?! Pas shumë kohësh, ishin po ata njerëz që pohonin të kundërtën e thoshnin se xha Kasëmi bëri drejtësi me bijën e vet, lëre më për tonat”.

Kështu i kishte dalë nami për mirë atij burri trupvogël, me sy ngjyrëgështe një që i lëviznin me aq gjallëri e zgjuarsi midis rrudhave, poshtë vetullave të zeza. Mirëpo me gjykimin e djeshëm ai ishte i pakënaqur e i hidhëruar me veten e vet. Ishte bërë pikë e vrer; t’ia prisje mishin me thikë, pikë gjaku nuk i dilte. Nuk ishte gjë e vogël, po bëhej kurban djali më i mirë i fshatit, biri i mikut të tij të ngushtë që ishte vrarë në Janinë gjatë rrethimit të Ali Pashë Tepelenës nga turqit.

Dielli po rrokullisej në drejtim të maleve të Fterrës. Për një çast, u duk sikur fshati i vjetër, Krapa, mori flakë dhe atij diçka i shkrepi në mendje. Shkundi hirin e duhanit nga çibuku, u gjallërua e u ngrit më këmbë me vrull. Menjëherë dërgoi lajm tek Brahimi, bekshiu i fshatit; duhej të paraqitej tek ai sa më shpejt të ishte e mundur. Rojtari, sa mori vesh se e kërkonte Kryeplaku, nuk e bëri fjalën dysh, vrapoi gardh më gardh për t’iu gjendur pranë në këtë ditë të zezë.

-Dëgjo bir, dua të shkosh në pyllin e Spidhës e të shikosh me sytë e tu vendin se si u gjend atje vajza, Sofia. Ajo thotë se Vullneti e rrëmbeu me forcë nga rruga, e hodhi në sup, eci nja njëqind çape përpjetë dhe aty ndodhi turpi. E bën dot? Vur trurin në punë. Seç kam një shupehe këtu përbrenda. E dua sonte përgjigjen.

-Ku vë këmbën xha Kasëmi, unë vë kokën. Ika pa rënë nata, po pse nuk më the më parë, o imzot, por e lë marazin të të gërryejë shpirtin?! – tha Brahimi më shumëpër ta përkëdhelur në sedër se sa për ta qortuar. Dhe u zhduk si era.

Ishte e kotë ta porosiste të mos e bënte llaf me njeri. Brahimi ishte trim i çartur, burrë besnik dhe gojëkyçur si peshku. Po çfarë kishte ndodhur dy ditë më parë? Po jua tregoj më hollësisht këtu më poshtë.

***

Pylli i Spidhës është i ngjitur me kullotat e Lerave, ose më saktë vazhdimi i tyre. Në ato vite, kur nuk kishte elektricitet, dimri në atë fshat malor kur dëbora shtrohej në fund të nëntorit e largohej në fillim të prillit, nuk mund të kapërcehej pa stivën kulupi me dru zjarri. Pylli ishte më shumë se një orë larg nga fshati dhe gjatë verës gratën ngriheshin me natë, që me këngën e parë të këndezave, apo siç thuhej rëndom, me yll të sabahut. Zakonisht gratë shkonin në pyll të shoqëruara sipas mëhallëve, me grupe nga dy e tri, por edhe vetëm. Dy prej tyre, Kalltakja dhe Fotinia, hynë në pyll nga rruga e sipërme. Duke iu afruar pyllit, Fotinia vuri re përmes mugëtirës së mëngjesit një degë frashëri e cila po lëkundej në ajër si një flamur.

-Pa shih pranë atij shkëmbi, o motër, po tundet frashëri, duhet të ketë ndonjë kafshë poshtë tij.

-Uu, korba do jetë ndonjë derr i egër që kruhet pas degëve të frashërit, – tha Kalltakja dhe bëri përpara duke nxjerrë sopatën e mprehtë nga mesi. E ngriti lart si një luftëtare dhe u lëshua përpara. Kur u afrua ca, dëgjoi një ulurimë të thekshme njeriu:

-Më lësho, i poshtër, më turpërove, më more nderin!

Dy gratë, duke dëgjuar ato klithma, u ngurosën në vend dhe gati mbetën pa frymë. Nuk e prisnin të gjenin një çift bashkëfshatarësh një mbi një. Djali, sa nuhati se u diktuan, rrëshqiti si ngjalë poshtë shkëmbit dhe u zhduk midis drurëve të dendur. Femra qënkish Sofia, një vajzë tetëmbëdhjetë vjeçare nga mëhalla e sipërme e fshatit e cila në pamje tregonte më e madhe se sa mosha që kishte mbi supe. I thoshte diellit ‘ja dil, ja të dal’. Ishte e bukur dhe për nurin e saj në fshat kishin nisur t’i thurnin këngë me bejte. Dhe ja tani se si ajo e bekuar qante me kuje që të këpuste shpirtin dhe gërricte faqet me thonj.

-Ç’të gjeti kështu, moj korbë?!- i tha Kalltakja, ndërsa shoqja tjetër ende nuk e kishte mbledhur veten nga çfarë kishte përjetuar pak më parë.

-Më zuri me zorr Vullneti, më mori nderin, do vras veten, nuk kam pse rroj më. Kaq ishte jeta ime.

-Në se nuk ke faj, nuk ke pse e vret veten, – foli për herë të parë Fotinia – po e vrave, ikën me njollë në atë botën tjetër.

-Djali do gjykohet sipas Kanunit, jemi ne dëshmitare, – tha Kalltakja duke fshirë lotët dhe gjakun nga faqet e Sofisë e cila ende e kishte gjoksin të zbërthyer. Njëri gji, i mbetur jashtë, i zbardhte si djathë nape i sapobërë.

Dy gratë u kthyen drejt fshatit pa mbledhur asnjë shkarpë e jo më dru zjarri për dimër. Vendosën të shoqërojnë Sofinë tek shtëpia e Kryeplakut, tek xha Kasëmi. Ishin të revoltuara sa më s’ka. E përdhunuara kishte ulur shaminë gjer përmbi vetull dhe gjatë rrugës nuk e pushonte të qarën nën zë. E kishte humbur aq shumë pusullën sa në pyll, aty tek ajo strofkulla pas shkëmbit, harroi edhe sopatën, edhe tërkuzën. Atë punën e vetvrasjes nuk e zuri më me gojë.

Xha Kasëmin e gjetën në shtëpi të tij duke mbledhur qershi. Qëkur ai pa tri grate tek lesa e shtegut të oborrit, thirri gruan dhe nusen e djalit së bashku me fëmijët dhe u tha të largoheshin sa më pare e të shkonin tek ndonjë i afërt gjersa t’i thërriste ai. Shtëpia i shërbente Kryeplakut edhe për jetesë, por edhe si zyrë për të zgjidhur hallet e popullit. Tri gra drejt tij që pa gdhirë, kjo nuk ishte shenjë e mirë.

E para zuri të flasë Kalltakja, e cila qysh më pare kishte marrë komandën e grupit, por xha Kasëmi e ndaloi.

-Do hapësh kamaren kur të të pyes unë, i tha duke i rënë çibukut pas një dërrase që iu ndodh aty afër.

Së pari ia dha fjalën të dëmtuarës, Sofisë. Ajo, pa ngritur as kokën, as sytë, nisi të rrëfehet me një zë të ulët e plot ngashërime. Tregoi se si Vullneti herët në mëngjes i kishte prerë befas rrugën, kur po shkonte në pyll për një barrë dru. E kishte hedhur në sup si një berr të therur dhe iu ngjit pllajës me shpejtësi, deri pas shkëmbit. Aty prapa ngjau ajo që ngjau…

Heshtje për pak çaste. Nuk pipëtinte as miza e as dëgjohej ndonjë zhurmë tjetër. Dukej sikur gratë nuk merrnin fare frymë. Xha Kasëmi thithi çibukun fort. Pastaj bëri vetëm një pyetje duke e parë vajzën drejt e në beben e vyshkur të syrit:

-Bërtisje edhe më përpara apo vetëm kur vure re se po afroheshin dy bashkëfshataret?

-Më parë nuk mund të nxirrja zë sepse ai (nuk i përmendi emrin) ma kishte mbyllur gojën me pëllëmbë, – tha ajo fare shkoqur dhe pa iu dridhur zëri.

-Je takuar here tjetër me këtë djalë? –vazhdoi xha Kasëmi.

-Jo, – iu përgjigj ajo -vetëm e kam parë atë nga larg, në pllajë, duke kullotur kopenë e deleve.

U erdhi radha dy grave të tjera. Xha Kasëmi nuk i ndërpreu, as u bëri ndonjë pyetje, vetëm i porositi që ato që treguan këtu, do t’i harronin e do t’i linin pas krahëve, ndryshe… I porositi që vajzën, Sofinë, të mos e brakstisnin për asnjë çast. Fotinia, me që në shtëpi nuk kishte meshkuj, ta strehonte në odën e saj derisa të merrej vendimi në Pleqësi. T’i jepni nujë e bukë dhe të lajmëronin të ëmën se e kishte pickuar gjarpëri në pyll dhe po mjekohej. Asnjë fjalë më shumë. Kaq tha dhe u ngrit të gjente bekshiun, Brahimin. E nisi atë urgjent në stan për të sjellë aty Vullnetin. E porositi të shkonte i armatosur dhe ta ruante djalin si dritën e syrit se nuk i dihej, ndoshta dikush kuturiste për ta vrarë në shenjë hakmarrjeje.

Fshati kishte shtatë mëhalla dhe nga një përfaqësues në Pleqësi për çdo mëhallë duke përfshirë edhe Kryeplakun. Shumica e Pleqve ishin me punë në stane apo duke kullotur bagëtinë në male. Në mbrëmje duhet të ishin të gjithë në mbledhje të Pleqësisë. Asnjë nuk duhet të mungonte. Kush më pak e kush më shumë kishin farefisni dhe lidhje gjaku me të dy të përgojuarit, por kjo nuk kishte rëndësi, mbi të gjitha, në këto raste, ishte Kanuni i Labërisë ai që vendoste në se të akuzuarit ishin fajtorë ose jo. Shteti pushtues nuk përfillej fare, sidomos në Labëri ku prej kohësh qeverisej me venome. Drejtësia vihej në vend duke zbatuar pikë për pikë Kanunin. Askush nuk kishte fuqi të dilte kundër rregullave të tij. Besoj e vutë re se gratë thirreshin me emra të krishterë dhe burrat me emra muslimanë. Ato as kishin vënë e as do të vinin ferexhe. Atëherë vetëm kryefamiljari thirrej me emër musliman, sepse taksat mblidheshin pikërisht në emër të tij, gjithë të tjerët mbanin emra orthodoksë, sidomos femrat. Të krishterët taksoheshin dyfish.

Pleqësia u mbodh natën vonë. Dëgjoi me vëmendje xha Kasëmin. Ai tregoi gjithë historinë e ngjarjes, ashtu si i kishin raportuar. Mbetej vetëm të dëgjonin djalin. Ta mësonin nga goja e tij se çfarë kishte ndodhur. Një nga të afërtit e vajzës tha se le të martoheshin, punë e madhe, beqarë ishin që të dy, nuk binin gjakësi, pavarësisht që kishin një armiqësi të vjetër. Le të mbyllej me lezet kjo histori…

-E para, djali e ka përdhunuar, e ka grabitur pa dëshirën e saj, e ka rrëmbyer nga rruga. Edhe sikur të dy të kenë qenë dakord, është marrëdhënie pa nigja, pa kurorëzim. Mund ta përsëritë dikush tjetër. Kanuni është Kanun, nuk e njeh këtë lidhje dhe as këtë martesë. Është mëkat dhe mëkati paguhet me jetë, – ia priti një i dytë.

-Të dëgjojmë edhe djalin, – tha XhaKasëmi –kam dërguar Brahimin ta marrë nga stani e ta sjellë këtu para jush. Ta dëgjojmë me veshët tanë e pastaj të gjykojmë.

Dhe Brahimi sikur i dëgjoi Pleqtë aty pas derës, trokiti dhe tha:
-Këtu e kam, kur të doni, e thërrisni, – dhe tërhoqi pësëri derën e odasë ku bëhej mbledhja. Djali kishte ardhur pak më herët. Xha Kasëmi u drodh, lëkura iu bë kokërriza-kokërriza, por nuk e dha veten. Do të gjykonte të birin e shokut të tij të fëmijërisë, Astritit. Kishin shërbyer së bashku në Gardën e Pashait të Janinës. Astriti ishte nga luftëtarët më të zotë në përdorimin e jataganit dhe në garat me kuaj duke kapërcyer mbi kalë rrethin me flakë. Ishte ushtari më i zgjedhur dhe i preferuar i Ali Pashë Tepelenës. Ky luftëtar trim, xha Kasëmit i kishte vdekur në duar duke i lënë amanet të birin, Vullnetin motak, tani 21-vjeç. “Të kishte qenë djali im, do ta kisha më të lehtë, kam një mal të rëndë mbi gjoks e supe, o Zot, ç’është kjo që më bëre, ç’është kjo provë që po më vë në pleqëri?! Kanuni të dënon me vdekje, o bir, po qe se e vërteta qëndron ashtu si dëshmoi vajza”, tha me gjuhë të shkurtër xha Kasëmi.

Bëri shenjë të hynte i akuzuari. Vullneti u shfaq tek dera; i gjatë dhe i pashëm, zeshkan, me trupin të drejtë si qipariz. Ata sytë si çika stërralli i ishin venitur fare pak dhe rrotull kishin hedhur rreth të zi. Ishte i zbehtë në fytyrë, jo nga frika, por nga turpi. Qëndronte qiri në këmbë përpara këshillit të Pleqësisë. Trupin e mbante drejt. Ishte i ndërgjegjshëm për fajin që kishte bërë, ishte i bindur se veprimi i tij i nxituar binte ndesh me rregullat e Kanunit të Labërisë.

-Kemi dëgjuar vajzën, dy dëshmitarët dhe tani e ke radhën ti djalë të molloisesh. Sofia të bën me faj se e ke rrëmbyer nga rruga që shkonte për të prerë dru, e ke hedhur në sup dhe e ke fshehur pas shkëmbit… E vërtetë është?

-Po, – tha djali – të gjitha janë të vërteta. Unë e kam fajin. Nuk e mposhta dot këtë maçin që më gërryen këtu përbrenda. Sofia ka vetëm një faj, që është aq shumë e pamshme sa ju të gjithë i këndoni këngë në dasma e ziafete.

-Aq më keq për ty, djalosh, po sikur gjithë djemtë e fshatit të bënin si ti, nuk do martohej asnjë vajzë me nigjah, ka sira puna, – tha me qortim një nga anëtarët e Pleqësisë.

-Prandaj Kanuni i Labërisë e dënon me vdekje këdo që bën këto hynere si të tuat, – tha një tjetër edhe më me zë të lartë.

Folën të gjithë me radhë, por djaloshi nuk dëgjonte asnjërin. Ai e dinte fundin e tij, të paktën të mos turpërohej përpara vdekjes dhe sa të ishte e mundur të zbardhte emrin e Sofisë. Jeta e grave mbrohej me Kanun, faji gjithmonë binte mbi meshkujt. Edhe ndëshkimi gjithashtu, por emri i femrës mund të njollosej përjetë. Edhe Xha Kasëmi thuajse ishte shurdhuar, as shihte e as dëgjonte. E merrte me mend se çfarë do thoshnin në atë mbledhje përfaqësuesit e mëhallave. E dinte edhe vendimin. Pas tri ditësh djali do të ekzekutohej. Nuk kishte asnjë shteg nga mund të shpëtohej ai lastar djalë… Pas tri ditësh do të shuhej, do të binte si një lis i prerë nga Kanuni. E mjera mëmë, si do ta priste këtë gjëmë, si do ta duronte këtë vendim Pleqësie?! “Si është e mundur që ky bukuroshi merr përsipër të gjitha fajet dhe vajza na del kaq e larë”, kjo pyetje i rrihte si çekan mbi kokë Xha Kasëmit. Kishte diçka të errët në këtë mesele.

Iu kujtua gjykimi i një rasti të ngjashëm në fshatin pranë. Aty nuk njihte asnjë nga të gjykuarit, por pyetje pas pyetjesh kishte mundur të nxjerrë të vërtetën në dritë: vajza e kishte joshur djalin. Ishte fajtore edhe ajo. Kjo e vërtetë bëri që të shpëtohej jeta e të akuzuarit. Ky rasti i Sofisë ishte ndryshe. Vullneti i merrte përsipër të gjitha fajet duke e nxjerrë vajzën të larë si kartë të bardhë dhe ai vetë i llangosur e i turpëruar. Sikur donte të shkonte me këmbët e veta drejt vdekjes.

“Diçka nuk shkon këtu”, mendoi përfundimisht xha Kasëmi, por asnjë justifikim nuk i vinte ndër mend. Nuk dinte ku të kapej. Pas orë të tëra diskutimesh, vendimi u mor unanim: dënim me vdekje, sipas Kanunit të Labërisë. Xha Kasëmi kishte vetëm një votë, edhe sikur të dilte kundër, do të thoshnin se e bëri sa për sy e faqe të botës.

***

Xha Kasëmit, koha duke pritur në shtëpinë e tij, iu duk shumë e gjatë. Rojtari që kishte nisur me urgjencë, u vonua shumë. Ndoshta ai nuk mund të nxitonte më tepër. Po i sosej durimi. Shkonte e vinte në oborr të shtëpisë me duart të kryqëzuara pas kurrizit. Mezi e priste atë dreq bekshiu. Ku humbi kështu? Shpresonte të gjente një mospërputhje në dëshminë e djalit dhe të vajzës. “Nuk ka mundësi që njeri person t’i marrë të gjitha fajet përsipër. Pse ai e bën këtë?! Kaq shumë i ishte mërzitur jeta? Nuk bëhet shaka me vdekjen, o bir! Pse e bën ai këtë”? kjo pyetja e fundit nuk i shqitej nga mendja.

Brahimi mbërriti shumë vonë. Mezi qëndronte më këmbë, ishte lodhur ik e eja në mal, ngjit e zbrit maloren tek shkëmbi. Merrte frymë me gulçime. Kullonte i tëri në djersë. Sa vuri këmbën në oborr të shtëpisë së Kryeplakut, fshiu ballin me shami dhe kërkoi një sapllak me dhallë. Ia dhanë.

-Hë, zbulove ndonjë gjë, Brahim, ke ndonjë dyshim?

-Po, kam, xha Kasëm.

-Thuaje…

-E di pse u vonova? Bëra prova. Vëndi nga rruga për deri tek shkëmbi është shumë i përpjetë, thikë. Sado i fortë të jesh, as një sheleg nuk mban dot mbi supe, jo më një vajzë të kolme siç është Sofia.

-Si e bëre provën?

-U nisa nga rruga ku mendohet se kalonte vajza, mora një kucur, kërcu si nja 30 qile të madh. E hodha në sup dhe mora të ngjitem përpjetë. Shkova gjer në mes të rrugës ku rrëpira ishte fare thikë. Atje nuk mund të ngjitesh me ngarkesë në kurriz. Aty duhet të ecësh me këmbë e me duar. Ama Sofia është nga pesha sa dy kucure bashkë. Për mendimin tim, sado i fuqishëm të jetë djali, nuk e ngjit dot. Provën e bëra disa herë, – tha ai dhe mori frymë thellë.

Xha Kasëmit i shkëlqyen sytë. U gjallërua i tëri dhe i ndriti fytyra. Iu shtuan shpresat. Jeta e djalit mund të kursehej. U gjet një çerpi. Ja çengeli ku duhet të kapeshin gjykimet e veta tani e tutje. Në fund të shpellës kishte feks. “Të ndritë shpirti në atë botë, Brahim djali”, i tha rojtarit duke i rrahur shpatullat me dashuri.

-Grua, ç’u bëre, moj, na bjer të hamë se na griu uria, – thirri që nga larg gjithë gaz e hare.

Bashkëshortja u habit si ndryshoi i shoqi kështu, kaq pa pritur. Gjithë ditën nxinte si një kërcu, kurse ja tani… Darkën e kishte gati, vetëm fjalën e tij priste. U shtrua mësalla dhe sufraja u mbush me kulaç të situr, djathë të njomë e gjellë me mish. Brahimi, duke u përtypur ngadalë, po vriste mendjen se si do ta zgjidhte xha Kasëmi këtë lëmsh të kokolepsur kaq keq. Si do ta vinte poshtazi Kanunin, po Pleqtë? Ku do ta gjente të çarën? Ja tek ishte përpara tij, i qeshur e i gëzuar. Disa fjalë, disa gjëra të reja ia ndryshuan çehren xha Kasëmit. Ja çfarë do të thotë të kesh situatën në pëllëmbë të dorës. Të vërtetën e gjen ai që e kërkon. Edhe Brahimi ishte i lumtur që xha Kasëmit i erdhi zemra në vend, ndryshoi qindpërqind duke u bazuar në provat që ai solli nga pylli. Ja tek po hante darkë me oreks përpara tij. Nuk gabon kurrë xha Kasëmi, ja, shiheni, diçka tjetër bluan ndër mend. Zoti nuk ia kishte kursyer mënçurinë, ndaj dhe Brahimi e beson e shkon pas tij si dash manar.

Ky ishte një fshat gjysmë pagan, veç Zotit, besonin edhe në ca pemë e vende të shenjta të trashëguara brez pas brezit si tek Guri i Çpuar, Pënja e Lashtë në mes të zalli te Dëllënja shekullore nën vreshta. Shpesh betoheshin edhe për ato, por edhe për Diellin dhe bukën në vatër. Sa për fenë duhet të kujtojmë se nuk e përfillnin shumë. Në fshat nuk kishin as kishë e as xhami, nuk i pëlqenin. Në ato vite, njerëzit e asaj krahine e trajtonin njëri-tjetrin si të barabartë dhe silleshin me respeKt ndaj secilit, thjeshtë, pa bujë e pa u shtirë ndryshe nga çfarë ishin e nga çfarë thoshnin. Gënjeshtrën e urrenin të gjithë. Jetonin vetëm me blegtori. I gjendeshin njëri-tjetrit pa kursim, në të mirë e në të keq.

-Për shëndetin tënd, Brahim, kuturis të them se ke shpëtuar një djalë fshati, – i tha xha Kasëmi duke ngritur lart një gotë raki të mbushur buzë më buzë.

-Atë djalënë e shpëtofsh ti, xha Kasëm. Unë nuk e shoh të kollajtë këtë punë. Deri tani i ka pranuar të gjitha. Ku i mbushet mendja Pleqësisë me fjalët e mia. Kësaj i thonë “Tellali e shet e i zoti s’e jep”. Nuk ka faj, Pleqësia gjykon sipas Kanunit.

-Mirë, mirë, prit të vijë sabahu dhe ke për të parë edhe të zotin, edhe tellalin…

Me sa duket Kryeplaku shikonte përmes errësirës, shikonte diçka tjetër që nuk e rrokte mendja e Brahimit. Para se sa të shkonte për gjumë, xha Kasëmi e porositi rojtarin të njoftonte të dy të pandehurit e izoluar se duhet të niseshin herët në mëngjes tek vendi i ngjarjes. Duheshin bërë edhe ca verifikime të tjera. Do të ishin të shoqëruar me dy nga anëtarët e Pleqësisë dhe ai vetë. Kanuni i Labërisë jo më kot kishte lënë tri ditë afat nga vendimi deri në ekzekutim. Në ato tri ditë, qoftë të akuzuarit, qoftë bashkëfshatarët, kishin të drejtë të sillnin prova të tjera, ndryshe nga ato që kishin dalë në dritë. Sipas Kanunit, ishin në kohë, brenda afatit. Pleqësia do t’i merrte në shqyrtim faktet e reja dhe do të gjykonte përsëri nëse vendimi i mëparshëm ishte i drejtë…

***

Majat e maleve ishin larë në dritë dielli, por pylli i Spidhës ishte ende nën hijen e mëngjesit dhe dukej si i njelmët. Kopetë e deleve kishin kullotur gjatë gjithë natës dhe barinjtë me britma e fërshëllima i cytnin të ecnin më shpejt drejt staneve, ende pa i zënë vapa. Të bekuarat rendin me kokë të futur nën shalët e njëra-tjetrës. Dhëntë pëlleja mbushnin vathët dhe niste kështu mjelja e qumëshit të vaktit, pastaj secili bari shkonte në punë të vet. Kopeja do të pushonte nën tendë gjer mbasdite kur të frynte fllad e të ngrihej fresk. Atje, midis kullotës e pyllit të Spidhës, gjashtë vetë po jepnin e merrnin tek ajo rruga si vetull. Katër prej tyre ishin të armatosur. Vazhdonin të hetonin, sikur u kishte humbur ndonjë unazë në bar. Kërkonin me insistim të vërtetën gjer në fund. Xha Kasëmi e urdhëroi Brahimin të shkonte sipër, tek shkëmbi dhe aty të ruante. Rezultatin e atyre hetimeve e priste tërë fshati me ankth, jo vetëm Pleqësia. Aty ishin përqendruar të gjithë. Megjithëse Xha Kasëmi vazhdimisht porosiste të ruhej sekreti, ishte e habitshme se si ngjarjen e dinte çdo shtëpi, madje edhe ca fëmijë kureshtarë. Vetëm familjet e djalit dhe të vajzës nuk dinin asgjë. Askujt nuk i vinte mirë të quhej një lajmës vdekjesh apo përdhunimesh.

-Eja këtu, moj bijë dhe na trego ku të rrëmbeu Vullneti, – i tha xha Kasëmi, si gjithmonë i qetë e i shtruar.

Sofia, pa ngritur kokën eci disa hapa dhe ndali në mes të rrugës: “Këtu”, tha nën zë, sa mezi u dëgjua.

Tetë sy ishi ndrejtuar tek ajo.

-Vullnet, rrëmbeje vajzën dhe bën rrugën gjer tek shkëmbi, ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Veprimet e tua të jenë nakël, ekzakt si para tre ditëve, – i dha urdhër Kryeplaku.

Sofia ngriti kokën e alarmuar dhe nuk po kuptonte se çfarë qëllimi kishin këto marifete të xha Kasëmit. Dukej si një dhi në greminë, e trembur nga ujku. Një nga pleqtë buzëqeshi nën mustaqe, por askush nuk e vuri re.

-Vërvitu! – tha xha Kasëmi këtë radhë me zë të fortë e të prerë.

Vullneti e kuptoi që ajo thirrje i drejtohej pikërisht atij. E ngriti vajzën në ajër dhe ajo iu var pas qafës. “Ah, sikur të vdes këtu, mbi sup të tij”, mendoi Sofia dhe mbylli sytë.Vullneti i bëri me lehtësi dhjetë hapat e para, pastaj e përpjeta vinte më e thikët dhe atij i rrëshqisnin këmbët, por Sofinë nuk e lëshoi nga supi. Ajo nuk ishte as e gjallë e as e vdekur. Kokën e kishte varur në gjoks të djaloshit dhe në vesh ndjente të rrahurat e zemrës së tij. Sa fort dëgjoheshin at otë rrahura, dëk, dëk, dëk…

Aty nga mesi i rrugës Vullnetit po i merreshin këmbët. Si nuk i shkoi në mendje se do të bëhej prova në vend?! Po turpërohej, po dilte gënjeshtra e të dyve. Mendoi ta ngjiste të përpjetën me zik-zake dhe ashtu bëri. Mundi të bëjë kështu edhe njëzet hapa të tjera. Dy Pleqtë, Xha Kasëmi dhe rojtari po e shihnin se malorja po bëhej më e fortë dhe ai gati ngeci në vend. Bënte dy hapa përpara e përsëri rrëshqiste e kthehej më mbrapa. Xha Kasëmi po ngazëllehej dhe as donte t’ia dinte për vuajtjet e tij. Po vërtetohej parashikimi i tij. “Sofia ishte ngjitur me këmbët e saj në atë rrëpirë dhe jo e rrëmbyer, na e kanë hedhur”, mendoi. Dukej ashiqare se nga përpjekjet që po bënte, Vullneti po e mbronte vajzën me këmbëngulje e kokëfortësi. Mos vallë e dashuronte dhe kishte vënë kurban kokën e tij për nderin e saj?! Çfarë nuk bën vaki, por koka e njeriut nuk është kokë lakre, njëherë vete e vjen.

-Ke arritur gjer në mes të rrugës, – i tha Vullnetit një nga Pleqtë, tani vjen pjesa më e vështirë dhe ke vetëm një shteg, nuk mund të ngjitesh më me kojledhe.

“Kojledhe”, kështu u thoshnin atëherë zikzakeve.

Vullneti e dëgjoi qartë zërin, mblodhi fuqitë, shtërngoi shollët në zhavorishte dhe bëri edhe dy hapa të tjerë. Nuk mund të ecte më, nuk mund të bënte as një çap përpara me gjithë atë peshë mbi supe. Asnjë nga dëshmitarët nuk po e shihte kokën e Sofisë dhe ajo diçka i tha djaloshit me zë të ulët afër veshit, pastaj brofi nga supi dhe iku faqes së malit. Zuri të ngjitej me thonj e dhëmbë në rrëpirë. Dëshmitarët mbetën të habitur, çfarë po ngjante ashtu?! Po dilnin fakte të reja në dritë. Deri atëherë asnjeri prej tyre nuk kishte treguar se ajo ishte hedhur nga supi dhe kishte vrapuar. Vetëm xha Kasëmi nuk u habit. Buzëqeshi së brendshmi dhe tha nën zë se ‘femra ka futur shejtanin në shishe’. Sofia doli e para në qafë të shkëmbit. Vullneti, pa peshën e saj mbi supe, kërceu si një dre drejt shkëmbit. Aty e arriti dhe e kapi për krahu Sofinë. E mbajti shtërnguar.

-Mos na arratisen, – tha një nga Pleqtë.

Vajza nuk ka nga shkon vetëm dhe djali është burrë i besës. Nuk turpërohet para fshatit. Ai nuk është frikacak. Nuk e vutë re se çfarë qëndrim burrëror mbajti ndaj vendimit me vdekje?! – tha xha Kasëmi duke e mbrojtur me të drejtë djaloshin.

-Kthehuni mbrapa! – u bërtiti Brahimi dy të rinjve kur pa dorën e xha Kasëmit që u ngrit lart.

Njëri nga pleqtë tha se duheshin vënë në dijeni edhe katër pleqtë e tjerë. Duhet të mësonin faktet e reja, i mëshoi zërit ai.

-Vajza ka kërcyer nga supi në momentin kur djaloshi është ligështuar dhe ka vrapuar për t’u fshehur në pyll. Vullneti e ka ndjekur pas, e ka arritur dhe pastaj e ka vënë poshtë, – tha ai.

-Ky fakt nuk e shpëton, përkundrazi e bën edhe më me faj, – tha Brahimi.

-Ta marrim shtruar, – tërhoqi vëmendjent xha Kasëmi – duhet ta pleqërojnë këtë punë po ata persona që morën vendimin e parë. Mbledhja duhet të bëhet sonte. Mblidhemi pas darke të gjithë. Mendoj se edhe Sofia duhet të izolohet, duhet t’i vemë një roje nga pas. Unë mendoj se është me faj.

-Deri sa vetë Vullneti e pranon zullumin e tij, ne nuk kemi përse të akuzojmë vajzën, – tha plaku i dytë- vendimi të mbetet në fuqi, ashtu siç ishte.

-Kanuni gjykon vetëm mbi të vërteta, ka edhe një shteg tjetër. I akuzuari apo dëshmitari duhet të vijë tri here rrotull një vendi të shenjtë dhe të betohet se thotë të vërtetën. Na mbetet edhe kjo mundësi ta pleqërojmë e ta vendosim nëse ndonjëri ka dyshime, – shtoi Kryeplaku.

 

***

Në mbledhjen e dytë të Pleqësisë, Xha Kasëmi e mori fjalën i pari:

-Vëllezër, detyra jonë është të gjykojmë me drejtësi e urtësi, pa i ngrënë hakun askujt. Na ka dale një fakt i ri. Vajza është hedhur nga supi i djalit në mes të rrëpirës dhe është ngjitur lart. Kjo doli nga prova që bëmë me dy nga dëshimitarët e Pleqësisë dhe Brahimin, bekshiun. Një njeri që kërkon për të shpëtuar, sipas kësaj rradakes sime, nuk vrapon lart dhe në vend të panjohur ku nuk di në se ka shteg ose jo, por tatëpjetë, ecën poshtë, aty ku mendon se ka njerëz të tjerë që mund ta shpëtojnë.

-Dakord për sa thua xha Kasëm, por përse djali nuk mbrohet në këtë mënyrë sipas arsyetimit tënd, por e merr fajin përsipër me dëshirën e vet? – u hodh e tha përfaqësuesi i mëhallës së mesit.

-Djali ka sedër, ai ka burrëri dhe nuk bën kurrë fajtore një femër, nuk do ta lërë atë me turp. As ne nuk vendosim dot të vrasim një femër. Këtë nuk e ka parashikuar Kanuni. Ajo, Sofia mund të martohet në një fshat tjetër, mund të lindë tetë apo nëntë djem të tjerë, sa t’i dojë qejfi,- ia priti xha Kasëmi – por ne si fshat kemi nevojë për trima.

-Edhe kur flitet për jetën e tij? Dhe faktet e reja janë në favor të djalit.

-Edhe atëherë, – ia priti i vendosur Kryeplaku – unë pashë në prova se vajza nuk bëri asnjë përpjekje për të shpëtuar. Kur pa se djali nuk ngjitej dot me të në sup, kërceu nga supi dhe shkoi me vrap pas shkëmbit. Ky veprim i lindi aty për aty, ndaj nuk e ka thënë më parë, sepse nuk ka ekzistuar. Ajo po bën çmos të shpëtojë nderin e vet dhe djalit i ka hedhur trutë e gomarit. Ai bën ashtu si i pëshpërit ajo në vesh. Mendoj se Sofia ka shkuar me dëshirë tek shkëmbi. Ta shtyjmë vendimin dhe nesër, të dy, para se sa të dëshmojnë këtu, të vijnë tri herë radhazi rrotull Dëllinjës së Shenjtë, të bëjnë betimin përpara se sa të flasin.

Pleqësia ishte ndarë përgjysmë, tre me tre. Vendimin përfundimtar e kishte në dorë xha Kasëmi. Ai vendoste. Dihej, gjithë manovrën e provës ai e bëri për të përçarë Pleqësinë e thyer Kanunin. Gjithmonë mendja e xha Kasëmit ishte pesë hapa më përpara se sa e gjithë të tjerëve. Vetëm kështu mund të kursehej jeta e djalit të mikut dhe të mbahej amaneti njëzetvjeçar. Më e shumta, Vullneti mund të dëbohej nga fshati.

Labëria kishte punë të tjera edhe më të rëndësishme se sa ky halli i Sofisë. Kurveleshi së shpejti do të fillonte kryengritjen e armatosur kundër Reformave të Tanzimatit. Djemtë duheshin për luftë dhe vajzat e bëshme si Sofia për të lindur djem të tjerë. Ishte viti 1848.

Toronto, gusht 2020.

Please follow and like us: