Albspirit

Media/News/Publishing

Fotolajm/Kostumi i Lunxhërisë, pasuri kombëtare

Lunxhëria shtrihet gjatë rrëzës perëndimore të malit me të njëjtin emër, nga fshati Hormovë, në veriperëndim e deri te gryka e Suhës në jug, nga kreshta e malit të Lunxhërisë në lindje e deri tek lugina e Drinos në perëndim. Lunxhëria përfshin fshatrat: DhoksatErind, Gjat, Kakoz, Karjan, Këllez, Mingul, Nokovë, Qestorat, Valare. Relievi është malor-kodrinor me rënie graduale në drejtim të perëndimit. Pjesa e sipërme e shpatit, mbi 900 m, e ndërtuar nga gëlqerorë, ka pamje të njëtrajtshme, ndërsa pjesa e poshtme, e ndërtuar nga flishi, është e çrregullt dhe mjaft e copëtuar nga gërryerjet. Këtu ka përrenj të shumtë (përroi i Dhoksatit, i Qestoratit, l. i Nimicës etj.), që zbresin me shpejtësi të madhe në kohë reshjesh. Lunxhëria ka shumë burime ujërash karstike, sidomos pranë shkëputjeve tektonike. Pyjet janë të rralla. Kultivohej veçanërisht rrushi. Në fshatrat e Lunxhërisë para viteve 1990, në kohën e kolektivizimit të bujqësisë janë vendosur një numër familjesh vllahe (arumune), që më parë bënin jetë shtegtare. Në censusin e vitit 2008, Lunxhëria kishte 5263 banorë.

Vecoritë etnografike dhe kulturore:

Gjetjet e shumta arkeologjike në fshatrat e sotme të Lunxhërisë si Këllez, Dhoksat, Erind, sidomos qyteti antik i Antigonesë, dëshmojnë se territori ku shtrihet sot Lunxhëria ka qenë e populluar qysh në kohë të lashta.
Fshatrat e Lunxhërisë ishin të vogla, afër njëri-tjetrit, me shtëpitë rreth qendrës së fshatit, të ngjashme me shtëpitë qytetare të Gjirokastrës. Vecanërisht fshati Labovë është i pasur me monumente kulture të kultit dhe ndërtesa popullore.
Referuar statistikave kulturore dhe botimeve kushtuar kësaj treve, folklori lunxhiot është shquar për këngët, vallet e posacërisht kostumi i gruas lunxhiote.
Ndër këngëtarët përmendim Gole Prifti, Qendro Kalluci, Vasil Cuci, Koco Vasili, Qendro Cobi, Mihal Gulla, Cavo Kalemi etj; valltaret Sevasti Muco, Sofi Noti, Leni Cika, Lenica Zoi, Ica Noti, Katerina Cipi, Lefteri Binjaku, Valentina Fuqi etj.
Le të kujtojmë këtu Tartaposhin e lunxhiotëve, apo këndin e sazeve-orkestrës popullore iso-polifonike i cili u krijua si model në shtëpinë e tyre menjëhere sapo sazet, ky ansambël gjenial i krijuar për të përcjellë iso-polifoninë në kohët moderne, u krijua në Shqipëri dhe Greqi. Siç dihet këndi i sazeve është një vend qëndrimi karakteristik i formacionit IP të sazeve në shtëpitë qytetare dhe fshatare të Shqipërisë së Jugut, të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Në Lunxhëri tartaposhi  ishte ndërtuar në divan, në pjesën e sipërme të shkallëve të shtëpisë karakteristike lunxhiote. Në këndin e sazeve qëndronin dhe luanin muzikë muziktarët popullorë të sazeve, gjatë ceremonive festive (si dasma, gëzime etj), që kishte familja. Zakonisht këndi ndërtohej mbi shkallët që të shpinin në katin e dytë të shtëpisë, me pamje nga divani i katit të dytë. Këndi i sazeve ndërtohej prej druri, në formë katrore me përmasa 2 me 2 m. Në pikën më të lartë të tij, zakonisht vendosej i gdhendur në dru, simboli i muzikës-bilbili. Për muziken popullore lunxhiote shih: https://www.youtube.com/watch?v=1dKIBlLf6ds

Sa i përket veshjeve burrat mbanin në kokë feste të zezë. Shumë e përmendur për bukurinë dhe pasurinë e saj është veshja lunxhe (coha). Gruaja mbante gunën e leshtë, me ngjyrë të zezë, të zbukuruar me gajtanë me ngjyra të ndryshme; më pas u përdor coha dhe kadifeja e zezë ose blu e errët, qëndisur me fije mëndafshi e ari.
Veshjet i punonin mjeshtër vendës. Shumë e njohur është edhe vallja lunxhjote. Aktiviteti kryesor që mban gjallë trashëgiminë kulturore të zonës së Lunxhërisë është “Divani Lunxhiot”.

Please follow and like us: