Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: KRISJE E IMAZHIT PËR JETËN

 

Në nisje shkrimin e titullova “Thyerja e trarëve“, por rrugës më dolën ‘tepër’ trarët. I hoqa. Nuk ishin thyer vetëm ato. Thyerja e betoneve nuk mbeti më e rëndësishmja për mua, inxhinierin e ri të porsadalë nga universiteti. Mua aksidentalisht m’u kris imazhi për jetën!

       

Atmosfera në hapin e parë…

Ishte vera e vitit 1971, muajt e parë të punës si inxhinier në kantierin e Ballshit të NNI Fier (Ndërmarrja e ndërtimeve industriale). Pasi kalova stazhin dy-tre mujor pas Petrikës, kryeinxhinierit të kantierit, korçarit të mirë e të qetë, m’u dha detyra të drejtoja sektorin e ndërtimit të bazave të fuqishme të prodhimit të llaç-betoneve, parafabrikateve, të konstruksioneve metalike, magazinat, ofiçinën dhe parkun e madh të makinerive e mjeteve të transportit, vendosur në një shpat të butë kodrinor mbi 10 hektarë buzë Gjanicës, të sistemuara në sheshe të veçanta, lidhur mes tyre me rrugë të reja dhe të mbrojtura nga vërshimet e lumit, të gjitha në shërbim të ndërtim montimit të uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.

Ishte pikërisht ky shkaku që më thërrisnin ‘Inxhinier i shesheve’. Nuk kish ku shkonte më poshtë titullimi pas diplomimit mbresëlënës, por, i prirur qysh në vendlindje për të shijuar çdo element gazmor, bëhesha “mbret” kur më qeshnin: ʺT’i merret mendim edhe ‘inxhinierit të shesheve’, pastaj mund të vendoset! Ha, ha, haʺ!

Unë, për të mos u dorëzuar, mburresha me numrin e madh të vartësve që kisha në sektor, po shoqëria, për të nxjerrë sytë, nuk hiqte dorë. ʺKu ju kanë mbledhur, gjithë të krimburit”?! Tërë teknikët e sektorit të shesheve, nën ʺkomandënʺ time, edhe vetë quheshin ʺzogj korentiʺ. Si të ma kishin bërë kastile, ishin të padiplomuar në teknikum, thjesht muratorë  plus 6 muaj kurs kualifikimi brenda ndërmarrjes. Kuptohet, si teknikë për sheshe nuk ishin keq, ama ishin njerëz shumë të mirë, me plot dëshirë për të kuptuar dhe kryer me korrektesë detyrat e reja. Më duhej t’u qëndroja afër, të bëja më shumë mbikqyrje, por kjo nuk më lodhte, përkundër shijoja shoqërinë dhe miqësinë e sinqertë me të gjithë, përfshirë specialistët e punëtorët që përbënin një kolorit të shkëlqyer sidomos të dy krahinave, Mallakastër e Myzeqe, ku mund të shijoje, veç vetive për t’ua pas zili edhe shpotitë e këndshme krahinore.

Gjithë atmosfera e qytezës së vogël të Ballshit ndihej e ndezur nga perspektiva e saj dhe e gjithë trevës së Mallakastrës. Krenarisht tregonin se si vendin për ndërtimin e kësaj uzine, gjigande për atë kohë, e kish zgjedhur vetë kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, bir i shquar i asaj krahine, kur tha: ʺKëtu, në grykën e Aranitasit, do ndërtohet Uzina“! Dhe tirreshin sipas hamendjeve arsyet strategjike të vendosjes së saj në një grykë mes kodrash të larta, për të qenë e mbrojtur nga sulmet ajrore të armiqve që ʺShqipërinë e kishin halë në sy për sukseset dhe fitoret e saj“, sikundër propagandohej, por edhe besohej. Kjo temë strategjish ushtarake ishte temë e dashur bisedash në Ballsh. Buronte jo vetëm nga traditat luftarake të zonës, por edhe nga realiteti tejet ushtarak. Si në gjithë vendin ne, të gjithë punonjësit e ndërtim-montimit, bënim, të shpërndara në kohë, 25-35 ditë në vit stërvitje ushtarake si efektivë të dy reparteve në kodrat e Kalenjës mbi Ballsh. Uniformën ushtarake e mbanim në shtëpi apo fjetore bashkë me veshjet tona për t’iu përgjigjur në kohë rekord çdo sinjal-alarmi të mundshëm.

Puna për ngritjen e veprës kish nisur me intensitet. Vënia në punë e gjithë bazave të prodhimit, magazinimit dhe transportit kushtëzonte fillimin e ndërtimit të madh, ku momentalisht po kryheshin punimet voluminoze të sistemimit, gërmimit dhe mbushjeve masive, të drejtuara nga më i talentuari ndër inxhinierët e rinj, Spiro Sotiri. Gryka e Aranitasit uturinte nga zhurma e makinerive; dhjetëra e dhjetëra buldozerë, skrepa, eskavatorë, automjete… Po afronte koha të fillonin betonimet, ndaj u desh të punohej edhe me tre turne tek ‘sheshet’.

Mobilizimi i përgjithshëm na kish rrëmbyer. Si të mos mjaftonin 12 orë punë çdo ditë, unë shkoja edhe pas mesnate të kontrolloja punimet e turnit të tretë në shtrimin e kalldrëmeve në rrugët lidhëse të shesheve. Dhe vajtja në objekt, në errësirë të plotë, nuk ishte shëtitje e këndshme në ato fillime. Rrugët jashtë pjesës së banuar të Ballshit e bënin të nevojshëm një shkop, jo vetëm të gjatë, por edhe të rëndë e mundësisht me gungë në fund për t’u trimëruar para qenve që nuk u mungonte vigjilenca ndaj lëvizjeve në errësirë. Nuk ishte as shaka, as për të qeshur. Ia besoje jetën shkopit pa ditur taktikat dhe egërsinë e qenve të rrugës, në mirëbesim tek vetja se nuk do të të turpëronte në dyluftim. Nuk mund të mos të të shkonte nëpër mend se në raste të tilla, që në lehjet e para, qentë i vinin në ndihmë njëri-tjetrit më shpejt se njerëzit dhe rrezikonin seriozisht për shoshoqin… Ama, të rastiste të të shikonte njeri me shkop në dorë, nuk kishe ç’e doje veten. Namin e frikacakut në tërë atë qytezë nuk do mund ta hiqje, sikur të dilje edhe në dyluftim të hapur publik me qentë e rrugës.

 

Krahpërkrah me drejtorin e ‘vogël’

– Inxhinier, do ta shkelim bashkë sektorin sot! – tha drejtori në fund të takimit në zyrat e kantierit në krye të Ballshit, një barakë mjaft e mirë dërrase me katër zyra. Kalimi i tij në qendër të ʺqytetitʺ, me inxhinierin në krah, tërhiqte vëmendjen e të moshuarve ulur tek kafja e vetme e Ballshit, e quajtur ʺKafja e Shemesʺ. Stefani, një saldator me emër i porsangritur në post drejtues, përshëndetej bujshëm me veteranët, me punonjës të aparatit të komitetit dhe me të tjerë të njohur, ndërsa zëulët kthehej majtas të më tregonte mua se me cilët ishim përshëndetur…

Sa kaluam kryqëzimin e rrugës nacionale Fier-Ballsh-Tepelenë dhe filluam zbritjen në rrugën për në fshatin Aranitas, ramë në qetësi. Drejtorin, me atë komunikim të potershëm e gazmor, qetësia e kësaj pjese rruge deri tek ‘sheshet’ do ta mërziste. Kjo nuk më voliste. Do gjente në terren shkaqe për të bërë vërejtje, pse jo dhe për të bërtitur… Puna nuk shkonte vaj! Marifeti ishte ta çoja me humor të mirë në objekt e pastaj le të dilte ku të dilte, por nuk dija ç’bisedë të hapja. Nuk ia thosha. Nuk isha as kureshtar. Me një pyetje mund të vije në punë një tabor me burra. Po ç’ne? Kisha tjetër prirje. Hidhja gurin e budallait në mes të bisedës që bënin të tjerët dhe u hapja punë për ta nxjerrë…
E kaluam pa folur edhe “urën e Mitit”, Miti Kenga, tekniku që drejtoi punimet e saj. Edhe pse ura ish aq e vogël, vetëm pesë metra hapësirë, qe vepra e parë e vënë në shfrytëzim, ku do të kalonin të gjitha materialet, peshat e rënda, makineritë e pajisjet për të realizuar përgjatë shtatë viteve ndërtimin e uzinës. Kur po shkelnim mbi urë, m’u kujtua pikërisht thënia e trishtë e Mitit, kur qante hallet me shokët: ʺE fillonj gjithë qejf kengën në dasmët, por sapo më kujtohet drejtor Stefani, të briturat e tij në mbledhje, e ndërpres, më mbetet këtu, në grykët! Fitova fërtet titullin teknik, po humba këngën, ama”!

Dhe jo më kot mbante mbiemrin ‘Kenga’! I gjori Miti, i mirë te Zoti, i shkathët, i papërtuar është pak të thuhet. Mezi priste të merrte detyra dhe sapo ia lexoja ngadalë çfarë i kisha shkruar në fletushkën e porosive për të, pasi kish tundur kokën gjatë gjithë kohës, dilte me vrap nga zyrat e sektorit, i etur për t’i zbatuar… Pas tij duhet të merrja vrapin edhe unë për të parë në vend se si i kish kuptuar ato për të cilat e kish rrezikuar kokën t’i këputej…

Ndërsa doja të respektoja titullarin e kantierit që po më vinte ‘mik’ në sektorin tim, më qeshej me ç’më kujtohej për të. E ç’faj mund t’i vija drejtorit të rrugës, kur kthente kokën e më shikonte me bisht të syrit habitshëm, sikur po zbulonte ndonjë të fshehtë? Heshtjen, dakord, mund të ma justifikonte, po buzagazin që ma mbulonte e gjallëronte fytyrën sikur bisedoja me dikë, nuk kish si ta shpjegonte. Me siguri fajin për këtë fatkeqësi timen ia ngarkonte shkollës së lartë, librave, formulave… ʺIa paskan hequr trurin!ʺ- ka menduar dhe kjo përshtypje shkonte në favorin tim. Ndryshe nuk do ta shpjegoja dot qëndrimin e tij të matur e të kujdesshëm me mua, ʺçyrykunʺ.
Heshtjen tonë të lodhshme e shkundi një gjëmim kënge, sapo na parakaloi vetëtimë me biçikletë punonjësi i vetëm i vatrës së kulturës. E kish lëshuar si zakonisht në tatëpjetën nga Ballshi për tek ‘sheshet’, t’u gjendej pranë punëtorëve me programet muzikore të regjistruara. Shpejtësia nuk e pengoi të na respektonte me kokën kthyer enkas. E qeshura e tij, përveç mburrjes për shpejtësinë, dukej si tallje me reagimin tonë të trembur nga buçima e altoparlantit, montuar mbrapa në skarën e biçikletës me grykën pas, drejt fytyrave tona. Ishte bërë si avion reaktiv dreqi. Kur dëgjohej oshëtima e këngës, kish humbur ʺavioniʺ…

– E po, kur u bë, mender teje, dhe b… e Haxhiut të na shesë mend! – theu heshtjen drejtori. Altoparlanti në biçikletë ishte rrafsh tek ndenjësja, direkt pas prapanicës së Haxhiut. Ky konstatim i këndshëm i drejtorit për pozicionin e pakëndshëm të altoparlantit ma gjeti gati gazin në fytyrë…

U afruam tek rruga hyrëse e ‘shesheve’. Një makinë me rimorkio, ngarkuar me gurë, priste të shkarkohej. Sa e pa drejtori, “më iku nga duart”! Vuri këmbën tek ganxha e spondit të palosur poshtë dhe kërceu mbi gurë. Punëtorët e brigadës lanë në vend veglat e punës, kazma e lopata dhe u lëshuan për shkarkimin e makinës.
– Jo, jo, mos u shqetësoni ju! Pret puna, pret! Edhe mjetet kanë nevojë të çlodhen pak. –  e lëshoi shigjetën që nga maja e gurëve dhe me rrëmbim filloi të shkarkonte vetë poplat. Brigadier Tekiu nuk e deshi veten. Iu ulëriu të vetëve. Drejtori i vrau me pambuk. I kapi në flagrancë. Mua më dogji më keq se brigadierit. Isha përgjegjësi i sektorit ku punëtorët nuk po qederoseshin hiç, se po shkelej në mes të ditës porosia e Partisë për shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të transportit. Vonesat në shkarkim bëheshin shkak që automjetet të bënin një rrugë më pak çdo ditë që nga Ura Vajgurore: nga tre në dy rrugë. Një humbje e pafalshme! Ankesat e parkut nacional të transportit Fier shkonin deri në majat më të larta të shtetit dhe prej tyre nuk dilej pa lagur…

Sapo kuptova përse hipi si i xhindosur drejtori, u ngjita edhe unë i turpëruar t’i gjendesha në krah atij. Mendova se ai po bënte punën time. Nuk mund ta bëja sehir, më dukej se e fyeja unë vartësi i tij, por ai, që nuk i shpëtonin detajet, m’u kthye me zë të ulët: ʺIk ti, o budalla! Nuk hipa për ty unë këtu, hipa për këta ‘hajvanët’ që i bëjnë bisht t‘ia ngecin njëri-tjetrit punën e rëndë.“ U ndodha ngushtë. Keq mos hipja, më keq që hipa! Edhe të zbrisja pa shkarkuar gurë nuk shkonte. Do më qeshnin: ʺPo ky ç’pati? Përse hipi lart? Vetëm sa t’i thosh një llaf në vesh drejtori?ʺ I shkarkova nja dy-tre gurë, bëra adetin dhe zbrita i pari. ʺPo erdhi puna të shkarkojnë inxhinierët gurë e punëtorët të bëjnë sehir, lumi që na mori!ʺ – më thoshin sytë e drejtorit, që e mirëkuptoi veprimin tim.
Por le ta lëmë me penelata të rralla njollash të shkëputura konturimin siluetë të atmosferës së punës, për t’iu kthyer temës së shkrimit.

 

Përballë drejtorit ‘të madh’ të ndërmarrjes

Tek ‘Nyja e Llaçit’, objekti më i vogël i bazave të prodhimit, ishte në përfundim puna për ndërtimin e gropave të mëdha të gëlqeres me disa ndarje, për ta përdorur secilën pasi të kish përfunduar shuarja dhe stazhionimi i saj. Nxjerrja e qullit të gëlqeres nga gropat do të bëhej me një vinç të vogël ‘grejfer’ me një kovë kokëposhtë me dy nofulla të mprehta pa dhëmbë. Konstruksioni i lehtë metalik horizontal, që mbante kovën në ajër, do të lëvizte mbi shinat e vogëla të shtrira në dy trarët gjatësorë të kësaj mini-vinçure përgjatë gropave. Pikërisht këta trarë betonarme (beton me hekur) të shumëpritur, që erdhën me një ‘Skoda’ me karroceri, shoqëruar nga autovinçi tip ‘ZIS’, na u thyen.

“Po si u thyen?”, – do pyeste cilido që lexon këto radhë. “A u përmbys makina”? Jo! Trarët u thyen pa u vënë në punë. Në tokë. Gjatë shkarkimit me autovinç nga makina. Ishte një ngjarje e pazakontë, e pangjarë ndofta që kur ishte shpikur parafabrikimi i strukturave betonarme. Një “Gines” i vërtetë në Ballsh, në sektorin ku unë drejtoja punimet. Pra, nën ʺudhëheqjenʺ time!

Makina mbërriti në objekt në orarin e pushimit të drekës. Vinçieri, i nevrikosur nga ‘vonesa’ e ardhjes së teknikut, i shkarkoi vetë trarët me një punëtor të gropës së gëlqeres dhe u largua.

Unë nuk u ndodha aty. Për dreq, atë ditë drekova tek mensa e punëtorëve lart në Ballsh dhe do të nisja një porosi për në Gjirokastër me autobusët e linjës. Dërguan njeri, më njoftuan: ʺU thyen trarët!ʺ  U lëshova me një frymë në tatëpjetën nga Ballshi poshtë tek sektori dhe ç’të shoh?! Trarët e betonit vinçieri i kish hedhur si trungje njëri mbi tjetrin. Ishin plasaritur e thyer disa prej tyre. Tekniku i objektit, që nuk ishte më larg se njëqind metra, i kishte bërë shenjë vinçierit të duronte pak, ndërsa po sqaronte brigadierin gollobordas të poligonit të ri të parafabrikateve.

Dëmi i shkaktuar bëri bujë të madhe. U analizua në drejtorinë e ndërmarrjes dhe përgjegjësia për dëmin iu ngarkua, thuajse e plotë, përgjegjësit të sektorit, inxhinierit. Vlera, gati një rrogë mujore, do të mbahej përgjatë disa muajve. Motivacioni verbal ishte: ʺ… sepse inxhinieri, përgjegjësi i sektorit, nuk u ndodh në objekt në momentin e shkarkimit të trarëve.ʺ Në këtë analizë mua, ʺfajtorin“, nuk më thirrën të më dëgjonin. Nuk u quajt e nevojshme. Ndofta kanë menduar ʺNuk duam t’ia shohim sytë atij surrati!ʺ Dhe mund të kishin të drejtë. Kishin mjaftuar gjashtë-shtatë muaj pune intensive për t’u shpërfytyruar në kantier. Transformuar fytyra, nxirë e pjekur ç’kish gjetur zbuluar dielli jashtë këmishës mëngëshkurtër; veç kokës e qafës me atë V-në në grykë edhe parakrahët. Fat që nuk kishim mundësi të shkonim me pushime në plazh! Fletlejet për ndonjë nga kampet e pushimit të punëtorëve në bregdet ishin aq të rralla, sa do të duheshin vite pune për ta merituar. Ama, do dukesha si trup i sajuar me pjesë, busti me krahët të zeza, të montuara në një shtat të bardhë. Që nuk isha i bukur e kisha kuptuar pa mbërritur në kantier, para se fytyra të kthehej në surrat, por sytë ama m’i hidhnin sido që isha, bile-bile edhe shoqet, sidomos në rastet kur ç’ndodheshin përreth ma kalonin për nga shëmtia.

Por më mirë që nuk më thirrën në analizë! Unë vetë e ndieja veten fajtor thjesht nga mendimi se po të kisha qenë në objekt, nuk do të ndodhte ajo që ndodhi. Ndaj do ta kisha pranuar fajin me bindje. Kur e mendoj çuditem. Faji nuk ishte aspak i imi. I vetmi faj imi ishte se mungova një orë pas pushimit të drekës. Ç’ishte ajo gatishmëri e imja për të mbajtur mbi supe fajin që nuk më takonte? Dhe nuk ishte shenjë nënshtrimi. Pranimin e fajit e bëja me ndërgjegje. Autogol i qëllimshëm! Shyqyr që nuk e kisha në sensin tjetër, që fajet e mia t’ua hidhja të tjerëve! Po edhe kjo që kisha nuk ishte pak dhe përbënte kosto.

Duke e risjellë në kujtesë ngjarjen dhe pasojat, mendoj se vendimi i drejtorisë për të ma faturuar fajin, ngaqë nuk u ndodha një orë në objekt, ishte i gabuar. Më kanë rënë më qafë! Nuk kishim asnjë njoftim se trarët do të vinin pikërisht atë ditë! Po ta dija nuk do të lëvizja dhe, doemos, do të kisha qëndruar afër procesit të shkarkimit. Isha fare i ri në punë, por i lidhur me shpirt me të! Mua mund të më dënonin, jo pse nuk qëndroja në objekt, por sepse nuk shqitesha prej tij! Mbrëmjeve vonë ikja nga kantieri me kokën mbrapa. Më entuziazmonte gjithçka ishte ndërtuar e ngritur atë ditë. Profesioni i ndërtuesit më kishte hipnotizuar … . Ku ma gjetën?!

– Ore inxhinier, fiks mendjen tënde paska pas edhe drejtoria kur të dënoi. – mund të thotë lexuesi. Po të ishe ti, nuk do thyheshin trarët; mungove ti, u thyen! Ç’dreqin ke që ankohesh se të kanë rënë më qafë?

Sot, në moshë të thyer dhe me eksperiencë të gjatë pune si inxhinier e drejtues, e gjykoj ndryshe rastin. Nuk do të lejoja kërkënd të abuzonte me gatishmërinë rinore të inxhinierit për të mbajtur përgjegjësinë që nuk i takonte. Përkundrazi, do ta falënderoja për gjestin. Jam mrekulluar, kur këtë lloj qëndrimi drejtuesish e kam hasur në jetë dhe natyrshëm i kam ‘kopjuar’.
Po t‘i kthehemi idesë se prania e inxhinierit ishte e domosdoshme, lind pyetja: Përse u krye shkarkimi pa praninë e tij? Kush e kish urdhëruar vinçierin: “Gjen, s’gjen inxhinierin, hidhi trarët nga makina dhe kthehu në Fier”?!

Po a ishte vërtet e domosdoshme prania e inxhinierit për shkarkimin e trarëve të thjeshtë nga karroceria në tokë? Absolutisht, jo!

Vetiu, sot më krijohet bindja se vinçieri i ka thyer me dashje trarët! Po, po! Mos u çuditni! Ajo lloj kapice me majë e trarëve mund të realizohej duke i shkarkuar trarët të kapur vetëm në njërën dhe jo në të dy ganxhat e ngritjes dhe uljes.

Për ta shpëtuar vinçierin nga akuza se ‘trarët i hodhi si kërcunj qëllimisht për t‘i thyer’, duhet të pranojmë se ai nuk dinte si t’i shkarkonte. Por përgjigjia ʺSiç i ngarkoi, t’i shkarkonte!ʺ rrëzon padijeninë e tij. Përveç kësaj në objekt ishte tekniku dhe brigadieri dibran me eksperiencë të gjatë. Ai as ata nuk i priti t’u dorëzonte mallin. Kush ishte pritësi i mallit? Kujt ia dorëzoi vinçieri trarët?

Të bën përshtypje kokëfortësia e tij, këmbëngulja inatçore, deri sa e mbylli me ʺsuksesʺ të plotë procesin e shkarkim-shkatërrimit. Krisjet dhe thyerjet kanë ndodhur jo vetëm në një çast, ‘krau!’. Krisjet janë përsëritur disa herë gjatë shkarkimit të njëpasnjëshëm të gjashtë trarëve nga pesë metra të gjatë. Ai nuk është ndalur, as kur ka parë të përthyhen linjat e drejta të trarëve! A mund të justifikohet kjo vetëm me papjekurinë e vinçierit? Jo! Asnjë vinçier në botë nuk mund të shkarkojë elementë betonarme hedhur pirg mbi njëri-tjetrin, pa mbështetëse nën element, pikërisht aty ku ka ganxhat, ku kapet me kavo për t’u ulur.

Mirë vetë vinçieri, po si mund të kuptohet përjashtimi i tij nga përgjegjësia në drejtori? Këto pyetje, që sapo renditëm, a u bënë në analizën e drejtorisë për vlerën e dëmit dhe gjetjen e fajtorit?

Pas dëmit ekonomik të thyerjes së disa trarëve dhe pasojës përvëluese, vonesë për fillimin e ndërtimit të uzinës, vinçieri, për çudi, është pritur si ʺheroʺ në drejtorinë e ndërmarrjes. Në mos gaboj, me një vërejtje, që edhe po t’i jetë dhënë, nuk e di se ku ia kanë shkruar. Pra nuk u konsiderua dëmtues i pasurisë socialiste, por si person i dëmtuar në dinjitet nga vonesa që i ishte shkaktuar në objekt. Inxhinieri i objektit nuk i kish dalë para me një tufë me lule të priste vinçierin, tekniku, po ashtu, ishte vonuar t’i shërbente … Gjithë ʺtë këqijat e botësʺ paskëshin rënë mbi manovratorin, që nuk i mbetej rrugë tjetër, veçse të shkarkonte si të mundte ngarkesën e të ikte, të shpëtonte!!

Ç’e mbronte vallë vinçierin?

Mund të duket e çuditshme, por kishte filluar të ndihej frymë mbivlerësuese për të pak-shkollët me eksperiencë pune dhe disi nënveftësuese për të arsimuarit me shkollë të lartë. Ndonjë mangësi e inxhinierëve të rinj, nga mungesa e eksperiencës, reklamohej me nota humori. Ishte eksperienca, pastaj shkolla! Prania e kësaj fryme e favorizonte vinçierin…

Por thjesht atmosfera favorizuese nuk mund t’i jepte vinçierit krahë të bënte marrira, të thyente në mes të ditës trarët. Në se ai rast do të ishte analizuar ashtu siç gjykohej në atë kohë, vinçieri do të kalonte për ndjekje penale me akuzën ‘Dëmtim i pasurisë socialiste me pasojë pengimin e ndërtimit të uzinës’ dhe nuk do kish frymë, as frymor, që ta shpëtonte.

Një minutë, i dashur! Pikërisht kjo mund të jetë arsyeja e gjithë kësaj meseleje të habitshme. Ndofta, drejtori prandaj i ra shkurt për ta mbyllur atë muhabet pa gjyqe e dënime nga organet e drejtësisë dhe e transferoi fajin nga ʺMe dashje!ʺ (vinçieri) në ʺPa dashje!ʺ (inxhinieri), duke ndërruar, i detyruar, edhe fajtorin.

Sikur të ishte e vërtetë kjo, do ta kisha vlerësuar së tepërmi edhe sot drejtorin, por fatkeqësisht vazhdimi i kësaj historize tregon se nuk është kështu. Ndryshe, më pas titullari do ta gjente mënyrën për ta çliruar viktimën e pafajshme nga gjoba e pamerituar.

Ngjarja, mor zotni, ishte tronditëse. Ashtu si punoi manovratori i autovinçit “ZIS” (Zavod Imjeni Stalin = uzina me emrin Stalin) mund të kishte aksidentuar edhe punëtorët në objekt. Vinçieri u soll sikur të ishte ai vetë Stalini, të cilit nuk i kish dalë njeri para ta priste, e jo vinçi me emrin ʺStάlinʺ. Vetëm për rrezikshmërinë e jetëve i duhej hequr e drejta e manovrimit të vinçit. ʺPrit, mos u nxito edhe ti në marrje masash të rrepta!ʺ – i thirra mendjes dheee: ʺKujt do t’i ngarkohej përgjegjësia për aksidentin, në se do të kish ndodhur?ʺ ʺPse, edhe për aksidentin përgjegjësia do të binte përsëri mbi inxhinierin?ʺ ʺNuk është çudi!ʺ ʺAaaau! Shiko, shiko! Domethënë, unë, duhet t’i isha mirënjohës vinçierit që arriti të thyejë trarët pa shkaktuar aksident?!ʺ ʺPooo!!ʺ Hajde manovrim, hajde! I shkëlqyer! Nuk mbetet tjetër, veç të mendosh: ʺSa modest manovratori! Si nuk pretendoi të dekorohej për hatanë që gatoi në Ballsh?!ʺ

Në përpjekje për ta shpëtuar drejtorin e madh nga përgjegjësia për padrejtësi, më shumë do të besoja se ai e pat gjykuar të dobishme të bënte shembull një rast të tillë. T’i thërrisnin mendjes të gjithë, sidomos inxhinierët, shumica të porsadalë nga universiteti, të cilët i priste një punë e jashtëzakonshme për ndërtimin e gjigantit petrokimik në Ballsh. Ia vlente një kurban! Kjo më kujton atë thënien për burrin e vetënevrikosur që i këputi kokën maces së pafajshme për të terrorizuar nusen e re, sapo kjo futi këmbët në shtëpi. Por ngjashmëria është e diskutueshme. Në rastin tonë drejtori ngatërroi ‘macen’, vinçierin, me inxhinierin … .

Përse i je qepur vetëm drejtorit të ndërmarrjes për penalizimin që të është bërë? Ti sot e di më mirë se shumëkush që drejtorit ia kanë servirur situatën. Kokën në gijotinë ta kanë vënë të tjerët. Drejtori thjesht hoqi pengesën…

Autorësinë e mësova para se të përfundoja shlyerjen e vlerës së dëmit. Spirua, shok i hershëm, inxhinier një vit para meje në po atë ndërmarrje, i kërkoi kryeinxhinierit të ndërmarrjes të ulej masa e dënimit. Nuk e shtyva unë ta bënte këtë lutje, por atij i dhembte më shumë se mua, sidomos kur dalloi se nuk pranoja në shoqëri të më qerasnin. Tabiatet e Gjirokastrës na ishin ngulitur gjer në kockë. ʺMos prano qerasje, pa qenë i zoti ta kthesh!ʺ E kuptonte se dimrin e atij viti unë do ta kaloja me pantallonat e dokut që nuk i hiqja nga trupi, veç kur i laja, ditën që ia justifikoja vetes pushimin, në pritje për t’u tharë.

Kjo ndodhi në fundjavën që kalova në Fier tek shokët e mi të kursit, inxhinierë në të njëjtën ndërmarrje, Kristua e Spartaku. Ndërsa po darkonim tek mensa e punëtorëve të NNI-së, Spirua thirri kryeinxhinierin sa e pa dhe e ftoi të qëndronte bashkë me ne. Ai po afrohej dhe në pritje patëm kohë të dëgjonim portretizimin e tij, sojlli me vlerat më të larta njerëzore. Këtë përshtypje ta linte që në pamje. Një buzagaz tejet i çiltër, shikim dashamirës, gjithë respekt, bile edhe të ndrojtur. Unë nuk u ndjeva mirë. Nuk më shkulej ndjesia e fajit. Mendoja se kryeinxhinieri po sakrifikonte të qëndronte afër meje.

Të befasonte afërsia e  shokut tonë me titullarin e ndërmarrjes. Si e kish arritur vetëm me një vit pune para nesh? Por kish qenë ndërtimi me aksion i naftësjellësit, rreth dyzet kilometra të gjatë, nga Gorishti deri në Patos, ku Spirua kishte lënë nam. Ishte i paparë! ʺO Dionisʺ, – i foli në emër, – ʺshikojeni një çiçkël atë gjobën për Shpëtimin, uljani, se gjinahʺ! Kryeinxhinieri, pa hezituar dhe pa i bërë dredha plumbit, gjthë seriozitet iu kthye: ʺSpiro, dakord me ty jam edhe unë, por është vendim personal i drejtorit, nuk të premtoj dot”.

Ai hall, në momentin që ndodhi, më kish gjetur fillikat, si të lëshuar me parashutë në Ballsh. Që nga 15 janari i ‘71-shit flija në hotelin e madh të pambaruar të punëtorëve, sistemuar në një ndarje të vogël, pjesë e sipërfaqes së banjave të përbashkëta. Strehimi në të ishte privilegj, sepse dhomat e hotelit ishin mjaft të mëdha, për pasojë shumë të ftohta dimrit. Shokët e tjerë do të vinin pas disa muajsh, me transferimin në Ballsh të të gjithë drejtorisë së ndërmarrjes. Nuk e mbaja të fshehtë detajin se flija në banjat e hotelit, bile pa sqaruar hiç se ato nuk ishin vënë ende në përdorim. Dëgjuesve iu shkaktonte një lloj ndjesie që iu deformonte fytyrën. Ndofta më merrnin edhe erë me qëllim verifikimi se deri në ç‘ shkallë isha pjesë e WC-ve të punëtorëve… Nuk pati asnjë reklamim, por meritën nuk ma do mendja të ma kenë akorduar mua! Mund të kenë menduar: ʺSa të pastër punëtorët e ndërtimitʺ!

Nuk e di, por, edhe pse bëra çmos për ta mbrojtur, ndihem përsëri në pozitë të vështirë kur i jap vetes të drejtën të gjykoj eprorin tim të parë. Mësuesit, para se të gjykohen, nderohen! Eprorët e punës në përgjithësi kujtohen e respektohen si ‘mësues pas përfundimit të shkollës’. Veç shikohen me sy kritik prej të rrituri, se shumë shpejt bëhesh koleg me ta. Të gjithë eprorët lënë gjurmë. Sekush prej tyre na ka mësuar diçka. Edhe nga drejtorët e pakshkolluar ka pas çfarë të mësoj, bile gjëra që nuk mund t‘i mësosh nga të shkolluarit. Por sot kam ngecur në gjurmët e eprorit të parë. Nuk di si ta shpëtoj atë nga faji. Sjellja e tij ndaj një inxhinieri të ri, të sapo futur në punë, që ka nevojë, sëpari e mbi të gjitha, për drejtësinë që iu mohua, m’i pret krahët. Në fund të fundit, ai le ta shpëtonte vinçierin, që flitej se ishte njeriu i vet*, por pa ia ngarkuar atë faj një tjetri.

Por do vazhdoj të rezistoj. Nuk do t’i bie më sëpatë: ʺDrejtori i madh u tregua mjaft i vogël, i padrejtë, keqdashës, i pashpirt…ʺ. Do të duheshin edhe mjaft shembuj të tjerë të ngjashëm, që të arrihet në një konkluzion të prerë . Dhe këta, shembujt e tjerë, unë nuk i kam dhe nuk dua që të ekzistojnë, ndaj do të doja t’i gjeja një përgjigje pyetjes: ʺÇfarë e mbante të qetë ndërgjegjen e tij si njeri, kur mori vendimin e ‘famshëm’?ʺ Në kërkim të një arsyeje, dashur-padashur dal tek këndvështrimi i tij politik.

ʺVaret nga këndvështrimi!ʺ – ishte shprehja që dëgjohej shpesh në atë ndërmarrje. E citonin sidomos drejtorët e ‘vegjël’ të kantiereve të mëdha, saldatorë, muratorë e montatorë, ngritur në detyra drejtuese pavarësisht arsimit të kufizuar me katër apo shtatë klasë shkollë. Dhe nuk harronin ta përmendnin publikisht emrin e profetit, drejtorit të ‘madh’, si autor të thënies ‘filozofike’, i cili, në këtë rast, me një gur vrau dy zogj. Vrau të vërtetën, vrau dhe ‘armikun’. Të dhënat politiko-biografike, të mara nga ‘Dega e Kuadrit’, i kanë hapur horizont, e kanë çliruar dhe e kanë inkurajuar të mos hezitojë… Përgjegjësia nuk u gjykua. Ajo thjesht u paragjykua me formulën ʺFajin e kanë gjithmonë ‘armiqtë’!ʺ

Kur të lexojnë këtë shkrim, do të habiten shokët që mbërritën më vonë në Ballsh. Nuk e kam përmendur dhe me kohë m’u fshi nga kujtesa. Inxhinier Spiros mund t’i kujtohet, familjarët mund të preken! Prindërit e mi, që për ʺfatʺ nuk jetojnë, shpëtuan nga përjetimi i kësaj dhimbjeje! Shkak për harresën mund të jetë bërë transferimi shumë shpejt prej asaj ndërmarrjeje i drejtorit të madh. Qëndroi si i tillë në një periudhë kohe me pak ngarkesë, pas ndërtimit të kompleksit të madh industrial, uzina e Azotikut me TEC-in 100 MW në Fier dhe para fillimit të ndërtimit të kombinatit të përpunimit të thellë të naftës, UPTHN në Ballsh. Fytyra që do të ma rikujtonte nuk më delte më para. Duke mos pas kohë për t’u njohur mirë me eprorin e parë, do të doja ta mbyllja me ʺNdofta për të ka qenë i vetmi rast në jetë!ʺ Kuptohet, as si inxhinier nuk e njoha dot, veç koha më mësoi se profesionistët e zotë nuk e përdornin prizmin politik për ta thyer ‘dritën’.

Po tek unë si mund të ketë ndikuar ky lloj penalizimi? Nuk e di! Veç, njeriu nuk ka nevojë të ketë pësuar padrejtësi për të qenë korrekt. Sot ndiej keqardhje, si të bëhet fjalë për një tjetër. Si më kanë keqtrajtuar ashtu? Isha i këputur. Mënyra e përballimit më kujton atë thënien e plakut të mençur të Mallakastrës, xha Lazes, Laze Pashës nga Cfiri: ʺFukarallëku është i ëmbël, Shpëtiiim!ʺ Sa kuptimplotë, krahasuar me halle të tjera! Dhe me të vërtetë, dëmi më i madh që m’u shkaktua ishte imazhi i rremë që mora për jetën në hapin e parë të saj, pasiguria, dyshimi, prapaskenat, mosbesimi, pabesia, keqdashja dhe kjo vazhdoi deri sa e përjashtova këtë rast të hidhur si një referencë. Nuk ishte simbolik për jetën as në diktaturë.

Shumë shpejt, pa pritur të kalonin shumë vite, mësova se sundonte tjetër mentalitet në sistemin e ndërtimit. Në ngjarje avarish, kur nuk kishte viktima, në përgjithësi, pas fasadës së rreptë, qysh nga titullarët e dikasterit bëhej çmos të mbrohej personeli nga goditjet e verbra ligjore, edhe kur u imponoheshin nga organet paralele të sistemit diktatorial. Vetë ndërmarrjet çastisnin ta ulnin vlerën e dëmit dhe të kryenin me shpejtësi të madhe korrigjimin e defektit, të pakësonin kohën e zhurmës dhe tensionit.

Po familja?! Eeh, sa mirë që nuk iu tregova prindërve në Gjirokastër! Çfarë dëshpërimi do t’i kish pushtuar! Që të katërt, me motrën dhe vëllanë e vogël gjimnazistë, do shtrëngonin me vetëmohim rripin përsëri tek vrima e fundit, aty ku e kishin pas para se të shtohej edhe kontributi im në familje.

Si të mos mjaftonin tërë telashet, do ndihesha i turpëruar edhe para punonjësve të PTT-së së Ballshit, që më prisnin dy herë në muaj për postimin e gjysmës së rrogës. Isha bërë si djalë i shtëpisë aty. Nuk më pyesnin për adresën në Gjirokastër, as për shumën. I dinin, por këtë radhë po më prisnin me keqardhje, ndërsa gjoba mbi mua kish marrë dhenë. Aq ishte Ballshi! Dinin saktë firon e rrogës sime, ndaj nuk u çudita kur më pyetën: ʺSa?ʺ, në momentin e postimit të rrogës. Përgjigjja ʺSi gjithmonë!ʺ m’u duk se qe shkaku që dora e punonjësit ngriu për një çast. Ngriti sytë, më pa, tundi kokën në mënyrë të pakuptimtë dhe si i numëroi lekët, plotësoi dokumentin e postimit telegrafik të shumës.

Ato muaj u mblodha si urithi. Nuk e pata të lehtë, ngaqë bëja jetë shumë të thjeshtë dhe tejet ekonomike. Nuk kisha çfarë të kurseja më! Duhanin nuk e pija, që ta pakësoja. Alkool nuk përdorja fare. Kafja ende nuk po më shijonte, pa lere ta kisha të domosdoshme. Borxh nuk mund të merrja, kategorikisht. Kjo ishte e sanksionuar në ʺKushtetutën e Gjirokastrësʺ! Ndërpreva çdo shpenzim, asnjë lekë mënjanë, rrallova edhe shkuarjet në Gjirokastër, por, pavarësisht të gjithave, ajo që më nderoi ishte rënia në peshë… E, të gjitha këto nuk i konsideroja sakrificë. Aspak! Llogari i jepja vetëm vetes. Thjesht gjeta mënyrën për ta kapërcyer sikletin dhe ndihesha i qetë. Nuk kisha kohë të merresha me vogëlsira të tilla. Etja e shtuar për punën, nuk i linte radhë urisë…

Nga fundi, nuk e kujtoj dot saktë, por si në mjegull më vërtitet ideja se kam shijuar edhe amnistinë. Ndofta një apo dy këste gjobe, falë interesimit të kryeinxhinierit. Do ta kem përjetuar i lumturuar si shtesë rroge… Do kem qerasur… ! Kjo dreq kujtese, si tinzare! Do të më kish nderuar më shumë po të mbante mend mirëbërësin, atë që më fali, se sa keqbërësin që më dënoi dhe sa me vend do të qe të shkruaja me mirënjohje për ata që u përpoqën të më ndihmonin, se sa për ata që më penalizuan, por, si ballkanas, le të mos ma venë re. Besoj, nuk jam i vetëm e as i rrallë në këto anë. Qejfmbetja, me ç’duket, nuk e ka të lehtë t’ia lëshojë rrugën mirënjohjes!
I nderuar drejtori im i parë, nuk besoj se mund t’ju kujtohet kjo ngjarje, edhe sikur të ketë qenë e vetmja në jetën tuaj. Ca më mirë! Unë, i pësuari, ju kam falur, por, lutem të më falni edhe ju! Me gjithë përpjekjet, nuk munda t‘ju shfajësoj plotësisht nga përgjegjësia…

 

Inxhinier Shpëtim Emiri

Korrik – gusht 2020                                                                                                                                 

 

* – Nuk u interesova kurrë të mësoja se sa e ngushtë ishte lidhja e drejtorit me vinçierin, veç asaj që flitej se familjet e tyre kishin ardhur në Fier rreth viteve ’30 nga e njëjta krahinë jashtë kufijve shtetërorë të pas ‘44-ës.

Shpëtim Emiri: Me një këmbë tek dera e burgut…

 

 

 

Please follow and like us: