Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: Me një këmbë tek dera e burgut…

Tregim

 

I bie të ketë qenë vera e vitit 1980…

Ai hyri furishëm në degën teknike të ndërmarrjes. Derën, shtyrë fort, e la të hapur plotësisht dhe me hapa të rëndë iu drejtua tavolinës së lirë të vizatimit. Jo vetëm mënyra e vrullshme e hyrjes, por sidomos pakujdesia e tij për ta mbyllur derën, bile ta mbyllte me kujdes, të shlyente sadopak vrazhdësinë e tij të çuditshme, të pazakontë, na la përshtypje të keqe. Ne të dy, me inxhinier Petraqin, kryetarin e zyrës, e lamë punën dhe po ndiqnim veprimet thuajse të papërgjegjshme të inxhinier Ladit, që ende pa u ulur në karrige, me lëkundje trupi si të ishte në ndonjë varkë, shkarkoi gjithë duf e shqetësim me fjalë të shkoqura një brengë që po e mundonte:

– Këtu, një nga ne inxhinierët do futet në burg!

Ishte pasdite vonë. Na befasoi dhe acaroi me furinë e hyrjes, por na tronditi me deklaratën rebele, therëse… kokëprerëse. Ishte kohë e papërshtatshme për të pritur e duruar të tilla lajme. Për shumë nga kolegët tanë në ndërmarrje të tjera, pa lëre në institucionet shtetërore, ishte orar dremitjeje, në mos gjumi, para shëtitjes së mbrëmjes. Vapa e madhe dhe ajri i rënduar që nuk guxonte t’ua prishte përgjumjen gjetheve në pemë, shaluar lodhjes sonë në punën pa ndërprerje deri në orët e vona, në ditët më të gjata të vitit, mund të të plogështonin, të ta dobësonin sistemin nervor në atë fare feje, sa të të binte të fikët.

Inxhinieri sapo kish mbërritur nga kantieri i Beratit, ku ndërtohej shtesa e kombinatit të tekstileve ʺMao Ce Dunʺ. Emri i kryetarit Mao qe hequr në vitin 1978, pas prishjes me Kinën, por në kujtesën urbane qarkullonte si të qe gur kilometrik. Shtesa përbëhej nga dy reparte të reja, i filaturës me teknologji franceze dhe i ngjyrosjes me teknologji çeke. Në ndërmarrjen tonë zyra e degës teknike ishte kthyer në një lloj teqeje. Nga mëngjesi në darkë hynin e dilnin personeli inxhiniero-teknik i tërë kantiereve. Për çdo problem që u dilte gjatë punës, aty do “faleshin”. Të papriturat ishin të zakonshme dhe personeli i degës teknike ishte ambientuar me përballjen. Projektuesit e instituteve ndiheshin mirë, kur projekti i tyre binte në duart e NNI Fier. Një pjesë e mirë e defekteve të mundshme parandaloheshin para zbatimit.

Por problemet në atë lloj ndërmarrjeje buronin nga dheu. Kantieret konsideroheshin si fusha të minuara, ku “plasjet” ishin të zakonshme. Kjo nuk ishte shenjë çorganizimi. Jo! Aspak! Ishte natyra e punës në objektet e mëdha industriale me teknologji të komplikuara. Befasitë, duke filluar që nga formacioni jo uniform i tabanit deri te kombinimi i projekteve të të gjitha specialiteteve, por dhe kushteve jo ideale të zbatimit, pa përjashtuar gabimet njerëzore, nxirrnin pa pushim probleme që duheshin zgjidhur. Ndaj thënia “Gjetkë nisesh, gjetkë sosesh” aty mund të përdorej natyrshëm.

Pikërisht atë ditë, kur Ladi na nderoi me sihariqin e burgut, unë mund të mos ndodhesha në atë zyrë, por, si për fat, pas një shkëputje një vjeçare, komanduar të drejtoja punimet e ndërtimit të fabrikës së tullave në Sarandë, më kishin kthyer tek “vendi im” si inxhinier i cilësisë pranë degës teknike, ku punonim si ansambël. Do të ndihesha borxhli po të mos shtoja se ngarkesën e gjetjes së zgjidhjeve nuk e mbante vetëm dega teknike. Inxhinierët dhe teknikët e kantiereve nuk vinin të zbraznin problematikën që u kish lindur gjatë punës, por sillnin edhe zgjidhjen e menduar prej tyre në konsultim me specialistët e brigadave dhe shpesh u mungonte vetëm miratimi ynë me shkrim. NNI Fier pati specialistë të jashtëzakonshëm.

Shumë rrallë qëlloi aty që paqartësitë e projekteve të përdoreshin si shkak për të mbuluar mosrealizime. Ndonjë individ i tillë mbeti me emër. Me sa më kujtohet, ishin të ardhur, gjatë rrugës, nga ndërmarrje të tjera, jo “lerë e rritur” në NNI Fier, me tjetër frymë përkushtimi e bashkëpunimi në punë.

Nga bomba e hedhur dhe plasur në ajër prej inxhinier Ladit, ne, të ndodhurit atë moment në zyrë, kishim mbetur “të gjakosur”. Nuk kish nevojë për viktima të tjera. Mjaftonim ne të tre për ta zgjedhur njërin nga ata që kish taksur i porsaardhuri: Një nga ne inxhinierët do futet në burg!

Ç’është e vërteta, që “duheshin futur” ca inxhinierë në burg, të gjithë mund ta kishin ndjerë, thjesht ngaqë ishte bërë si rit në Shqipëri burgosja e specialistëve nga të gjitha fushat e jetës. Ama, se na kish ardhur radha neve, kjo nuk na kish shkuar nëpër mend. Zaten këtë nuk e patën menduar asnjeri prej atyre që një ditë të bukur u kishin vënë prangat. Po ky dreq Ladi nga e kish marrë vesh atë punën e burgut për ne?!

Sinqeriteti i tij të trembte. Ai nuk dinte të sajonte, as të bënte shaka të tilla. Pastaj ai shfrimi i tij ishte i dalë nga shpirti, nuk ishte interpretim. Të ishte lojë, do të duhej ta rendisnim atë me aktorët dramatikë nga më të mëdhenjtë e botës.

– Si është puna Ladi? – mund ta kemi pyetur të dy njëherësh lajmëtarin, i cili kish bllokuar të gjitha kanalet në marrje dhe vetëm transmetonte si spikerët e radiove në kohën e luftës.

– Se do jem unë, inxhinieri i kantierit, se do jeni ju të ndërmarrjes, apo vetë projektuesit, unë nuk e di, po që, minimumi, njeri nga inxhinierët do futet në burg, këtë e di si buka që ha! – vazhdonte të shprehte dertin që e kish përfshirë tërësisht dhe e kish torturuar gjatë gjithë rrugës nga kantjeri deri sa mbërriti në zyrat e NNI-së, te rruga e  azotikut në Fier.

Ishte i djersitur. Behar, vapë, po më shumë ishin djersë sikleti. Pyetjen tonë as nuk e dëgjoi fare. Ishte në botën e vet. Alarmi i tij nuk kish se si të mos na përfshinte edhe ne, pavarësisht se nuk e dinim shkakun. Përmasat e mëdha trupore të Ladit e bënin edhe më dramatike thënien, por, më duhet ta përsëris, sinqeriteti i veçantë i tij të fuste dridhmat.

Zhurma e çjerrë që lëshoi karrigia nga spostimi, kur ai u ul i lëshuar, të shtinte të mendoje se Ladi nuk u ul, po ra në të. Të gjorat karrige viheshin në siklet edhe kur ai ulej me kujdes. Alamet djali i shëndetshëm, dukshëm mbi njëqind kile! Pasi e shkarkoi ngarkesën e rëndë shpirtërore me ato fjalë aq të “qëlluara” që lëshoi, dhe si dalloi shqetësimin në fytyrat tona, i lehtësuar disi, vazhdoi:

– A e mbaruam me sukses hidroizolimin e soletave të çatisë në zgjerimin e kombinatit?

– Po! – iu përgjigjëm.

– Jo, jo! – tha me zë të mekur. Kemi gënjyer veten! Shtresat hidroizoluese me tre duar karton katrama po u rrëshqasin çative të njëpasnjëshme të të dy reparteve shtesë!

Murmuritja e tij largoi tymnajën e “plasjes” për të parë ne pasojat e shpërthimit. “Këtë”, – vazhdoi ai, – “specialistët në kantier e pikasën para ca ditësh dhe po e vrojtonin. Nuk po u besonin syve. Sot ma plasën mua! Shkarja e hidroizolimit nuk është fenomen i lokalizuar pori përgjithshëm në mbulesat tip ‘shede’.”

Përshkrimi i këtij fenomeni të rrezikshëm dhe me përmasa totale, na balsamosi! Ishte e tmerrshme! Imagjinonim shtresat hidroizoluese që vareshin, njerëz që rrëshqisnin… Ky tip mbulese, e quajtur ‘shede’, përdorej për mbulimin e godinave industriale me sipërfaqe të mëdha, veçanërisht në industrinë tekstile dhe mekanike. Pamja anësore e mbulesës ngjasonte me dhëmbët e njëpasnjëshëm të sharrës. Secili dhemb kishte faqen vertikale rreth tre-katër metër të lartë, plot me dritare, dhe soletën e pjerrët, mbi tetë metër, që lidhte kokën e dritareve përpara me fundin e dritareve të rreshtit pas.

Ne po bluanim shkakun e rrëshqitjes së mbulesës hidroizoluese. Mastika bituminoze që ngjiste karton katramanë mbi soletën e pjerrët zbutej nga i nxehti përvëlues dhe vetë pesha e saj e tërhiqte poshtë.

Nuk më kujtohet se si u ngrysëm dhe si u gdhimë atë natë nëpër shtëpi. Sa mirë do ishte të mos gdhiheshim! Ishte një natë pa fund. Të dërmuar, sa mbylleshin sytë në jastëk, gjendeshim  mbajtur si majmunë mbi çatitë e pjerëta të e kombinatit..!

Zilja e orës më shkundi. Kërceva në këmbë. Ime shoqe mungonte. Sa ndjeu zhurmë doli e shqetësuar nga dhoma e fëmijëve.

– Sa ëndrra të këqija ke parë mbrëmëëë?!

– Çudi e madhe, kam fjetur top! Duket, vapa, vapa…!

Nuk tregoja kurrë në familje për hallet e punës, as në raste ekstreme, kur burgu ishte përcaktuar si alternativë banimi në vazhdim dhe kur familja duhej njoftuar, së paku për korrektesë, se një pjesëtar i saj do të mungonte për një kohë të gjatë, ndofta me vite… Kryefamiljari!

Ime shoqe, inxhiniere në ndërmarrjen komunale në Patos, ishte më e ngarkuar se unë. Do zgjonte, ushqente e përgatiste dy fëmijët dhe do t’i lëshonte, një në kopësht, një në çerdhe, në Fier. Nxitonte të kapte autobusin urban, tip fisarmonikë, për të mbritur në Patos para orës 7.00. Emri ‘fisarmonikë’ zbuste disi peripecitë e udhëtimit, sidomos luftën e pabarabartë për të hipur, pse jo dhe përpjekjen për t’u mbajtur diku, shpresëhumbur për t’u ulur, të cilat duhet t’i harroje sa zbrisje pas mbi gjysmë ore deri një orë, për t’ua lënë vendin telasheve në kthim. Si të kish punuar mirë tetë orë, ajo do të nxitonte të kthehej me “fisarmonikën”, të merrte fëmijët, mbetur nga të fundit, të psoniste, të gatuante, të kryente detyrat e nënës dhe të amvisës në shtëpi dhe, si të mos i mjaftonin të gjitha, të dëgjonte edhe skoturët* (kokëçarjet) e mia, qershinë mbi tortë!

Padashur isha kthyer në “harramin” e shtëpisë! Menatë ikja, natën kthehesha. Puna nuk të thoshte kurrë “Ik”1 Serioziteti në punë ishte tipar i përgjithshëm. Edhe pse qe sistem diktatorial, ku hera-herës krijoheshin situata për të cilat nuk ishte turp të ndieje frikë, nuk ishte pikërisht frika ajo që diktonte mobilizimin dhe përkushtimin, kthyer në epidemi. Isha infektuar. Mikrobin e kisha marrë herët, që fëmijë, në mos pat qenë gjenetike. Ama, robtoheshin në punë të prekurit prej saj. Dhe ishte e pashërueshme! Pa lere kur puna të jepte kënaqësi, siç është ndërtim-montimi! Mund të harroje gjithçka! Kot nuk kish dalë ajo thënia simbolike: “Kush e do punën, shtoja punën, kush nuk e do, jepi rrogën dhe mos lodh kokën …!”

Nisja jonë nga ndërmarrja për në kantierin e Beratit m’u duk sikur u vonua një shekull, ndonëse tek zyrat sa bëmë “Ta!”, tek shpërndamë urgjencat e mëngjesit. Petraqi ia kish marrë dorën motoçikletës dhe rrugëtonim lirshëm, por ishte hera e parë që nuk po e shijonim bukurinë e natyrës gjatë udhëtimit. Si të mos ekzistonte. Defekti, çfarë kish ndodhur, por sidomos ajo që pritej të ndodhte në vazhdim, na kish përpirë. Na gërryenin së brendshmi pikëpyetjet.

“Gjithë kombinati i tekstileve, i ndërtuar vite më parë, ishte i realizuar me të njëjtin tip mbulese. Përse nuk u ka ndodhur edhe atyre i njëjti defekt”?

“Mund të mos u ketë ndodhur, nëse procesin e hidroizolimit e kanë kryer në periudhë të freskët, ose në verë jo kaq përvëluese…”.

“Ore, mjafton të kishim shtuar përqindjen e bitumit të fortë të Selenicës dhe nuk do na ndodhte shkarja”!

“Kjo, veç, është thikë me dy presa. Bitumi i Selenicës e bën shtresën hidroizoluse të thyeshme dhe do të jepte çarje më vonë”.

“Po sikur…”?

Po sikur… ishin shumica e fjalive që këmbyem, derisa, si pa kuptuar, u përballëm me inxhinierin në objekt. Kishim mbërritur!

U ngjitëm me drojë lart, ndërsa inxhinieri na printe nëpër skela. Kishim frikë për çfarë do na shikonin sytë. Hodhëm vështrimin vjedhurazi. Shkarja e shtresës hidroizoluese ishte e dukshme, rrëqethëse. Duhej kurajë për ta parë. Ndjeva një hon të thellë brenda stomakut. Defekt që nuk kish bërë vaki në ndërmarrjen tonë. Nuk kishim pasur rast tjetër të ngjashëm me mbulesa kaq të pjerrëta. E shikonim dhe nuk po flisnim. Kishim kafshuar buzët. Ishte një hata! Inxhinieri dhe specialistët që na shoqëronin, në pritje të ndonjë zgjidhjeje tip rrufe që t’i shpëtonte nga kjo e keqe e madhe, u prenë keq ndërsa shikonin fytyrat tona të ngurosura, ndofta të zbardhura.

Orientimi i mbulesave, për fatin tonë të keq, ishte i tillë që i rrihte dielli sa lindte e deri sa perëndonte. Vera e atij viti kish filluar e nxehtë dhe ditë më të nxehta kishim para. Në vetvete cilësia e kryerjes së hidroizolimit ishte e shkëlqyer. Kjo ta shtonte keqardhjen. Ishte punë e brigadës së famshme të Llambi Meços.

Nga eksperienca dinim se në përgjithësi defektet nuk ndodhnin për një shkak të vetëm, por nga një kombinim faktorësh. Truri vihej në lëvizje për të mbrojtur punën tonë, të zbatimit, duke analizuar faktorët e tjerë.

Mund të kish rastisur ndonjë parti bitumi naftor me cilësi jo të mirë, me temperaturën e pikëzbutjes më të ulët. Përflitej se kjo ndodhte në momentin e lëshimit të rafinerisë.

Tek shkaqet mund të futej edhe mungesa në projekt e recetës speciale për këtë lloj mbulese. Formulimi dhe eksperimentimi i recetave për raste ekstreme dhe dhënia e tyre për zbatim ishin në mundësitë dhe kompetencën e ISTN Tiranë (Instituti i studimeve të teknologjisë së ndërtimit)…, por këto arsyetime do të na hynin në punë më vonë, kur shkatërrimi i mbulesës do të ndiqej nga prokuroria. Sapo  të shkonte nëpër mend kalvari i hetimit të shkaqeve, sidomos i shkaktarëve, të këtij dëmi në përmasa që nuk t’i kapte syri, viheshin në provë leqet e këmbëve.
Tani ne ndodheshim para faktit të kryer.

Probemi shtrohej: a do të mund të shpëtohej dot shtresa hidroizoluese të mos rrëshkiste, apo do t’i delte llafi Ladit, inxhinierit të kantierit, që të bëhej gati për burg njëri apo disa inxhinierë të ndërmarrjes dhe institutit?

Të shkonin mornica në trup ta mendoje. Dëm i jashtëzakonshëm! Sot nuk i kam përmasat e objektit, por, për të krijuar një ide, mund të them se sipërfaqja mund të ishte diku tek mbi dhjetë mijë metër katror. Në rast se nuk do ta frenonim dot vazhdimin e rrëshqitjes, gjë që për momentin e shikonim të pamundur, dëmi merrte përmasa edhe më të mëdha se vetë vlera e shtresës hidroizoluese. Do të duhej kohë dhe mund i madh dhe fuqi punëtore shtesë, hipur majë tarracave të njëpasnjëshme të dhëmbëzuara, për ta copëtuar me kazma shtresën e rrudhosur dhe për ta nxjerrë me krahë në cep, në të dy anët fundore të repartit, sa dy fusha sporti, e ta rrëzonim jashtë objektit…

Por dëmi nuk do kufizohej vetëm me këtë katrahurë. Kur vjen e keqja, hapi dyert! Do të shtyhej afati i punimeve. Pa garantuar mbulesën nga reshjet, nuk do lejohej montimi i makinerive dhe shteti ynë do të penalizohej nga Franca e Çekia, furnizueset e teknologjive.

Kur mendoje tërë këto avaze, s’të mbetej vetëm të parashikoje edhe llojin e dënimit, doemos me burg, dhe kohëzgjatjen në vite. Do t’i thoshim vetë burgut “Hapu!”. Sikur të qëllonte, të na e linin në dorë gjykimin, nuk do hezitonim të vetëdënoheshim. E vetmja kërkesë, lutje, që mund të kishim, do të qe “Të mos cilësohej sabotim!” Ishte krejtësisht e papritur, asgjë me dashje. Mundësisht të konsideroheshim të dënuar ordinerë, për paaftësi, asgjë me qëllim. Syleshë, për shembull! Qoftë dhe leshko! Ama, jo politikë! Armiq, pu-pu-pu(!), aman, të keqen!

Po edhe ky favor i madh, që ta dënonim vetë veten, nuk do kalonte pa telashe. Sekush, natyrshëm, do lakmonte dënimin minimal dhe do ta adresonte fajin tek të tjerët. Hetuesit do t’i binin qylit. Do merrnin falas argumentet për racionimin e fajit, pa qenë nevoja për përgjues e as të lodhnin krahët … E vetmja punë për hetuesit do të ishte, thjesht, veshja e çdo faji personal me “qyrkun” politik. Dikujt do t’ia quanin ‘faj i qëllimshëm’ e dikujt ‘pa dashje’, sipas kategorizimit që u ishte bërë familjeve nga pushteti. Qyrku, në vend të të mbronte nga të ftohtit, të fuste cërmën. Atë, qyrkun politik, çdo njeri e kish në kurriz si pajimet personale.

Ideja e vetëdënimit të bënte optimist. Mund të mendoje edhe ndonjë privilegj apo favor. Për shembull, ta zgjidhnim burgun. Do preferonim të vuanim dënimin tek burgu i Ballshit, të ngritur pranë e në shërbim të ndërtimit të UPTHN (Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës), të cilën e kish ndërtuar ndërmarrja jonë. Do të ishte mjaft lehtësuese. Plus që në atë burg do të na mikprisnin. Ndërtuesit patën marrëdhënie të mira me  komandën e ‘kampit’, burgut, si gjatë ndërtimit të kapanoneve, mbuluar me fletë të valëzuara eterniti, por edhe në vlerësimin e punës së kryer nga të burgosurit për ndërtimin e uzinës, kur miratonin apo debatonin për situacionet e punimeve të kryera nga të burgosurit, për të cilat kampi merrte të ardhura. Ndiheshim komodë që nuk ishim përplasur me oficerët e kampit.

Edhe unë pata rastin të punoja me të burgosur në njërin nga pallatet e banimit në qytetin e Ballshit. Punonin shumë mirë. Kishin drejtuesin e vet teknik, asistent inxhinier, i dënuar edhe ai. Nga komanda e kampit nuk pati asnjë kundërshtim për volume pune ‘të ngrëna’ padrejtësisht nga ne.

Djersa e të burgosurve mbrohej për interesin e të ardhurave që përfitonte institucioni i burgut. Ajo vlente edhe për vlerësimin e kontributit të çdo të burgosuri, të cilët stimuloheshin me forma të ndryshme, si ulje dënimi, apo shpërblim me lekë. Flitej se vlerësonin më shumë shpërblimin me lekë, ngase ishin dëshmitarë të rasteve kur të burgosurit arrestoheshin brenda burgut dhe ridënoheshin.

Po rikujtoja sjelljen time me të dënuarit, brenda rrethimit të objektit, që ruhej me ushtarë të armatosur të hipur në dy karakolle të larta. Sa hyra, në ushtrim të detyrës si kryeinxhinier i kantierit, i urova të burgosurit “Puna mbarë!”.

Isha fare ri, i porsa dalë nga shkolla, 23 vjeç, nuk dija në ishte i lejueshëm urimi për të dënuarit. Nuk njihja rregulloren e burgut, nuk m’u dha asnjë porosi nga më të vjetrit, apo kapteri që më hapi derën e hyrjes në sheshin e ndërtimit. As unë nuk pyeta. Kur dola nga rrethimi po mendoja: A bëra mirë që urova “Puna mbarë!” të burgosurit..? More derdimen, po çfarë do t’u thoshje atyre: Ju thafshin duart! Le të jenë të burgosur! Puna e kryer prej tyre ka të njëjtën vlerë për shtetin si ajo e bërë nga të lirët. Të burgosurit e kanë marrë dënimin për fajet e kryera. Tani po e shlyejnë atë. Nuk të ka ngarkuar njeri ty, or budalla, t’u shtosh atyre dënimin!

Këto i bluaja me vete, por nuk ndihesha i sigurt. Për problemet ideologjike s’kisha siguri as për ato që dija. Qerrata shkencë kjo ideologjia! Më vonë do shikoja se si do gabonin tek ajo e shkretë ideologji edhe vetë ata që mbaheshin për ideologë, ata që e kishin “shpikur”. Ideologjia më është dukur si një lloj kurthi, si një rrjetë merimange e ngritur qëllimisht për të kapur cilindo që shkelte në të; të vlerësoje të drejtë apo të gabuar të njëjtën gjë dhe ta bëje të besueshme në të dyja rastet … .

Tani që po i rikujtoja marrëdhëniet e mia aq të mira me burgun më buisi edhe një si biçim konkluzioni: burgu nuk ishte aq i keq sa e kemi përgojuar. E paskësh edhe ai një të mirë. Kur të fusin në burg, të ikën frika e burgut! Bile, të mira, jo vetëm një! Të burgosurit (të detyruarit) punonin maksimumi tetë orë. Personeli inxhiniero-teknik, ne të lirët, punonim përgjithësisht me orar të zgjatur, plus dy, tre, katër e më tepër orë jashtë orarit dhe, më e bukura, pa shpërblim. Sipas kodit të punës, puna jashtë orarit e punonjësve, jo vetëm duhet të paguhej, por kish pagë orare më të lartë. Për personelin, zero shpërblim. Penalizimi i të lirëve, i pashkruar, ishte realisht i ligjëruar. Qe një nga paradokset e asaj kohe, kur të dënuarit mbroheshin me ligj, të lirët penalizoheshin pa ligj!

Ne, personazhe të këtij tregimi, të përfshirë nga ndjesia e fajit për avarinë e rëndë, e pamë burgun si një detyrim, si zgjidhjen e vetme praktike, korrekte dhe, ndërkohë, ideja se burgun e kishim hak na bëri më kurajozë. Burgun aty e kishim. S’na mbetej veç të luftonim ta ulnim kohën e dënimit!

Ajo që na rëndonte më shumë se çdo gjë tjetër, në këtë realitet të hidhur farmak, ishte vetëm turpi, turpi i madh. Ishte i papërballueshëm. Kjo ndjenjë turpi më kish përfshirë njëlloj me shokët edhe pse, kur u krye hidroizolimi në Berat, kryeja tjetër detyrë në Sarandë.Nuk do të doja kurrsesi të vinte puna të mbrohesha me këtë argument! Kjo edhe ngaqë nuk kisha bindje se, po të kisha qënë i pranishëm, do të mund ta parashikoja dhe ta shmangja këtë difekt.

Mbas gjithë kësaj çaprashitjeje mendore, i shkëputur nga tema, “mblodha dhitë” e iu drejtova vetes: ore, derëzi, mblidh mendjen e kokës! Ç’më hallakatesh kuturu? Tani , majë tarracës së kombinatit të tekstilit Berat, e gjete kohën të torollisësh mendjen, lëshuar ergjele?! Shih o lumëmadh punën tonë, se me ato punët e hetimit e dënimit merren të tjerët që nuk të pyesin hiç e që nuk kanë nevojë t’i marrin dorën kurrkujt!

Pamja, më besoni, ishte e frikshme! Përfytyrimi i ecurisë të defektit, siç e përshkrova, i llahtarshëm! Puna e kryer po rrëshqiste ngadalë, por e vendosur, drejt … kiametit. Çdo ditë që kalonte ulte edhe më tepër qëndrueshmërinë e shtresës dhe rriste shpejtësinë e rrëshqitjes. Ajo që vazhdonte ta mbante ende me ‘dhëmbë të shtrënguar’ ishte vetëm koka horizontale e soletës së mbulesës, pjesa mbi dritaret gjatësore, me gjerësi diku tek një metër. Dukej ashiqare zvarritja e shtresës hidroizoluese gati një pëllëmbë nga buza. Dallonte bitumi i zi i mbetur mbi soletë, vende vende edhe me copka të shqyera nga letër katramaja. Nëse nuk do të ndalohej, shtresa hidroizoluese në rrëshqitje do niste të rrudhosej dhe do të lëshohej e çrregullt në rrëzë të çdo kampate ‘dhëmb sharre’.

Nuk kish kohë as për hamendje, as për llafe, as për konsulta. Ndiheshim shumë të vonuar. Pamundësia për të bërë veprime më të shpejta na torturonte. Të krijohej përshtypja e një ëndrre të frikshme, ku vonohesh për t’i shpëtuar rrezikut dhe tmerri të zgjon të tronditur. Ishim të porsazgjuar, të trembur, syçakërryer. Shprehja “Ja sheshi, ja mejdani!” na godiste tëmthat.

– A kemi gëlqere të shuar në kantier?

– Po! – tha Ladi. – Janë gropat ekzistuese të ndërtimit të kombinatit.

– Ideja që kanë dhënë vetë specialistët është më se e drejtë. Urgjent, të nxirret gëlqere nga gropa dhe me të gjithë punonjësit e kantierit të organizohen grupe pune e të lyhet komplet mbulesa me gëlqere! Të zbardhet mirë sipërfaqja e shtresës hidroizoluese që të reflektojë rezet e diellit! Duhet të ulim sa më shumë temperaturën që merr gjatë ditës, e cila zbut bitumin që e ngjit me soletën. Shtresa e bardhë e granilit, që i kemi hedhur sipër karton katramasë, jo vetëm nuk ka mundur ta mbrojë nga dielli, por përkundrazi, me peshën e saj po e tërheq poshtë. Dhe dëgjoni me kujdes! Asnjë punë tjetër nuk ka rëndësinë e kësaj. Këto ditë harrojeni grafikun e punimeve! Duhet të ndalojmë grafikun e shkatërrimeve! Vendosni shenja me bojë të kuqe për të matur çdo lëvizje të mëtejshme të shtresës! Gjithçka po ua lëmë me shkrim e firmë!

Ndonëse, si degë teknike, kishim ngarkesën e vazhdueshme të ndiqnim aktivitetin në të gjitha kantieret e ndërmarrjes, shtrirë në disa qytete, nga ky hall kthyem në rit pune kontrollin thuajse të përditshëm të këtij objekti pasditeve. Shkonim me motoçikletë nga Fieri në Berat. Kontrollonim, konkludonim, vendosnim, linim detyra dhe ditë më vonë shikonim rezultatin. Dita, për fat, zgjaste 14 – 15 orë. Po edhe nata e jona ishte. Nuk na ndalonte kush të punonim.
Lyerja me gëlqere e gjithë mbulesës dha rezultat në ngadalësimin e rrëshqitjes, por nuk e frenoi dot plotësisht atë. Kishim konsumuar armën më të efektshme, zbardhimin e sipërfaqes dhe pas lajmit se e keqja nuk na ishte ndarë, u ndjemë të çarmatosur, por qe e tepërt të tregoheshim qejfmbetur me gëlqeren. Ajo, edhe pse nuk na i plotësoi tërësisht dëshirën, na dha kohë të kërkonim zgjidhje të tjera. Eh çfarë kohe! Koha që na fali gëlqerja ishte kohë për të vuajtur.

Një fjalë goje “zgjidhje të tjera”. Çfarë t’i bënim? Na mungonte eksperienca e ndonjë rasti të ngjashëm. Kë të pyesnim? Po a duhet të pyesnim? Kjo, e pyetura, mund të ishte me rrezik të madh. Mund të shpërthenin gjyqet nga kategoria e fanatikëve që do të nxirrnin gjoksin në mbrojtje të interesave të shtetit. Askush nuk do të mund t’i ndalonte. Ne, që përpiqeshim për ta shpëtuar tarracën e dhembëzuar nga hataja, do të bridhnim nga mbledhja në mbledhje për të dhënë llogari dhe për të mbrojtur veten e nuk do të ndiqnim dot hallin e tarracës që nuk na e kishte ngenë për llafe e do të vazhdonte me të vetën … Do të ngecnim keq! Do të na kërkohej, përveç shkakut dhe fajtorit, kush ishte zgjidhja që ofronim, kostoja e saj dhe a jepnim garanci për të. Ndërkohë ne nuk dinim ç’zgjidhje do të jepnim, pa lere për garancinë që nuk kish perëndi ta jepte. Perëndia, po të kish dashur, të mos i linte të shkonin temperaturat në hije, për ditë të tëra, mbi dyzet gradë!

Nuk e hapëm, pra, “lojën”. Sjellja jonë, në dukje optimiste, nuk lejoi të përhapej alarmi. Ndërkohë kishim rrezikuar reputacionin personal, besimin që kishte ajo ndërmarrje tek ne. Kishim marrë në kurriz një risk të madh. Kur të dështonim, do të dilnin “shpëtimtarët” të ankoheshin përse nuk u ishte marrë mendimi i tyre i përparuar. Do të na shtohej edhe egoizmi, si veti që nuk na linte të shikonim më larg se maja e hundës…

E vetmja gjë që mund ta shpëtonte tarracën e pjerrët dukej e pamundur të realizohej. Tri letrat katrama, bërë njësh me njëra-tjetrën, duheshin mbërthyer tek koka horizontale e soletës betonarme. Një provë me mbërthim me kunja hekurbetoni nuk dha rezultat, sikundër edhe pritej. Shtresa hidroizoluese nga rrëshqitja grisej tek kunjat e ngulura vertikalisht mbi të. Bërja e kësaj prove nuk ishte veçse një marri e jona. Tregonte se kishim arritur në fazën kur i mbyturi kapet nga flokët, por, shyqyr, nuk e humbëm krejt pusullën. Po luftonim dhe Zoti, i penduar ndofta për hatanë, po na jepte mend me pikatore…

– Inxhinier i dashur, demi kapet për brirësh! Nesër, që në mëngjes, në kokën horizontale të tarracës, në gjerësinë e saj njëmetroshe, mbi shresën hidroizoluese do të hidhni një shtresë betoni 12 cm të trashë përgjatë gjithë gjatësisë së mbulesës, nga cepi në cep i objektit. Pesha e betonit mbi shtresën hidroizoluese do të na ndihmojë të realizojmë mbërthimin e kokës së saj dhe do të mund ta mbajë të varur pjesën e pjerrët që rrëshqet.

– Po sikur të mos e mbajë as ajo? – ishte pyetja më e natyrshme që mund të bëhej.

– Ne do bëjmë çdo përpjekje që mendojmë se na çon në frenimin e rrëshqitjes.

– Dakord! Por, nëse nuk jep edhe kjo rezultat, duhet ta kemi të qartë se me këto që po bëjmë, sidomos kjo shtresë e betonit sipër, po shtojnë ndjeshëm shpenzimet jashtë projektit. Ne po rrisim me ndërgjegje vlerën e dëmit! Si do likuidohet ajo?

– Ajo vlerë nuk do të likujdohet, vëllezër! Thjesht do të shtohen për ne edhe 6 muaj burg, jo më shumë! Dënimi, nga dhjetë vjet do të bëhet dhjetë vite e 6 muaj. – e lëshova si pa të keq pasojën, duke shijuar buzagazin e hidhur të njëri-tjetrit. – Nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe, apo jo?! Ama jemi të ndërgjegjshëm se u përpoqëm ta shpëtojmë objektin nga pasoja e rëndë ardhur nga një gabim, që mendojmë se nuk është i yni, ose, e shumta, nuk është vetëm i yni. Ndërmarrja, kuptohet, do të dalë me humbje, por jo e turpëruar! Ndryshe, ça të bëjmë? Të qajmë? Ta lëmë të rrëshqasë? I dimë pasojat e rënda ekonomike, e dimë se nuk ia shlyejmë dot shtetit as me burgun tonë. Dimë edhe tjetrën, që shteti  nuk ka as dëshirë, as interes të na fusë brenda!

Të gjitha këto nuk u thanë si një fjalim patetik. Këto ishin mendimet që këmbyem me njëri-tjetrin, derisa, përfundimisht, ramë në një mendje. Nëse do ta linim të ikte, nuk do t’ia falnim as vetes që nuk i përdorëm të gjitha alternativat për ta shpëtuar. Ne mund të mos i shpëtonim dot dënimit të ligjit, por po bënim çmos të shpëtonim nga dënimi i vetvetes! Deri tani kishim arritur diçka, që nuk ishte pak. Le të vazhdonim!

Ato ditë, rrugës me motor, nga Berati në Fier e nga Fieri në Berat, herë me zë të ulët e herë duke bërtitur, kur era frynte në të kundërt, diskutonim për atë që do të gjenim në objekt pas ekzekutimit të detyrës së fundit. A do të japë rezultatin përfundimtar? Po sikur…?

Vapa, na dukej, sikur përditë po shtohej. Ishin ditë zhuritëse. Në rrugën automobilistike, e rrethuar në të dy krahët me plepa të lartë, të shurdhonin gjinkallat. I kishim zili. Sa më shumë të nxehej koha, aq më shumë këndonin ato. Ishin si kor i rreshtuar përgjatë rrugës. Interesat tona me ato të gjinkallave nuk përputheshin. Ato këndonin zhegun, ne e qanim atë! Çdo freskim kohe, pa lere të binte dot një shi, ishin lutjet tona drejtuar me përgjërim drejt qielli, por pa adresë të përcaktuar. Zotin e kishim bërë lanet që në vitet ‘66-67’. Përgjigjen na e jepnin gjinkallat. Kënga e tyre ishte si kujë për fatkeqësinë tonë. Zhaurima që na shoqëronte gjatë gjithë rrugës na ushtonte në kokë edhe kur ishim ndarë nga gjinkallat, ndërsa ato nuk pushonin as natën. Të vinte plasja! E po, të donte perëndia gjinkallat më shumë se ne?!

Pas ca ditësh, të gjendur majë tarracës, dalluam se rrëshqitja ishte duke u dorëzuar. Në pjesën që ishte mbuluar me shtresën e betonit lëvizjet ishin shumë të vogla, por, si për çudi, në disa vende dallohej se hidroizolimi po e merrte zvarrë edhe betonin mbi vete. Ndërhyrja e fundit nuk kishte shkuar dëm, por rreziku ende mbijetonte. Ishte mes behari, ne ende në mes të lumit. Montimi i makinerive brenda reparteve po ecte me ritëm. Ne nuk e bllokuam! Kthim mbrapa nuk kish!

Kjo situatë na e shtonte përgjegjësinë për mosdhënien e alarmit. Tjetër lloj brejtjeje kjo. Nuk i vinim dot emër. Vallë, si do të gjykohej kokëfortësia jonë për të mos shqetësuar nivelet eprore? Titullarin e ndërmarrjes e kishim vënë në gjumë me besimin se do t’ia gjenim ilaçin këtij fenomeni. Dëshira jonë e mirë për të mos shqetësuar ata lart mund të konsiderohej si maskim, fshehje e të vërtetës për ta realizuar planin sabotues, për të cilin do të na duhej të tregonim, gjallë a vdekur, lidhjet me agjenturat e huaja…

– Ladi, do të qepim shtresën e re të betonit me soletën e mbulesës. Hapni me trapano në çdo 30 cm vrima në formë shahu, në dy rreshta paralelë, që ta depërtojnë shtresën rrëshqitëse dhe të hyjnë 6-7 centimetër në betonin e soletës. Do vendosësh vertikalisht nga një copë shufër hekuri me diameter 10-12 mm dhe monolitizoje! Do ta “gozhdojmë me bulona”! Lyeje sipër me gëlqere edhe shtresën e porsahedhur me beton!

Largoheshim gjithë merak nga kantieri, pavarësisht bindjes se porositë tona do zbatoheshin me përpikmëri. Na kapi gushti majë tarracës! Po përjetonim ethet e famshme, “ethet e gushtit”, përmendur shpesh nga të moshuarit. Mos i provofshi! Djersët tona nuk kishin fare lidhje me temperaturën e ambientit. Ato rridhnin befas edhe në zyrë, kur ne, të humbur, me shikimin ngulur në ndonjë pikë të murit, përfytyronim atë, çatinë lëvizëse të kombinatit.

– Ju kërkojnë nga Berati në telefon, – tha dezhurni i ndërmarrjes, që vetëm sa futi kokën tek zyra teknike dhe u kthye tek receptori që e kish lënë hapur.

Po shikonim njëri-tjetrin; kush të ngrihej të fliste. Jo të fliste, po të dëgjonte…! Po kujt ia mbante të dëgjonte haberet e Beratit? Le të kishte marrë në telefon gjithë Shqipëria, por jo, kurrsesi Berati! Ia mbërtheva sytë kryetarit të zyrës. Telefonata ishte e papritur. Si një matje pulsi për ne. Ndërsa mendonim se ndaluam të shkasë një lubi në çatitë e kombinatit, neve vazhdonin të na shkisnin … .

– Petraq të zuri! Ladi do jetë. Mos o Zot, ndonjë rrufe! Si çoban që je, vëri gjoksin, por të mos nxitojmë të japim këshilla në telefon, thuaji, po vijmë urgjent. U ngrita dhe unë pas tij… Gjithë dega teknike ra në heshtje. E dinin. Kishin dëgjuar edhe atë parashikimin e Ladit për llotarinë e burgut… Na shikonin gjithë merak. Kishin frikë të na pyesnin, veç çfarë dëgjonin nga ne.

E mbylla derën e dezhurnit sa hyra, të mos dëgjohej biseda dhe vrojtoja çehren e Petraqit me telefon në vesh. Nuk ishte e lehtë ta deshifroje lajmin në fytyrën zeshkane të tij, por më qetësoi sakaq buzagazi. Ndërsa vazhdonte të fliste me inxhinier Ladin, po më tundte kokën mua. Ma kaloi edhe mua receptorin të shijoja më së fundi lajmin e shumëpritur pas gjithë asaj përpjekjeje.
– Ore, Ladiii, a i dhe të drejtë Peçit të qeshë, apo na zgërdhihet kot ky neve…?

Mbaja receptorin në vesh, por nuk po regjistroja përshkrimet e inxhinierit, ndërsa ai jepte i entuziazmuar rezultatet e matjeve nëpër pikat e kontrollit në tarracë dhe për secilën “Asnjë milimetër lëvizje!” Nuk m’u durua: “Ladi, ju lumtë! Falëndero dhe brigadat! Përballuat një rrezik të madh. Ne do vijmë pasdite t’u japim nga një gotë, merr dhe brigadierët”!

– Shpëtim, ne na turpëroi katramaja, po nuk lejojmë të na turpëroni ju! I kemi edhe ne ca zakone për mikpritje. Mbase nuk janë më të mirat, por ama, ato të Gjirokastrës tënde nuk besoj se do na duhen! – ishte çliruar mirë inxhinieri.

– Ladi, më fal, kot ofendohesh, mora kurajë t’u ftoj, se e dija që nuk do pranonit, po ti shiko të na bësh atë që varet vetëm nga ty.

– Çfarë? – pyeti si i kapur në faj për një punë të pakryer.

– Atë fletë-hyrjen që na preve për në burg ndërroje, bëje fletë-dalje!  E qeshura nga Berati vazhdoi të dëgjohej deri sa receptori u ul në trupin e telefonit mbi tavolinën e dezhurnit. U ktheva nga dera e hapur, ku mezi priste Petraqi, të shkonim “urgjent” tek kafja. Pas lajmit shpëtimtar aq të lakmuar nuk zihej punë me dorë. Po fluturonim! Vetëm kafja e shoqëruar me një gotë mund të na ulte përsëri në tokë. Morëm me vete dhe ç’ishin afruar tek dezhurni.

Hallet e mëdha i kanë gëzimet e mëdha!

Mezi e pritëm pasditen të shkonim në Berat. Ama, e çuditshme. Nuk po iu zinim besë veshëve për ç’kishim dëgjuar. Truri mbante rezerva sa kohë nuk e kish të konfirmuar informacionin edhe nga shqisa tjetër, syri. Thjesht me të dëgjuar, ishte e pamjaftueshme. Rrugëtimi me motor na u duk i gjatë, më i gjatë se çdo herë tjetër. A do të binte dakord syri me veshin? Hera e parë që u ngjitëm me qejf drejt mbulesës së kombinatit. Nuk na u rënd! Na prisnin specialistët. S’kishte nevojë të shikonim nga afër pikat referuese të shkarjes. Sytë e tyre flisnin. Ato sy ne i besonim. Rrëshqitja e tmerrshme ishte bllokuar! Na qeshi buza më në fund.
Çfarë lehtësimi! Çfarë çtensionimi! Ishim gati të binim, të lëshoheshim mbi tarracë, të flinim, të flinim, të flinim… Vështirë se do të kishim rast tjetër në jetë për gjumë aq të ëmbël. Lehtësimin tonë kishte kohë që e kish ndjerë edhe motori i Petraqit, i cili brenda atij muaji të ecejakeve tona Fier-Berat e kthim ndryshoi sjelljen. Nuk sforcohej, nuk kërciste si më parë, nuk rënkonte më në maloren e Qafës së Sqepurit, këndonte motori!… Nuk dinim sa kile kishim rënë në peshë atë muaj.

Vazhdonim të shikonim njeritjerin mbi tarracë dhe nuk flisnim. Nuk kishim çfarë të thoshnim. Dukej e pabesueshme. Shikimet të qetësuara. Erdhi dita të mos i druheshim më pamjes së tarracës dhe po e shikonim si të ish një përbindësh i mundur. Të shtynte të kujtoje legjendat. Në shikimin tonë të menduar, pa fjalë, ndofta fshihej pasiguria, meraku i ndonjë híleje nga “përbindëshi”, por jo. Temperaturat në hije, mbi 40 gradë, ishin provuar. Veç po të dilte dielli vet i dytë…!

Ia dolëm! U shpëtua nderi i ndërmarrjes!

Njëherësh shpëtuam edhe veten, së pari nga turpi, por edhe nga penalizimi, që nuk ishte një shaka e nuk e kishim hak. Ministria e Ndërtimit, përherë e prirur të mbronte personelin teknik në raste fatkeqësish, sidomos kur nuk kishte viktima, këtë radhë nuk do të mundte dot ta linte pa fajtorë, për gjetjen e të cilëve nuk ishte çudi që të “respektohej” fjala e urtë: “Kush pordhi? I varfëri”! Dhe dihej, ‘Zbatimi’ ishte më i varfëri. Ne!

Atë që nuk e vuajtëm ne e vuajti burgu! Vendet tona, sipas “planifikimit”, i mbetën bosh! Qetësimi që na kish përfshirë ishte shpërblimi më i madh i asaj përpjekjeje buzë gremine në kufij dështimi. Qetësim qiellor! Asnjë lloj vlerësimi honorifik nuk mund të krahasohej me të.

Dekoratat do të ngjanin si lëmoshë.

 

Korrik, 2020

Please follow and like us: