Umberto Eco: Fjalë para një biblioteke
…Në vënd që t’u tregoj utopira bibliotekash të përkryera, që nuk di se sa e si janë të realizueshme, po u tregoj për dy biblioteka që unë i kam për zemër, e që sa herë mundem, shkoj e i frekuentoj. Me këtë nuk dua të them se janë të përkryera e që nuk ka të tjera. Ato janë Sterling Library në Yale dhe biblioteka e Universitetit të Torontos. Shumë të ndryshme nga njëra tjetra si arkitekturë: Sterling është një manastir neogotik, ajo e Torontos është një kryevepër e arkitekturës bashkokohore. Kanë ndryshime, por po kërkoj të bëj një shkrirje të të dyjave, për të thënë se përse më pëlqejnë.
Janë të hapura deri në mesnatë e edhe të djelën. Skedarë të mirë, të kompjuterizuar. Biblioteka përfshin edhe atë çka mund të gjendet në bibliotekat e zonës. Por më e mira e tyre është se, të paktën për një kategori lexuesish mund të hyhet brënda rafteve, pra nuk kërkohet një libër. Studiuesi shikon librat ndër rafte, mandej i marr prej aty e mundet, në Toronto, me i çu në salla me poltrona të rehatshëm e lexon aty, në Yale jo dhe aq, por gjithmonë mund t’i fotokopjojë në makinat e panumërta fotokopiatriçe. Natyrisht librat mund të merren edhe me vete, me një mënyrë krejt të shpejtë. Brenda mund të hyjë kushdo që ka një librezë, e cila merret pa zor të madh. Në Yale studentët nuk mund ngjiten në stacks (aty ku janë librat), por vetëm studiuesit. Për studentët ka një bibliotekë tjetër që nuk ka libra shumë të vjetër, por ka prapseprap numër të mjaftueshëm volumesh, ku studentët kanë të njëjtat mundësi si dhe studiuesit për me marrë libra. E gjitha kjo në Yale mund të bëhet duke përdorur një fond prej tetë milion librash, sigurisht që dorëshkrimet e rralla janë në një bibliotekë tjetër.
Tani pse është e rëndësishme mundësia e hyrjes në raftet e librave? Është e rëndësishme sepse një nga keqkutimet që mbizotërojnë në nocionin e bibliotekës është që aty shkohet për të gjetur një libër të cilit ia di titullin. Në fakt ndodh shpesh që shkohet në bibliotekë sepse të duhet një libër që ia di titullin, por funksioni kryesor i saj është që të gjesh libra për të cilët nuk dyshoje se egzistonin dhe që zbulon se kanë shumë rëndësi. Ky zbulim mund të bëhet edhe duke çfletuar katalogun, po nuk ka gjë më të bukur se sa të kërkosh ndër raftat që bashkojnë të gjithë librat e një teme të caktuar , gjë që në katalogun e autorëve nuk është e mundur, dhe të gjesh në krah të librit që ke shkuar të kërkosh një libër tjetër, por që mund t’a vleroson si shumë të rëndësishëm. Pra, funsioni ideal i një biblioteke është që të jetë si ajo tezga bukinisti, e këtë mund ta bësh vetëm po të kesh mundësi të hysh në korridoret e raftave të librave. Prandaj nuk janë të nevojshme as edhe shumë salla leximi, sepse thjeshtësia e marrjes së librit, e fotokopjes dhe e marrjes me vete të tyre heq një pjesë të madhe të qëndrimit në sallën e leximit. Ose mund të shërbejë si sallë leximi zona ku hahet diçka, bari, zona e makinave të kafeve, duke vazhduar punën teksa pihet një kafe apo hahet diçka. E kontrolli mund të bëhet në dalje.
Natyrisht që në një biblotekë të tillë lëvizshmëria e volumeve është e madhe dhe është e vështirë qoftë të gjesh atë që kërkon, qoftë të rigjesh librin që kishe një ditë më parë. Kështu në sallat e leximin ka disa bokse. Studiuesi kërkon boksin ku ka për të mbajtur vëllimet e tij e ku shkon për të punuar kur dëshiron. Në disa nga këto biblioteka, kur nuk gjëndet materiali i kërkuar, mund të mësosh në pak minuta se kush e ka marrë, e ta kontaktosh me telefon. Kjo bën që kjo tip biblioteke të ketë krejt pak roje dhe shumë punonjës biblioteke. Në këto biblioteka ku librat lëvizin kaq shumë nga raftet, zakonisht ka studentë që i bledhin ato me karroca për me i rivendos në vend.
Po cilat janë të metat e këtyre tip bibliotekash? Janë vjedhjet (humbjet) dhe prishjet, afër mendsh: edhe pse kontrollet elekronike janë, është shumë më lehtë të vjedhësh një libër në këtë tip biblioteke se diku tjetër. Por besoj se kriteri i një biblioteke ta quajmë të hapur, me qarkullim të lirë, është që vjedhja riparohet me blerjen një kopje tjetër të librit, edhe nëse flitet për një antikuariat. Është një kriter i shtrenjtë por gjithsesi është një kriter. Natyrisht ato më të çmueshmit e unikët qëndrojnë në raftin e dorëshkrimeve e do të jenë të mbrojur më mirë.
E metë tjetër e këtyre bibliotekave është se ato lejojnë, nxisin e inkurajojnë kserocivilitetin, që është qytetërimi i fotopjes. Kjo, bashkë me komoditetin që sjell fotokopja, bjen me vete një seri problemesh të rënda të lidhura me botën e botimeve si dhe probleme ligjore (e drejta e autorit). Patjetër që kjo ka ndikuar në politikën e shpive botuese. Sidomos ato të tipive shkencor botojnë libra duke e ditur do të fotokopjohen. Prandaj librat botohen në jo më shumë së njimijë a dymijë kopje, kushtojnë shtrenjtë, blihen nga bibiotekat e mandej të tjerët i fotokopkjojnë. Prandaj kemi rritje e skajshme të çmimeve dhe zvogëlim të përhapjes. Po atëhere, çfarë garancie ka botuesi që libri i tij do të blihet e nuk do fotokopjohet? Duhet që çmimi i librit të jetë më i vogel se fotokopja. Kështu problemi i botuesit është që të shtypë libra që shiten jo vetëm për biblioteka por edhe për publikun e gjërë, libra me çmim të ulët, me letër shumë të keqë, që sipas studimeve të bëra së fundmi, është e destinuar të shkërmoqët e të zhbëhet për disa dhjetra vjeçarë. Fotokopja është instrument shumë i dobishëm por shumë herë përbën edhe alibi intelektuale: duke dalë nga biblioteka, me një tufë fotokopjesh, zakonisht je i sigurt që nuk mund t’i lexosh të gjitha, ndoshta nuk i gjen dot më, fletët fillojnë e të ngatërrohen me njëra tjetrën, por ke ndjesinë se je bër zot i përmbajtjes së atij libri. Por do të vijë koha kur bota e fishave e e skedave do të zevendësohet krejtësisht prej librit të konsultueshëm: ndoshta do brengosemi për bibliotekat e mbrojtura prej punonjësve bibliotekarë, që i bezdisin lexuesit e përpiqen të mos ua japin librat, por në të cilat të paktën një hërë në ditë mund të mbështej dora mbi objektin e libralidhur.
Mandej problemi final; duhet zgjedhur ndërmjet ruajtjes së librit dhe leximit të tij. Nuk them se duhet zgjedh me e lexu pa e mbrojt atë, po nuk ka nevojë as të bëhet zgjedhja e mbrojtes pa e lexu. E nuk them as me gjetë një vijë të mesme. Duhet që njëri prej idealeve të paraprijë e mandej të përballet realiteti për të mbrojt idealin e dytë. Nëse ediali është ai që të bësh të lexohet libri, duhet të kërkosh ta mbosh sa më shumë të jetë e mundur, por duke ditur reziqet që hasen. Nëse ideali është me e mbrojtë, duhet të kërkohet me e lanë me u lexu, por duke i ditë reziqet që hasen. Në këtë kuptim biblioteka nuk është e ndryshme nga libraria. Ka dy tipe librarishë. Ato shumë sërioze, hala me rafta druri, ku sapo hyn të afrohet një zotni që thotë: “Çfarë deshironi?” e kështu tulatesh e del jashtë: në këto librari vidhen krejt pak libra. Por ama blihen më pak. Mandej janë ato libraritë e qendrave tragtare, me rafta plastike, ku, sidomos të rinjtë, sillen andej pari, shohin, informohen mbi atë që del dhe këtu librat vidhen shumë, edhe pse nuk mungojnë kontrollet elektronike.
E pra kush organizon rrjetet e librashitjes e di që, në fund të mbramë, libraria me përqindje vjedhjeje të lartë është ajo që shet më shumë.
Tani, nëse transformojmë këto, që janë probleme të të ardhurave ekonomike, në ato të të ardhurave bashkiake, të kostove dhe të avantazheve sociale, i njëjti problem paraqitet edhe për bibliotekat: të pranosh rezik më të madh në ruajtjen e librit, por të kesh avantazhe sociale të qarkullimit më të gjërë të tyre. Pra, nëse biblioteka është siç thotë Borges një model i Universit, le të kërkojmë ta transformojmë atë në një univers që i përshtatet njeriut, me masën e njeriut, e kjo do të thotë edhe nj mjedis i gjallë, edhe me mundësinë e një kafeje, edhe me mundësinë për dy studentë që mbasdite ulen mbi një divan e , nuk them që të përqafohen, por që të konsumojnë pjesë të flitit të tyre në bibliotekë, teksa marrin e lënë nëpër rafte disa libra me interes shkencor, pra një bibliotekë që të bën me t’ardhë dëshira me shku dhe që transformohet shkallë-shkallë në një makinë për kohën e lirë, siç është Museum of Modern Art ku shkohet në kinema, dilet shetitje në kopësht, shkohen e vështrohen statujat dhe hahet një vakt i plotë. E di që Unesco ëshë e njëmendjeje me mua: “Biblioteka… duhet të jetë kollaj e arritshme dhe portat e saj duhet të jenë të hapara katër kapakësh për të gjithë anëtarët e komunitetit të cilët mund ta përdorin lirshëm pa dallim race, ngjyre, kombësie, moshe, seksi, religjioni, gjuhe, gjendje civile e niveli kulturor”. “Ndërtesa e bibliotekës publike duhet të jetë qëndrore, thjeshtësisht arritëshme edhe prej invalidëve dhe e hapur në orare të përshtatëshme për të gjithë. Ndërtesa dhe paisjet e saj duhet të jenë me pamje të pëlqyeshme, të rehatëshme e ku rrihet me kënaqësi; dhe është thelbësore që lexuesit të mund të hyjnë deri tek raftet”.
A do të arrijmë ta transformojmë utopinë në realitet?
Përktheu: Rezar Dizdari