Albspirit

Media/News/Publishing

Bahri Omari në 1921: MBI LAICITETIN E SHTETIT SHQIPTAR 

Bahri Omari (1889-1945) në diskutimin e Projekt-Statutit të Shtetit Shqiptar

“Ne, duke dashur të pranojmë atë paragraf, që shteti ynë nuk ka fe zyrtare dhe që feja nuk formon në asnjë mënyrë një pengim juridik, nuk kemi dashur të vemi aspak kundër parimeve fetare. Ne nuk duam të bëjmë asnjë vendim që të lëndojë besimin e njërit apo të tjetrit, por arsyet për të cilat duam ta vëmë këtë gjë janë që të sigurojmë vëllazërimin e gjithë popullit shqiptar, pa ndryshim besimi, se nuk do të jetë më i lidhur [i detyruar] t’i bindet shumicës fetare. Zotëria e tij tha se pakica është e lidhur [e detyruar] t’i bindet shumicës. Unë këtë gjë si deputet i Shqipërisë e protestoj rreptësisht. Qëllimi ynë duhet të jetë që shteti të mos mundet të hyjë në lidhjen që kam unë me Perëndinë. Asnjë fuqi nuk ka të drejtë të influencojë në këtë çështje. Ne kërkuam që në ballë të Statutit të vihet liria e fjalës; pra qysh mund të mohojmë atëherë lirinë e ndërgjegjes? Prandaj s’ka asnjë arsye që të hiqen paragrafët e fundit. Në e besoj dhe si e besoj Perëndinë është puna ime dhe jo e shtetit”.
A.Q.Sh Nga: Bisedimet e Këshillit Kombëtar, 1921.

 

Kush ishte Bahri Omari?

Bahri Omari (Gjirokastër10 shkurt 1889 – Tiranë13 prill 1945) ishte publicist, nëpunës, botues, ministër dhe veprimtar i Ballit Kombëtar. Ka qenë kunati i Enver Hoxhës, diktatorit të ardhshëm komunist të Shqipërisë, i cili pas Gjyqit Special firmosi dënimin me vdekje të Omarit. U lind në Gjirokastër, i biri i Iljaz Hilmi Omarit dhe Rehos. U shkollua në vendlindje dhe më tej në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mekteb-i Mülkiye-i Şahane” në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative ku u diplomua më 1911.

Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër andarteve greke gjatë pushtimit grek të Shqipërisë së jugut që zgjati deri nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore.

Më 1915 Omari shkoi në SHBA, ku ai u bë drejtor i gazetës Dielli të shoqatës pan-shqiptare Vatra. Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës duke i qëndruar përballë partisë së Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës.

Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi redaktoi organin e saj, Shekulli.

Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Omari lëviz në Europë gjatë kohës u formua dhe “Bashkimi Kombëtar” ku aderoi. Në Bari u ngulit ku ai qëndroi deri më 1939. Këtë vit ai u kthye në Tiranë, i survejuar nga italianët. Në 1942 u bë anëtar i organizatës Balli Kombëtar. Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë që ia kishte marrë me qira Ali Mulletit. E ndihmoi shumë Enver Hoxhën ekonomikisht gjatë kesaj periudhe ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë gjatë studimeve të tija të paplota në perëndim. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës 5 nëntor 1943-16 qershor 1944.

Për këtë pozicion që ai mbajti u arrestua dhe u burgos pas ardhjes në pushtet të partizanëve. Gjatë burgut luante shah, siç kishte bërë edhe gjatë emigracionit sipas Kol Tromarës – mik i ngushtë i tij qyshë nga kohët e emigracionit anti-zogist. në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special. Prokuror i çështjes ishte Bedri Spahiu, ndërsa kryetar i Trupit gjykues zëvendëskryeministri, gjeneral-lejtënant Koçi Xoxe, një njeri me shkollim fillore, me profesion teneqexhi, ashtu si edhe prokurori Spahiu: një ish-toger i çgraduar dhe i çmobilizuar i Ushtrisë Mbretërore që në vitin 1935, pa kurrfarë formimi juridik dhe njohje të ligjeve. Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë. Para pushkatimit u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.

Please follow and like us: