Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo

BOTË E LASHTË DHE MISTERIOZE
Botë misterioze, ti, botë e lashtë,
si era u qetove, u preve në mes.
Fshatin po e nguc, po e shtyp në rrashtë,
dorë e egërsuar, e gurtë, e xhadesë.

Frika kokën zgjat nga bora, gjithë shpresë,
tmerri krakëllin flatrat me tërbim,
dhe ti, vdekje e zezë po të përshëndes,
jam duke të ardhur, kemi lenë takim.

Qytet, or qytet ashpër na lufton,
na quan ndyrashë edhe racë mizore.
Fusha kallkanoset, trishtohet, rënkon,
shtylla telefoni po e mbytin prore.

Veç, muskujt e zverkut, muskuj djallëzorë,
udhët e çelikta nuk i mposhtin dot.
E ç’u bë? Po shkave mbahu me një dorë,
nuk është herë e parë që ti qan me lot.

I ligjit të xhunglës ky, avaz i vjetër,
një gjemb që zemër ngulet pak nga pak.
…Kështu dhe gjahtarët, ujkut, me patjetër,
ia ngushtojnë rrethimin, e futin në lak.

U rrethua bisha… kërcëllitje dhëmbësh,
dikush do të shfaqet, me plumb ta mbarojë.
Befas një kërcim… dhe hasmi dy këmbësh,
nga thonjtë grabitqare, keq do përfundojë.

Përshëndetje ti, kafshë e adhuruar,
që thikën në grykë kaq lehtë s’e pranon,
ja, kështu si ti, ndihem i rrethuar,
nga armiq të hekurt dhe kjo më tërbon.

Edhe po, njëlloj do t’i turrem shpurës,
kur briri i fitores gëzueshëm t’ushtojë,
me atë kërcimin, fatal, vdekjeprurës,
gjakun e armikut, tërë qejf, do shijoj.

Po dhe n’ iu rrëzofsha butësisë sublime,
trupi më dëborë kur të më mbulohet,
një këngë për hakmarrje, fill pas vdekjes time,
tej, nga bregu tjetër, fort do të dëgjohet.

1921

Shqipëroi: Arqile Garo,

 

RUSIA SOVJETIKE

Uragani u qetua. Sa pak mbijetuam.
Në apelin e miqve shumë na mungojnë.
Në vendlindjen jetime, prej nga shkuam,
kthehem pas tetë vjetësh, gërmadhat tymojnë.

Cilin të kërkoj? Dhe me kë ta ndaj,
gëzimin e kobshëm – se jam ende gjallë?!
Mullirit fantazmë – zog i zënë në faj,
me krahun të thyer – dhe pa sy në ballë?!

Njeri nuk më njeh, këtu, s’është e thënë,
kush më mbante mend, me kohë është harruar,
atje ku shtëpia e babait kish qenë,
paska vetëm hi, me pluhur mbuluar.

Porse jeta vlon,
zhurmshëm rreth meje pulson edhe rreh,
fytyra të vjetra e të reja, plot.
Po unë, kujt t’ia heq kapelën, o Zot.
në sytë e asnjërit nuk mund të gjej strehë.

Si bletë në koshere roitin mendime,
Çfarë është vallë atdheu?
Një ëndërr, dje, sot?
Këtyre u dukem, udhëve plot mundime,
si një pelegrin që bredh nëpër botë?

A jam vallë banor,
i fshatit vocërrak,
që do jetë i famshëm një ditë e një orë,
pse këtu një nënë lindi, në çardak,
një poet të shquar, sherrxhi, inatçor?

Por ja, zëri i mendjes zemrës i drejtohet:
“Eja or mik në vete! Pse ndihesh i fyer?
Kjo dritë në kasolle siç po reflektohet,
i përket një brezi të ri, fort të vyer!

Sepse zëri yt ka nisur të zbehet,
kjo rini e sotme s’këndon këngë të gotës.
Dhe interesante, pretendon të bëhet,
nga banore e fshatit, qytetare e botës”.

Oh, atdhe, mjerohem dhe filloj e vuaj!
Në gropat e faqeve e kuqja t’u tret,
s’ të marr vesh as gjuhën më duket e huaj,
jam në vendin tim, por ndihem i shkretë.

Dhe shoh:
Fshatarët kope siç të dielave në kishë,
në vatrën e kulturës janë të mbledhur,
me fjalë të ngathëta e morra mbi këmishë,
‘të ardhmen’ diskutojnë, që kanë për të zgjedhur.

Zbret mbrëmja e praruar, me yje e plot bujë,
përmbi ara bie një vesë në ngjyrë all.
Plepat i shtrijnë këmbët në vijat me ujë,
shtriqen si mëshqerrat mbrëmjeve në stallë.

Një ushtar i kuq, shëmtak, çalaman,
rrudh ballin dhe nis e kujton, të shkretën,
rrëfen për Budionin, atë trim me nam,
dhe si, Pjerekopin, bënë të flasë me vetën.

“E kështu që thoni – ashu, e ashusëm –
borgjezin që fshihej… tutje… në Krime…”
E dëgjojnë mështeknat dhe vajtojnë trishtueshëm,
e dëgjojnë dhe gratë, psherëtijnë ndën re.

Pa, zbret Komsomoli, të rinjtë komunistë,
me fizarmonika që çirren, ushtojnë,
këndojnë Demjan Bedin si propagandistë,
me britma gazmore që dhe minjtë tmerrojnë.

Kështu pra or miq!
Po unë ç’ dreqin bëj,
bërtita në vargje: i njeriut jam mik?
Poezia ime nuk ju duhet, hej,
ndoshta edhe unë, ju ngjaj si armik?!

Eh, kjo pikë e zezë.
Ti atdhe më fal – nuk di më ç’të them,
me ç’ka ty të fala unë nuk ndihem keq.
Dhe po s’më këndojnë sot ca vajza e djem,
unë pranë të qëndrova kur shkoje për dreq!

I pranoj të tëra,
ashtu siç janë gjërat, unë po i pranoj.
Jam gati t’iu ndjek shtigjeve të reja,
majit dhe tetorit shpirtin t’ia flijoj,
veç lirën e dashur?! – do ta marrësh? – Eja!

Nuk mund t’ia besoj dorës së gabuar,
as nënës, as mikut, as mikes, as femrës.
Për sa më besoi tingujt e bekuar,
vetëm unë ja di të fshehtat e zemrës.

Qofshi të shëndetshëm, ju, mustakë pa dirsur,
keni mendje ndryshe, keni një jetë tjetër,
unë do ndjek i vetëm rrugën që kam nisur,
më shpirt të dërmuar, por rebel i vjetër.

Veç, ju premtoj,
kur mbi planet,
popujt do jenë miq e gjitonë,
gënjeshtra, trishtimi, nuk do jenë gjallë,
unë do të këndoj,
si një poet,
që një e gjashta e botës – më takon –
me titullin ‘Rus’, të shkruar mbi ballë.

1924

Shqipëroi: Arqile Garo, shtator 2020.

 

VETËM PËR TY UNË THUR KURORË

Vetëm për ty kurorë do thur,
me gjethe bliri dhe shebojë.
Atdhe i bukur e plot nur
ty të besoj, të dashuroj!

Kundroj luginat pa mbarim,
këtu dhe tutje e përgjithmonë,
ku shkojnë lejlekët me përtim,
dhe monopatin që dredhon.

Lulëzon këneta pagëzore,
zhukat urojnë mbrëmje të mbarë,
pikat që bien mbi bregore,
po i prijnë shiut shpëtimtar.

Edhe kur mjegulla nis tretet,
flatrat e erës shungullojnë,
qetësi me erë livani mbetet,
dhe magjistarë që të bekojnë.

1915

Shqipëroi: Arqile Garo, shtator 2020.

 

KJO PUNË KA MARRË FUND

Kjo punë u vendos, tani nuk ka kthim!
Fushat ku linda do t’i le përgjithmonë.
Oshtimën e plepave gazmore në agim,
më nuk do ta ndjej. As më bëhet vonë!

Izba e ulët do rrënohet ndër vite,
dhe qeni im plak, prej kohësh ka shkuar.
Sokakëve të ngushta moskovite,
do vdes, kështu më qenkej shkruar.

E dashuroj këtë qytet të plakur,
dhe le të jetë nga koha i zvetënuar.
Azia e përgjumur, e përflakur,
përmbi kupola fle pa u ankuar.

Dhe natën kur, del hëna vezullore,
me një shkëlqim që… lërmë të rroj, o Zot!
Nisem kokulur, për në pijetore,
rrugicave të errëta, gjoja kot.

Klithma, zhurmë e rrëmujë brenda skutave
gjer n’agim pa pushim pi e fol,
u lexoj poezi prostitutave,
dhe banditët i ndez me alkool.

Më rreh zemra gjithmonë e më shpesh,
më ngatërrohen ca vargje në gojë.
“Jam i humbur, si ju, merrni vesh,
dhe të kthehem, nuk kam ku të shkoj”!

Izba e ulët tashmë është rrënuar,
qeni i plakur, ka ikur me kohë,
sokakëve të Moskës, harruar,
do vdes ndonjë natë, ndën shiun me llohë.

1922

Shqipëroi: Arqile Garo, shtator 2020.

 

NUK DO GËNJEJ MË VETEN TIME

Unë, veten time, më s’do ta mashtroj,
tash, zemra e mjegulluar s’do t’ia dijë.
Më thonë: je sharlatan! – rrugës nga shkoj!
Më thonë: je grindavec, si një fëmijë!

Por, kriminel nuk jam, cub a shpellar,
fatkeqë, nëpër biruca, nuk kam torturuar.
Plëngprishës po, artist dhe pijetar,
që mbart buzën në gaz, për ta dhuruar.

Në Moskë, një argëtues, plot humor,
në Tverskoje kush mua nuk më njeh,
dhe çdo qen rruge në sokakun qorr,
më ndjen nga çapi i lehtë dhe ëmbël leh.

Çdo kalë i mjerë që rend para pajtonit,
sa më shikon, gjithë qejf më përshëndet,
se unë nuk rroj pa kafshë, e pas zakonit,
për to thur vargje që shërojnë vërtet.

Nëse mbaj republikë, nuk është për femrat,
ndjenja idiote s’kam dhe jam i qartë,
ndihem komod ama, pa ja u dredhur zemrat,
kur ushqej pelën me tërshërë të artë.

Në racën njerëzore nuk kam miq, – punë geni,
një mbretërie tjetër i përkas, me të jetoj,
kravatën e mëndafshtë në një qafë qeni,
pasi e lidh, me të rri dhe festoj.

Kështu, tani e tutje nuk do vuaj
furtuna brenda shpirtit s’ka më re.
Më quan: sharlatan! – shiko dhe shkruaj!
Më quan: grindavec! – ama, ç’na the!

1922

Shqipëroi: Arqile Garo, shtator 2020.

 

ASNJË TRISHTIM

Foli korija vogëlushe e tha ca fjalë,
me zërin e mështeknës së gëzuar:
– Lejlekët shkojnë e fluturojnë ngadalë,
pa lenë njeri të ndihet i trishtuar.-

Trishtim përse? Mbi botë si endacakë,
kalojmë dhe ikim, kthina mbetet bosh,
për sa humbasin, ka pëlhurë pa cak,
qefinprodhuesit? – me sa qejf i heqin osh!

Qëndroj i vetëm në luginën e pa fund,
rini plot gaz, tek ti mendjen e ktheva,
era lejlekët tutje, larg i shkund,
unë, për çka shkoi asnjë trishtim nuk ndjeva.

Asnjë trishtim për vitet që kam humbur!
Asnjë trishtim për jargavanët e venitur,
porsi rubin ndrin flaka kopshtit, e përhumbur,
por s’ngroh dot zemrën, shpirtin e zhuritur.

Nuk do të digjen degët e Rjabinës,
bari do zverdhet por nuk do humbasë,
ashtu si pema që shkund gjethet tinës,
e shkund dhe unë trishtimin mbi një rasë.

Dhe nëse koha fshin gjithçka mes zhegut,
e në një tog pa vlerë i mbledh, më lart,
thoni: korija vogëlushe atje rrëzë bregut,
a nuk i tha të gjitha, thjeshtë dhe qartë?!

1924

Shqipëroi: Arqile Garo, shtator 2020.

Please follow and like us: