Seladin Ferro, heroi i pamposhtur që luftoi për atdhenë
Eneida Jaçaj
Atdheu është toka mëmë e begatë, sofra dhe streha e dashurisë dhe ngrohtësisë, ku nëna për herë të parë përkund djepin me këngën në buzë, që i buron nga thellësia e një shpirti të dëlirë. Asgjë dhe askush nuk ka forcë të shuajë prushin e dashurisë për atdheun, por do të mbetet i ndezur si pishtar në zemrat tona, në përjetësi! Për ardheun tonë Shqipëri, që na mban të mbërthyer në kujtime, të skalitura thellë në zemër dhe memorie, dhanë jetën mijëra trima dëshmorë që me gjakun e tyre sollën lirinë dhe bënë historinë e vendit, për të cilën duhet të ndihemi krenarë.
Ishin ata heronj trima, sypatrembur, që lanë familjet dhe dolën maleve për të luftuar kundër falangave nazifashiste. Shqipëria, bashkë me trimat e saj në luftë, u bë pjesë e bllokut të vendeve antifashiste, përkrah aleatit të madh, edhe në ditët e sotme, shtetit amerikan, vendit më demokratik në botë. Ishte epopeja e lavdishme e Luftës Nacional Çlirimtare kundër nazifashizmit, ku trimat luftuan me heroizëm dhe sakrifikuan jetët për lirinë e atdheut. Me gjakun e tyre i dhanë Shqipërisë një faqe të lavdishme në histori, ata heronj të cilët nuk iu trembën plumbit të armikut, por i dolën ballëhapur, sepse më mirë një ditë mbret në vendin tënd, sesa i shtypur përgjithmonë, apo siç thotë Naim Frashëri: Liria eshte thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë!
Seladin Ferro, ushtaraku legjendar, ishte një nga ata burra trima që sot mban lart emrin e tij në Altarin e Lirisë së Atdheut. Një burrë trim, i mençur, me kulturë nuk mund të rrinte indiferent, kur atdheu i tij po digjej nga baruti i armikut, që kishte zbarkuar i paftuar në atë vend dhe kërkonte të bënte ligjin në shtëpi të tjetrit. Ai burrë i mençur, me autoritet e fjalëpak, nuk mund ta bënte gjumin e qetë kur liria e atdheut ishte marrë peng nga falangat nazifashiste. Seladin Ferro është heroi i pamposhtur i luftës nazifashiste, pasi fati deshi që t’i shpëtonte plumbit të armikut. Ai dhe ata që ranë dëshmorë nuk luftuan për një përmendore, por për t’i ngritur një monument lirisë së atdheut. Ndihem krenare, unë, stërmbesa e tij sot, të shkruaj historinë e tij, edhe pse nuk do të mjaftonin këto rreshta.
Historia e trimit Seladin Ferro
Seladin Ferro i kishte të gjitha virtytet që formojnë karakterin e një burri, dhe gëzonte respektin e shokëve dhe miqve. Ndryshe nga shumë shokë të tjerë trima, që ranë dëshmorë, ai pati fatin të priste me duartrokitje triumfin e fitores mbi nazifashizmin, të shihte gêzimin dhe shpresën në sytë e fëmijëve dhe pakëz dritë në fytyrat e përvuajtura të nënave, gjysheve, burrave e grave.
Seladini u lind në tetor 1912 në Mançurisht të Devollit. Lufta e gjeti atë të martuar, me katër fëmijë. Edhe pse me shumë fëmijë, ai doli malit për të luftuar, pasi ishte i preokupuar për ekonominë dhe lirinë e vendit. Shtëpinë e tij, ai e kishte kthyer në çerdhe të partizanëve, ku diskutonin planet kundër armikut. Më 13 shkurt 1943 në shtëpinë e Seladinit po bëhej një mbledhje e tillë. Për zhvillimin e mbledhjes së Njësitit, Seladini kishte marrë masa sigurimi, duke lënë roje vëllain e vet, Rahmiun, në drejtimin e rrugës nga Gollobërda dhe kushëririn, Fidaiun, në drejtimin e rrugës nga Progri. Përveç armikut, kundër lirisë së Shqipërisë kishin dalë edhe disa shqiptarë, fatkeqësisht. Kur kundërshtarët e morën vesh se çfarë po ndodhte në atë shtëpi, kunërshtarët shqiptarë, Seladini i nxori shokët me shpejtësi nga shtëpia. Dita kur ai vendosi të dilte në mal, i tha këto fjalë nënës së tij, Salushes: Sot po iki në mal dhe do të kthehem vetëm kur Shqipëria të bëhet e lirë. Po të lë amanet katër fëmijët dhe nusen shtatzënë. Po u lind djalë, emrin do ia vini Lirim, po u lind vajzë, do e quani Liri. Skënderin, Diturijen, Manushaqen (gjyshja ime) dhe Ismihanen i përqafoi me lot në sy dhe u largua. Pasi Seladini ishte larguar nga shtëpia, ballistët siç quhen në histori, u futën në shtëpi dhe s’lanë gjë pa prishur e pa përmbysur. Nënë Salushja shkon në qilar dhe del nga andej me një bidon me vajguri. “Merre, dhe po ta mbajti, digjma shtëpinë. Por ti e di që unë s’kam djalë vetëm Seladinë, kam edhe Rahminë, kam nipa Safetin dhe Fidainë, kam dhe tim vëlla Gurtali Syrixhinë, kaçakun e maleve që të gjen në çdo vrimë”, i drejtohet nëna ballistëve. Po bëheshin tre vjet që ishte larguar nga shtëpia, por nëna i kishte ndërruar jetë.
Në vitin 1944 Seladini qe inkuadruar në Brigadën e XV sulmuese, me detyrë komandant toge në Batalionin e III-të. Më 29 qershor 1944, në luftimet e zhvilluara me Ushtrinë Gjermane në vijën Alarup-Podgorie, ai u plagos rëndë në krah. Pas çlirimit dërgohet në Tiranë në Shkollën e Kualifikimit të Oficerëvë të Luftës. Në vitin 1945 këtu merr gradën nëntoger dhe caktohet si kuadër Ushtrie në Delvinë. Më 25 gusht 1991, i jepet lamtumira trimit, atdhetarit, Seladin Ferro. Një vlerësim vjen për trimat si Seladini, nga Muharrem Xhafa, një atdhetar tjetër, që i uronte Shqipërisë lirinë dhe begatinë. Në një prononcim, ai shprehet se: “Të tillë qenë partizanët trima të LANÇ-it, heronjtë e dëshmorët e AtdheutTë tillë qenë njerëzit e shquar të kombit shqiptar ata burra e ato gra (shoqe), që, me armë në krah, dolën malit për lirinë e atdheut dhe luftuan me heroizëm për çlirimin e tij kundër pushtuesve të huaj e bashkëpunëtorëve të tyre!
Të tillë qenë ata burra e ato gra, që hapën dyert e shtëpive të veta për luftëtarët e lirisë dhe i kthyen ato (shtëpitë) në kala të pathyeshme lufte pêr armiqtë pushtues! Të tillë qenë ata burra e ato gra, që, frymëzuar nga idealet e lirisë e pavarësisë së Atdheut, vunë në shërbim të çlirimit gjithçka patën. Një vend i madh ose i vogël nuk vdes kurrë kur ka njerëz të tillë të shquar”. Por, trimat kurrë nuk vdesin, ata jetojnë në përjetësi, pasi kanë lënë në historinë e vendit, emrin e tyre, gjakun e tyre, për liri!
http://illyriapress.com/seladin-ferro-heroi-i-pamposhtur-qe-luftoi-per-atdhene/