Thesar i harruar – Respekti ndaj së shkuarës është vlerësim i së ardhmes!
Menduh Zavalani
Imagjinoni pak… gjysmë km larg pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit, një nga betejat më të mëdha e më të përgjakshme të historisë së Europës. Qindra luftëtarë anglo-saksonë po u sulen me sëpata ushtarëve normanë, që duan të pushtojnë Durrësin. Anglo-saksonët, të quajtur varangianë, janë larguar nga Anglia pas pushtimit të tokave te tyre prej normanëve, pak vite më parë dhe tani mbështesin perandorin bizantin në mbrojtjen e qytetit të Durrësit. Normanët shpërndahen, por qindra të tjerë me harqe e heshta, të drejtuar nga prijësi i tyre Rober Zhiskar (Robert Guiscard), u vijnë në ndihmë shokëve dhe ndjekin varangianët që përpiqen të fshihen në bazilikën e Shën Mihailit. Normanët i venë zjarrin bazilikës duke djegur dhe masakruar varangianët anglo-saksonë, fitojnë betejën duke pushtuar Durrësin, ndërsa perandori bizantin, Aleks I Komneni largohet i plagosur për në Ohër.
Fiks 900 vjet më vonë, çifti shqiptar i arkeologëve, Sali dhe Hava Hidri, zbulojnë nën një shtëpi e një teqe, rrënojat e bazilikës më të madhe të gjetur deri më sot në Shqipëri dhe një mozaik biblik mbi 50 m2. Madje dalin dhe gjurmët e patkojve dhe mamuzeve të kuajve si dhe mbetje të hirit nga djegia e bazilikës. Pikërisht bazilika e Shën Mihailit, në kodrën e Arapajt.
Në fundjavë shkojmë të shohim ç’ka mbetur nga bazilika: Pasi kalojmë kthesat e ngushta që ngjeshen shtëpive të tullave e betonit në Arapaj, na del një pllajë e gjerë me bar të korrur, e rrethuar me kangjella e me një portë të mbyllur.
“Lëvizeni shulin dhe shtyjeni fort se hapur është” – na thotë një grua nga një ballkon.” Futemi brenda e na pret një tabelë e madhe informuese në shqip dhe anglisht, me 4 imazhe, ku duken rrënojat e bazilikës nga sipër dhe 2 barinj e një dhi nga mozaiku i zbuluar aty. Nga krahu shqip se ç’kanë dashur të shprehin turistët… kurse pas tabelës shohim hapësirën e madhe të bazilikës, me muret rrethuese ku gjysmë e ku një metër mbi tokë, atriumin me një pus ne mes ku ka mbirë një fik, elemente kolonash përreth, gropat e menteshave tek një prag guri i një porte të dikurshme anësore dhe qartë duket absida, e konturuar nga disa plehra moderne shumëngjyrëshe.
Në anën jugore është një sipërfaqe e mbuluar me gjeotekstil e zhavorr, mbi të cilën ngrihet një strehë e mbajtur mbi kolona druri. Këtu ndodhet sipërfaqja me mozaik, e pamundur për t’u parë për momentin, ndërsa nën të është një kthinë që duhet të ketë qenë varr monumental. Disa dele duket se po dremisnin nën hijen e strehës mbi mozaikun e mbuluar kur erdhëm ne, e një pulë vinte vërdallë tyre.
Në hyrjen e varrit monumental, nën mozaik, rrinin të qeta dy dhi, që duket se do jenë joshur nga dhia e mozaikut në tabelë. Sa u sorollatëm nëpër rrënojat e mbetura të bazilikës, u prish qetësia e dhive dhe destinationi u bë baritor aq sa historiko-kulturor. E se ç’kishte një paqe në atë hapësirë të rrethuar nga mish-mashi i ndërtimeve dhe harresës…