Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Mina

 Tregim

Ju me siguri nuk e njihni Minan. As nuk kini idenë më të vogël se kush është ky njeri. Është burrë apo grua? Një mori pikëpyetjesh do t’u ngre në mëndjen tuaj nëse do t’u drejtohem me pyetjen e thjeshtë: -Kush është Mina?

Mbase do të mbledh vështrimin tuaj të habitur, të shoqëruar me ngritje të supeve si shenjë të pohimit se nuk e dini dhe pastaj kërkesën tuaj të drejtë për të shuar kuriozitetin e ngritur nga pyetja. Keni të drejtë. Minan e njoh unë dhe bashkfshatarët e mi. Kam qënë i vogël kur njoha këtë burrë me emrin e çuditshëm Mina. Në kinema kisha parë një film, ishte kinez apo japonez, këtë nuk e mbaj mend. Vetëm kujtoj se ishte një film me shpata dhe heroi kryesor në film ishte një djalosh me emrin Mina. Kur dëgjoja të pëshpëritej emri i burrit të fshatit tim nga njerëzit, vetëm se më vinte ndërmend personazhi i filmit. Kjo për arsyen e thjeshtë! Nuk e kisha parë asnjëherë Minan njeri të gjallë. Ai ishte hije e rrugëve të fshatit tim. Edhe sot nuk e kuptoj nga e kishte marrë këtë emër burri i çuditshëm dhe përse e thërisnin me atë emër. Me siguri duhej të ishte ndonjë nofkë e ngjitur, siç ndodh rrëndom në fshat me emrat. Më shumë mundësi ka që personin që kërkon ta njohin nga llagapi, se sa nga emri i tij i vërtetë.

Por një ditë munda ta shoh nga afër kur rrëshqiti në sokakun e rrugës, para portës prej hekuri të shtëpisë sime. Ishte e beftë shfaqja e tij para syve të mi, aq sa u tremba dhe do të isha fshehur menjëherë pas derës prej hekuri, por ajo ishte e mbyllur. Prisja që të ma hapnin nga brenda atë. Mina ishte mësuar që të kapërcente rrugët e fshatit kur ato ishin pa njerëz dhe heshtnin si vizitorët në varreza. Ndaj shfaqja ime në rrugën që po bënte ai, e stepi edhe atë.

Ishte i urtë? Mbase dhe këtë e besova kur pashë reagimin e tij, kur më ndeshi në atë rrugë.

Në fillim u ngurtësua në vend. Vështroi rreth e rrotull, sikur të kishte frikë ndeshjen me djallin. Edhe sytë iu picërruan dhe lëshoi përtokë vështrimin e tij. Eci duke mbajtur vështrimin në krahun tjetër dhe gjithë frikë. As mua, vocërrakun, nuk mund ta shihte në sy. Ishte njeri i urtë, që nuk i bënte keq njeriu. Kishte shtat mesatar dhe të mbushur, me tulet e mishtorta të çimentuara në skeletin kockor. Kishte sy të mëdhenj, përherë me një sekëlldi të sajdisur në vështrim. Ballin plot brazda të thelluara, sikur të kishte pluguar aty një parmëndë me qe. Flokët e bardha, i kishte të ashpra si gjëmbat e dëllinjës. Pleqtë thonin se Mina duhej të ishte i madh në moshë. Por e vije në dyshim këtë fakt, kur e hasje në lëvizjen e tij, rrugëve të fshatit. Shkathtësia dhe zhdërvjelltësia që pushtonte trupin e tij në ecje, besoje se ai nuk duhej të kishte më shumë se tridhjet apo dyzet vjet. Më të mplakur në moshë e tregonin flokët e tij të ashpra dhe qimet e gjata si gjëmbaçë, që pushavinin fytyrën e tij.

E kishte zët të rruhej dhe të qethej. Por edhe të kishte njeri tjetër në krah, nuk e honepste dot. Ishte mësuar me vetminë e tij. Dikush kishte thënë se Mina vëzhgonte çiftet e reja në netët e para pas martese. Këto fjalë qarkulluan si erë e marë në fshat. Dikush i besonte, dikush tjetër jo. Këto fjalë dhe dëshira e disa djemve të fshatit për t’i dhënë një mësim Minës, bënë që ata të thurnin një plan dh eta zbatonin në ditën e parë që Mina kishte për të zbritur nga mali, atje ku ai ishte çoban me bagëtitë e kooperativës.

Mina kishte një dhomë kthinë në stallat e kooperativës. Një hapësirë e vogël, me një shtrat dhe një dollap-raft për teshat e tij. Djemtë, atë ditë kur Mina zbriti nga mali me qumështin e mjelë nga bagëtitë, kishin pastruar dhomën e tij. Nga fshati ngjitur me tonin, i kishin mbushur mendjen një vajze, të lehtë nga mendja, që do ta martonin dhe e kishin prurë atë në dhomën e Minas. Pastaj kishin marrë forcërisht Minan në drejtim të manave në të dalë të fshatit, ku e kishin qethur, rrojtur dhe larë me ujët e lumit që kalonte atje pranë. Kishte uluritur dhe rrënkuar si bishë e plagosur Mina, derisa kishte pranuar që ta vishnin edhe me petkat e reja. Pastaj e kishin drejtuar tek dhoma e tij, ku ai kishte takuar atë marroke, që sillej rrotull dhe këndonte. Po ashtu, edhe djemtë e kishin vënë në mes të një rrethi, bashkë me vajzën dhe kishin filluar të silleshin rrotull duke kënduar. Si një bishë e rënë në çark dhe që ka humbur lirinë e tij, Mina ishte ngurtësuar dhe sytë vetëm kishin fikur shkëlqimin e tyre.

-Po ky ç’pati? -kishte pyetur njëri nga djemtë.

-Mbase i pëlqen të vështrojë fshehtasi nga dritarja, çiftet e reja! -kishte shtuar një tjetër.

-Nëse do të ishte e vërtetë kjo, tani kjo lulushana nuk do të kishte recka në trup! – deshi t’a mbyllte atë argument një tjetër.

Duke u marë me bisedat mes tyre, djemtë harruan Minan në mes të rrethit të krijuar nga ata. Ai kishte rrëshqitur si ngjalë dhe kishte avulluar nga dhoma. Këtë e dalluar kur vajza e metë dhe maroke filloi ankimin e saj:

-Dua burrin tim, dua burrë për mua!

-Tëmën doçi, na i la në derë këtë budallaçkë!-kishte folur dikush.

-Mirë që na fryvi nga sytë, po është hall i madh ky,- vazhdoi tjetri.

-Të gjejmë Mimin dhe ta heqim qafe vajzën! -konstatoi një i tretë dhe kishte shprehur zgjidhjen e duhur, që djemtë të mos gjendeshin në hall të madh dhe të vërtetë.

Mimi ishte një djalë nga fshati fqinj. Ai vinte çdo mbasdite me karrocën e kooperativës dhe mbarte bukën nga furra, për në fshatin e tij. Ishte një fyell i gjatë kërcijosh, me tipare fare të imta. Edhe zërin e kishte të hollë si një zë femre. Nuk ishte sherrxhi, përkundrazi njihej si frikacak i madh. Djali që kishte përmendur emrin e tij, kishte parasysh cilësitë e tij. Nëse merrej vesh nga organet kompetente, ajo lojë që kishin bërë me këtë vajzë të lehtë nga truri, kishin për ta patur pisk. Ndryshe do të kishte qenë që Mina, ta kishte pranuar zgjidhjen e tyre dhe ta mbante të mangëtën për grua. Por u qëlloi huq.

Mimin e tërhoqën mënjanë dhe i thanë që vajzën ta linte në të hyrë të fshatit të tij. Do ta kesh pisk, nëse tregon se kush ta dha dhe ku e more! Ishte kërcënimi i djemve dhe Mimi pohoi në heshtje se do të ishte gojëkyçur me të gjithë, duke bërë shënjën e mbylljes së buzëve me çelës, me gishtërinjtë e tij.

Mina që nga ajo mbasdite, kishte marrë arratinë. Qëndronte lart në mal, me tufat e bagëtive. Në fshat nuk zbriste as për të mbartur qumështin e mjelë nga bagëtia. Mungesën e tij, filluan ta ndiejnë të moshuarit. Në mbrëmje tek qëndronin në sofatet e gurta përpara shtëpive të tyre, nuk po shijonin mbritjen e papritur si hije të Minas. Ai ulej në krah të tyre dhe përpiqej më tepër të dëgjonte si fëmijë bisedat, se të merrte pjesë në to. Kur zonjat e shtëpive i linin ushqim të mbështjellë në gazetë në duart e tij, ai çohej dhe largohej duke dhënë urratën. Nga pas tërhiqte vështrimet plot keqardhje të bashkëfshatarëve të tij.

-Njeri pa njeri! -shprehte dikush.

-Jo, ka edhe ai njerëz, -e kundërshtonte tjetri. -U vjen turp ta quajnë të afërm!

-Nuk është mirë kështu, -shtonte një plak.

Kur tufat e bagëtive që veronin në mal, zbritën në fshat për rregjimin stallor, pasi moti ishte ftohur, zbriti edhe Mina. Veçse ditët e para, nuk shkoi për të fjetur në kthinën e tij. Kishte frikë mos ia behnin në mes të natës ata djemtë, dhe i punonin ndonjë reng tjetër. Ishte ftohtë dhe ai gjeti ngrohtë mes tufës së deleve, por duke fjetur me një sy hapur dhe një vesh të ngritur në përgjim. Kështu që kaloi një javë, dy javë, një muaj, dy muaj… Dhe në muajin dhjetor nga një qyngj prej llamarine që lartohej mbi kthinën e tij, doli tymi i zjarrit të parë për këtë dimër. Qëlloi që dimri të shtërngojë me dëborën që sa mbaronte  floku i parë, vazhdonte i dyti… Filloi të shtresëzojë pala-pala si dhjamin tek deri, bardhësinë dhe ftohtësinë e saj dëbora…

Dhe erdhi fundviti. Kishte qënë fundviti i fundit edhe për jetën e Minas. Kur mbrëmja e datës 31 dhjetor, lëshoi perden e vet të errësirës, dëgjuam trokitjet në derën e jashtme. Doli im atë. Kur mbylli derën e dhomës, duke sjellë me vete një rrymë të ftohtë ajri, pas trupit të tij dalluam trupin e kërusur të Minas.

-Gëzuar dhe për shumë vjet!- uroi ai me zërin e vet të ngjirur dhe tone basi.

Ishte hera e parë që ia dëgjoja zërin. Nëse do ta kisha dëgjuar në ndonjë cep të errësirës dhe i vetëm, kisha për t’ia dhënë vrapit me të katra, si një lepur i egër.

-Gëzuar, gëzuar! -ia ktheu mamaja. -Hajde ulu pranë zjarrit se qënke bërë kallkan more i zi.

Mbi flokët e tij të ashpër, ishte ende një strehë e plotë dëbore. U ul pranë sobës dhe duart e tij të plasaritura pushtuan qyngjet. Mamaja gatiti diçka në një pjatë, i mbushi dhe një gotë raki dhe ia afroi pranë duke i vënë mbi ndenjësen e një karrige. Ai largoi pëllëmbët e duarve nga qyngjet, me eks dhe një frymë, kaloi lëngun e rakisë në fytin e tij. Pastaj këputi disa kafshite bukë dhe i përtypi të shoqëruar më gjellën. Si ta kishin urdhëruar me një komandë ushtarake, la bukën në mes. U çua dhe na hodhi një vështrim të gjithëve sa ishim në dhomë. Tek pragu i derës ndali.

-Gëzuar edhe një vit të mbarë! -shqiptoi duke u larguar në natën që lagej nga dëbora. Nata e mori në gjirin e vet të ftohtë, në fërgëllimën e erës. Mbase kishte për të shkuar edhe në shtëpi të tjera dhe të përcillte atë urim të thjeshtë dhe tepër njerëzor.

Dita e parë e vitit të ri, agoi. Dëbora sërrish kishte trashur trupin e saj. Dikush që erdhi për të uruar vitin e ri, atë mëngjez, na tha se Mina kishte vdekur.

-Mos ende je i trullosur nga rakia e mbrëmshme? -nuk besonte ime më.

-Jam esëll fare, -këmbënguli tjetri, -ka ngrirë tek muri i avllisë i shtëpisë së Petraqit!

Kureshtja ime më shtyu t’u përvidhesha prindërve dhe të vrapoja për tek vendi që kishte përmendur i vizitori në shtëpinë tonë. Vërtet Mina ishte atje. Rrëzë murit, i mbështetur në kërbishte, qëndronte pa jetë. Rreth këmbëve dhe deri në lartësinë e gjoksit të tij, era kishte krijuar një pështjellim dëbore. Gishtërinjë e trashë dhe të plasaritur, kishin ngelur jashtë asaj cipe bore, si të ishin copa druri të hedhura rastësisht aty. Edhe mbi tufën e flokëve të kokës së tij, të anuar pakëz, ishte krijuar një kapuç prej dëbore. Ndërsa buzët e mavijosura dhe të nxira, gjysëm të hapura, sikur kishin lënë diçka pa shqiptuar. Ndoshta një urim për bashkëfshatarët e tij në këtë fillimviti, mbase një falje për të gjithë ata që e kishin lënduar dhe ishin sjellë keq me të, kushedi…

Asnjëherë nuk mund ta kuptojë njeriu impresionin e buzëve të tilla të hapura, se çfarë duan të shqiptojnë, cilat fjalë të përcjellin… Mbase janë enigma që nuk mund t’i zbulojmë dot në jetën tonë. Edhe vetë jeta e këtij njeriu ishte një enigmë, që shkoi me vdekjen e tij enigmë…

Please follow and like us: