Don Lush GJERGJI: Shën Jeronimi me origjinë ilire
SHËN JERONIMI ILIR (347 – 420)
përkthyes i biblës, dijetar i kishës
Don Lush GJERGJI
Shën Jeronimi – jeta dhe vepra
Shën Jeronimi ilir është një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë të gjithë të krishterët, si shenjt dhe dijetar të madh, një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikaturit të kohës së tij, “egregius doktor Ecclesiae” – Doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-397) dhe Shën Augustinin (354-430). Ishte njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë. Këtë “dualizëm” mes hyjnores dhe njerëzores, natyrës dhe hirit, dëshirës dhe mundësive, trupit dhe shpirtit, rrethit dhe personit, ai e ka shprehur në mënyrë magjistrale duke lutur kështu “Parce mihi, Domine, quia dalmata sum” – “Më fal, o Zot, se jam dalmat” (nënkuptohet ilir, vr. ime). Shën Jeronimi kërkonte falje për karakterin e tij jo të lehtë dhe temperamentin e fortë, do të themi ne, për gjakun e “nxehtë”, që e mundonte shumë. Kishte pengesa dhe tundime të ndryshme, “kryqe” të vazhdueshme në jetën dhe në veprimtarinë e tij tejet të bujshme.
Me 30 shtator, çdo vit kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës, një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit Kostandini (313).
Këto arsye, por edhe shumë të tjera, sidomos sivjet në 1600 – vjetorin e vdekjes së tij, në një mënyrë na sfidojnë dhe “detyrojnë” ta studiojmë dhe njohim më për së afërmi Shën Jeronimin ilir, njeri i cili me jetën dhe punën e tij të larmishme, me shkrime dhe botime, veçmas më përkthimin e tërësishëm të Biblës nga hebraishtja dhe greqishtja, pjesërisht edhe aramaishtja, kuptohet në gjuhën latine, e cila aso kohe ishte gjuha, pothuajse, e mbarë njerëzimit, ia ka dhënë Kishës dhe botës – Fjalën e Zotit, Biblën, për ne të krishterët, burimin e zbulimit dhe dhurimit të Zotit, veprës së shëlbimit, ndërsa për mbarë njerëzimin, çelësin e kuptimit dhe interpretimit të krijimtarisë në çdo lëmi, të kulturës dhe qytetërimit perëndimor evropian, tashmë edhe botëror. [i]
Shën Jeronimi lindi në Stridon të Ilirisë, në kufi mes Dalmacisë dhe Panonisë. Stridoni mendohet se mund të jetë në Trogir ose në afërsi; disa mendojnë afër qytetit kroat Skradin apo diku gjetiu, në Kroacinë e sotme, ndoshta edhe në Slloveni apo në kufi me Italinë. Në një shkrim Shën Jeronimi Stridonin e quan edhe “oppidium” që domethënë vendbanim apo qendër jo shumë e madhe, qytezë, fortesë apo edhe kala. Kjo i ka orientuar disa historianë dhe arkeologë të supozojnë dhe të mendojnë se ishte ndonjë qendër ushtarake, kështjellë apo fortesë, ndoshta edhe seli ipeshkvore, gjithsesi vend strategjik, që Gotët e kishin pushtuar dhe rrënuar gjatë viteve 376 – 379, që fatkeqësisht më kurrë nuk ishte gjetur saktësisht vendi, edhe më pak është rindërtuar.
Rreth lokacionit të Stridonit ka pasur gjatë historisë shumë studime, gjurmime dhe hulumtime, që vazhdojnë edhe në kohën tonë. Historianët, arkeologët, publicistët, me këmbëngulje kërkojnë dhe gjurmojnë në këtë drejtim.
Sipas disa studiuesve Illiria kishte tri interpretime: “Illirio proprio, l’Illirio esteso dhe l’Illirio generale”[ii] (vetë Iliria, Iliria e zgjeruar dhe Iliria e përgjithshme).
“Stridoni në kufi të Dalmacisë dhe Panonisë”, siç shkruan vetë Shën Jeronimi, për disa domethënë një vend apo emërtim i tretë, ose një provincë tjetër, që sipas interpretimeve mund të jetë Istra, mes Dalmacisë dhe Panonisë . [iii]
Hipoteza e tretë është kjo: Dalmacia, si pjesë e Ilirisë, pra, e njëjta provincë, me emërtime të ndryshme. [iv]
Përfundimi i këtij studimi është ky: “Unë e konsideroj dhe nderoj Shën Jeronimin si Atë të madh dhe njeri tejet të ditur...” [v]
Shën Jeronimi shkruan për shkatërrimin e Stridonit nga Gotët në vitin 392 dhe e përmend për së dyti, duke e cilësuar si vend me mentalitet të mbyllur, pa ndonjë qytetërim të theksuar, ku pasuria dhe suksesi ishin virtyte. Aty ai shprehet kështu. “Testis Illiricum, testis Thracia, testis in quo ortes sum“ [vi], që do me thënë: dëshmitar në Ilirikum, dëshmitar në Traci, dëshmitar në të cilin kam lindur.
Një gjë është e sigurtë, Stridoni gjendej në Ilirinë e atëhershme.
Prindërit e tij ishin të krishterë, babai Eusebie, ndërsa emri i nënës nuk dihet. Emri i tij i plotë është Sofronius Eusebius Hieronimus (Sofron Euseb Jeronim).
Ai në librin De viris illustribus (Mbi njerëzit e shquar), kështu e paraqet vetveten: “Unë, Jeronimi, biri i Eusebit, nga qyteti i Stridonit, që është në kufi me Dalmacinë dhe Panoninë, dhe që është shkatërruar nga Gotët, deri në këtë vit, dmth. viti i katërmbëdhjetë i Perandorit Teodosie, kam shkruar si vijon…” [vii]
Familja ia kishte mundësuar atij studimet në Romë, te dy mjeshtrit – mësuesit më të njohur të asaj kohe, Mario Vittorio dhe Elio Donato, për t’u përvetësuar në gramatikë dhe retorikë.
“Nëse ishte Dalmatin, me prejardhje, çka duket gjë e qartë, atëherë sigurisht ka ditur diçka nga kjo gjuhë si fëmijë .“ [viii] (mendohet gjuha ilire, vr. ime)
Këtë gjë e pohon edhe vetë Shën Jeronimi, si dhe studiuesit tanë: Aleksandër Stipçeviqi, Ibrahim Rugova, Zef Mirdita, Jahja Drançolli, Engjëll Sedaj, Sabri Hamiti, Isak Ahmeti, Luan Rama, Ndue Ukaj dhe shumë të tjerë.
Studiuesi i njohur frances Valery Larbaud vazhdon kështu trajtimin e Shën Jeronimit dhe të familjes së ti: “Prindërit e Jeronimit ishin të krishterë, agrarë të pasur. A ishin brezi i parë apo i dytë të krishterëve, vështirë mund të thuhet. Përpos emrit “Hieronimus” iliri i ardhshëm, shumë i njohur, kishte edhe emrin e babës “Eusebius”… Për nënën e tij nuk dimë asgjë, as emrin, por për motrën shumë më të re, e cila ishte bërë murgeshë, Jeronimi flet si për “vajzë të re”, ose “grua të re”, por edhe emri i saj do të mbesë gjithmonë i panjohur. Për vëllain Paulinianin (“Paulinianus”), i cili po ashtu ishte bërë murg, pastaj edhe meshtar, mendohet se ishte më i ri se ai diku për 20 vjet.” [ix]
Ndërsa, analisti i njohur kroat Marito Mihovil Letica, duke shqyrtuar prejardhjen e Shën Jeronimit, ndër të tjera shkruan kështu: “Italianët në veçanti synojnë t’ua marrin Ilirëve (shqiptrëve të sotshëm, vr. ime), duke vlerësuar së populli i tashëm, si pasardhës të Ilirëve të dikurshëm, nuk ka mund ta jepte një zambak kaq të bukur nga thera dalmatine.” [x]
Fatkeqësisht, kjo dëshmon se ne si shqiptarë, por edhe si shqiptarë të krishterë, shumë pak kemi bërë deri sot për ndriçimin e jetës dhe veprave madhore të Shën Jeronimit ilir, si dhe të shumë figurave tona madhore. Atëherë del në pah një e vërtetë e hidhët me historinë tonë fetare dhe kombëtare: kur ne nuk e njohim, e braktisim, tjerët e përvetësojnë, gjë kjo që na ka dëmtuar dhe vazhdon të na dëmtojnë gjithnjë, jo vetëm si histori, po edhe si aktualitet dhe ardhmëri.
Nga këto elemente dhe analiza vërtetohet se familja e Shën Jeronimit ishte me prejardhje bujare, intelektualisht e ngritur, materialisht e pasur, shpirtërisht e begatshme, oazë feje dhe dashurie, burim i thirrjeve të jetës së kushtuar Zotit, Kishës, shërbimit ndaj njeriut.
“E pashpjegueshme (do të themi e pakuptueshme), si një 20 vjeçar i ri nga Iliria erdhi në Romë, ku si mësues e kishte hiq më pak se gramatikanin më të njohur të kohës, Donatin (Alias Donatus), të cilin Jeronimi do ta kujtojë gjatë tërë jetës së tij.” [xi]
Ky fakt ka dy shpjegime: që familja e tij, veçmas babai, ishte intelektual dhe njeri i pasur, me shumë prona dhe toka bujqësore, si dhe kishte hetuar aftësitë e birit, Jeronimit, i cili dallohej në zgjuarësi dhe inteligjencë të jashtëzakonshme. [xii]
Në Romë pati një rini të lirë dhe të shfrenuar, si shumë moshatarë të asaj kohe. Mirëpo atë e tërhiqte shkenca, arti, letërsia antike, studimi, leximi, sidomos retorika dhe gramatike, që aso kohe ishin lëmi tejet të çmuara dhe shumë të dalluara.
Retorika fillimisht ishte arti i të folurit mirë në publik, sot ne do të themi mënyra e përsosur e komunikimit, si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore e Perëndimit, ndërsa gramatika mënyra e logjikimit dhe shkrimit të rrjedhshëm dhe të bukur.
Prandaj retorika dhe gramatika janë shkenca të përgjithshme për njohuri, por edhe për formim, orientim dhe edukim jetësor.
Në Romë, Shën Jeronimi shpejt e mësoi gjuhën latine, aq sa konsiderohej një ndër njohësit, mjeshtrit e kësaj gjuhe. Mirëpo nuk e lente pas dore as studimin e gjuhëve tjera, si greqishten dhe hebraishten. Kishte njohur dhe shijuar për së afërmi kulturën dhe krijimtarinë e botës greko – romake: Homerin, Platonin, Aristotelin, Ciceronin, Virgjilin, Oracin, Senekën, Tacitin e shumë të tjerë, si një erudit i vërtetë, sa që pa teprim thuhet se ishte njeriu më i mençur ndër etërit perëndimor të Kishës.
Pas studimeve të shumta të klasikëve, por aty – këtu edhe të teologjisë, Biblës, ishte në një udhëkryq të madh, nuk dinte më çka të bënte me vetveten dhe jetën e tij.
Rinia e tij në Romë ishte për të mjaft e vështirë dhe me shumë sfida, sidomos në aspektin moral, jeta e shfrenuar dhe epshore, që ai pjesërisht e kishte provuar dhe pësuar, por me vullnet të fortë, sidomos me ndihmën e Zotit dhe hirin e tij, e kishte përballuar dhe tejkaluar.
Mund të themi se vazhdimin e studimeve “pasuniversitare” e pati në Trier, seli mbretërore dhe qytet i njohur dhe i famshëm për shkencë, kulturë dhe art. Jeronimi tashmë ishte latinist i njohur dhe i madh.
Pse kishte shkuar Jeronimi prej Romës në Trier, nuk dihet saktësisht. Pas Trierit Jeronimi është në Aquilejë, ku fatbardhësisht ishte një bashkësi e fortë e krishterë e udhëhequr nga ipeshkvi i mirë dhe i virtytshëm Valeriani.
Në “Akvileja mori vendimin përfundimtar: Jeronimi shkon në shkretëtirë për të jetuar jetën asketike.” [xiii]
Faza e parë në Lindje (372 -381)
Pas leximit të shumë klasikëve greko-romak, Jeronimi tërhiqet në Antioki, qendër rëndësishme e krishterimit, më vonë në shkretëtirë të Kalkisit në Siri, me qëllime që të studionte sa më mirë gjuhën hebraishte, për t’iu kushtuar uratës dhe pendesës, si mysafir i Evagrio-s. Pastaj kaloi afro 10 vjet në shkretëtirë në Kalcedoni.
Mund të themi që ishte shumëi lodhur, deri diku edhe i mërzitur, gati i dëshpëruar nga jeta mondane, nga rrogatjet dhe mosmarrëveshjet e kota mes grupeve dhe bashkësive – sekteve të ndryshme fetare. Për këto arsye, si shkas, por edhe më shumë për idealet e larta ungjillore të pendesës, uratës, vetmisë, shenjtërisë, punës së madhe intelektuale dhe shpirtërore, ai vendosi të tërhiqej në shkretëtirë, si asket, pendestar, vetmitar.
Kështu së fundi, në lutje, në heshtje, në pendesë, në vetmi, në studime, lexime, meditime, pra, në një stil dhe rreth krejtësisht të ri dhe të ndryshëm, Jeronimi gjeti vetveten, pas kundërshtimeve të shumta të brendshme dhe të jashtme, sidomos me arianët.
Rëndësi të madhe pati edhe pagëzimi i tij në Romë në vitin 360 nga Papa Liberio (352 – 366), në moshën rinore dhe madhore, pas një përgatitjeje dhe përcaktimi personal, edhe pse, siç thamë më parë, ishte lindur dhe edukuar në një familje të krishterë. Kjo ishte tradita dhe praksa kishtare e asaj kohe, jo pagëzimi i fëmijëve, por i njerëzve të rritur, pas një ecjeje dhe shtegtimi shpirtëror katekumenal, për të qenë të krishterë të bindur dhe dëshmitar të Jezu Krishtit
Përvoja e bukur dhe tejet e lumtur fetare – krishtere, e kishte udhëzuar në një kërkim të vazhdueshm të Zotit, të Fjalës, Porosisë dhe Pranisë së tij në jetë. Kështu lindi edhe thirrja meshtarake. Në Antioki shugurohet meshtar na ipeshkvi Pali. Duhet të theksohet se Shën Jeronimi ishte shuguruar meshtar, sipas këshillit të mikut Evagrios, por edhe bindjes dhe përcaktimit të tij, me një kusht: që mos të kishte shërbime dhe detyrime baritore, por në një mënyrë, të ishte “meshtar i lirë”, sot do të themi “profesionist i lirë”, gjë kjo që ia kishte plotësuar shuguruesi, ipeshkvi Pali.
Për katër vite ishte tërhequr në Antioki, te ipeshkvi i njohur Apollinari, duke iu kushtuar shkrimeve, leximeve, meditimeve, sidomos duke studiuar me shumë zell dhe vullnet të pathyeshëm gjuhën hebarishte.
Aty pati shumë vështirësi, ndër të cilat po i përmendim vetëm disa: Pas kohës së kaluar në Kostantinopojë, në pallate të bukura dhe me shumë biblioteka, libra, takime shoqërore dhe kulturore, tashmë ishte vendosur në një shkretëtirë.
“Dëshpërimi i parë: të mësohet në ushqim të mangët dhe të varfër, në etje dhe në nxehtësi, në vetmi të paskajshme, me plot nostalgji për Romë… Ai e gjente ngushëllimin në librat e tij. Vërtet, para ndriçimit të fjalëve të Ciceronit, Platonit, Virgjilit, Bibla i dukej lekturë e thjeshtë… Ëndrra e tij, ku Zoti i thotë se ishte “ciceronas” e jo i “krishterë”, dhe përgjigja e tij: “O Zot, nëse ndonjë herë do t’i marrë në dorë librat profane, nëse do t’i lexoj ato, atëherë të kam mohuar.” [xiv]
Ëndrra apo vegimi i tij është interpretuar në forma të ndryshme “si një ngjarje që realisht i ka ndodhur Jeronimit, si një zhytje në nëndije, që merr trajta letrare, si një fryt shpikjeje letrare, si një mënyrë për ta shprehur kthimin nga letërsia pagane në studimin e Shkrimit.” [xv]
Jeta e Shën Jeronimit si njeri i uratës, pendesës në shkretëtirë, si studius, shkrimtar, mund të cilësohet kështu: “Jeta që Jeronimi dëshironte ta kalonte në shkretirë, nuk ishte si jeta e të afërmve të tij… Shkretëtira për atë do të thoshte askezë, pendesë, uratë, mohim ndaj botës dhe mundësive tërheqëse dhe ndaj luksit; nuk është një jetë në mosdije dhe në shëmtim intelektual…
Përpos pendesës dhe uratës, ai pjesën e mirë të ditës ia kushtonte asaj që për atë ishte qendra tjetër e interesave të tija, puna eruditore dhe studimi mbi tekstet e shenjta.” [xvi]
Sipas Jeronimit gjuha hebraishte ishte nëna e të gjitha gjuhëve, dhe shi për këtë, ai e mësoi nga një hebre konvertit në krishterim, me emër Baraninas. E mësonte edhe si pendesë, por edhe armë për t’i luftuar dhe larguar tundimet e ndryshme, sidomos atë trupore dhe epshore.
Ai ndër të tjera shkruante kështu: “Jam përcaktuar që të kaloja Judenë në shoqëri me hebrenj të dijshëm…
Vetëm Zoti e di sa jam munduar dhe çfarë mundime kam pësuar… Tash e falënderoj Zotin që mund t’i shijoj frytet e ëmbla nga rrënjët e hidhëta të studimeve.” [xvii]
“Pas tundimeve të shumta, vetë Zoti më ngushëllonte…, duke shijuar qiellin, në mesin e engjëjve. Isha i çmendur prej gëzimit, edhe unë këndoja…” [xviii]
Shën Jeronimi kështu e kuptonte dhe zbatonte dëshirën dhe planin e Zotit në lidhje me studimin, përthimin dhe shpjegimin e Biblës: “Unë e kryej detyrën time, duke iu nënshtruar urdhrit të Krishtit i cili thotë: Shqyrtoni Shkrimet dhe kërkoni e do të gjeni, që mos të dëgjoni atë çka iu kishte thënë hebrenjve: jeni në gabim, sepse nuk i njihni Shkrimet, as fuqinë e Zotit”. Nëse vërtet Krishti është fuqia e Zotit, si thotë Shën Pali, ai që nuk i njeh Shkrimet, nuk e njeh fuqinë e Hyjit, as urtinë e tij. Mosnjohja e Shkrimeve domethënë mosnjohja e Krishtit.” [xix]
Nga kjo përvojë është vepra Vita Pauli monachi (jeta e Palit murg), dhe dy vepra tjera të ngjashme, duke dhënë themelet e rregulltarisë së perëndimit.
Faza e dytë (382 – 385)
Shën Jeronimi e kishte shoqëruar ipeshkvin e Kostantinopojës, Palin për në Romë, dhe aty kishte filluar bashkëpunimin e ngushtë me Papën Damasin (366-384).
Gjatë viteve 379 – 381 ishte në Kostantinopojë, te Shën Gregori Nazianzenas (329-390), duke studiuar veprat e Origjenit. Kishte përkthyer Kronikën e Euzebit të Cezaresë (265-340), si dhe 14 homeli. Euzebi ishte biografi i Kostantinit të Madh.
Mirëpo shpirti i tij i madhe dhe gjithnjë kërkues, nuk e lente askund më të qetë. Ishte vazhdimisht në kërkim dhe hulumtim. Në vitin 380 Jeronimi shkoi në Kostantinopojë. Qëllimi kryesor ishte studimi dhe mësimi i gjuhës greke. Aty pati fatin dhe hirin të njihej për së afërmi me Shën Gregorian Naziansenas, ipeshkvin e Kostinopojës, duke krijuar afërsi, miqësi dhe bashkëpunim, si dhe Shën Bazilin.
Pas dy viteve kthehet në Romë, i thirrur nga Papa Damasi dhe perandori Teodosie (347 – 395), pasi që aty përhapeshin shumë herezi. Papa e kishte emëruar sekretar personal. Sekretari i Papës duhej të ishte ipeshkvi i famshëm i Milanos, Shën Ambrozi, i cili fatkeqësisht ishte sëmurë rëndë.
Jeronimi tashmë ishte emër dhe figurë e njohur në botën e krishterë. Papa Damasi këshillohej me të rreth skizmës së Antiokisë dhe shumë çështjeve tjera kishtare. Ky Papë, së pari e kishte marrë si sekretar dhe bashkëpunëtor të dalluar, pastaj i kishte kërkuar revizionin/rishikimin e përkthimit të Biblës, sidomos të Ungjijve dhe psalmeve, që shërbenin për kremtime liturgjike.
Shën Jeronimi ishte i pajisur me njohuri të shumta gjuhësore, “vir trilinguis”, njohës i shkëlqyeshëm i latinishtes, greqishtes dhe hebraishte, por edhe me kulturë, fe, përkatësi kishtare, njeri i cili me zemër i hyri kësaj pune dhe për afro 25 vite të jetës iu përkushtua gati tërësisht Biblës, si përkthyes, shpjegues, interpretues, biblicist dhe teolog i nivelit tejet të lartë. Gjatë këtij shërbimi dhe jetë në Romë, në afërsi me Papën Damasi, dëshmohet përkushtimi i tij i plotë ndaj Zotit, Kishës Katolike, Papës, njohuria e thellë e Biblës, njohja e përsosur e klasikëve, por edhe e teologjisë, me një fjalë “arka” e urtisë dhe shenjtërisë së jetës së krishterë dhe meshtarake.
Pas Sinodit në Romë, si sekretar personal i Papës Damasit, njeri i fesë dhe kulturës, kishte dy detyra parësore: përgatitjen e letrave të Papës drejtuar Kishës dhe përgjigja ndaj pyetjeve të ndryshme që vinin nga vendet e llojllojshme të botës, sidomos rreth herezive.[xx]
Çka kërkonte dhe priste Papa Damasi prej Shën Jeronimi? “Për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje fe, për t’i sqaruar vështirësitë të kishave vendore (dioqezave), për asambletë sinodale, për t’iu thënë çka duhet të bëjnë ata që kthehen nga herezitë, si dhe çka duhet besuar e çka jo, për këtë qëllim të caktohen rregullat dhe formulat.” [xxi]
Aty ra në sy për erudicion, shenjtëri dhe pendesë. Kjo kishte krijuar shumë miqësi, por edhe zili, xhelozi, deri diku edhe armiqësi, sidomos pas vdekjes së Papës Damasi në vitin 384. Ai kishte pranuar të shërbente Papën Damasin, Kishën, vetëm me një qëllim, “për nevojat e Kishës.”
Sulmet, shpifjet kundër Jeronimit ishin një lloj “komploti”, që kishin një synim të qartë, që ai mos të zgjidhej pasardhës i Papës Damasi, gjë që fatkeqësisht edhe e arritën.
Zgjidhja e Papës Siricit (384-399), ishte “grushti” përfundimtar për Jeronimin, i cili ishte i zhgënjyer nga këto rrethana dhe kundërthënie të brendshme kishtare. Ai i shfrytëzoi këto rrethana, si “gisht” të Zotit, që përfundimisht të largohej prej Romës për t’iu kushtuar shkrimeve, përkthimeve, uratës, meditimeve, pendesës, vetmisë, kërkimit të shenjtërisë
Faza e tretë në Lindje (385 – 420)
Vendimi i tij tashmë ishte i qartë, i pjekur, jetësor: kthimi në Lindje, së pari në Antioki, pastaj në përfundimisht në Betlehem, në afërsi të shpellës ku kishte lindur Jezu Krishti. Thoshte: “Ky është vendi ku do të banoj, sepse atë e ka zgjedhur Zotëria” duke menduar në lindjen e Krishtit në shpellën e Betlehemit. Aty ai hapi një shkollë biblike dhe teologjike, një strehimore për shtegtarë falas, tri bashkësi apo kuvende femrore (386), për jetën dhe përsosmërinë ungjillore, në krye me bashkëpunëtoren e ngushtë dhe shenjte Shën Paola dhe disa shoqe bujare të saja nga Roma, një kuvend mashkullor, ku kishte jetuar dhe përfunduar shtegtimin e kësaj jete (420).
Shën Paolës (Palinës) ia kishte kushtuar pos mortem Epitaphium Sanctae Paulae në vitin e vdekjes së saj (404).
Shën Jeronimi përfundimisht e braktisi Romën në gusht të vitit 385 dhe shkoi në Betlehem, së bashku me vëllain Pauliniani, meshtarin Vinçenci dhe nga disa murgë. Në vitin 391 e ka filluar përthimin e Biblës, Besëlidhja e Vjetër, kuptohet, nga hebraishtja, ndërsa Besëlidhjen e Re, nga greqishtja.
Ai ndër të tjera shkruante kështu: “Po shkoj në Jerusalem të bëhem ushtar i Krishtit.” [xxii]
Kjo tërheqje nga Roma në Betlehem kishte tri qëllime dhe synime kryesore:
- Kërkimi dhe synimi i shenjtërimit dhe shenjtërisë, nëpërmjet uratës, meditimit, adhurimit, pendesës, punës rreth përkthimit komplet të Biblës në gjuhën popullore – latine;
- Lufta pa kompromis kundër jetës në vese dhe mëkate, si të besimtarëve, ashtu edhe të klerit romakë dhe në përgjithësi, me paraqitjen tërheqëse të virtyteve të jetës së krishterë, sidomos për meshtarë, të pastërtisë – jetës në celibat;
- Udhëheqja shpirtërore e nxënësve dhe nxënëseve, në krye me Paolën dhe shoqet e saja, por edhe në largësi, me Letrat shkruar shumë personaliteteve të asaj kohe.
Vulgata
Shkas për përkthim dhe studime biblike ishte kërkesa e Papës Damasi, siç e përmenda më parë. Mirëpo tashmë Bibla ishte për të pjesë e pandashme e jetës, vetë Jeta. Ja edhe qëllimet e përkthimeve dhe komentimeve biblike sipas Shën Jernimit:
Docere – për ta mësuar sa më mirë porosinë biblike;
Delectare – për ta dashur sa më shumë atë porosi, edhe më tepër atë Person, Zotin;
Prodesse aut monere – për të jetësuar dhe qortuar sipas porosisë së Fjalës së Zotit.
Shën Jeronimi thotë: “Duam t’i kthejmë fjalët në vepra, jo të themi gjëra të shenjta, por t’i bëjmë ato.” [xxiii] Kështu i shkruante Shën Augustinit, pas lajmit të hidhët të të rrënimit të Romos prej Gotëve (410) si dhe vrasjeve dhe shkatërrimeve barbare të popullatës së krishterë, ku ishte martirizuar edhe Shën Marçela, nxënësja e tij .[xxiv]
Shën Jeronimi intenzivisht ishte marrë me përkthimin e Biblës në tërësi afro 25 vjet, duke parë mangësit dhe pasaktësitë e përkthimeve të mëparshme. Përkthimi i tij është zyrtarizuar apo kanonizuar “si tekst autentik dhe autoritativ të Kishës Katolike” nga Koncili i Trenntos (1545-1563), ndërsa për të gjithë të krishterët në botë është bazë dhe themel i shumë përkthimeve biblike.
Parimi i tij i njohur është ky: “Mosnjohja e Biblës është mosnjohja e Krishtit.” [xxv] Sipas tij Bibla – Fjala e Zotit, është personale, pra, i drejtohet secilit njeri, e domosdoshme për krijimin dhe rritjen, përparimin e çdo bashkësie të krishterë, Kishës, si pjesë e pandashme e liturgjisë, dhe si mundësi dhe rast që nga Fjala, të kalojmë në Porosi, dhe nga Porosia te Personi – Zoti, që na zbulohet dhe dhurohet nëpërmjet Biblës, Kishës, sakramenteve, për shëlbimin e amshuar.
Papa Benedikti XV (1914-1922), duke vlerësuar punën e tij shembullore në përkthimin, shpjegimin dhe komentimin e Biblës, Shën Jeronimin e ka shpallur dijetar të madh dhe të rrallë të Kishës në interpretimin e Shkrimeve të Shenjta. Papa ndër të tjera shkruan kështu “Të gjithë e dinë, të gjithë e pranojnë, që ndër pishtarët një vend të rendit të parë i përket Shën Jeronimit, të cilin Kisha Katolike e pranon dhe e nderon si Dijetar më të lartë që ia ka dhënë qielli për interpretimin e Shkrimit Shenjt…
Thua s’të duket se banon në mbretërinë e qiejve që këtu në tokë, kur jeton ndërmjet këtyre teksteve, kur i mediton, kur nuk njeh e nuk kërkon asgjë tjetër, veç tyre?” [xxvi]
“Në të vërtetë, dialogu me Hyjin, me fjalën e Tij, në një farë mënyre do të thotë prani e Qiellit, dmth. prani e Hyjit. Të lidhesh ngushtë me tekstet biblike, sidomos me Besëlidhjen e Re, ka rëndësi themelore për besimtarin, sepse “të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin.” [xxvii]
“Vërtet, Jeronimi, njeri tejet i madh dhe njohës i thellë i ligjit të shenjt, “mjeshtri i katolikëve” dhe modeli shembullor i jetës së botës, ka shtjelluar dhe mbrojtur në mënyrë të suksesshme doktrinën katolike lidhur me Librat e Shenjta…” [xxviii]
“Aq e madhe ishte energjia që ia jepte dashuria për Shkrime, që s’lodhej të shkruante dhe të diktonte, deri sa vdekja nuk ia kishte fikur zërin e tij. Kështu, pra, pa kursye kurrë mend, net pa gjumë, shpenzime, deri te pleqëria e thellë, nuk u ndalë për të përsiatur ditë e natë për Ligjin e Zotit, pranë shpellës së Betlehemit, duke bërë shërbime më të mëdha ndaj emrit katolik, nga burimi i vetmisë së tij, me shembullin e jetës së tij si dhe me shkrimet e tija, më tepër se do të mund të bënte nëse do të jetonte në Romë, qendra e botës.” [xxix]
Shën Jeronimin e kanë krahasuar me diellin që ndriçon Biblën dhe me luanin që e mbron fenë e krishterë.
Rezultati i tij i punës dhe përkushtimit të tij jetësor është përkthimi i shkëlqyeshëm i Biblës, të njohur si VULGATA, përkthimi i plotë i Shkrimit Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, nga gjuhët hebraishte dhe greqishte, pjesërisht edhe aramaishte, në gjuhën latine nga ana e Shën Jeronimit. Emërtimi Vulgata vjen nga vulgus – popull, vulgata editio, botim për popull, në gjuhën popullore që atëherë ishte latinishtja.
Përpo kësaj ai është shkrimtar i frytshëm dhe gjithanshëm, si në teologji, histori, patristikë, ashtu edhe në vepra letrare.
Ndoshta vepra më e njohur e tij është De viris illustribus, (392) – Mbi njerëzit e ndritshëm, për të dëshmuar që edhe të krishterët janë në nivel të ngjashëm apo të njëjtë me klasikët paganë greko – latinë. Aty ai i paraqet 135 figura të ndritshme, duke filluar prej Shën Palit apostull dhe përfunduar me veten.
“Le ta dinë Celso; Porfirio, Giuliano, këta qenë të tërbuar kundër Krishtit, se edhe ndjekësit e tyre, që mendojnë që Kisha nuk ka pasur kurrë gojëtarë, filozofë dhe doktorë të dijshëm, ta pranojnë më mirë mosnjohjen e tyre.” [xxx]
Enciklopedia Italiane e Shkencave, Letërsisë dhe Arteve për Shën Jeronimin, Giovanni Trecanni, shkruan kështu: “Është një ndër figurat më të përfaqësuese dhe më përmbledhëse në historinë e Kishës dhe nga letërsia e vjetër e krishterë… Ai është “ciceroni i krishterë” dhe mjeshtri i prozës së lashtë.” [xxxi]
Një njësi e veçantë janë librat apo botimet polemike, në mbrojtje të virgjërisë së Marisë, të jetës së kushtuar në virgjëri, të kultit ndaj martirëve, si dhe shumë komente të teksteve biblike.
Klementi VIII (1592-1605) thotë që Shën Jeronimi në përkthimin dhe shpjegimin e Biblës ishte i përcjell nga vetë Shpirti Shenjt.
Shën Jeronimi ka shkruar po ashtu edhe shumë letra dhe përkthime, diskutime, trajtime teologjike, diku 154 të tilla, që shqyrtojnë çështje fetare dhe morale.
Ja edhe vlerësimi rreth këtyre letrave dhe diskutimeve: “Po të mos kishte shkruar asgjë tjetër përpos letrave, Jeronimi do të ishte një ndër stilistët më të ndritshëm të mesjetës së hershme. Në këto letra, janë ruajtur 154, dërguar miqve të njohur dhe të panjohur, Jeronimi gjithmonë i drejtohet brezit të ardhshëm…
Letrat na dëshmojnë Jeronimin njeri të ngazëlluar, të shqetësuar, të entuziazmuar dhe të mposhtur nga vetmia… Në ato e gjejmë tërë Jeronimin që lavdëron dhe qorton, kërkon ndihmë dhe bujarisht ndanë këshilla, flet për veset e të tjerëve, por nuk i mohon as mungesat e tija, tundimet dhe zemërplogështinë...” [xxxii]
Për Shën Jeronimin Erazmi i Roterdamit thotë se “është i vetmi dijetar i Kishës së përgjithshme, i cili në mënyrë të përsosur e ka njohur botën e krishterë dhe atë pagane.” [xxxiii]
Dhe vazhdon kështu: “Nëse shqyrtohet gojëtaria e tij… asnjë shkrimtar i pjesëve tona nuk mund të krahasohet me të: sipas mendimit tim, ai tejkalon edhe Ciceronin për disa cilësi, kryesuesin e gojëtarisë romake… Kush mund të jetë i barabartë me të në njohjen e aq gjuhëve… të jetë si ai që ka jetuar për Krishtin me aq fuqi? Kur ka bërë të njihet më me shumë ngazëllim.” [xxxiv]
“Ky ilir-shqiptar i merituar ishte një natyrë impulsive, tek i cili është përshtatur dhe kundërshtuar mrekullisht kultura themelore pagane me ndjenjën e thellë e të zjarrtë kristiane… Ky humanist dhe filolog i shquar thuajse i pashoq, me veprën e vet, siç ka pohuar edhe Aleksandër Stipçeviqi, i ka dhënë një kontribut të çmueshëm botës perëndimore në fushën e kulturës. Vulgata e dëshmon këtë.“ [xxxv]
Shën Jeronimi ishte shumë bujar dhe bamirës me të gjithës, sidomos nëpërmjet strehimores për shtegtarë në Betlehem, me përkrahje të vejave të pasura dhe bujare nga Roma, të cilat ishin nxënëse besnike në kërkim të jetës rregulltare dhe të shenjtërisë. Ai shpesh iu thoshte bashkëvëllazërve, murgj kështu: Jezusi, Maria dhe Jozefi ende s’kanë gjetur mikpritje në jetën e përditshme.
Shën Jeronimi dhe shqiptarët
Shumë figura të ndritura ilire, që nga zanafilla e krishterimit ndër ne, me Shën Palin dhe nxënësit e tij, si Shën Asti i Durrësit, me shtatë shokët martirë, gjatë përndjekjeve të Traianit (98 – 117), nën udhëheqjen e prokurorit Agrikola, Shën Flori dhe Lauri, martirët dardanë në periudhën e perandorit romak Hadrianit (117 – 138), perandorin e Romës Kostantinin e Madh, dardan-ilir, i cili me Ediktin e Milano (213) ia dhuroi krishterimin lirinë dhe barazinë me paganë, Shën Niketa dardan, përpiluesi i himnit më të bukur i krishterimit në shekullin IV “Te Deum laudamus” – Ty, o Hyj, të lavdërojmë, e shumë të tjerë, ashtu edhe Shën Jeronimi ilir, njeriu i cili e afroi, deri diku edhe e pajtoi kulturën para-kristiane, pra, pagane, me krishterimin, fatkeqësisht është pak i njohur dhe studiuar ndër Shqiptarë.
Ai po ashtu e vërteton lashtësinë e krishterimit ndër Ilirë, qysh nga koha apostolike, me Shën Palin dhe nxënësit e tij, i cili ndër të tjera shkruan kështu: “U përhap në të gjitha vendet (…) me Palin në Ilirik.” [xxxvi]
Arsye për këtë mosnjohje dhe mospërfillje të vetvetes, të historisë, të rrënjëve tona të lashta dhe të tashme, ka dhe nuk ka. Si duket, jemi e zeza e vetvetes, siç thotë populli ynë, apo pak të kujdesshëm për historinë, traditën, kulturën, qytetërimin, për fenë e krishterë, e cila është fija e artë që i lidh shekujt dhe identitetin tonë të trefishtë, ilir, arbëror dhe shqiptar, pra, na bënë Popull të denjë në Evropë dhe në botë, me histori më se dymijë vjeçare, me personaliteti që i çmon, nderon dhe njeh e tërë bota, e ne, fatkeqësisht, nuk i njohim.
Mu për këtë rol urëlidhës dhe për erudicionin e Shën Jeronimit në njohjen e klasikëve, por edhe në fenë dhe dashurinë e tij të madhe për Krishtin dhe krishterimin, por fatkeqësisht mbetet pak i njohur dhe studiuar ndër shqiptarë, disa studiues të tij atë e kanë cilësuar si “Ciceroni i krishterë”, tjerët si paraardhës i qytetërimit evropian, njeriu i cili diti dhe deshi të jetë urëlidhës mes botës greko – romake, pagane, dhe asaj ilire – krishtere. Ai e krahasonte kalimin prej klasikëve greko – romak në Bibël nëpërmjet leximit, studimit, përkthimit, komentimit , por edhe pendesën dhe përshpirtërinë si synim shenjtërimi, si vdekjen dhe ngjalljen e tij, apo edhe si premtimet e pagëzimit. [xxxvii]
Me përkthim e tërësishëm të Biblës, “Libri e librave”, Vulgatën e famshme, ai i vuri themelet e krishterimit në botën e atëhershme, duke dëshmuar aftësitë e tija të jashtëzakonshme gjuhësore, filologjike, erudicionin e tij të rrallë, njohjen e shpirtit biblik, me këtë jo vetëm përkthimin, por edhe komentimin e shumë pjesëve biblike, pra, “gjuhën” dhe komunikimin e Zotit me njerëzimin, fenë e madhe, shpresën e pathyeshme dhe dashurinë vepruese në jetën dhe veprimtarinë e tij kaq të larmishme dhe shumë burimore.
Shën Jeronimin ilir, e ka “përvetësuar” dhe paraqitur si “shqiptar” të dalluar dhe të njohur në mbarë botën, Imzot Fan Stilian Noli.
Gjurmëve të Imzot Nolit kishte vazhduar edhe Don Ndre Mjeda, i cili e kishte paraqitur edhe një lloj skice, apo njësie didaktike dhe shkollore, për ta bërë Shën Jeronimin pjesë të pandashme të shkollës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar.
Krah për të mirë Don Ndre Mjeda e kishte edhe vëllain e tij, Imzot Lazër Mjedën, kryeipeshkvin e Shkup – Prizrenit, më vonë të Shkodrës. Këta dy vëllezër të ndritur dhe frymëzuar kishin themeluar edhe shoqërinë letrare “Shën Jeronimi”, e cila përpos anës kulturore dhe letrare, kishte edhe veprimtarinë botuese shqiptare.
Kështu me punë dhe studime, tekste dhe botime, Shën Jeronimi së fundi erdhi aty ku do të duhej të ishte me shekuj, si shkrimtar ilir, si “Shën Jeronimi i Ilirisë”, themeluesi i patristikës së krishterë, stilistin e njohur, njeriun e ditur dhe të frytshëm, përkthyesin e pashoq të Biblës, përpiluesin e veprës madhore “De viris illustribus”, pajtorin e përkthyesve dhe të bibliotekave, atë që vetë Zoti ia kishte dhënë Kishës dhe njerëzimit si njeri të Provanisë për kohën e tij dhe gjatë shumë shekujve, deri në ditët tona. Iliri ynë e “krishterizoi” botën klasike greko-romake, dhe krishterimin e bëri fe dhe kulturë të gjithmbarshme për mbarë njerëzimin.
Shën Jeronimi vuante shumë nga sëmundja, pleqëria, gati verbëria e plotë, si dhe për sulmet dhe shkatërrimin e madh të Stridonit, vendlindjes së tij, po ashtu edhe të Romës nga ana e barbarëve (410), dy vende shumë të dashura për atë.
Rrënimin e Romës ai e ka komentuar kështu: “Roma është e rrethuar dhe qytetarët e saj janë të detyruar ta blejnë jetën e tyre me ari… duke humbur jo vetëm pasuritë e tyre, por edhe jetën… Roma është rrënuar, është fikur drita e botës, në një qytet të vetëm është dërmuar bota. Çka të bëjmë, nëse jo të heshtim dhe të mendojmë në të vdekur…. Më dhemb zemra dhe qajë për ata… kam lënë anash studimin dhe komentimin, sepse tash është koha që fjalët e Shkrimit të Shenjtë t’i zbatojmë në vepra.” [xxxviii]
Mirëpo fatbardhësisht këto rrethana nuk e dobësonin fare shpirtin e tij, fenë e pathyeshme, shpresën e gjallë, mbi të gjitha dashurinë e flakët për Zotin, Kishën, njeriun, për jetën pendestare, në vetmi, heshtje, uratë dhe punë të vazhdueshme.
Aty, në Betlehem, në afërsi të shpellës ku lindi Shëlbuesi ynë Jezu Krishti, Shën Jeronimi e përfundoi ecjen tokësore, i drejtuar kah amshimi i lumtur (30 shtator 420). Aty edhe ishte varrosur, në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, afër Shën Palinës, sipas dëshirës së tij.
Një ndër studiuset dhe biografet e shquara të Shën Jeronimit, Anne Bernet, ndër të tjera thotë kështu: Askush nuk foli për të, asnjë elegji mortore nuk u tha.
Fati e njerëzve të mëdhenj shpesh është i tillë, por para Zotit ata janë dhe mbesin të ndritur dhe të pavdekshëm.
Në “Martirologium Romanum” Shën Jeronimi cilësohet si dijetar i spikatur i Kishës, prifti më i ditur, ai që i aftësonte edhe të tjerët në këtë drejtim.
Në shekullin e XII trupi i tij ishte bart në Romë, në “Kapelën Sikstinë” të Bazilikës Santa Maria Maggiore, ku edhe sot pushon trupi i tij në qetësi, ndërsa shpirti i tij i madh dhe i bardhë, shijon amshimin aq të dëshiruar dhe të merituar, për të cilin edhe kishte jetuar dhe vepruar gjithnjë.
Trashëgimia e tij shpirtërore dhe kulturore gjatë shekujve është e jashtëzakonshme: shumë rregulltarë apo rregulltare që janë frymëzuar nga jeta dhe vepra e tij; shumë kisha, kuvende bartin emrin dhe shpirtin e tij; në krijimtarinë e pikturave dhe skulpturave, ai paraqet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, një ndër figurat më tërheqëse dhe të pavdekshme të shpirtit dhe jetës së krishterë. Me një fjalë: Shën Jeronimi është Shenjti universal i krishterimit, si është universal vetë Zoti – Ati ynë i mirë, në Birin e Tij, Shëlbuesin tonë Jezu Krishtin, në fuqinë dhe udhëheqjen e Shpirtit Shenjt.
Jeta dhe vepra madhore, enciklopedike e Shën Jeronimit, mund të ndahet në disa kapituj apo drejtime:
Përthimi i tërësishëm i Biblës nga Shën Jeronimi, me Vulgatën e famshme, që gjatë shekujve, edhe në ditët tona, mund të themi se është e papërsëritshme, burimore, tejet e përsosur, unike, kryevepër e Zotit nëpërmjet tij, dhënia e Biblës në gjuhën latinë për mbarë botën e krishterë, edhe më tepër, për gjithë njerëzimin.
Komentimi, egzegeza, shpjegimet e teksteve biblike, ai i bëri me kompetencë dhe njohuri shumë të rrallë, me sukses të dalluar, me thellësi dhe mprehtësi jetësore, për jetën fetare dhe morale.[xxxix]
Letrat e Shën Jeronimit, që ai i definonte si “libër”, janë një thesar i paçmueshëm fetar, shpirtëror, kulturor dhe letrar “që mund të krahasohet me atë të Ciceronit.” [xl]“Letrat e Jeronimit janë thesar i vërtetë; në tërë letërsinë e krishterë nuk ka diçka të ngjashme.” [xli]
De viris illustribus, është pa dyshim një ndër veprat më të rëndësishme letrare, kishtare. “Edhe De viris illustris, si dhe Chronicon, paten famë tejet të lartë gjatë gjithë Mesjetës.” [xlii]
Shumë vepra dhe shkrime tjera dëshmojnë njohuritë dhe kulturën e tij tejet të madhe, erudicionin e gjithanshëm, trajtimin e temave të llojllojshme, trashëgimi që botohet, lexohet dhe studiohet në vazhdimësi gjatë shumë shekujve, deri në kohën tonë.
“Jeronimi mund të konsiderohet vërtet si shkrimtari i madh dhe i fundit i latinishtes… ai është në rend të parë shkrimtar, letrar…” [xliii]
Ndaj këtij njeriu, shenjti, krijuesi të papërsëritshëm ilir, së pari ne si shqiptarë dhe të krishterë, kemi një borxh tejet të madh, pastaj edhe kultura dhe qytetërimi evropian, pse jo, edhe ai botëror.
“Në Vulgatën e tij, Shën Jeronimi nuk shquhet vetëm si filolog i ditur, i cili përkthente me zotësi nga origjinali hebraisht duke krahasuar me greqisht, por ai na del edhe si artist i talentuar i fjalës, si krijues gjenial, që ka ditur të depërtojë në thellësinë e mendimit të përsosur të tij.” [xliv]
Jeta dhe vepra e Shën Jeronimit ilir, përthyes në tërësi të Biblës, Dijetar të Kishës, është një model i përsosur i njeriut të Zotit, punëtorit dhe kultivatorit të pashoq të kulturës së krishterë, veprimtarit të frymëzuar prej fesë dhe dashurisë, enciklopedistit të antikës greko – romake dhe hebreje, duke e pasuruar atë me risinë madhore të krishterimit në trojet tona të stërlashta. Si i tillë ai është një model jete, pune, përkushtimi, feje dhe dashurie, flijimi dhe dhurimi, pendese dhe urate, shenjtërie, vlera dhe ideale këto kaq të nevojshme për ne dhe për kohën tonë, veçmas për rininë dhe kulturën, qytetërimin tonë të krishterë dhe evropiane, me tipare ilire, arbërore dhe shqiptare, që lirisht mund të themi biblike, pra, “Shën Jeronimiane”.
[i]Lexo: Dr. Dom Lush Gjergji, Përkthimi i Biblës – ngjarje fetare dhe kulturore shqiptare, në Bibla shqip dhe Tradita, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Toena, Tiranë, 1994, f. 120-130; Dr. Dom Lush Gjergji, Bibla në gjuhën shqipe ngjarje fetaro-kulturoro-historike, në Papa në Shqipëri Radio Vatikani – Drita, Romë, 1995, f. 114-117; Dr. Dom Lush Gjergji, Dom Simon Filipaj – “Shën Jeronimi” i ditëve tona, në Bibla shqip dhe Filipaj (Studime), Qendra e Studimeve Albanologjike – Instituti Filozofik dhe Teologjik, Lezhë, 2010, f. 185 – 189
Më gjerësisht lexo: Bibla shqip dhe Filipaj, (Studime), Lezhë, 2010, Qendra e Studimeve Albanologjike – Instituti Filozofik dhe Teologjik, f. 9-250.
[ii] Divus Hieronumus, Magnus Ecclesiae Doctor, in Istria natus. Della Patria di San Girolamo, Opuscolo del canonico Pietro Stancovich. Venezia, 1824, f. 14. Lexo: f. 14-22.
[iii]Khs. Po aty, f. 22.
[iv] Po aty, f. 30.
[v] Po aty, f. 100.
[vi] Po aty, f. 50; lexo Po aty, f. 73 – 85.
[vii]Hieronymus, Sofronio, Eusebio, De viris illustribus, kreu 125; Khs. Ernest Cushing Richardson (në përkujdesje), Hieronymus libër De viris illustribus, Genadius liber De viris illustribus, Leipzig, J. C. Hinrichs, 1896.
[viii]Valery Larbaud, Pod okriljem svetoga Jeronima zaštitnika prevoditelja, KS, Zagreb, 2006, f. 48.
[ix]Po aty, f. 49.
[x]RV – Radio Vatikan, Hrvatski Program, 24. 03. 2020.
[xi]Valery Larbaud, ve. e cit. f. 50.
[xii]Krh. Po aty, f. 51.
[xiii] Po aty, f. 51.
[xiv] Po aty, f. 52; Lexo dhe krahaso: Leopoldo Gamberale, San Girolamo intelettuale e filologo, Edizioni Storia e Letteratura, Roma, 2013, f. 23 – 30
[xv]Valery Larbaud,, ve. e cit. f. 16.
[xvi]San Gerolamo, LETTERE, introduzione e note di Claudio Moreschini, traduzione di Roberto Palla, Testo latino a fronte, Classici greci e latini, RCS Rizzoli libri, Milano, 1981 (terza edizione 2009), f. 13.
[xvii]P. Jose Leite, Sants de Cada Dia, Braga, 1987, vëll. II, f. 104.
[xviii] Po aty, fq. 105.
[xix] Po aty, f. 106.
[xx]Les Petits Bolesistes Ves des Saints, Cerf Paris, 1882, tomo XI, f. 56.
xxi Codex Theodosianus, libro XVI, titolo I, legge 2, come riportata in Edward Gibbon, Decadenza e caduta dell’Impero romano, Roma, Avanzini & Torraca, 1968 – cap. XXVII, pp. 186 e seg.
[xxii]Ep 22, 30.
[xxiii] www.famigliacristiana.it/articolo/san-girolamo.htm.
[xxiv] Thomas J. Graughwell, Santi per ogni giorno, Gribaudi, 2003, f. 57; Lexo: Po aty, f. 55-60.
[xxv] www.frasi.celebri.it /frasi/sofronio-eusebio-girolamo; Khs. DV, 25.
[xxvi] Ep. 53, 10.
[xxvii]Papa Benedikti XV, Spiritus Paraclitus, për Shën Jeronimin, me rastin e 1500 vjetorit të vdekjes, Romë, 15 shtator 1920, Viti i shtatë i Pontifikatit të Tij, f. 1; Khs. Papa Benedikti XVI, Audienca Gjenerale, 14 nëntor 2007.
[xxviii] Papa Bendeikti XV, Divino Spirito, vep. e cit. Sup. Sev. Dial. 1, 7; Cass. De inc. 7, 26: S. Pres., Carmen de Ingratis, v. 57.
[xxix] Papa Benedikti XV, Spiritus Paraclitus, vep. e cit. f, 3.
[xxx] Prologo, 14.
[xxxi] Enciclopedia italiana Trecanni, 1933.
[xxxii] Valery Larbaud, vep. e cit. f. 59.
[xxxiii] Po aty, f. 60.
[xxxiv] Opus epistolarium divi Hieronimi, fol. AA2 e AA3, Basilea, 1524. Lexo: Claudio Moreschini, Letteratura cristiana delle origini greca e latina, Città Nuova Editrice, 2007, f. 196 – 198.
[xxxv] Isak Ahmeti, Bibla në letërsinë shqiptare, Rilindja, 1999, f. 53; Lexo, Po aty, f. 14 – 54; Isak Ahmeti, Kleri katolik shqiptar dhe letërsia, DRITA – Ferizaj, Bergamo (Itali), 1984; Aleksandër Stipçeviq, Ilirët, historia, jeta, kultura, Rilindja, 1975, f. 75, 78, 94, 190. Jahja Drançolli, Rrënjët e qytetërimit iliro-shqiptar…, Zëri, 20 gusht 1994;
[xxxvi] Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër Shqiptarë, Drita – Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb,1998, f. 146; Prend Buzhala, Gjon Berisha, Ndue Ukaj dhe të tjerë.
[xxxvi] Khs. Leopoldo Gaberale, ve. e cit. f. 35-39.
[xxxvii] Leopoldo Gaberale, Po aty, 39.
[xxxviii] Ep 127; 128.
[xxxix] Lexo: San Gerolamo, Lettere, ve. e cit. 40 – 71.
[xl] Po aty, 80.
[xli] Po aty.
[xlii] Po aty, f. 81. Khs. Don Lush Gjergji, Shën Jeronimi dhe Bibla, DRITA, Prishtinë, maj 2020.
[xliii] LETTERE, ve. e cit. 86-87.
[xliv] Dr. Jahja Drançolli, DRITA, shtator 2007, f. 14.
Bibliografia e përdorur:
- Hieronymus, Ordo seu regula vivendi Deo ad Eustochium, Impressa in Bologna, per lo accuratissimo impressore Caligula de Bazalerii citadino Bolognese, 1498
- Pietro Stancovich Divus Hieronumus, Magnus Ecclesiae Doctor, in Istria natus. Della Patria di San Girolamo, Opuscolo del. Venezia, 1824.
- Papa Benedictus XV, Spiritus Paraclitus, Roma, 1920.
- Enciclopedia Italiana Trecani, 1933.
- John Norman Davidson Kelly, His Life, Writings, and Controversies, New York, Harper & Row, 1975.
- San Girolamo, Verginità e matrimonio nell’epistolario, Introduzione, traduzione e note di Silvano Cola, EMP, Padova, 1982.
- Isak Ahmeti, Kleri katolik shqiptar dhe letërsia shqipe, DRITA, 1984
- San Girolamo, Vite di Paolo, Ilarione e Malco, traduzione di Giuliana Lanata, Milano, Adelphi, 1985.
- Alfredo Cattabiani, Santi d’Italia, Milano, Rizzoli, 1993.
- Bošnjak, Sveti Jeronim kao učitelj kršćanskog morala, Mostar, 1995.
- Isak Ahmeti, Bibla në letërsinë shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1999
- Valery Larbaud, Pod okriljem Svetoga Jeronima zaštitnika prevoditelja, KS, Zagreb, 2006.
- Claudio Morechini, Litteratura cristiana dalle origini greca e latina, Città Nuova Editrice, 2007.
- San Girolamo, LETTERE, introduzione e note di Claudio Moreschini, traduzione di Roberto Plla, BUR Rizzoli, Milano, 2009.
- Bibla shqip dhe Filipaj, Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2010.
- Dokumente të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Nën kujdesin e Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër-Pult, Shkodër, 2012. Lexo: Sacrosanctum Concilium (SC); Lumen Gentium (LG); Gaudium et Spes (GS); Dei Verbum (DV); Optatam Totiu (OT).
- Leopoldo Gamberale, San Gerolamo intellettuale e filologo, Roma, Edizioni di Storia e letteratura, 2013.
- Gerolamo, Le regole alimentari, a cura di Lucio Coco, Bologna, Edizioni Dehoniane, 2015.
- San Girolamo, Gli uomini illustri – De viris illustribus, testo latino, Ed. Integrale
(italiano), Cornelio Nepote (Autore), Z. D. Tillio, 2016.
Don Lush Gjergji, Jeta, dashuria, dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, Prishtinë, 2016.
Dr. Matija Berljan, Bula Pape Nikola V, za crkvu rodnog mjesta svetog Jeronima u Štrigari, 2019.
- Ivan Jurinić, Sveti Jeronim i njegovi korespondenti, mentor: sc.Drago Tudara, diplomski rad, Katolički Bogoslovni Fakultet Đakovo, 2019.
- frasi.celebri.it /san girolamo/
- gliscritti.it /entery/1050
- clerus.va