Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Hotel ‘Dajti’, dikur më i madhi në Ballkan, ndërsa sot vetëm një gërmadhë

Në tregimet e tim eti, në Tiranën e pasluftës, gjatë 20 viteve të para të kampit socialist, një nga objektet që mbarte “erë Europë”, ishte Hotel ‘Dajti’, i ndërtuar nga italianët, por që ishte qëndra e vetme ku qëndronin diplomatët, delegacionet e huaja si dhe ata pak vizitorë që ftoheshin nga partitë komuniste në botë. Tim eti i takoi të punonte për 2-3 vjet si orkestrant (fisarmonikë) i orkestrës që luante gjatë festave që organizonte Qeveria e PPSH-së me delegacionet e vendeve socialiste lindore, si dhe për të argëtuar vizitorët e huaj në piano bar, në katin e nëndheshëm të hotelit, orëve të vona pas mesnatës.
Në kujtimet e tij, në Shqipërinë e varfër, kur ushqimet merreshin ndërmjet triskave, (një për familje), për nder të delegacioneve ruse, polake, sllave e çeke, tavolinat shpalosnin një begati ushqimore që vezullonte nën dritat e kushtueshme të sallës së vallëzimit. Piheshin verëra e derdhej shampanjë. Muzika e huaj mbushte çdo kënd dhe kryetarët e Partive këndonin e dëfreheshin pa teklif. Për shkak të vëllait të dënuar me burgim të përjetshëm për agjitacion e propagandë, zërat e ligj spiunonin dhe pas 3 vjetëve punë, drejtori i Hotel ‘Dajtit’, njeri shumë i mirë, ( kujton ai), e njofton që duhej të largohej brenda 24 orëve jo vetëm nga puna, por edhe nga Tirana. Edhe pse vuajtjet e vëllezërve Darova janë të panumërta, im atë, atë periudhë të shkurtër e risillte në kujtesë deri në moshë të thyer si një nga fragmentet e bukura të jetës së tij. Tregonte që shpesh bisedonte me anëtarë të grupeve të huaja, falë gjuhës italiane qe ai zotëronte mjeshtërisht dhe përshtypjet ishim mbresëlënëse. Kjo, sepse dëshmonin për një liri mendimi dhe veprimi të pakushtëzuar, ndryshe nga ai ku ndodhej vendi ynë. Bisedonin për muzikën, artin. Kureshtare e ndiqja me vemendje në tregimet e tij dhe çdoherë që kaloja përpara “Dajtit”, në shëtitjen e mbremjes në bulevard, përpiqesha të imagjinoja çfarë ndodhte brenda mureve gjatë viteve të izolimit të çmendur. Dhe jo vetëm. Imagjinoja plot zili, fytyra pa rudha, me lëkura të shndritshme dhe me aromë të mirë, si ata që kishte njohur im atë në rininë e tij.
Me kalimin e viteve, shkëlqimi i Hotel ‘Dajtit’ filloi të bjerë, dhe si zakonisht, ne jemi popull që nuk dijmë të vlerësojmë dhe të ruajmë trashëgiminë tonë kulturore. Në udhëtimin tim të fundit në Tiranë, pamja e hotelit ishte për të ardhur keq. Nuk i dihet fati i tij edhe pse kartela publicitare premtojnë për një rindërtim. Mendova të sjell disa të dhëna mbi historinë e këitij objekti: kur, ku dhe nga kush u ndërtua, për ata që duan të njohin historinë.
Tashmë, për fat të keq, po çmësohemi me të shkuarën vizive, dhe e vetmja armë për ta ruajtur, është fjala…
Hotel ‘Dajti’ është konsideruar si një nga hotelet më të mira gjatë periudhës së socializmit. Emrin e merr nga mali që i bën mburojë , dhe gjendet në qendër të kryeqytetit, në Tiranë. Ka qënë projektuar në vitet 40’ nga arkitekti italian Gherardo Bosio, shefi i Zyrës qëndrore të ndërtimit urbanistik të Tiranës, ndërsa veshja d brendshme u realizua nga një tjetër arkitekt dhe designer i njohur, Gio Ponti.
Gherardo Bosio është marrë me Planin Rregullues të Përgjithshëm të Tiranës si dhe të Rrugës së Perandorit e që sot quhet Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit. Hoteli u krijua si pjesë e një riprojektimi të kryeqytetit shqiptar nga italianët nën drejtimin e arkitektit Bosio, i cili vdiq përpara përurimit të tij në prill të vitit 1942.
Hoteli duhej të ndiqte kriteret e projektimit të të gjitha ndërtesave të tjera që ishin ngritur përgjatë rrugës dhe ka qenë konsideruar si një nga më të mirat në të gjithë Ballkanin.
Mbas 2007 ndërtesa u bë pjesë e monumenteve kulturore nën mbrojtje të Ministrisë së ykjlturës. Pas luftës së Dytë Botërore, hoteli shërbeu si qender e qeverisë komuniste e më pas si hoteli i vetëm për të huajt në Tiranë. Nga vitet 70’, Hotel Dajti ju rezervohej në mënyrë eskluzive udhëtarëve shtetërorë dhe të biznesit. Mbas rënies së komunizmit mbeti pasuri shtetërore . Në vitin 2010 blihet nga Banka e Shtetit për 30 milionë euro duke e përdorur si qendër veprimi, gjatë kohës që ndërtesa e saj në Sheshin Skënderbe ristrukturohej. Mbetet sot e kësaj dite, pronë e Bankës në pritje të një fistrukturimi.

Përshkrimi i ndërtesës

Bosio e projektoi hotelin duke përdorur një gjuhë arkitektonike të lehtë dhe elegante.
Lexueshmëria e kësaj ndërtese bazohej mbi kontrastin e vëllimeve të vërteta mbi shkallë të ndryshme: në plan të parë, ky kontrast u krijua nga shpërndarja e trupit kryesor që mban programin kryesor të hotelit, dhe në një shkallë më të vogël duke gdhendur boshllëqe dhe mbushje si ballkone e lozha në nivel të fasadave. Një shkallë e gjerë e mbuluar nga një strehë mbajtëse në hyrje që ishte dhe hyrja e hotelit. Ndërsa pjesa bazë ishte në mermer, pjesa e sipërme ishte e suvatuar. Për t‘i dhënë jetë dhe vlerë pamjes nga bulevardi u këshillua hapja e logjeve në vazhdim për katet e sipërme.
Në katin përdhes, në krah të hyrjes dhe barit, ndodhej një sallë e madhe kërcimi. Në krah të kundërt të rrugës ndjek një tarracë dhe një lulishte e paqtë. Tre katet e larta mbanin 85 dhoma, të gjitha të pajisura me një ballkon. Katet e larta janë shumë më të thjeshta në përmbyllje të strukturës dhe stil në krahasim me katin përdhes të kushtueshëm, të veshur në mermer, fakt që shpjegon dhe rënien e fondeve gjatë viteve të luftës.
Ambjentet e brendshme, e mbi të gjitha hapësirat publike, theksonin plotësisht modernitetin e projektit dhe elegancën e tij që karakterizohej nga një organizim racional i hapësirave dhe një lexim të qartë të strukturave. Salla kryesore të godet për dritën e cila buron nga pjeset e perparme dhe thërret sensin e përjetësisë. Vëllimi i dyfishtë i tij i mbështetur nga shtylla, të jepte përshtypjen e madhështisë hapësinore. Në krahun e majtë të shkallës ngrihej shkalla e katit më sipër. Galeria me pamje nga kati i ndermjetëm është përdorur si zyra ekzekutuese në formë të qartë dhe të dukshme.
Hoteli përmban dhe një kat të nëndheshëm ku ishin të vendosur shumë shërbime, mes tyre edhe një bar që mbahej hapur deri natën vonë i lidhur nga brënda me barin në katin përdhes.
Në ato kohë, Hotel “Dajti” i kishte të gjitha letrat në rregull për t‘u konsideruar si një hotel në pararojë. Sipas Gazetës Tomori (Gusht 2006), me 91 dhomat dhe 125 vende fjetje, ujë të rrjedhshëm, banjat e të gjitha funksionet e tjera komfort, e mes tyre ashensori dhe ngjitja e pijeve, “Dajti” ishte një nga hotelet më të mëdha të Ballkanit dhe më modernët në Europë.
Hotel Dajti ndodhej pranë parkut Rinia dhe ishte qëndra kryesore për vizitorët e huaj dhe diplomatët gjatë periudhës socialiste në Shqipëri. Gjatë asaj kohe, dhomat ishin të pajisura me mikrofonë për qëllim spiunazhi për të zbuluar armiqtë e jashtëm që kompllotonin në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm, gjoja për të minuar lulëzimin socialist.
Sot, armiqtë e brendshëm janë pushtetarët e pangopur që e kanë transformuar Tiranën e bukur në një kantier ndërtimi dhe ata, “armiqtë e jashtëm”, të cilët respektuan trashëgiminë e arkitekturës së qyteteve tona, tundin kokën të habitur për papjekurinë e këtij vendi të vogël, që nuk di ta ndërtojë të ardhmen pa shkatërruar vlerat e të shkuarës.
Please follow and like us: