Albspirit

Media/News/Publishing

INTERVISTË ME PROF. DR. SAMI REPISHTIN, ISH I BURGOSUR POLITIK

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

I nderuemi kolegu i im i ri Gëzim Marku,

Kam marrë mesazhin tuej dhe kërkesen për nji intervistë; ju falenderoj përzemërsisht . Jam i kenaqun që tregoni interesim për njoftime sa ma të plota – e të sakta- për probleme historike shqiptare. Ju kërkoni gjykimin tim të ngjarjeve të së kaluemes sonë jo të largët, dhe akoma të mbetuna ose në errësinën e plotë ose të pa qarta. Dëshiroj para së gjithash me vue në dukje nji gjykim timin në lidhje me historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, gjykim që kam çfaqë në Parathanjen e vllimit “Kur ‘Skënderbeu’ nuk asht historia e Skënderbeut” punim i profesorit të shquem Ardian Ndreca.

Unë shkrova sa ma poshtë:

“Duhet pohue se në lidhje me historinë e Shqipënisë e të shqiptarëve duhet akoma shumë punë, shumë kujdes dhe nji përgatitje profesionale prej historianit me horizante të gjana. Shumë arkiva janë të pa hulumtueme mirë…Ka mundësi që materialet e ruejtuna në ato arkiva të kenë paragjykime dhe të jenë arbitrare kundrejt Shqipënisë dhe shqiptarëve. Sepse, në fund të fundit, kush ishim ne për ‘osmanllinjtë’ ngadhënjyes? Nji masë ‘infidelësh’ që rezistoi për 25 vjet me rradhë avancimin e hordhive të tyne….”. Nji luftë e përgjakshme për dominimin e Europës….E njajta gja mund te thuhej edhe per arkivat sllave, greke, (e italiane).

Ashtë detyra e historianit të sotëm (ashtu si mund të quheni edhe ju) “…që për arsye të objektivitetit duhet të përqendrohemi në shkrimin e ‘monografive’ tue lanë punën e hartimit të plotë të historisë sonë për ditë ma të vona (kur të ftohen gjakrat!” grupeve të ekspertëve, të instituteteve, qendrave kërkimore serioze të epokave në studim, grupe që urojmë të jenë të çliruem prej ‘elementëve të infektuem’ nga ideologjitë. Kështu, na tregojmë respektin tonë për “këte profesion të vjetër dhe të nderuem”.

Me këte frymë unë do të çfaqë gjykimin tim modest. (Sami Repishti)

__________

U ndjeva i vogël, megjithatë e mora guximin të intervistoj Sami Repishtin, pastaj kur më quajti ‘’koleg’’ u ndjeva edhe më i vogël! Prof. Dr. Sami Repishti jetoi Monarkinë, Fashizmin, Nazizmin dhe Komunizmin. Jetoi edhe Burgjet dhe Kampet e Komunizmit. Në atdheun i tij, nën regjimin e ri, nuk deshën njerëz të lirë dhe të ditur, por skllevër dhe injorantë. Sami Repishti që në moshën rinore e kuptoi se jeta ka më shumë për të dhënë, përtej ideologjisë kohë-ndaluese dhe vrastare komuniste. Atdheu ynë pothuaj përgjatë historisë u gjend në krahun e gabuar, çdo çlirim çelte ferrat e reja të robërisë. Akti rebel që pothuajse e vrau e çliroi, njëkohësisht. Si i ri, ai u ndërgjegjësua për rolin e tij, nga dashuria për atdhe dhe etja për liri, një i ri me ndjeshmëri të theksuar, besnik i vetëvetes, i jetës me dinjitet. Sot, ai është i shqetësuar që ende nuk ka një punë të organizuar për ta shqyer perden e konspiracionit komunist. Ende sot, Shqipëria nuk e ka pranuar fajin publikisht: ajo jeton me një ndërgjegje të rënduar. Kjo gjendje fluide frikëson mendjet e ndritura që kanë përqafuar demokracinë. Në qoftë se vazhdojmë të refuzojmë të përballojmë demonët e së kaluarës, brezat e ardhshëm do të pësojnë rrjedhimet e pashmangshme. Dr. Repishti ka folur, ka shkruar, ka denoncuar pa kompromis këtë tragjedi që shtrembëron çdo gjë dhe çdo mendim. Pasiviteti sot mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit e lejon kryqëzimin e pafajshmërisë! Zemrat shqiptare si ajo e Sami Repishtit nuk gjejnë ngushëllim derisa të gjendet një përgjigje! Sot, ai jeton me shqetësimin se Shqipëria lëkundet në mes të së vjetrës që nuk jep shpirt, dhe së resë pa fuqi për të lindur. Sot, ai ndjen dashuri për të gjithë, veçanërisht për heronjtë, dëshmorët e viktimat e regjimeve totalitare në Shqipëri, dhe pa urrrejtje për të ata që gabuan dhe ata që u mashtruan. Repishti është 95-vjeçar, por plot freski natyrale, gjë që ndeshet vetëm tek njerëzit e rrallë, tek zemrat e mëdha shqiptare dhe mendjet e ndritura amerikane.

__________

Prof. Dr. Sami Repishti lindi në Shkodër, Shqipëri, në vitin 1925. Në Shkodër kreu studimet fillore e të mesme. Studimet universitare për histori moderne i filloi në Universitetin e Firences, Itali.

Si student 14-vjeçar ishte aktivizuar në demonstratat e 7 prillit 1939, dhe më vonë në lëvizjen e rezistencës kundër pushtuesit fashist italian dhe nazist gjerman. I zhgënjyer nga propaganda dhe ushtrimi i terrorit masiv komunist, ai mbeti demokrat parimor dhe intelektual jo-konformist. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai humbi babain, viktimë e terrorit fashist, dhe kushërinin, viktimë e terrorit nazist. Që nga viti 1945, me ardhjen e pushtetit diktatorial stalinist, ai u gjend në një situatë që impononte, politikisht e moralisht, marrjen e një qëndrimi patriotik në lëvizjen klandestine anti-komuniste.

Me arrestimin e tij, 22.10.1946 studenti Repishti ishte torturuar egërsisht për 14 muaj; më 27.11.1947, është dënuar me 15 vjet burgim të rëndë, Më 1949, nëna, motra dhe vëllai, të mitur, u internuan në Berat, dhe Veliqot, Tepelenë, viktima të komunizmit.

I liruar nga burgu, 1.7.1956, punëtor krahu i përbuzur dhe i përndjekur, vendosi të arratisej në Jugosllavi, 22.8.1959, duke lënë familjen në gjendje shumë të vështirë.

Si emigrant politik, u mbajt 11 muaj në izolim “incommunicado”, u dërgua në kampin Gerovo, Kroaci, më pas u arratis për në Itali, 1.9.1961. Emigroi në Amerikë, 9.4.1962.

Në Botën e Lirë, refugjati Sami Repishti iu nënshtrua një arsimimi rigoroz, dhe fitoi diplomën B.A. (1964), dhe M.A. (1969) pranë Queens College, dhe Ph.D. Universiteti “La Sorbonne”, Paris, (bursist i qeverisë franceze) dhe Graduate Center of the City University of New York, (French, shkurt 1973).

Për 26 vjet me rradhë ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane, kryetar i departamentit për gjuhët e huaja (1974-1990) dhe pedagog i jashtëm pranë Adelphi University, N.Y. (1972-1978).

Dr. Sami Repishti është autor, kryesisht i dy vëllimeve:

“Pika Loti – Tregime burgu” (1997) dhe “Nën hijen e Rozafës – Narrativë e jetueme” (2004), bashkautor dhe publicist me shkrime për problemin e “Shqipërisë Lindore”, Kosova e lirë ishte leitmotivi i jetës së tij.

I aktivizuar në lëmin politik, ai bashkëthemeloi e drejtoi disa organizata shqiptaro-amerikane: prej të cilave ‘’Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë’’ dhe ‘’Këshilli Kombëtar Shqiptar-Amerikan (N.A.A.C)’’, për shumë vite kanë qenë dy grupimet politike më efektive në emigracion.

Në vitin 1965, ka dëshmuar para Kongresit Amerikan, për probleme kombëtare shqiptare, me lidhje të vazhdueshme me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë.

Prof. Repishti është dekoruar disa herë nga qeveritë shqiptare, amerikane dhe dardane.

Më gjerësisht mbi  jetën e vështirë dhe botën shumë të pasur të Repishtit do të njiheni gjatë intervistës për Zemra Shqiptare:

GM: Historia e jetës suaj fillon me drama të njëpasnjëshme. Ju lutem,  le të kthehemi pas në kohë. Mund të na flisni për prindërit dhe familjen tuaj… deri në humbjen e babait nga torturat pasi u arrestua nga fashistët…

SR: “Unë vij nga nji familje shkodrane, e zbritun nga katundi Repishti, Malësia e Madhe, Shkodër, rreth vitit 1750. Nga dokumentet arkivore rezulton se të parët janë marrë me tregti. Në vitin 1878, gjyshi i im Haxhi Jusuf Repishti ka qenë arkëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Këshillit për Shkodrën dhe arkëtar i Lidhjes në Shkodër. Ai ka qenë firmëtar i Memorandumit të Lidhjes drejtue Kryeministrit anglez Lord Disraeli në Kongresin e Berlinit (qershor 1878) ku kërkohet mbrojtja e tokave shqiptare nga sulmet serbo-malazeze e greke. Baba i im, Hafiz Ibrahim Repishti (1882-1943) ka krye studimet e nalta në Universitetin e Istanbul-Turki për fe e filozofi islame dhe ka qenë vullnetar në rrethimin e Shkodrës nga serbo-malazezët (1912-13). Ka shërbye në administratën e re shqiptare dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923 ashtë zgjedhë deputet i Shkodrës, në nji listë me At Gjergj Fishten, At M. Marlaskaj, Luigj Gurakuqi e tjerë anëtarë të Organizatës “Ora e Maleve”, organizue nga françeskanët në Shkodër. Ka qenë nji nga organizatorët e “Revolucionit borgjez” të qershorit 1924, dhe në janar 1925 ashtë dënue me vdekje në mungesë nga presidenti i ri Ahmet Zogolli, ma vonë Mbreti Zog I. I amnistuem në nandor 1925, ai ka heqë dorë nga politika dhe ka shërbye si Imam në Shkodër. Më 1939, ka kundërshtue okupacionin fashist Italian të Shqipërisë dhe ka refuzue ofertën me sherbye si Myfti i Shkodrës. Në Gusht 1943, në nji operacion policor në shtëpinë tonë, ashtë keqtrajtue nga fashistët dhe ka pësue nji krizë hemorragjike në tru. Ka vdekë pak ditë ma vonë (shtator 1943). Baba i im ka qenë nji antikomunist i pakompromis, studjues, patriot aktiv dhe kundërshtar i rregjimit zogist që në fillim deri në fund. Ashtë deklarue “qytetar nderi” i Shkodrës, gjatë viteve të demokracisë. Nana e ime, Hava Bushati, (1895-1980) vjen nga familja e “Bushatelinjeve” të Shkodrës. Prindët e mi kanë qenë shumë koshient të rritjes sonë me nder e me karakter.

GM: Do të përqëndrohemi tek fëmijëria juaj dhe rinia e hershme. Çfarë kujtoni nga dy dekadat e para të jetës suaj? Si ka qenë rinia juaj?

SR: Familja e ime ka ba nji jetë relativisht të qetë dhe të kushtueme arsimimit të fëmijve, e rritjes sonë normale. Kemi qenë gjashtë fëmijë, dhe të gjithë jemi persekutue nga rregjimi komunist. Në vitin 1946, unë u arrestova dhe u dënova me 15 vjet burg. Në vitin 1949, familja Repishti ashtë internue në Berat dhe ma vonë në Tepelenë për qëndrime antikomuniste . Sot, të gjithë janë të vdekun! Në këtë pikepamje, unë kam qenë nji fëmij i privilegjuem, megjithëse vorfënia e pergjithshme e viteve të monarkisë veshtirësoi edhe jetën e familjes sonë.

GM: Fillimi i Kapitullimit të Gjermanisë Naziste ofroi dhe çlirimin e Shqipërisë. Si e vlerësoni luftën çlirimtare të forcave partizane, si dhe një koment të shkurtër mbi rolin e Ballit Kombëtar dhe Legalistëve.

SR: Mbas okupacionit fashist Italian të Shqipërisë, 7 prill 1939, gjendja politike në vend u randue aq shumë sa që humbi qetësia në qytete e katunde të Shqipërisë. Nji detyre e re dhe kamëngulese doli para nesh; ishte nji angazhim politik: çlirimi i atdheut nga i hueji, dhe nji angazhim moral, detyrimi i jonë me sigurue nji jetë të lirë në nji atdhe të lirë për të gjithë qytetarët. Liria e atdheut dhe liria e çdo individi të shoqënisë shqiptare ishin vlera absolute që detyrojshin çdo qytetar me marrë nji qëndrim: luftë kundër okupatorit, ose bashkëpunim me okupatorin. Në nji situatë të këtill nuk ka nji rrugë të mesme, e heshtja ashtë e damëshme. Heshtja para rrezikut ndihmon rrezikun. Moralisht, çdo qytetar duhet të marrë nji qëndrim të caktuem. Kështu lindi lëvizja politike për luftë kundër okupacionit: “Monarkistët” që reklamojshin kthimin e Mbretit Zog në Shqipëri; “Balli Kombëtar” me frymë dhe inspirim nga demokracia liberale europiane që kërkonte nji Shqipëri republikane demokratike; dhe, “Lëvizja Nacional-Çlirimtare” e organizueme nga elemente me bindje komuniste dhe që luftojshin në fillim, me sigurue të drejtën e veprimit legalisht si ‘parti politike’ mbas çlirimit por që u treguen të organizuem, të disiplinuem dhe të vendosun mos me e nda pushtetin me forcat e tjera të rezistencës. Ajo që duhet theksue, gjithashtu, ashtë metodologjia e Lëvizjes Nac-Çl. që – për mendimin tim – ka qenë jo vetëm e gabueme, por anti-demokratike dhe kriminale. E ushqyeme me propagandë gënjeshtare komuniste, me veprime kriminale që synojshin frikësimin  e popullsisë, kjo “Levizje”pro-komuniste ia doli me eliminue “kundershtarët” që u quejtën padrejtësisht “armiqt e popullit”, vetëm sepse “mendojshin” ndryshe nga komunistët. Ashtë nji fakt i pamohueshëm se Lëvizja Nac-Cl. e drejtueme nga Partia Komuniste e Shqipërisë (atëherë ilegale dhe pjellë e PK Jugosllave) ka zhvillue nji betejë të pandërpreme kundër okupatoreve italianë dhe gjermane tue fitue kështu përkrahjen e aleateve të medhaj anti-fashistë (SHBA, Angli, Bashkimi Sovjetik). Në mbarim të L2B forcat nacionaliste – Legaliteti dhe Balli Kombetar – ishin të munduna keq dhe të shpërndame mbrenda e jashtë vendit. Forcat nacionaliste kanë qenë “anti-fashistë” në parim, por në praktikë kanë ndjekë nji taktikë të gabueme: të ruejmë kuadrot tona që do të shërbejnë ditën kur anmiku i jashtëm largohet nga Shqipëria. Gabim strategjik kapital që solli humbjen e tyne… Unë mendoj se të dy organizatat nacionaliste kanë qenë të drejtueme nga dy patriotë të mëdhaj shqiptar: Abaz Kupi dhe Mit’hat Frashëri, personalitete politike që kanë gëzue respekt të madh në popullsinë shqiptare. Por ata të dy kanë qenë të mbyllun në botën e para Luftës dhe nuk kanë kuptue randësinë e strategjisë moderne të luftës me guerrila dhe të luftës për nji ideologji. Komunistët shqiptarë, të udhëhequn dhe të edukuem nga kuadro komuniste jugosllave përfituen nga kjo eksperiencë. Me nji agjitacion dhe propagandë intensive ata edukuen masat e pa arsimueme shqiptare në rrugën e “luftës per çlirim social”. Kombëtarja ka qenë vetëm nji mbulesë e së vërtetës: revolucioni socialist. Dhe e dyta, organizimi ushtarak i luftës me sistem guerrilesh, i disiplinuem, i ashpër dhe i përqëndruem në duer të elementeve të PKSh. Ky superioritet tregoi aftësinë e tij në përleshje me grupe vullnetarësh të pa përgatitun ideologjikisht, dhe të udhëhequn nga kuadro të pa përgatituna për gjendjen e re. E reja, fitoi mbi të vjetrën, me gjithë inferioritetin e saj moral e atdhetar. Ndoshta ky përqëndrim i verbët ndaj vullnetit të udhëheqësve dhe me indoktrinim të neglizhuem dha rezultatet e veta katastrofike për grupet nacionaliste, idealiste por  të papërgatituna. Natyrisht, dominimi i padiskutueshëm jugosllav i PKSH ka qenë nji faktor kryesor i zhvillimit të ngjarjeve kundër interesave shqiptare. Qëndrimi jo miqsor britanik ka ushtrue gjithashtu nji influencë në dam të partive nacionaliste dhe në favor të PKSH.

GM: Ahmet Zogu ishte Kryeministër, President dhe Mbret i Shqipërisë. E humbi përfundimisht pushtetin me largimin nga Shqipëria, në kohën që po pushtoheshim nga Italia fashiste. Kush ishte Zogu për ju?Si ju duken qëndrimet që ndahen sot publikisht për figurën e Zogut?

SR: Po! Ahmet Zogu ka qenë ministër i mbrendshëm në qeverinë e Lushnjës, 1920. Ma vonë kryeministër dhe në Janar 1925 President  i Përjeteshëm i Republikës. Në shtator 1928 u vetëdeklarue mbret trashëgimtar dhe ashtu qëndroi deri në vitin 1939.Vendimi u përkrah nga Parlamenti nji partiak nën urdhnat e tia. Më 7 prill 1939 ai dhe familja e tij u larguen nga Shqipëria. Ky akt i papritun damtoi randë prestigjin e Mbretit në vend dhe në botën e Jashtëme. Ministri britanik Anthony Eden i tha ambasadorit shqiptar Z. Lec Kurti: “Il a fui comme un lapin” (Ai ka ikë si nji lepur). Ai shkeli vullnetin e popullit për rezistencë, nji qëndrim që nxori heroin Kapter Mujo Ulqinaku dhe afër 14 dëshmorë të tjerë që u vranë në brigjet e Adriatikut, shembuj të shkëlqyeshëm për rezistencë. Fatkeqsia e jonë – e turpi i jonë – ashtë se asnji qeveri shqiptare nuk e ka vue në dukje këtë heroizëm, dhe emnat e deshmorëve. Rregjimi komunist e ka mohue me qëllim politik: me demaskue regjimin e A. Zogut dhe mos me nda me të tjerët lavdinë e rezistencës kundër okupatorit. (Hollësi ma të mëdha për këtë periudhë e gjeni në librin  tim ‘’Nën hijen e Rozafës’’, Kap.2,3,4). Ahmet Zogu I ka qenë pa dyshim inteligjent, dinamik, atdhetar dhe guximtar, mes tjerash. Por ai ka qenë nji ambicioz i pa kufi, mentalitet bajraktarësh që nuk ka kuptue – ose dëshirue me kuptue! – botën europiane të para L2B. Anti-reformist, ai ka qenë i zhytun në mentalitetin anadollak që e ka rritë dhe përgatitë. Çdo përpjekje për reforma ashtë konsiderue si kërcenim për rregjimin  e tij, dhe nuk ashtë lejue. Veprimtaria e tij mbas largimit nga Shqipëria ka qenë shumë e kufizueme si dhe përkrahja nga vendet europiane. Nuk ka pasë aleatë të afërm me e këshillue dhe ka qëndrue “i mbyllun” në botën e tij. Egjipti e Franca ku ka banue në pritje të nji kthimi në Tiranë, nuk e kanë përkrahë.

GM: Në një botë normale çlirimi është diçka jashtëzakonisht e madhe, por një pjesë e elitës intelektuale të kohës, komunizëm-njohës, ishin dyshues për të ardhmen e Shqipërisë. Ju, një djalë 19-vjeçar, si e pritët çlirimin?

SR: Komunizmi në vitet 1939-45 ka qenë nji magnet shumë tërheqës. Arsyeja: sepse pak persona lejoheshin me shkue në Bashkimin Sovijetik dhe me pa me sytë e tyne realitetin sovietik: vorfëni e përgjithshme, shtypje e pa ndërpreme, dhe asgjasimi i çdo vlere njerëzore që gëzohej në pjesen ma të madhe të Europës. Komunizmi premtonte “çlirim të plotë dhe të shpejtë të të gjithë atyne që vuejnë” premtonte paqe të përbotëshme kur popujt do të jetojshin si vëllau me vëlla, dhe se kështu eliminohej mundësia e nji lufte të përgjakshme në mes popujve. Për të rinjt që rrezikoheshin me shkue në ushtri dhe me luftue për nji kauzë që nuk pranojshin ishte me vdekë pa kuptim. Shumë të rinj të edukuem në Europën perëndimore ju ekzpozuen propagandës intensive sovjetike dhe përkrahen elementin komunist me u zhvillue në vende të ndryshme, ashtu edhe në Shqipëri. Por vendi i ynë ishte i vorfën, i mbrapambetun dhe nuk kishte “demkracinë” e vërtetë. Shqipëria e jugut ishte nën sundimin e bejlereve latifondista që ruejshin zakonet dhe mënyren e jetësës medievale. Aty propaganda komuniste pati ma shumë sukses. Në Veri, komunistët mbetën nji grup i vogël i izoluem dhe pa përkrahje popullore. Nga kjo u krijue Levizja  Nacionial-Çlirimtare në Jugun e vendit dhe nga aty u përhap edhe në Veri, por  pa entuziazëm. Veriu, praktikisht, u “okupue ” nga forcat e armatosuna të ardhuna nga Jugu, nji fenomen që nuk u harrue kurr nga veriorët, dhe që shkaktoi ndamjen e kombit tonë në dy kampe të papajtueshme… nji zhvillim fatkeq rrjedhimet e të cilit i pesojmë akoma edhe sot. Unë isha 14 vjeçar kur u okupue vendi nga Italia fashiste, dhe si student u hodha pa mendue shumë në lëvizjen kundër okupatorit, tue rrezikue jetën. Por gjatë takimeve me “shokët komunistë” të organizuem dhe të instruktuem mirë nga “shokët jugosllavë” kuptova herët dy qëllime të tyne: e para, vendosjen e nji diktature komuniste në Shqipëri, dhe e dyta kambënguljen e tyne për nji bashkim me Jugosllavinë  e Titos. Në Konferencën e Bujanit (1943-44) Sadik Bekteshi, komandant Brigade deklaroi haptas: “Që nga Beogradi deri në Gjirokastër ashtë vetëm nji vend. S’ka ma kufij e parulla të këtilla dhe me formimin e Partisë Komuniste Jugosllave për Krahinën e Kosovës, doli qartë në shesh synimi i jugosllavëve që jo vetëm të mos riparojë padrejtësinë e bame në Kosovë, por animin e tyne me krijue nji Konfederacion Ballkanik nën drejtimin e Jugosllavisë së “Mareshallit Tito”. Zhvillime të këtilla me zgjuen ndërgjegjen time kombëtare dhe unë mora drejtimin e ndershëm, me gjithëse viktimë. Sot jam kryenaltë që në moshën 19 vjeçare mora nji qëndrim të premë antikomunist, dhe pranova të gjitha vuejtjet e mia e të familjes sime që u detyruem me pësue deri në fund të komunizmit.

GM: Fragmente jetësore. Si ishte jeta juaj dhe e familjes suaj nga viti 1944 deri më 1946?

SR: Gjatë këtyne dy viteve, familja e ime ka qenë në nji gjendje të veshtirë emocionale dhe ekonomike. Baba i im u torturue nga policia fashiste dhe vdiq në shtator 1944. Ai ishte kryefamijari. Nana e ime, bashkë me 4 fëmij mbeti në duart e mia, pa eksperiencë në jetë. Unë posa isha kthye nga Universiteti i Firenze-s  mbasi përfundova vitin e parë. Nuk gjejshe punë dhe veshtirësia u rrit edhe ma shumë. Në shkurt 1945, u thirra me shërbye në administratë dhe u caktova në Zyrën e Rindërtimit (Punëve Botore) ku punova deri në ditën e arrestimit më 22 tetor 1946. Mbas asaj date familja e ime ka kalue nji periudhë të gjatë vështirsishë tue përfshi edhe internimin në kampet e Beratit dhe Tepelenës, dhe ka mbetë në duert e vëllaut 14  vjeçar, i detyruem me punue në kondita shumë të vështira. Mbas arratisjes sime më 22 gusht 1959, dhe emigrimit në Amerikë, qeveria komuniste nuk lejonte me ndihmue familjet tona. Kjo më ka shkaktue dhimbje të madhe dhe mungesë qetësie shpirtënore.

GM: Ikën fashistët, e fituam lirinë nga nazistët dhe e humbëm përsëri. Këtë herë lirinë na e morën shqiptarët komunistë. Si filloi lufta e Sami Repishtit kundër ‘’pushtetit popullor’’?

SR: Kundërshtimi im i epokës komuniste ka fillue para hymjes së komunistëve në qytetet e vendit. Në shkurt 1942, unë kam përballue nji episod që më rrezikoi jetën. Nga mbledhjet e zakonshme të studentve kundër okupatorit (në Liceun At Gjergj Fishta) unë u ftova me marrë pjesë në nji “mbledhje organizative” pa përcaktim. Shkova tue besue “shokët” e klasës. Ajo mbledhje kishte randësi të jashtëzakonshme sepse po krijohej organizata e të rinjëve komuniste në Shkodër. Pak minuta mbas arritjes, hyni në dhomë nji djalosh i ri, energjik dhe i armatosun mirë, shoqënuem  edhe nga nji rojar i armatosun. Na u ngritëm në kambë. Delegati shkarkoi nji revolver e dy granata dore në tryezë. Mbas ketij gjesti, ai filloi: ’Shok ë, si e kemi zakon ne komunistët do të flasim për situatën e jashtme dhe të mbrendshme të vendit, dhe mandej  do të fillojmë diskutimet…

Unë u gjeta i pa përgatitun, dhe u frikësova se mos po hyj në nji situate kritike që nuk dëshirojshe. E ndërpreva:

“Shok, i thashë, ashtë kjo nji mbledhje komuniste?

Po, tha ai. Pse nuk e dijshe?

Jo!, u përgjegja unë.

Le të ngrihet në kambë shoku që e ka prue këtu këtë shok”

Nji shok i im u ngrit; Folësi e qortoi: “Ke ba gabim të madh shok”, i tha. Dhe tue mu drejtue tha: “Shok mund të rrijsh këtu, ose të shkosh.

“Due të shkoj” u përgjigja.

“Mirë” tha ai. U ngrita e dola. Që nga ajo ditë unë nuk kam pranue me marrë pjesë në mbledhje të mshehta, dhe komunistët nuk më kanë thirrë asnji herë. E kështu mbetëm deri në nandor 1944.

Sigurisht, kisha frikë se mos më vrasin mbas kurrizit gjatë gjithë kësaj kohe, por nuk doli ashtu. (Ma vonë kuptova se “delegati” ka qenë Qemal Stafa, vra me 5 maj 1942. Kjo ashtë në esencë përgjigjja e pyetjes suej.

GM: Pas arrestimit, më 22 tetor 1946, jeni mbajtur për 14 muaj në hetuesi. Mund të dimë më shumë mbi egërsinë komuniste, mbi ndonjë ‘’sigurims’’ të mundshëm, si dhe kush ishte hetuesi?

SR: Egërsia e  hetuesve komunistë ashtë e papërshkrueshme. Jam arrestue me 22 tetor 1946 në zyrën e punës (Seksioni i Rindërtimit), ora 5 mbasdreke. Binte nji shi i fortë, i shoqnuem nga nji roje me automatik kaluem rrugët e qytetit deri sa arritëm në Seksionin e Sigurimit Shkodër. Vetëm pesë minuta ma vonë, ish Majori Zoi Themei, shef i Seksionit, më mori në pyetje. Ishin prezent 5 oficerë të tjerë. Më bani tri pyetje nëse njihsha disa ta arrestuem. Unë u pergjegja: “Jo”! Ai më shau nanën dhe me gjuejti me nji zil tryeze që më kaloi pranë veshit. “Do të shohim ma vonë”, – më tha. Nji orë ma vonë, më mori në pyetje kapiten Lefter Lakrori, i cili më pyeti nëse njihshe nji të burgosun, që unë nuk e  njihshe. Ai pa folë fare filloi të më dërmojë me drue për disa minuta e me grushta e shkelma, sidomos ne veshkët… Kuptova që jam në rrezik. Kërkova leje me shkue në nevojtore, ai me dha nji shplakë e me ndezi fytyrën. I foli rojes, urdhnoi që “personi” të vij para meje, por unë nuk e njihsha, kurse dëshmitari i rrejshëm deklaronte se kishte pasë lidhje me mue në veprime anit-pushtet. Unë mohova. Oficeri u “zemrue” mori aparatin telefonik, me preu pantallonet me thikë, dhe lidhi telat për organet seksuale. Korrenti më tronditi shumë sidomos korrentet e para. Unë bërtita dhe përseritshe se nuk e njoh personin. Oficeri zemrohej dhe betohej se do të nxirte në shesh të vërtetën, ndërsa korenti dhe druni nuk pushojshin. Ma në fund, unë humba ndjenjat. Më kujtohet se më morën për krahësh dhe më hodhën në nji qeli të ftohtë dhe të lagët. Ishte mjaft ftohtë në atë fundtetori në errësinë, por unë u qetësova dhe nga lodhja më zu gjumi. Rreth mesnatës, dera u hap, roja më nxori nga qelia dhe më pruni në zyrë ku më priste kapitan Lakrori, dhe dy oficerë të tjerë. Nuk dijshe se torturat e vërteta baheshin gjatë natës larg nga syni dhe veshi i popullsisë. Filloi hetimi, tortura dhe me shkelma e grushte më dërmoi fare, por unë rezistova se nuk e njoh personin që deshmonte. Ma në fund, më kthyen përsëri në qeli. Për afër 14 muej, vazhdoi ky trajtim, me pushime kur unë dobësohesha shumë. Nga vuetjet e vazhdueshme, në momente kritike, pranova disa nga akuzat nga frika e vdekjes në torturë. Ma në fund me detyruen me firmue nji “proces” të mbushun me gënjeshtra që unë nuk kishe thanë. Pak ditë ma vonë, u gjykova në bazë të procesit dhe mohojshe akuzën, Krytari i Gjykates (Major Banushi) me thoshte: “e ke në proces, mos e moho!’ Kjo tragji-komedi zgjati vetëm nji ditë: 22 persona dolën para Gjyqit.  Prokurori terfellonte nga zemrimi. (Kapitan Namik Qemali). Të nesërmen u mbajt séanca e gjykimit. 9 persona u dënuen me vdekje; unë mora 15 vjet burg të randë e punë të detyrueshme. Jam lirue nga burgu dhjete vjet ma vonë. Përshtypjet e mia janë të shumëta dhe i kam spjegue pjesërisht në librin tim “Nën hijen e Rozafës”. Por, ajo që nuk harroj kanë qenë egërsia e oficerave, mbrapshtia e rojeve që banë çdo gja me na vështirsue jetën në qeli, detyrimi i të burgosuneve me pranue faje jo të kryeme, dhe urrejtja e pafund për të gjithë ne si “armiq të popullit”, sidomos intelektualët me arsim në universitete europiane, dhe kleri katolik, nji fortesë e rezistencës antikomuniste. Në qeli, para gjykimit vdiqën shumë të akuzuem për faje që nuk i kishin ba.

GM: Erdhi dënimi komunisto-politik! 15 vjet heqje lirie, nga të cilat vuajtët 10 vite (1946-1956), në Burgun e Madh të Shkodrës si dhe në Kampet e Punës së Detyruar në Korçë dhe Kavajë. Mund të dimë kush ishte gjyqtari dhe si do i përshkruanit këto vite të jetës suaj, paharruar dhe Kampet, për të cilat nostalgjikët apo gjysëm nostalgjikët e diktaturës nuk ndajnë dhe aq mendime negative?

SR:  Sistemi komunist shihte çdo qytetar si nji vegël pune të detyrueshme. Prandej filloi punimet në zonat ma të vështira me të burgosun politik. Kampi i parë (1948) ka qenë Bedeni i Kavajes ku afër 800 të burgosun nga Shkodra, Vlora e Korça u torturuen pa mëshirë dhe u shfrytëzuen me punë në kondita jashtëzakonisht të vështira. Komandanti Toger Haxhi Pela, nga Myzeqeja, ishte nji bishë me fytyrë njeriu. Për tri vjet kemi punue gjashtë-shtatë muej dhe jemi kthye në burg. Në vitin 1951 jemi dërgue në kampin e Myzeqesë dhe nuk jemi kthye përsëri në burg. Jam lirue në vitin 1956 nga aerodromi i Tiranës që na e ndertuem me krahët tonë dhe kamxhikun e kuq nga gjakui trupave tonë. Kam harreu emnat e oficerave të Sigurimit… fatkeqsisht.

GM: Cilët janë disa nga bashkëvuajtësit për të cilët ruani respekt?

SR: Nga bashkëvuejtesit e mi që respektoj  janë të shumtë. Ka nga ata që kanë tregue heroizëm, dhe janë shumë. Veçanërisht kleri i të dy feve, por ma randë se askush, ka vuejtë kleri katolik shqiptar: i vendosun me mbrojtë fenë e Kishen deri në martirizim. Kam njohë shumë prej tyne, sidomos në kamp,  sepse në burg nuk kanë lejue me kontakue klerikët. Por unë kam shumë respekt për shokët e grupit. Ne nandor 1945 kemi formue Organizatën e  Rinisë Demokratike dhe kemi ba aktivitet me diskreditue zgjedhjet e 2 nandorit 1945. Përveç kësaj, kemi pergaititë nji Memorandum për nji deputet anglez ku kemi spjegue dredhitë e qeverisë komuniste të Tiranës me vjedhë votat. Unë e kam përkthye frengjisht. Keto shokë u arrestuen ma vonë. Kryetari i jonë Ingj. Fahri Rusi u pushkatue. Të tjerët, farmacisti Elez Trashani, disenjatori Ndoc Gjoka, grueja e tij Matildë Gjoka, infermiere, të rijtë Qamil Nikshiqi, Man Qehaja, Sami Repishti u arrestuen dhe u dënuen më shumë vite burgu. Por qendresa e jonë dhe lidhjet e forcueme në burg, janë material për krenarinë time edhe sot.

GM: Si ishte jeta juaj pas daljes nga burgu?

SR: Mbas daljes nga burgu kam pasë nji mik: librin që nuk mu hoq nga dora. Punova gjatë ditës 8 plus orë punë në kanale e në ndërtime, dhe mbramjen e ditën e dielle, tue lexue. Mësova anglishten – gjuha që më duhej për të ardhmen, përmirësova frengjishten dhe italishten. Kujdesi për familjen ishte kryesor, sepse ishe i vetmi person qe i mbante të gjallë… me bukë nga djersa e ime.

GM: 22 gushti i vitit 1959 është dita e fundit në Shqipërinë e Diktaturës së Proletariatit për ju. Do të ishte me interes të mësonim se si dhe më  kë vendosët që të largoheshit?

SR: 22 gushti 1959 ka qenë nji nga ditët ma të vështira të jetës sime. Ishe i vendosun me u largue nga vendi i im. Familje, vitet e gjatë të rinisë, të afërm, shokë dhe e gjithë e kaluemja e ime po abandonohej me arratisjen. Nji ngjarje që nuk e kisha mendue ma parë se ishte e mundun për mue. Sidoqoftë të merkuren, 20 gusht 1959, tue ardhë në shtëpi mbas pune me strajcën e veglave dhe sharrën e karpentierit, jo larg nga shtëpia ndigjova disa hapa të shpejtë mbas meje. Ktheva kokën e pashe nji shok timin të viteve  të kalueme, tash komunist,  që u afrue pa u ndalë e më tha me shpejtësi: “Sami je në listë për arrestim”. Unë përgjegja: “Nuk kam ba asgja kundër ligjit”. Ai shtoi: ”Nuk ashtë fjala për faj…” e kaloi shpejt pa thanë fjalë tjetër. Unë e kuptova se shërbimi i tij ishte  i paçmueshëm dhe se ndoshta do të më shpëtonte nga burgu dhe arratisja. Por aty për aty vendosa të largohem me njiherë. Të enjten, 21 gusht mora kontakt me nji ish shok burgu shtëpia e të cilit ishte pranë kufinit (katundi Vithgar, Ana e Malit) dhe me ndërmjetësinë e ish shokut të burgut, Muhamet Fejza, caktuem nji takim në orën 12:00, në nji lulishte. U takuem dhe ai ishte gati me më ndihmue. Bame planin e udhëtimit dhe u ndamë menjiherë. Në orën 7:30 të mbramjes unë e lashë shtëpinë mbas nji përshëndetje të vështirë me familjen që nuk dinte planet e mia. As unë nuk e di se si përmbajta lotët, sidomos me nanën plakë që ishe i sigurtë se nuk e shoh përsëri. U nisa drejt lagjes Bahçallek, dhe aty kalova urën e mora drejtimin e jugut. Në pikën e caktueme dola nga rruga e hyna në nji pyllë të vogël, ku prita sinjalin nga ana tjetër e Bunës. Sinjali – nji dritë tri herë- erdhi, unë kërceva në lum  e dola në anën tjetër. Aty më priste shoku dhe të dy së bashku u nisëm. Para nisjes patëm nji dialog shumë të vështirë: “Ndigjo, i thashë shokut, (Muho Seiti), unë nuk dorëzohem i gjallë. Të lutem në se ligështohem premto se do të më vrasësh me dorën tande” Ai u trondit e më tha: “do të kalojmë pa vështirësi” “Jo, i thashë, “me premto tashti”. Ai u pre, uli kokën e me za të ulët më tha: “As ti, as unë. Nuk dorëzohemi të gjallë”. E falenderova dhe u nisëm. Për fat nuk takuem as edhe nji pulë… Në Jugosllavi, u dorëzova. Ata më mbajtën nji vjet në burg pa asnji spjegim, vetëm në nji qeli me nji dritare të vogël në mur, dhe me tre ushqime në ditë, pa të drejtë me shkue në nevojtore, vetëm në mesnatë….!

GM: Nga komunizmi i tipit enverist tek ai titist. Në ish-Jugosllavi izoloheni për pothuaj dy vite. Çfarë kujtoni nga ajo kohë? A mundeni një përshtypje të përgjithshme, me aq sa keni parë, nga Jugosllavia e asaj kohe?

SR: Që nga nata që u arratisa dhe deri në shtator 1960 kam qenë i izoluem ose i survejuem pa pushim. Përshtypjet e mia janë:  Jugosllavia e Titos ishte në esencë nji shtet totalitar shtypës për kudërshtarët: nji armatë spiunash e bante jetën të padurueshme. Ajo që shpëtoi Jugosllavinë të mos shkatërrohej ishte ekonomia realtivisht e lirë, sidomos ekonomia e vogël. Njerëzit punojshin e nxirrshin bukën në dyqane të vogla. Fitorja e dytë ka qenë politika e dyanshme e Titos: miq me Amerikën dhe mik me Bashkimin Sovjetik dhe merrte hua nga të dyja, hua që nuk u paguen asnjiherë, për arsye të pozitës strategjike të vendit që lakmohej nga të dy palët.. Kam qëndrue në Zagreb. Nga aty ne Gerovo. Nga kampi i Gerovos (Kroaci) kam ikë në Itali. Gjatë qëndrimit në Zagreb, kam punue në Zyrën e Statistikës (ishte ba rregjistimi i popullsisë dhe duheshin  klasifikue të dhanat staistikore. Punë e merzitshme por më dha bukën e gojës. Kam refuzue ndihmën qesharake mujore  (6.000 dinarë=8 dollarë në muej).

GM: ‘’Toka e Premtuar’’ në qershorin e vitit 1961 ishte ende larg, në kohën që u gjendët në një kamp refugjatësh në Kroaci. Cilat janë kujtimet tuaja nga kjo kohë?

SR: Në Gerovo kishte azil-kërkues nga i gjithë Ballkani; ma të shumtën shqiptarë. Fatkeqsisht, plot anmiqsi njëni me tjetrin sepe shumë prej tyne ishin komprometue me UDB-në. Unë qëndrova larg për dy muej, përsëri i vetem me lexime. Ushqimi ka qenë realtivisht i mirë për turmën e humbun si na. Fjetja ka qenë kolektive për mashkuj dhe dhoma të vogla (ish biruca të ushtrisë) për familjet. Nuk kam pasë asnji presión.

GM:  Arratisja e radhës, më 1 shtator 1961, do të ishte drejt Italisë…

SR: Jemi arratisë natën: Rrok Çuni, Shemsi Zaganjori, Ali Kokaj, Sami Repishti dhe kemi hy në Itali natën. Kam përshtypjen se jugosllavët nuk kujdesoheshin shumë se kush ikë.

GM: Liria e vërtetë do vinte më 9 prill të vitit 1962, ditën që u larguat mijëra kilometra nga vendlindja, ditën që mbërritët në Amerikë. Si ishin ditët apo javët e para? Pastaj, pa u vonuar, diplomime të njëpasnjëshme…

SR: Liria e vërtetë erdhi më 9 prill 1962 ditën kur zbrita në New York. Akti i parë ka qenë me puthë tokën amerikane. Ishte hera e parë që u ndieva i lirë e pa frikë. Edhe në kampet e Italisë kishte shumë të arratisun shqiptarë që spijunojshin për komunistët dhe ktheheshin përsëri në Shqipëri. E tmerrshme! Në New York, më ka pritë në aerodrom i ndjeri profesor Arshi Pipa, që më ka mbajtë  dy javë në apartmentin e tij. Unë kam zanë punë mbas 10 ditësh. Jam regjistrue në universitet mbas nji mueji dhe nuk kam pushue studimet deri në shkurt të vitit 1973, ditën që kam marrë doktoratën. Ndërkaq kam punue si profesor i gjuhëve franceze e italiane në gjimnazet amerikane, dhe ma vonë edhe si pedogog i jashtëm pranë Universitetit Adelphi (N.Y).

GM: Si ratë në kontakt me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara?

SR: Kontaktet e para i kam marrë nga Italia,  kur kam shkrue  artikulin e parë për gazetën “Shqiptari i Lirë” (N.Y.). Mbas ardhjes në Amerikë më kanë kontaktue editorë të ndryshëm dhe kam shkrue për çdo gazetë, ose revistë, që ka kërkue: të reja nga Shqipëria. Ishin të etun me ditë si janë punët në Shqipëri.

18.GM: Mësoj se Ju keni marrë pjesë në një ngjarje të madhe, në takimin e 50-vjetorit të ‘’Vatrës’’. Çfarë mund të na thoni për këtë përvojë?

SR: 50 VJETORI I VATRËS u festue vetëm tre muej mbas emigrimit tim, qershor 1962. Në Boston ishte nji ngjarje madhështore. U grumulluen ma shumë së 500 persona në dreken e shtrueme me këtë rast në restaurantin e të ndjerit vatran Anthony Athanas, Pier 4. E ndjeva veten si me qenë në Shkodër.

GM: Tek ‘’Vatra’’ keni takuar edhe një ndër të mëdhenjtë e kombit tonë, Fan Nolin. Çfarë përshtypjesh ruani nga ky takim?

SR: Po, kam takue të ndjerin Imzot Fan S. Noli gjatë festimit të 50 vjetorit të themelimit të Vatrës. Noli mbajti nji fjalim të gjatë. Në fund unë shkova dhe e përshëndeta tue i tregue emnin e babës, Hafis Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës (1923-24). Ai u ngrit nga karrika e më dha dorën e tha: “Qenke djali i mikut tim”! Më pyeti si ishte babai e unë i tregova se kishte vdekë (1943) nga keqpërdorimi i policisë fashiste italiane. Më çfaqi ngushëllimet e tia. Dukej qartë i shqetësuem. Më uroi punë të mbarë dhe u largue. Më kujtohet nji fjalë e tij: “Çdo fjalë e çdo akt ka kohën e vet”!

GM: Më 1968 fitoni nënshtetësinë amerikane. Si e përjetuat?

SR: Kam marrë nënshtetësinë amerikane në Janar 1968. Procedurat për nënshtetësine timen janë  krye shumë shpejt. Në Itali, kam marrë statusin e emigrantit politik mbrenda  24 orëve. Gëzimi ka qenë i madh, por i prekun nga ndjenja e abandonimit të Shqipërisë sime që e deshta gjithmonë me zemër dhe pa interes.

GM: Shumë larg shqiptarëve në trojet e tyre, por në të njëjtën kohë shumë pranë. Keni luajtur një rol vendimtar në krijimin e tri organizatave shqiptare, ‘’Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’’, ‘’Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë’’’, si dhe ‘’Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan’’. Vetë emërtimet tregojnë shumë, megjithatë ndonjë detaj nuk do të ishte i tepërt, përkundrazi!

SR: Po, kam qenë politikisht aktiv, por asnji herë anëtar i nji partie politike.  Partia për mue ka qenë gjithëherë njilloj mbyllje dhe izolimi dhe nji formë kontrolli i mendimit të lirë.

GM: Ndoshta jeni shqiptari i parë që problematikën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e keni paraqitur në Kongresin Amerikan. Si ndodhi që  u përfshitë në këtë drejtim dhe cfarë veçoni?

SR: Në prill 1965 Kongresi amerikan kërkonte nji shqiptar që të paraqiste problemin shqiptar në Ballkan. Komiteti Shqipëria e Lirë më zgjodhi mue. Unë përfitova me inkludue problemin kosovar në relacionin që paraqita. U ndeshëm pak me disa kongresmenë sepse ata mbrojshin Titon si mik i Amerikës, por unë ngula kambë në pikëpamjen time.

GM: Në vitin 1977 doktoroni pranë Departamentit të Frëngjishtes në ‘’City University of New York’’. Do të ishte kenaqësi sikur të humbisnim në botën e kujtimeve të tua si mësimdhënës në kolegjet dhe universitetet amerikane.

SR: Doktoratin e kam marrë me  sakrifica të mëdha, Ajo që më ndihmoi ka qenë nji bursë studimi nga Qeveria franceze që mundësoi nji vit studime në Paris (La Sorbonne). Për këtë i jam mirënjohës asaj qeverie. Gjatë gjithë qëndrimit tim në SHBA nuk kam pasë asnji ndihmë, publike ose private, veç rrogës së punës sime.

GM: Historikisht amerikanët, Republikanë e Demokratë, na kanë qëndruar pranë, edhe pse gjeografikisht mbi 9 000 kilometra larg. Si e shpjegoni këtë dashuri?

SR: Unë kam gjetë nji dispozicion të favorshëm karshi Shqipërisë që në ditët e para. Ma vonë, si përfaqsues shqiptar i disa orgaznizatave kam gjetë mirëpritje nga autoritetet federale në Washington: n/Presidenti Bush, senatori R. Dole, A. D’Amata, e të kongresmenvet Lantos, Broomfield, DioGuardi etj.

GM: Keni bashkëpunuar me  shkrimtarin dhe publicistin e njohur, Arshi Pipa. Si u njohët dhe kush ishte Pipa për ju?

SR: Me Prof. Arshi Pipën kam qenë shumë afër të gjithë kohën këtu në Amerikë. Kemi organizue Konferencën e parë Ndërkombëtare për Kosovën, 6 nandor 1982, në New York, dhe kemi botue librin ‘Studies on Kosova’ (Columbia U. Press, 1984) me shumë sukses. Prof. Pipa ka qenë pa dyshim nji ndër intelektualët ma të mirë që kam njohë, dhe plotësisht i dedikuem çështjes kosovare. Filozof me njohuni të gjana dhe letrar me nji shije dhe frymë kritike letrare të dorës së parë. Nuk ka qenë anetar i nji partie politike dhe ka kundërshtue egërsisht rregjmin e Tiranës Me vdekjen tij unë kam humbë nji shok të pazëvendsueshëm.

GM: E keni njohur nga afër Dr. Ibrahim Rugovën, këtë shqiptar të rrallë!…

SR: Me Dr. Ibrahim Rugovën  kam pasë lidhje të ngushta dhe e kam ndihmue çdo herë që ka ardhë në Åmerikë, me këshilla mbi gjendjen e Kosovës ashtu si shifej nga Washingtoni dhe me përkthime kur ka qenë nevoja. Jemi kuptue shumë mirë dhe e kemi çmue këtë bashkëpunim reciprok. Unë e kam admirue për qëndrimin e tij paqësor dhe vendosmënine e tij me kërkue pavarësinë e jo autonominë e gjanë për Kosovën. Për këtë qëndrim më ka akordue Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit  (2003). Ndihma ma e madhe ka qenë veprimtaria ime me hapë zyrën informative amerikane në Prishtinë qe u hap më 1996, akt që parapriu hapjen e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

GM: Gjithashtu shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare…

SR: Me Z. Ismail Kadarenë dhe Zonjën Elena Kadarenë, dy monumente të kulturës shqiptare, jam takue tri herë, gjatë udhëtimeve të tyne në Amerikë. Ismail Kadare fliste pak,  ishte i interesuem me ditë sa ma shumë dhe kishte për zemër problemin e Kosovës. E kam ndihmue me përkthim të deklaratavete të tia në New York, sidomos në intervistat me gazetarë amerikanë.

GM: Kishit kontakt me të afërmit në Shqipëri gjatë diktaturës… dhe si ishte gjendja e tyre shoqërore dhe gjendja juaj shpirtërore?

SR: Jo! deri në vitin 1967 (revolucioni kinez në Shqipëri) kam shkëmbye rrallë letra të thjeshta dhe kam ndihmue pak familjen time me dërgesa të hollash. Mbas vitit  1967 nuk kam pasë asnji kontakt. Ne vitin 1980 ka vdekë nana, e une nuk e kam ditë fare deri sa e mora vesht indirekt nga të tjerët. Kjo ndamje e deyrueshme më ka vra shumë.  Kam pasë dhetë të vdekun në familje të ngushtë dhe nuk kam qenë në gjendje me marrë pjesë në varimin e tyne – sikur të kisha gjuejtë Zotin me gur!

GM: Kur u kthyet për herë të parë në Shkodër, Qytetar Nderi i të cilës jeni, dhe si e përjetuat?

SR: Në Shkodër jam kthy në gusht 1992 dhe ka qenë nji eksperiencë e pa përshkrueshme. Që në  aeroport deri në shtëpi, Shkodër, grupe shokësh dhe famijarësh më pritën me lotë në sy mbas 32 vjet mërgimi. Gëzimi im ka qenë i papërshkrueshëm, por menjihere ndjeva mungesën e nanës e të tjerëve që nuk jetojshin ma. U preka shumë nga gjendja e tyne shëndetsore e dobët, dhe nga elementi i frikës që akoma kishin në kockë. Unë bana nji deklaratë me kundërshtu propagandën e elementit komunist që na akuzonte se shkojshim në Shqipëri për hakmarrje. Në atë ditë thashë: “Vij në vendin tim e të parëve të mi me dashuri për të gjithë, dhe me urrejtje për asnjeri’’. Kjo shprehje ashtë nji përsëritje e Presidentit Abraham Lincoln në fjalën e mbylljes së luftës civile në Amerike. Deklarata bani përshtypje të favorshme, por për mue ishte parimi i qëndrimit tim mbas shembjes së turpshme të diktaturës komuniste në Shqipëri.

GM: Secili njeri normal në mënyrën e vet po, por zyrtarisht nuk i kemi dënuar krimet e komunizmit. Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Agron Tufa si ish Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, u detyrua të largohet nga Shqipëria pas shumë kërcënimeve, qofshin këto  dhe në parlament. A është ky një turp kombëtar?

SR: Pyetja e juej ashtë me vend dhe korrekte. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Profesor Agron Tufën dhe kemi nda mendimet tona. Admiroj punen e tij të madhe me ba të njohun aktet terroriste të komunizmit në Shqipëri. Jam gjithashtu mirënjohes që ka botue 5o  shkrime të mia në nji libër (Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit” 2016). Mosdënimi i kriminelëve komunistë ashtë nji mugesë e madhe politike, dhe nji faj moral i pashkyeshëm ndaj viktimave të terrorit komunist. Për fat të mirë shumë viktima kanë shkrue për vuejtjet e tyne dhe janë ba pronë publike. Por mosdënimi i shefava të partisë dhe qeverisë për 45 vjet nuk kuptohet, dhe spjegohet vetëm si papjekuni politike e madhe e popullsisë shqiptare, dhe mungesë ndërgjegjsimi i klasës sunduese demokratike në atë vend. Kjo ashtë tragjedia e popullit tonë të përsekutuem: mosdënimi i fajit të kryem: mijëra të pushatuem pa faj e pa gjyq, në mes tyne 450 gra, burgosje, tortura, internime edhe 45 vjetesh të gjata për famijle me pleq, gra e fëmijë të pafajshëm…

GM: ‘’Rilindja’’ është e ‘’famshme’’ për një numër të madh deputetësh e kryetarë bashkishë me të kaluar kriminale, hashashizmin e vendit, vjedhjen e pastër të votave, vjedhjen e tenderave, ministra apo vëllezërit e tyre të përfshirë në krim, vendi pa Gjykatë Kushtetuese,  zgjedhje moniste,  largimi nga vendi i qindra mijëra të pashpresëve, Teatri Kombëtar 75-vjeçar, në kryeqytetin më jo-antik të Evropës, bëhet viktimë e korrupsionit etj. etj. Askush nuk është dënuar. Keni ndonjë sugjerim për ne, të humburit e Evropës?

SR: Sugjerimi im: mos iu dorëzoni dëshprimit! Na jemi nji popull me vitalitet që ka kalue tre mijë vjet me vuejtje. Mos harroni se 45 vjet propagandë intensive e komunizmit ka dobësue edhe fibren tonë morale. Por edhe kjo do të kalojë, sidomos në kontaktet tona me botën e Perëndimit.

GM: Ndërkohë, edhe pse ka denoncuar vazhdimisht, kemi dhe një opozitë të pavlerë! E tillë sepse nuk ka arritur asnjë rezultat. Dështim i një përmase të dhimbshme, sepse pasojat i vuajnë qytetarët e ndershëm. Partia kryesore opozitare largoi shumë nga emrat më të njohur, të cilët mund t’i largonte votuesi, dhe i zëvëndësoi me njerëz me personalitet të diskutueshëm. Dorëzuan dhe mandatet duke lënë gjysmën e shqiptarëve pa përfaqësim. Gjithmonë pas dimrit vjen pranvera, por Shqipëria duket se do të njohë vetëm acarin edhe për disa dekada…

SR: Në lidhje me opozitën e dështueme keni të drejtë. Mendoni si ka fillue: me kontakte e koncesione direkte nga ish presidenti Ramiz Alia, nji komunist fanatik që u dorëzue vetëm mbas vrasjes së Çausheskut dhe zonjës së tij në Rumani. Të gjitha koncesionet e bame vijnë nga kjo frikë: me shpëtue veten, familjen dhe strukturën e Partisë, me shprese se nji ditë, në nji mënyrë ose nji tjetër, do të ringjallen. Për fat të keq këto “plane” u zbatuen dhe ata fituen, të paktën përkohësisht. Udhëheqsit e opozitës, në sasi të madhe janë ish anëtarë të “Partisë Nënë”, që i lindi dhe i rriti me kujdes djallëzor, dhe e gjetën shumë të vëshirë me u shkomunizue. Sidomos anashkalimi i viktimave të komunizmit ka qenë skandaloz dhe kriminel, si për ata që vuejtën burgjet si dhe për ata që u shpronësuen. Prona private ashtë themeli i demokracisë: qytetarët janë të lirë me mendue e veprue pa frikën e “heqjes së racionit të bukës së gojës për vete e familje”. Amerikanët e kanë vue pronën private në të njajtën platformë me lirinë dhe drejtësinë për të gjithë. Opozita, në vend që të ishte instrument i ndryshimit të domosdoshëm, u ba instrument i transformimit nga komunizmi në nji shoqëni shqiptare hibride, amorfe, të frikësueme, dhe të pa organizueme. “Organizimi” ashtë fjalë kyçe për sukses, por PKSH e metamorfizueme në PS të Shqiperisë, nuk do të lejonte asnji formë serioze organizimi. Këtë lojë ata kanë ba edhe gjatë luftës kundër okupatorit tue sulmue e shkatërrue çdo formë organizative të partive kundërshtare.

GM: SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) duket e pakët, nisur nga fakti që drejtuesi i kësaj strukture është një ish-hetues komunist. Ndoshta nuk duhet paragjykuar për të kaluarën e tij, megjithatë në një botë normale ai duhej ta kishte përfunduar misionin e tij me dënimet politike të të rinjve para më shumë se 30 viteve. Keni një opinion z. Repishti?

SR: Kryetari ishte komunist: nga të vij e mira, e drejta, e ndershmja? Ky institucion legalizoi korrupsionin dhe krimin dhe lehtësoi punën e bandave të rrezikshme në vend. Sot ish komunistët kanë arsimin e marrun në Perëndim, dhe kapitalin me investue: dy armët ma të forta për çdo shtet.

GM:  Gjatë jetës së deritanishme keni takuar shumë njerëz të profileve të ndryshme në rrethana të ndryshme. Cilat mbeten takimet më mbresëlënëse?

SR: Nga takimet me elementë të ndryshëm kam gjetë nji fenomen të përbashkët: frikë dhe konfuzion në mendime dhe veprime. Njerëzit nuk e kishin të qartë se liria e ardhun duhej mbajtë e ushqye, jo e shndrrueme në interesa personale, tue harrue detyrimet kolektive sidomos për të vorfnit (klasa e jonë!), të smurët, prindët e (të afërmit tonë) e përmbi të gjitha të rinjtë që u rritën me frymën që “askush nuk kujdesohet për ty, prandej ban ç’të mundesh e shpëto”… si në nji barkë që fundoset….

GM: Dhimbje dhe krenari. Heronj luftërash çliruese, heronj të penës, të dijes, të zhvillimit e humanizmit. Cilët nga heronjtë tanë do veçonit në periudha të ndryshme kohore?

SR: Çdo epokë dhe çdo komb ka udhëheqsa që frymëzojnë me dituninë e tyne ose me shembullin e tyne personal. Në këtë kategori, vendin e parë e ka Jezu Krishti, figura ma e ndritëshme e historisë së njerëzimit. Në botë ka mjaft shembuj të shkëlqyeshëm që na frymëzojnë dhe na nxisin të përmirësoshemi çdo ditë. Në vendin tonë, këtë privilegj e kanë pasë vetëm figurat e heroizmit ushtarak. Unë mendoj se figurat e heroizmit civil janë të shumtë në vendin tonë. Ata që dhuruen gjithçka për përmirësimin e jetës së popullit të thjeshtë janë heroj.  Noli shkruen se herojt civilë janë ma të mëdhaj se herojt ushtarakë. Ky i fundit tregon guxim në rast lufte, i pari, tregon shpirtin e sakrificës gjatë jetës së tij. Për mue, ky përcaktim ashtë i vërtetë! Kush ashtë ma nalt se Nana Tereza në këto tre mijë vjet historije shqiptare?

GM:  Cilët mendoni se janë disa nga personalitetet e nivelit botëror të cilëve duhet t’u jemi mirënjohës ne si komb?

SR: Historikisht të gjithë ata që na mbrojtën nga sulmet e jashtëme e banë të mundun lindjen e shtetit tonë të lirë shqiptar, qoftë gjatë periudhës së Skënderbeut, qoftë para dhe mbas vitit 1912. Disa, si W. Wilsoni, senatorë dhe lordë të politikës franceze, italiane dhe angleze duhen respektue. Imperatoria austro-hungareze meriton mirënjohjen tonë. Fatkeqsisht, fqinjtë tonë, nga të katër anët na kanë coptue, na kanë nda e kanë mohue të drejtën tonë për pavarësi shekuj më radhë.

GM: Kosovën e deshët dhe dhatë kontributin tuaj për lirinë e saj. Pas çlirimit edhe e vizituat…

SR: Kosova, sidomos mbas largimit tim nga Shqipëria, u ba leitmotivi i jetës sime. Kauza e saj e drejtë – çlirimi nga sundimi barbar serbo-malazez – ka qenë shumë e drejtë dhe fisnike, por shumë e mundimëshme dhe e dhimbëshme. Logjikisht, gjatë viteve të emigrimit tim, si ish i burgosun politik, puna e ime duhej të drejtohej në luftën kundër komunizmit në Shqipëri. Unë iu kushtova lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Duket e çuditëshme? Ndoshta! Por për logjikën time: Shqipëria ishte shtet i njohun ndërkombëtarisht, anëtare e  OKB-së. Kosova nuk ishte shtet as anëtare e OKB-së. Me ramjen ekomunizmit në të dy vendet, Shqipëria dilte shtet i pavarun dhe fillonte jetën e lirë. Kosova me ramjen e komunizmit mbetej provincë e panjohun serbe, jo si entitet shtetnor, dhe prandej duhej luftue për pavarësinë dhe lirinë e saj. Dhe koha tregoj se logjika e ime ishte e drejtë: u desht gjak me u çlirue Kosova, si sakrfica e fundit e luftës për liri e pavarësi kombëtare dhe demokraci.

GM: Serbët thonë ‘’është  Serbi’’, turqit thonë ‘’është Turqi’’, ndërsa ne duket se nuk jemi të zotët të themi që ‘’Kosova është Shqipëri’’. Për të mos lindur ndonjë keqkuptim nga disa ‘’nacionalistë kosovarë’’, të cilët janë shumë të zëshëm kur flitet për Shqipërinë dhe krejtësisht të heshtur në dy rastet e para, më duhet të sqaroj se nuk kemi të bëjmë me ndonjë komplot të mundshëm. Si e shikon Dr. Repishti të ardhmen e dy shteteve tona?

SR: Çështja Shqipëri-Kosovë duhet mendue seriozisht dhe pa emocione, në se ashtë e mundun. Kosova gjatë shekullit të kaluem, dhe akoma ma shumë në këto ditët tona ashtë ba simbol i shqiptarizmit të bashkuem. Dhe me të drejtë. Na kërkojmë të drejtën tone që na ashtë mohue sidomos mbas vitit 1878. Breznia e ime u rrit, që në shkollën fillore, me kangën: “Edhe Flamuri kuq e zi/Do të valojë përsëri/ Në Kosovë e Çamëri/ Plot me gaz, me gaz e në liri”. Kjo frymë nacionaliste ka dominue skenën emocionale dhe të mendimit politik të shqiptarëve. Kërkesa e jona finale ka qenë: bashkimi me Kosovën, nji pikë qendrore që mbetet akoma e gjallë. Por mundësitë sot nuk janë në favorin tonë: gjendja ndërkombëtare ashtë e atillë që nuk lejon me plotësue dëshirën tonë. Ashtë parimi i paprekshmënisë së kufinjve shtetnor të njohun ndërkombëtarisht. Koncepti “shtet” që mbrohet që nga shekulli XVI si entitet i paprekshëm sidomos në kufinjtë ekzistues. Përndryshe, aksionet quhen agresion dhe kundërshtohen. Më lejoni me ju dhane opinionin tim të shprehun në nji Konferencë të mbajtun në Washington DC rreth vitit 2010-11, të shprehun si përgjegje të nji ndigjuesi: “Pse nuk bahet nji shkëmbim i territoreve të banueme me pakica kombetare në Serbi dhe në Kosovë, tue eliminue kështu nji element irritant në mes të dy vendeve”? Përgjigja e ime ka qenë, (simbas kujtesës): “Kosova ashtë sot nji shtet i lirë, i pavarun, funksjonues me demokraci parlamentare, i njohun nga ma shumë se 100 vende nga të katër anët e botës, por jo anëtare e OKB-së si rezultat i obstruksionizmit rus e kinez. Ajo ka nji Kushtetutë të aprovueme nga Parlamenti i Kosovës i zgjedhun lirisht, ku theksohet se liria, pavarësia, integriteti territorial i “shtetit” të Kosovës jane vlera të patjetërsueshme. Kosova ka sot nji qeveri të ligjshme. Kushtetuta siguron lirinë e plotë dhe trajtimin e barabartë të pakicave kombëtare të bashkësisë shqiptare që përban 92 përqind të popullsisë së vendit. Ka gjithashtu edhe nji element parimor në këtë qëndrim: Republika e Kosovës ashtë e destinueme me qenë pjesë e kontinentit europian. Historia dhe gjeografia e bajnë Kosoven nji pjesë të pandame nga Europa. Mbetet plotësimi i formaliteteve të duhuna (“kushteve”) për anëtarësim formal në Bashkimin Europian. Kosova duhet të veprojë si shtet europian. Ky koncept real e progresiv që synon “europianizimin” e Republikës së Kosovës në nji kontinent me kulturë të përbashkët mbetet ylli polar i orientimit të Kosovës. Trajtimi i “pakicave kombëtare” në Europë ashtë nji pasunim i shoqënive europiane dhe ka gjetë zgjidhjen e vet fatlume me legjislacionin demokratik, liberal, që garanton të drejtat e plota për të gjithë. Duhet të heqim dorë nga politikat e së kaluemes së dhimbëshme kur pakicat kombëtare – sidomos ajo shqiptare në ish-Jugosllavinë – janë përdorue si “mollë sherri” nga politikanët e vendeve tona. Le të drejtojmë sytë drejt Europës, të ndjekim shembullin e Europës dhe të përparojmë pa probleme artificiale”. (Panorama, 10 korrik 2020).

Bashkimi i jonë do të vijë pa dyshim në kohë të përshtateshme. Unë jam i bindun se mbas anëtarësimit të të dy vendeve në Bashkimin Europian, “bashkimi praktik” bahet nji fakt i  kryem. Shikoni miqësine franko-gjermane sot mbas nji anmiqsie afër 1,000 vjeçare. Por, na  duhet ta meritojmë!

GM: Sipas mendimit tim modest, Perandoria Osmane ishte Pushtuese nga dita e parë deri tek e fundit, pavarësisht rolit apo privilegjeve të disa individëve. Pushtimi mendoj se është i tillë deri në ç’pushtim, sidomos kur vendi u pushtua nga shkollat e huaja, ndërsa gjuha e nënës sonë ndalohej. Cili është këndvështrimi i Prof. Repishtit?

SR: “Problemi” i trajtimit të pushtimit otoman pesëqind vjeçar ka marrë tone me karakter personal, fetar dhe anti-mysliman. Fatkeqsi! Faktet janë kokëforta, ata nuk ndryshojnë. Ashtë fakt që, nga viti 1479 deri në vitin 1912, vendi ynë ka qenë i pushtuem. Ashtë nji fakt se të paktën 48 kryengritje Shqiptare u banë nën sundimin otoman dhe janë shtypë pa mëshirë. Ashtë nji fakt se për afër 500 vjet, otomanët nuk kanë ndërtue nji shkollë, nji spital, nji urë, nji rrugë (përveç atyne me qëllim ushtarak) dhe kanë “dhurue” toka shqiptare për shpërblim në marrëveshje me të huejtë. Shembulli i vrasjes së Pashës në shtëpinë e Ali Pashë Drenit, Gjakovë, 1878, ashtë ilustrimi ma i mirë i “të mirave” që kemi pa nga ai rregjim… Edhe sot, diskriminimi i përgjithshëm i Shqipërisë si “vend mysliman” nuk pushon. Njikohësisht rezistenca kundër otomanëve ka qenë nga të gjithë sektorët e popullsisë pa përjashtim feje. Myslimanë e të krishtenë kanë luftue krah për krah në mbrojtje të tokavet të tyne. Kemi këtu nji fenomen që kërkon studim të plotë e të pa anëshëm për rininë tonë. Në nji përshendetje Konferencës Shkencore “Shkrimi i Historisë,” Prishtinë (4 maj 2013), kam thanë: “Mbas vdekjes së Skënderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqipërisë. Dritarja e botës perëndimore iu mbyll Shqipërisë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanëse e Renaissance-es dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të Re me nji etje gargantueske për njohuni të reja, për hapësina dhe nji bote të re me nji zhvillim të lirë, të justifikuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithëherë nji çështje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale – okupacioni otoman e ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka dënue atë me qenë nji krahinë e humbun mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës që po lindte në Perëndim”.

GM: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Adem Jashari dhe Nënë Tereza janë vetëm tre nga personalitetet tona që janë fyer vazhdimisht nga individë apo grupe të caktuara. A duhet të mbrohen me ligj, kur kemi të gjitha faktet për aktivitetin e tyre kombëtar dhe njerëzor?

SR: Unë nuk mendoj se legjislacioni ashtë i nevojshëm me mbrojtë figurat e mëdha të kombit tonë. Mos harroni: “Shqipëria eshte i vetmi vend në botë ku një popullsi me shumicë myslimane nderon si hero kombëtar një figurë të ndritun të krishterë” – shkruente prof. Stavro Skendi i Columbia University.  Unë nuk e shoh ditën kur këto figura që na nderojnë për shekuj do të sulmohen nga çfardo aspekti qoftë.

GM: Në vitet ose dekadat e fundit jemi përballur me një dukuri  të re tepër shqetësuese për shoqërinë tonë. Duke u bazuar tek numri i popullsisë, ne shqiptarët, në Shqipëri e Kosovë, kemi numrin më të lartë të ‘’mercenarëve’’ të ISIS. Fatkeqësi të dyfishtë e bën fakti se bëhet fjalë për shqiptarë me origjinë shqiptare, ndryshe nga vendet e tjera perëndimore që kryesisht ishin me origjinë nga Azia apo Afrika. Keni një analizë të shkurtër apo një këshillë?

SR: Po, ka pasë “vullnetarë” kosovarë që janë bashkue me ISIS, organizatë terroriste. Shumë jane kthye të shgenjyem. Disa janë vra. Mendoj se këtu kemi të bajmë me fanatizmin dhe injorancën e masave myslimane të udhëhequna nga klerikë të pandërgjegjshëm. Shumica dërmuese e popullit kosovar i ka dënue këto elementë pa asnji reservë. Besoj se dhe nji përpjekje turke sot me afrue popullsitë myslimane rreth Turqisë (“neo-otomanizmi”) ka luejtë nji rol negativ që duhet dënue.

GM: Duke mos anashkaluar mirënjohjen për Greqinë, vend në të cilin jetojnë e punojnë qindra mijëra shqiptarë, shfaqet herë pas here një ndjenjë shoviniste kundrejt shqiptarëve, qoftë dhe në Jugun e Shqipërisë. Mendoni se ende kemi të bëjmë me ‘’zënka’’ të vjetra, apo…

SR: Greqia ashtë nji “problem” tjetër. Kemi të bajmë me nji shtet që andrron krijimin e nji Bizanci të ri me qendër Konstantinopolin (Istanbul) dhe me gjithëse nji ”andërr” e tillë ashtë e pamundëshme, ajo jeton dhe frymëzon shumë grekë, disa prej tyne edhe politikanë që e shfrytëzojnë për qëllime personale. Kërkesat e tyne ndaj Shqipërisë nuk kanë as bazë morale as ligjore. Shqipëria ashtë nji shtet që ashtë tkurrë nga çdo marrëveshje ndërkombëtare që ka trajtue problemin shqiptar. Arsyeja? Nuk kemi pasë shtet të organizuem dhe nuk kemi pasë miq të sinqertë. Historikisht, kemi pasë lidhje me shtete që humbën luftën: Turqia, Austro-Hungaria, Italia e Gjermania. Greqia ka pasë mbështetjen e madhe për arsye të së kaluemes së saj madhështore, Vjetërsisë, Panhelenizmit, Greqia antike, që sot nuk ekziston ma. Për fat të keq, “feja” ka luejtë nji rol damtues për ne. Udhëheqsit ushtarakë sidomos të luftës për lirinë dhe pavarësinë greke kanë qenë shqiptarë por të ushqyem nga kisha ortodokse kanë mbeshtetë nji shtet ortodoks. Në ato ditë, Shqipëria vuente nën okupacionin otoman që vuni shqiptarët e dy besimeve njënin kundër tjetrit. Historia moderne greke vazhdon të njajtin qëndrim: zgjanimin e Greqisë; për këtë shkakton trazime për të ashtuquejtunën ‘pakicë etnike greke’ e cila gëzon të gjitha të drejtat e garantueme me Kushtetutë. Kjo lojë politike greke do të vazhdojë edhe për disa dekada, të paktën, por pa sukses.

GM: Një pjesë e politikës greke duket se ende nuk mjaftohet me toka shqiptare, ndërsa unë mendoj se do të duhej të ishim ne, që të kërkonim drejtësi, sidomos për Çështjen Çame. Ka zëra poshtë e lart, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur për ta lehtësuar sadopak dhimbjen e shqiptarëve të Çamërisë. Greqia, duke qenë se nuk është një vend i mirëfilltë perëndimor, nuk e njeh gjenocidin e ushtruar. A mund të bëjë më shumë Shqipëria?

SR: Çamëria: Ashtë plaga e hapun për ne të gjithë. Nji popullsi autoktone shqiptare e lanun jashtë kufinjve shtetnorë të Shqipërisë u persekutue, u masakrue dhe u “zhduk” fizikisht nën sytë e botës që heshti, dhe për arsye ideologjike: refuzuen me u rregjistrue në batalionet komuniste greke. Për 45 vjet me rradhë satrapi aziatik E. Hoxha i persekutoi mbasi ata refuzuen me shkue në Greqi me luftue bashkë me komunistët. I shpërndau nëpër të gjithë Shqipërinë që të mos ketë grupe të forta rezistence, masakroi udhëheqsit politikë çamë dhe përfundoi me nji libër “Dy popuj miq” që çmonte miqësinë me Greqinë. Une jam pesimist për këtë problem, dhe kam pak shpresë se Grekët do të lejojnë kthimin e çamëve në vatrat e tyne ose do të shpërblejnë pasunitë e tyne të grabituna dhe të shpërndame nëpër familjet që ikën nga Turqia. Nji episod: rreth vitit 2010, kongresmeni Engel rregulloi nji takim të pesë shqiptarëve me Ministrin e Jashtëm grek A. Papandreu. Takimi shkoi mire. Unë ngula kambë që Ligji i Luftës kundër Shqipërisë të hiqet se i ka dalë boja. Ai premtoi se mbrenda nji viti Parlamenti grek do ta revokojë. Unë e falenderova. Nuk u ba gja sepse ai humbi votimet e nji qeveri e re konservative erdhi në fuqi. Ajo që me bani përshtypje ka qenë analiza e tij politike. Ai tha pak a shumë këtë: shtetet e Ballkanit e kanë arrijtë formimin e tyne dhe zgjanimin gjatë shekullit të kaluem. Vetëm Shqipëria jo. Ky ashtë shekulli i shqiptarëve dhe duhet të arrihet plotësimi i kërkesave të tyne. Nuk kuptoj pse Maqedonia nuk u jep te drejta shqiptarëve sepse ata e meritojnë. Po unë besoj se ky proces i afrimit në mes shqiptarëve do të dalë me sukses.” Unë e falenderova. Sinqeritet apo oportunizëm?

GM: Ish-presidenti Berisha nuk ishte shumë miqësor me median, një nga arsyet ndoshta ishte mentaliteti i sistemit të kaluar, ndërsa Berisha si kryeministër ishte ndryshe. Liria e Shtypit sot është e traumatizuar nga kryemininistri Rama. Në një mënyrë ose një tjetër, nëse nuk je në shërbim të tij, do të paguash shtrenjtë. Kemi mbyllje televizioni, mbyllje emisionesh, kërcënime për mbyllje, urdhëra për mos-publikime të lajmeve negative, gjoba të pakuptimta, fyerje e fjalor aspak normal për një kryeminstër në një vend demokratik. Si do e gjykonit aktualitetin e mediave në Shqipëri?

SR: Organizata Freedom House e vuni Shqipërinë në listen ku vlerësohet liria e shtypit. Gazetaria shqiptare përjeton nji gjendje të smurë! Ka nji mijë probleme shoqënore që duhen ekspozue dhe eliminue me ndihmën e shtypit. Edhe vitin e kaluar Freedom House e zbriti akoma ma poshtë në listë.  Me nji të kalueme të hidhët shtypi shqiptar iu nënshtrue pushtetit dhe politikës së ditës. Humbje e madhe për vendin tonë, dhe për edukimin politik të popullsisë…..Kjo mungesë e madhe duket se po zëvendsohet çdo ditë e ma tepër me shkrime erotike të shkallës ma të ulët. Faj i madh kundër  të rinjve që,  të etshëm për lexim, detyrohen me lexue shkrime pornografike në gazetën që prindët sjellin në shtëpi…Shembull i vajtueshëm.

GM: Kemi një elitë (sado mikroskopike) intelektuale, kemi njerëz të suksesshëm kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, megjithatë jemi këtu ku jemi… Si shpjegohet kjo?

SR: Unë mendoj se fatkeqsia ma e madhe sot në Shqipëri ashtë mungesa e nji shoqënie civile: grupe qytetarësh të interesuem për nevojat e vendit, me përgatitje  kulturore, dhe të guximshëm me folë haptas mendimin e tyne. Ka elementë të përgatitun Shqipëria, po ata janë anashkalue nga pushteti që kërkon “Yes!” si përgjegje. Kjo tregon situatën e vërtetë për mendje të ndrituna që i japin shoqënisë kontributin e tyne për ndërtimin dhe mbajtjen e shoqënisë civile aktive e gjykuese e shtetit. Si ashtë e mundun që Shqipëria mbas 45 vjet terrori komunist, ka sot nji qeveri dhe nji parlament “nji-partiak” si në kohën e E. Hoxhës, dhe shqiptarët e pranojnë, sidomos ata me kulturë? Shumë shqetësuese!

GM: Jeni autor i shumë veprave letrare dhe publicistike. Cilat mbeten më pranë zemrës?

SR: Shkrimet e mia për jetën nën rregjimin komunist dhe vuejtjet që kam përjetue me litar në grykë janë pjesë e pandame e jetës sime dhe kujtimet e tyne janë thesari i menditimit tim. Pjesa tjetër janë efekt i arsimit tim dhe jetesës në demokraci që kanë pasunue jeten time intelektuale. Mendoj shumë, shkruej nga pak, flas edhe ma pak dhe kërkoj falje që nuk kam qenë në gjendje me ekspozue të keqen komuniste ashtu si e meriton – pa kufi, pa rezerva – për kenaqsinë e kolegëve dhe të gjithë shqiptarëve që duen e shkruejnë e flasin por nuk kanë as mundësinë, dhe as aftësinë.

GM: Si u njohët me bashkëshorten, Diana me të cilën keni dy fëmijë?

SR: Njohja e jonë ashtë ba nëpërmjet nji miku të përbashkët, Prof. Nexhat Peshkëpia. Bashkëshortja ime Diana, vjen nga nji familje shqiptare gjirokastrite që ka emigrue në vitin 1938. Ka mbarue Masterin në City University of New York për psikologji fëmijnore dhe ka dhanë mësim për 30 vjet në shkollat publike amerikane. Kemi shkue në teatër e në kinema së bashku. Jam njohë me familjen e saj dhe kemi përfundue në martesë, që për fat ka qenë e lumtun. Jemi martue në vitin 1964. Kemi dy fëmij: Daren, mjek; Ava, avokate, dhe pesë nipa e mbesa. Nji ndërmarrje e sukseseshme.

GM: Ndonjë ëndërr e parealizuar ende?

SR: Shqipëria e lirë, e pavarun, demokratike e bashkueme dhe europiane. Ka qene andrra e ime me dhanë mësime në shkolla shqipe dhe me edukue rininë shqiptare me frymën e renesances dhe humanizmit europian; nji brezni të re që mendon jo vetëm për vete por edhe për të gjithë njerëzimin, nji dhe i pandamë, pa përjashtime dhe pa dallime të çfardo natyre qoftë.

GM: Si e kaloni kohën e lirë, në përgjithësi?

SR: Unë kam qenë gjithmonë miu i librave….! Lexoj mjaft, mendoj shumë, punoj pak dhe kënaqem me atë që kam, e që fatmirësisht ashtë e mjaftueshme. Nuk kam asnji ambicie për “pasurim të madh” as për festa e celebrime. Puna më pëlqen dhe deri tashti, fizikisht, kam qenë mirë e i aftë me punue në fushën time.

GM: Si do të ishte për ju një botë e përsosur?

SR: Për mue ideali ma i madh ka qenë  me qenë pjesë e nji marshi historik drejt lirisë së plotë të të gjithë njerëzimit. Nji botë ku i vorfni, i smuri, i paafti gjen përkrahjen e atyne që jetojnë në kondita ma të mira, nji botë që çdo ditë ban nji hap përpara drejt perfeksionimit, nji botë ku “ideologjia” do të ishte dashunia për njëni tjetrin, dhe për natyrën që na ushqen.

GM: Dhe në fund, keni një mesazh, apo lutje, për lexuesit e “Zemrës Shqiptare” dhe për shqiptarët në përgjithësi, politikanë, akademikë apo edhe njerëz të thjeshtë?

SR: Ka dy forca të mëdha që udhëheqin njerëzimin në histori: dashunia  dhe urrejtja. E para, hedh bazat e marrëveshjes, ndihmës reciproke dhe paqes së vazhdueshme; e dyta, urrejtja ashtë nji kancer për të gjithë ata që e ushqejnë. Mos e lejoni të ndërhyjë në jetët e jueja.

Please follow and like us: