Albspirit

Media/News/Publishing

Këndvështrime lidershipi nga Iris Halili (3)

Iris Halili

 

7. Lidershipi i femrës si lidership shërbëtor

 

Lidershipi i femrës është një fakt i epokës postmoderne. I shfaqur si një fenomen i natyrshëm në të gjitha nivelet, ai ka sjellë tipare që padyshim kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Pothuaj të gjithë teoricienët e lidershipit arrijnë në një pikë të përbashkët mendimi: lidershipi femëror prezanton tiparet e lidershipit transformues, shpirtëror, pjesëmarrës e mbi të gjitha të atij shërbëtor. Gjithashtu, të gjitha studimet njëzëri konkludojnë se femrat në krahasim me meshkujt kanë një nivel më të lartë të inteligjencës emocionale dhe ky është një tjetër faktor që i bën ato të suksesshme në misionin e liderit.

Po të shkojmë mbrapa në kohë, pikërisht tek roli i femrës ndër shekuj do të dallojmë se ajo në fakt gjithmonë ka drejtuar në heshtje. Miti i Adamit dhe i Evës është një provë e fortë. Adami vërtet e shijoi i pari mollën por drejt këtij akti e orientoi dhe e drejtoi Eva. Ajo ishte udhëheqësja e vërtetë, që në heshtje e me bindje e çoi Adamin drejt aktit final.

Po t’i kthehemi shumë miteve greke, por edhe më të lashta se to, gjithmonë do të vemë re femrën që këshillon në heshtje, vepron në heshtje por që gjithmonë ka influencë e gjurmë në vendimmarrje.

Njeriu i lashtë jo rastësisht kishte vendosur në Olimp shumë perëndi femra; ishin ato që në më të shumtën e herëve vendosnin fatet e njerëzve, fatet e paqes apo të luftës. Kjo rrëfen më së miri se në ndërgjegjen e njeriut të lashtë femra kishte aftësi drejtuese, përcaktuese, dhe mbi të gjitha, shumë herë decizive.

Po t’i rikthehemi rolit të saj në institucionin e parë që historia e njerëzimit ka njohur dhe që është familja, do të shohim që femra sërish ka pasur një rol lidershipi në heshtje. Ajo nuk shfaqet hapur, por është prapa çdo vendimi dhe jep mendimin e saj tek partneri duke influencuar thellësisht në gjykimin dhe vendimet e tij. Ajo ka drejtuar “nga prapa dhe në heshtje” në jetë të jetëve. Kjo do të thotë se pozicioni i saj i sotëm në lidership nuk është risi për seksin femëror, por është thjesht një shprehje e hapur e asaj që ajo e ka kryer ngaherë dhe është thjesht një shfaqje natyrore e arketipit të trashëguar.

Femra në vetvete trashëgon shumë arketipe që e kthejnë atë vetvetiu në një lider të suksesshëm, por pikë së pari ajo mbart arketipin e shërbimit pa kushte. Nëse femra është një lider, ajo shfaqet së pari si një lider shërbëtor. Ndër teoricienët e lidershipit i pari që foli për lidershipin shërbëtor ka qenë në vitin 1970 Robert Greenleaf i shkollës amerikane të lidershipit, i njohur edhe si babai i lidershipit shërbëtor në botën moderne. Në fakt termat lider dhe shërbim, i kemi gjetur shumë pranë njëri-tjetrit si fillim në Bibël në gojë të Jezusit. Sipas tij, çdokush që pretendon të jetë një lider, së pari duhet të jetë një shërbëtor, pra duhet t’u shërbejë ndjekësve të tij. Shërbimi për femrën nuk është diçka që ajo duhet ta mësojë apo për të cilën ajo duhet thelluar në studime; përkundrazi, është diçka që tek femra gjendet fare natyrshëm pasi është pjesë e lindur e saj. Në ndryshim nga meshkujt, ajo nuk shqetësohet aspak të kryejë shërbimin maksimal dhe pa kushte në çdo pozicion lidershipi. Këtë ajo e bën pa sforco dhe pa drojë.

Është arketipi femëror që e çon femrën vetvetishëm drejt lidershipit shërbëtor. Nisur nga arketipat e trashëguar të femrës dhe krahasuar këto me cilësitë e liderit shërbëtor do të shohim shumë ngjashmëri, por mbi të gjitha të dy palët ndajnë të njëjtat vlera njerëzore.

Le të rreshtojmë disa ngjashmëri mes krahasimeve:

  1. Femra është e prirur të japë dashuri, po ashtu bën edhe lideri shërbëtor

Askush më shumë se një femër nuk mund të njohë artin e dhënies së dashurisë. Femra ka qenë gjithmonë një ‘dhënëse”. Arketipi e udhëheq të japë ndjenja pozitive pa kushte. Roli i saj në familje më shumë se i kujtdo tjetër ka qenë shpirtëror dhe ajo është ndjerë gjithmonë e privilegjuar në realizimin e këtij misioni. Ajo mbetet dhënësja e përjetshme dhe e devotshme e ndjenjave dhe ajo nuk ndihet aspak në siklet në këtë rol. Gjithmonë i kemi bërë pyetjen vetes, pse një femër qan pa drojë në publik ndërsa për një burrë kjo do të quhej dobësi? Përgjigja është fare e thjeshtë. Femra nuk ka drojë t’i shfaqë hapur ndjenjat e saj dhe në mënyrë krejt të sinqertë. I njëjtë është lideri shërbëtor, ai nuk kursehet t’i shfaqë hapur emocionet e tij pozitive për ndjekësit. Këta të fundit e duan liderin shërbëtor pikërisht se gjejnë tek ai njeriun që i do pa kushte dhe u shërben pa kushte.

  1. Femra nga natyra ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranuese dhe jo përjashtuese. I tillë është edhe lideri shërbëtor

Arketipi i saj ndër shekuj është zhvilluar më shumë drejt pranimit se drejt përjashtimit. Që nga mitet më të lashta e deri tek ato më moderne gjejmë figura të femrës që e prezantojnë atë më shumë drejt paqes dhe krijimit të urave të progresit se drejt regresit apo shkatërrimit. Roli i saj në familje për mijëra vjet ka qenë të ndërtojë harmoni dhe ura komunikimi. Ajo nuk e dëshiron dhe nuk e ushtron përjashtimin. Arketipi që vjen nga roli i saj në familje na mëson se në rolin e nënës, femra gjithmonë i ka pranuar fëmijët e saj pa asnjë mëdyshje edhe pse mund të mos ketë qenë dakord me zgjedhjet apo veprimet e tyre.

Poema e famshme e Robert Frostit, “Vdekja e ish-punonjësit” mund të jetë një referencë e mirë për këtë çështje. Kjo poemë konsiderohet në historinë e letërsisë, psikologjisë apo dhe sociologjisë, si referenca më e mirë se si dy sekse apo karaktere të ndryshme mbajnë qëndrim krejt të ndryshëm për të njëjtin fenomen.

Wiliam dhe Mary janë një çift pa fëmijë që jetojnë e drejtojnë një fermë. Silas është një ish-punëtor i tyre që dikur i ka braktisur duke ua lënë punën pa mbaruar. Poema fillon kur Mary kthehet në shtëpi dhe i tregon të shoqit se kishte takuar Silasin, që ishte shumë i sëmurë dhe pa strehë dhe dëshironte të vinte dhe të kalonte ditët e fundit të jetës në shtëpinë e tyre. Wiliam zemërohet nga kjo kërkesë dhe nuk pranon kurrsesi t’i hapë derën dikujt që e kish tradhtuar dikur. Nga ana tjetër Mary, shumë zemërgjerë, ofron natyrën pranuese dhe të butë të femrës, duke vlerësuar se do të ishte më mirë që atij t’i hapej dera duke lënë prapa çdo gjë që kish ndodhur më parë. William pasi kundërshton pritjen e Silas i thotë së shoqes: “Shtëpia është vendi ku dhe kur duhet të shkosh dhe ku ty të presin” ndërsa e shoqja ia kthen: “Unë do ta quaja, shtëpia është ajo gjë që ndoshta edhe nuk e meriton”. Pra dukshëm William i qëndron besnik parimit të korrektësisë, ndërsa Mary atij të zemërgjerësisë dhe pranimit pa kushte. Shtëpia për Wiliamin është vetëm vendi ku duhet ta meritosh pritjen, ndërsa për Maryn shtëpia duhet të jetë streha e përhershme, pavarësishtnëse e ke merituar apo jo pritjen. Parimi human “çdo njeri ka nevojë për një strehë” është bindja e Maryt, ndërsa ajo e Wiliamit është “çdo njeri duhet ta meritojë një strehë”. Ky dialog kaq i thjeshtë nga dy fermerë mbart në fakt një filozofi të tërë, që fillon me pyetjen: A duhet dhënë dashuri pa kushte apo kjo duhet merituar? Duhet hapur porta dhe duhet ndihmuar e pranuar çdo nevojtar apo kjo duhet merituar? Mary simbolizon shpirtin e butë të femrës, e cila gjithmonë ka qenë dhe mbetet dhënësja pa kushte. Ajo simbolizon ndërkohë edhe lidershipin shërbëtor që parim thelbësor ka shërbimin ndaj ndjekësve pa asnjë kusht dhe pa pritur asgjë në këmbim.

  1. Femra e ka kujdesin pjesë të arketipit të asaj; të tillë e ka kujdesin edhe lideri shërbëtor

Ndjekësit për femrën në lidership janë si vetë fëmijët e saj. Misioni i parë biologjik i çdo femre ka qenë dhe mbetet kujdesi pa kushte ndaj fëmijëve. Pushteti për femrën nuk është qëllim në vetvete, as mision që është thirrur për ta arritur. Në të kundërt kujdesi është qëllim, është mision që ajo e trashëgon dhe ushtron shumë mirë. Femra e ndjen pushtetin, e kërkon dhe e shijon si kujdestari, jo si ekzistencë apo kënaqësi ekzistence. Kjo e afron akoma dhe më shumë me liderin shërbëtor. Qëllimi universal i çdo femre është të shohë fëmijët e saj të arrijnë më të mirën, të realizojnë ëndrrat e të jenë sa më të suksesshëm dhe për këtë ajo afron kujdesin maksimal krahasuar me këdo përreth saj. Në të njëjtën formë të vetvetishme femra në lidership përpiqet, kujdeset dhe sakrifikon maksimalisht që ndjekësit e saj të arrijnë qëllimin dhe suksesin. Dhe këtu ajo është sërish shumë pranë liderit shërbëtor.

  1. Si femra dhe lideri shërbëtor kanë aftësinë dhe durimin të dëgjojnë dhe të shfaqin tolerancë

Duke qenë prej mijëra vjetësh në hije, femra ka ndërtuar arketipin e një natyre tolerante dhe në shërbim, ku dëgjimi me durim ka qenë pjesë e pandarë. Duke dashur gjithmonë të përkrah partnerin e saj mashkull, ajo pas çdo dëgjimi ka dashur ngaherë të jetë e sinqertë dhe e vërtetë në këshillat e saj, por ajo asnjëherë nuk ka reshtur së qeni tolerante, pasi dhe vetë pozicioni i saj si seks i dytë, ja ka imponuar këtë qendrim ndër gjenerata. Të njëjtin profil ka lideri shërbëtor. Ai është dëgjuesi më i mirë krahasuar me të gjithë llojet e tjera të lidershipit, por ai është dhe më paqësori dhe toleranti. Lideri shërbëtor i dëgjon me vëmendje ndjekësit e tij, kërkesat e tyre dhe përpiqet maksimalisht të vihet në shërbim të tyre. Ai zgjedh gjithmonë paqen në vend të luftës, tolerancën në vend të konfliktit, fjalën në vend të armës. Martin Luter King apo Gandi ndërtuan një lëvizje të tërë të bazuar vetëm në këto parime dhe fituan një kauzë që deri para tyre dukej krejt e pamundur.

  1. Femra sakrifikon, po kështu vepron dhe lideri shërbëtor

Arketipi i femrës gjithmonë është ndërtuar mes veprimeve  të sakrificës. Edhe e gjithë anatomia e saj është bazuar në bazë të akteve të sakrificës. Çdo femër mban me vete pasurinë e të qenit nënë dhe natyrshëm çdo nënë ka instinktin të vendosë fëmijët para vetes, të vetëflijohet për fëmijët në çdo rast e në çdo kohë. Ajo mban fëmijën 9 muaj në trupin e saj; ajo ndien dhimbje gjatë lindjes. Ajo i jep gji dhe kujdeset për fëmijën për vite me radhë; ajo kujdeset për sa e sa shumë detaje rrotull shtëpisë. Vetë trupi i saj është ndërtuar me një anatomi për të vuajtur më shumë. Natyrshëm, ajo është ndërtuar biologjikisht të durojë më shumë; ndaj në pozicione lidershipi ajo nuk zgjedh të sakrifikojë; ajo e bën këtë natyrshëm, pasi arketipi i saj punon po kaq natyrshëm.

Nga ana tjetër, lideri shërbëtor sakrifikon për ndjekësit deri në vetëmohim. Nuk është rastësi që në më të shumtën e rasteve liderët shërbëtorë janë kthyer në heronj të ndjekësve të tyre dhe kanë frymëzuar gjenerata. Vetë jeta e tyre e vetëmohuar dhe e sakrifikuar është një shembull frymëzimi. Gandi apo Martin Luter King janë shembujt më konkretë.

Përderisa një femër trashëgon gjithë arketipat për të qenë një lider i suksesshëm shërbëtor, kjo do të thotë se femra nga natyra është e prirur të jetë një lider shumë i arrirë; Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sa herë që shohim një femër në drejtim ajo vetvetiu është e suksesshme.

Analiza që bëmë u referohet virtyteve të lindura të femrës që e prijnë atë drejt lidershipit shërbëtor. Por lidershipi në vetvete është ndoshta pozicioni/ profesioni më i vështirë dhe jo i lehtë për gjithkënd. Kjo do të thotë se ndonëse nga arketipi femra trashëgon shumë dhunti të artit të drejtimit, sërish kjo nuk do të thotë se ajo automatiksht do të jetë e suksesshme kudo dhe sa herë drejton. Lider më shumë bëhesh se lind, thonë njëzëri të gjitha shkollat e lidershipit. Mes tipareve të trashëguara dhe atyre të fituara apo të përvetësuara, gjithmonë krijohet një balancë dhe nuk dihet kush merr me shumë përparësi. Tiparet e lindura kanë të bëjnë më shumë me natyrën e liderit, por tiparet e fituara kanë të bëjnë më shumë me karakterin e tij dhe dihet se sikurse në jetë edhe në lidership përcaktuese nuk bëhet natyra e liderit por karakteri i tij. Ndaj nuk është habi që ne kemi njohur e parë shumë femra të suksesshme në lidership, sikurse kemi parë edhe opozitat e tyre. Ne kemi njohur Nënë Terezën, por dhe Nexhmije Hoxhën.

 

 

 

8. Nënë Tereza apo lideri që duhet imituar

 

Autorja e këtyre radhëve ka pasur fatin të jetë më 19 tetor të vitit 2004 në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, së bashku me delegacionin e shtetit shqiptar që merrte pjesë në ceremoninë madhështore të organizuar nga Papa Gjon Pali II, për fillimin e lumturimit të Nënë Terezës. Për të qenë e sinqertë, asnjë moment i asaj ngjarjeje nuk më ka lënë më shumë mbresa sesa njohuritë që mora disa vite më vonë, e që e rreshtonin Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit, përkrah Gandit, Martin Luter Kingut dhe Mandelës, duke e konsideruar atë gjithashtu edhe gruan lider më të respektuar të të gjitha kohërave. Fakti që modeli i saj i drejtimit, frymëzimit dhe realizimit të misionit është kthyer në një model tipik në shkollat amerikane të lidershipit, më lumturoi shumë më tepër se procesi i përcaktimit të saj si Shenjt. Kjo pasi, për studiuesit amerikanë, roli fetar i Nënë Terezës bëhet shumë i papërfillshëm përballë misionit human dhe modelit shpirtëror që na përcjell ajo. Shumë njerëz mendojnë gabimisht se ajo ishte thjesht një murgeshë që kishte si mision të ndihmonte të varfrit dhe për këtë në vitin 1990 ndërtoi një organizatë me 4 000 misionare që operonin në qindra vende të botës, pikërisht Misionaret e Karitasit. Kjo organizatë filloi në Kalkuta dhe më pas u përhap në 450 qendra të botës. E vërteta është se përtej qëllimit kryesor praktik që ajo kishte për të ndihmuar më të varfrit, duke ju ofruar atyre shërbim total, misioni i saj kishte një qëllim akoma më vizionar dhe universal, edukimin e njerëzve me dashurinë për njëri-tjetrin, si e vetmja arsye që e bën jetën më të bukur. Nënë Tereza është shënuar në literaturën e lidershipit perëndimor si lideri që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, duke e cilësuar dashurinë njerëzore si të vetmen armë që sjell paqe dhe prosperitet. I gjithë misioni i saj ishte dhe mbeti i suksesshëm pasi ajo zgjodhi të drejtojë mes shembullit personal dhe u kthye në një shërbëtore të devotshme të më të varfërve. Modeli i saj i drejtimit më shumë se fetar mbeti human, më shumë se katolik mbeti universal, dhe më shumë se doktrinal mbeti ai i lirisë, ndihmës dhe dashurisë që falet sinqerisht pikërisht atje ku nuk pret asgjë si shpërblim.

Në përcaktimin e Nënë Terezës si lider, të gjitha shkollat e lidershipit bien dakord se ideologjia që ka ndikuar më shumë në formimin dhe praktikën e saj ka qenë ajo e Jezu Krishtit. Nënë Tereza ishte një ndër dy bilion njerëzit që e identifikojnë veten si kristianë dhe e konsiderojnë Jezusin si liderin më të madh mes tyre. Jezusi mbahet jo vetëm si një model i liderit frymëzues, por edhe si lideri i parë i njerëzimit që tha dhe veproi sipas parimit: Në fillim shërbëtor e pastaj lider. Shkollarët e lidershipit mendojnë se modeli i liderit shërbëtor ka qenë kurora më e madhe dhe e merituar që i është vendosur Nënë Terezës. Pavarësisht se lidershipi në shërbim, si teori, fillimisht u zhvillua në SHBA rreth viteve ’70 nga Greenleaf, të gjithë studiuesit bien dakord që i pari që ka folur për modelin e liderit shërbëtor ka qenë Jezu Krishti. Në librin e Mathew, Testamenti i Ri, Jezusi bën në fakt për herë të parë edhe përcaktimin e liderit: “kushdo që dëshiron të bëhet një lider duhet pikë së pari të bëhet një shërbëtor”. Në Bibël gjejmë gjithashtu shprehjen “kush dëshiron të bëhet më i shquari mes jush, së pari duhet të jetë një shërbëtor” (NIVBibël,Mark10:43). Nën këtë shembull, Jezusi përdor termin ‘shërbëtor’ si një sinonim të të qenit i shkëlqyer. Vetë Jezusi për të demonstruar fjalët e tij lau këmbët e dishepujve, në një ritual të vështirë për kohën, po të kihet parasysh ndotja e rrugëve dhe që njerëzit ecnin përgjithësisht zbathur. Duke aplikuar këtë shërbim, Jezus pati shtuar: “Unë jam njeri mes jush që po shërbej’ (NIVBible,Ungjilli sipas Lukës 22:27).

Kur flasim për lider në shërbim apo shërbëtor, do të thotë pikë së pari për liderë që kanë qenë apo janë në gjendje të ndërtojnë apo drejtojnë institucione në shërbim, ku shpirti human, raportet njerëzore, dhe pozicionimi në shërbim të ndjekësve vihen në plan të parë. Greenleaf që në fillim të teorive të tij theksonte se tipari kryesor i liderit shërbëtor është morali i tij. Ai shprehet se autoriteti moral është një ndër tiparet kryesore që përcakton liderin shërbëtor, pasi ky autoritet prezanton edhe raportin reciprok mes liderit dhe ndjekësit. Në bërthamë të liderit shërbëtor, të dyja palët, si liderët dhe ndjekësit janë ndjekës, pasi ato së bashku ndjekin të vërtetën, ndjekin vlerat dhe vullnetarisht i besojnë njëri- tjetrit. Në rastin e Nënë Terezës kjo është njëlloj sikur e kemi parë tek Gandi, Martin Luter Kingu apo Mandela. Ata të katërt drejtuan dhe u imponuan mes autoritetit moral, pasi ata, në fakt, nuk patën kurrë pushtet. Sipas Pollard (1997), lideri i vërtetë nuk është ai që ka postin më të lartë, shpërblimet monetare më të larta apo ka qëndruar më gjatë në pushtet, por ai që ka shërbyer gjithmonë si model, ai që ka qenë gjithmonë gati të sakrifikojë apo të shërbejë, dhe që të gjithë aktivitetin e tij nuk e ka ushtruar që të promovojë veten, por të tjerët.

Sot imazhi i Nënë Terezës është për të gjithë imazhi i një gruaje të përkulur mbi lebrozin, si dhe ai i një shenjtoreje që ka lënë kaq e kaq urtësi të shkruara. Ky imazh nuk përbën çudi për shkollat e lidershipit perëndimor që njohin afrinë e lidershipit shërbëtor me lidershipin moral, ndonëse sipas tyre, lideri shërbëtor është diçka më tej, pasi ai jo vetëm që shpreh moral të lartë, por gjithashtu imponon me shembullin personal. Sipas Greenleaf, baza e suksesit të liderit shërbëtor është aftësia për të demonstruar afërsi për këdo përreth. Liderin shërbëtor nuk e refuzon askush, por gjithkush e pranon dhe e ndjek. Nënë Tereza ka pasur dhe ka edhe sot një ndikim empatik shumë të rrënjosur. Njerëz të të gjitha besimeve e citojnë apo e sjellin atë si një model të përkryer, ndërsa skeptikët kanë mbetur historikisht pakicë dhe pa forcë argumenti. Ajo ka arritur të vendosë një portret krejt të sajin dhe të padiskutueshëm në vlera. Sa herë flitet për bamirësi, përkushtim apo dedikim ndaj nevojtarëve, portreti i saj është i pari që të vjen ndër mend dhe kjo falë aftësisë që ajo mbartte për të përcjellë mesazhin filozofik që dëshironte të shpërndante dhe që kishte të bënte me edukimin e vlerave të larta humane në çdo qenie njerëzore. Si çdo lider shërbëtor, ajo besonte se e keqja më e madhe nuk ishte tek sistemi, pasi për të çdo sistem ndërtohet nga qeniet njerëzore, por e keqja qëndron tek mungesa e edukimit të njerëzve me ndjenjat humane. Sipas Greenleaf dhe gjithë studiuesve të tjerë të lidershipit shërbëtor, i gjithë suksesi i këtij tipi lidershipi mbështetet tek kënaqësia e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Nënë Tereza ishte e lumtur kur dhuronte ndihmë. Më shumë se çdo profet apo udhëheqës në kohët moderne ajo rrëfeu thjeshtësisht çdo të thotë dashuri për të tjerët. Pikërisht, i gjithë pushteti i djeshëm dhe i sotëm i Nënë Terezës ishte mbështetur tek fuqia që ajo u dha fjalëve dhembshuri, dashuri dhe përkushtim pa kushte.

Ajo që të bën përshtypje edhe sot është fakti që Nënë Tereza vazhdon të përcjellë mesazhe që mbeten jo vetëm frymëzuese, por edhe universale. Kjo ka të bëjë me aftësinë e saj të shkëlqyer komunikuese. Ajo dinte të shprehte mendimet e saj, të bindte ndjekësit e saj apo dhe më tej. Ajo jetonte në Indi, punonte në gjithë botën, posedonte një pasaportë indiane, një amerikane, por edhe një shqiptare dhe ndërkohë ishte në gjendje t’u drejtohej të gjithë kulturave dhe të kuptohej e kuptohet nga të gjitha kulturat, pavarësisht bindjeve fetare apo politike. James Humes shprehej se arti i komunikimit është gjuha e vërtetë e drejtimit, Nënë Tereza nga ana e saj artin e komunikimit e mbështeste tek një thjeshtësi spikatëse dhe një mesazh ngulitës, tek vullneti për të dashur pa kushte.

E në fakt, nëse sot ajo citohet, kujtohet apo është model, kjo nuk vjen vetëm se ajo ka kryer veprime apo sjellje të shenjta, të fiksuara në regjistrat kishtarë, por më shumë, se ka kryer akte njerëzore, tokësore, të thjeshta por me një dashuri të madhe, kaq të rralla për njeriun e botës postmoderne. Ndoshta për këtë ajo shpesh të duket sikur është më e shenjtë se njerëzore, kur në fakt ajo që edhe mbetet më tokësore se çdo krijesë tjetër e shekullit kur jetoi, apo dhe më tej.

Sot kur flitet për Nënë Terezën gjithkush e di që të jesh ndjekës i saj apo të përkrahësh modelin e saj do të thotë para së gjithash të duash apo të ndihmosh gjithkënd e pa pritur shpërblim. Ky transformim që ajo i bëri mendimit materialist dhe egoist të kohës, është padyshim një shembull i shkëlqyer i modelit të liderit transformues, që ka misionin të ndryshojë një realitet, të përballet me sfidat e këtij ndryshimi dhe të arrijë të organizojë e frymëzojë ndjekësit përmes forcës së argumentit dhe modelit personal. Nënë Tereza, së bashku me tre liderët e tjerë, Gandi, Luter King dhe Mandela, që krijojnë edhe katërshen e famshme të liderëve më të shquar të epokës moderne, janë padyshim lider të transformimit, në thelb të së cilit është shpirti human dhe respekti maksimal për të.

Nënë Tereza ka qenë gjithashtu edhe një lider shumë afër asaj që quhet shkolla shpirtërore e lidershipit, konceptuar si lidershipi shpirtëror. Shumë e keqkuptojnë këtë dhe mendojnë se kjo shkollë ka të bëjë me pjesën religjioze apo indoktrinuese në formimin e liderit. Në fakt, kjo ka të bëjë totalisht me pjesën njerëzore të liderit, sa ai apo ajo kujdeset për njerëzit që udhëheq; sa është në gjendje të depërtojë në zemrat dhe mendjet e tyre, emocionet e tyre apo të veprojë sipas interesave të tyre. Një ndër cilësitë thelbësore që bashkon Nënë Terezën, Gandin, Luter Kingun apo Mandelën ka qenë pikërisht inteligjenca e tyre shpirtërore. Kjo inteligjencë ka aftësinë të ndërtojë lider vizionar, me një jetë më të pasur dhe më krijuese, si dhe t’u dhurojë atyre aftësinë e pakrahasueshme për të frymëzuar ndjekësit, duke përdorur logjikën e fortë dhe bindëse se përse ja vlen të përpiqen apo sakrifikojnë.

Momenti më vlerësues dhe impresionues kur studion figurën e Nënë Terezës është cilësimi i saj si modeli klasik i liderit që duhet imituar. Përveç gjithë vlerave të saj unikale, të qenit lider autentik e bëjnë imazhin e saj edhe më tërheqës. Edhe veshja e saj apo paraqitja në përgjithësi, ishin përcjellës më se të qartë të autenticitetit të saj. Jo shumë liderë, kanë pasur kurajën apo aftësinë të formësojnë modelin e tyre të lidershipit duke eksperimentuar edhe në veshje. Për shembull, pak afrikano- amerikanë qenë veshur në formë aq elegante deri atëherë kur i tillë ju shfaq shoqërisë amerikane Dr. Martin Luter Kingu. Veshja e Gandit qe përsëri autentike dhe ishte përcjellëse e vete mesazhit të tij sa modest aq edhe autokton. Veshja e Nënë Terezës dhe e të gjithë misionareve të saj, ishte një sari, veshje tipike e femrës hindu. Nënë Tereza kishte vendosur qendrën e misionit të saj në Kalkutë, ndaj veshja duhet t’i përshtatej me atë të femrës indiane. Shumë vite më parë ajo kishte kuptuar thelbin e lidershipit global. Që të operoje me sukses në një kulturë tjetër, pikë së pari duhet të përshtateshe me këtë kulturë, duke e pranuar, dashur dhe bërë atë krejt tënden. Përtej kësaj, veshja e Nënë Terezës dhe të gjitha misionareve të Karitasit ishte tërësisht modeste, gjë që i përshtatej tërësisht qëllimit të punës së tyre. Të gjitha misionaret e Karitasit duhet të kishin vetëm tri sari, një për t’u veshur, një për t’u larë dhe një rezervë. Saria duhet të ishte pambuk i bardhë ku tri vijat blu simbolizonin Virgjëreshën Mari. Motrat e Karitasit, ashtu si dhe vetë Nënë Tereza kishin vetëm një palë sandale, një çantë bezeje, një libër lutjeje, një pjatë e një lugë. Në vendet e ftohta atyre iu lejohet të veshin një triko. E gjithë kjo thjeshtësi, përtej së imagjinueshmes, shërben për të drejtuar nëpërmjet shembullit. Të duash dhe ndihmosh të varfrit duhet pikë së pari të kuptosh ndjenjat e tyre dhe gjendjen e tyre dhe duhet t’u tregosh atyre që ti je në gjendje ta bësh këtë.

Studiuesit mendojnë gjithashtu se në përgjithësi liderët autentikë kanë disa cilësi kryesore që i bashkojnë. Kështu sipas George (2004), liderët autentikë kanë aftësinë që të kuptojnë thellësisht qëllimin e misionit të tyre; kanë aftësinë të praktikojnë vlera të konsoliduara për moralin shoqëror; ata drejtojnë gjithmonë me zemër, por pa harruar të demonstrojnë vetëdisiplinë si dhe të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme.

Autenticiteti i Nënë Terezës qëndronte mbi të gjitha tek qëndrimi kritik që ajo mbajti jo vetëm ndaj varfërisë ekonomike, por më së shumti ndaj varfërisë shpirtërore me të cilën ajo kuptonte para së gjithash mungesën e dëshirës për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Ajo mbeti një kritike e vendosur e shpirtrave të pandjeshëm, të pangopur dhe egoistë. Në këtë mision e ka ndihmuar edhe shumë fakti që ajo kishte profilin e një lideri altruist. Altruizmi, si një shfaqje shumë e lartë e parimeve morale, është vullneti për të ushtruar sakrificën për njerëzit në nevojë. Jo më kot, Avolio, një ndër studiuesit dhe teoricienët më të shquar të lidershipit, e ka sjellë gjithmonë Nënë Terezën si një shembull ideal të liderit altruist. Sipas Avolios, kur ndjekësit shohin që lideri i tyre është altruist dhe ka një shpirt human që kujdeset deri për gjërat më të vogla, ata ndihen shumë më tepër të frymëzuar prej tij. Sipas ndjekësve, një lider i tillë mund të sakrifikojë edhe vetveten për të ndihmuar të tjerët dhe ky lider vetvetiu shndërrohet në një hero. Për të konkretizuar këtë tek figura e Nënë Terezës mjafton të kujtojmë sa herë e kemi parë atë mbi kokën e një të droguari, të përkulur mbi trupin e një të dobësuari skeletik, apo të infektuari nga sida. Fjalët nga goja e saj kanë pasur gjithmonë peshën e veprimeve të saj dhe falë këtyre akteve, mesazhi që ajo ka përcjellë është pritur si më se i vërtetë.

Nënë Tereza është njohur gjithashtu si një lider tribal. Sipas studiuesve të teorisë tribale të lidershipit, asnjë lider nuk mund të jetë i suksesshëm nëse ai vepron i vetëm (Hall, 2009). Miqësia e Nënë Terezës me njerëzit më të fuqishëm të botës demonstroi qartazi aftësinë e saj për të krijuar partnership dhe për ta vendosur këtë partnership në funksion të misionit të saj.

Në fund duhet thënë se Nënë Tereza, ndryshe nga çka shënojnë skeptikët, nuk e përdori religjionin apo katolicizmin që të bashkojë njerëzit rreth misionit të saj, por nëpërmjet modelit të jetës së saj ia doli të bindë njerëzit se dashuria për Zotin shfaqet kur ne shfaqim dashuri për njëri-tjetrin. Dhe ajo arriti ta bëjë këtë duke u kthyer në një lider universal, që i deshi të gjitha kulturat, që u shërbeu të gjitha vendeve dhe ndaj meritoi emrin qytetare e botës. Cilësimi i Nënë Terezës si një ndër liderët më të mëdhenj të të gjitha kohëve sa herë flitet e kërkohet për shfaqjet më të suksesshme të lidershipit, është një vlerësim që i kalon kufijtë e një kulture, populli, feje, vendi apo gjuhe, është vlerësim universal sikundër ishte dhe vetë modeli që ajo përcolli dhe na la gjallë dhe për të cilin ne duhet të jemi krenarë.

  

 

9. Roli parësor i kulturës së një vendi në lidership dhe pak fjalë për rastin shqiptar

 

Përse shqiptaret asnjëherë nuk kanë mundur t’i imponohen lidershipit që kanë pasur në krye apo të jenë pjesë integrale në të? Përse në disa vende diktaturat lindin dhe mbijetojnë suksesshëm e në disa të tjera ato nuk e kanë jetën të gjatë? Përse pothuaj të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut e kanë burim prej vendeve nordike të Europes? Përse shqiptarëve apo lidershipit shqiptar u parapëlqen më shumë buja dhe fama sesa shërbimi dhe modestia? Përse liderët shqiptarë i gjejmë më shumë në konflikt sesa në konsensus? Përse nuk kemi pasur asnjëherë lidership efektiv?

Këto, apo dhjetëra e dhjetëra pyetje të përafërta i kemi bërë shpesh dhe po kaq shpesh nuk kemi mundur t’u japim zgjidhje deri në fund. Ka dhe mund të ketë shumë përgjigje por njëra duket se i përmbledh të gjitha:

“Kultura e një vendi është dimensioni kryesor që përcakton llojin e lidershipit”, thënë ndryshe, lidershipi  është shprehje e qartë e kulturës së një shoqërie apo vendi.

Studiuesi më i shquar që arriti të analizojë lidhjen midis formave të lidershipit dhe kulturave përkatëse, është holandezi Geert Hofstede. Studimi i tij zgjati gati një dekadë dhe mori në shqyrtim rreth 52 kultura të ndryshme të prezantuara nga punonjës të kompanisë globale  IBM. Në përfundim, ai evidentoi katër dimensione të ndryshme kulturore që ndikojnë direkt në formën e çdo lidershipi. Ato janë:

  1. Distanca me pushtetin
  2. Individualizmi përkundrejt kolektivizimit
  3. Maskiliteti kundër feminilitetit.
  4. Shmangia e paqartësisë.
  5. Distanca me Pushtetin

Studimi i Hofstedes arriti në përfundimin se distanca mes pushtetit dhe individit është e ndryshme në kultura dhe vende të ndryshëm. Sipas tij, në disa kultura individi e sheh veten shumë afër pushtetit, ndërsa në disa kultura të tjera, apo në vende të ndryshme, kjo distancë është shumë e madhe dhe individi e sheh veten jo vetëm aspak pranë pushtetit, por e sheh këtë të fundit si të paprekshëm, gati hyjnor ose krejt të paarritshëm. Sa më e lartë distanca me pushtetin aq më të pafuqishëm janë individët për të marrë pjesë në vendimmarrje, aq më e madhe hierarkia dhe, si përfundim, aq më të pakta shanset e një shoqërie demokratike dhe shumë më të larta shanset për lidership autoritar apo diktatorial.

Në të kundërtën, në vendet me distancë të vogël me pushtetin, barazia apo mundësia për çdokënd është prioritet. Atje pushteti shihet si pjesë integrale e shoqërisë dhe individi është i lirë të ndërhyjë apo të përcaktojë ndryshimet. Britania apo Shtetet e Bashkuara janë shoqëri me një distancë të vogël me pushtetin. Nuk është rastësi që edhe modelet më të arrira të lidershipit na afrohen nga këto vende. Shqipëria i takon kulturës ku distanca e individit me pushtetin është shumë e madhe dhe mjaft e dukshme. Këtu gjejmë edhe përgjigjen pse shoqëria shqiptare ndër shekuj ka qenë e nënshtruar nga çdokush që ka qenë në krye. Këtu e gjejmë edhe arsyen pse modeli amerikan i lidershipit është shumë i vështirë të aplikohet në vendet ku ka një hendek e largësi në mes të pushtetit e njerëzve të zakonshëm.

Individualizmi përkundrejt kolektivizmit

Ky është një tjetër dimension kulturor i teorisë së Hoftedes. Në shoqëritë kolektiviste grupi apo klani kanë peshë të madhe. Në këto kultura individi e gjen forcën dhe suksesin e tij kur i bashkon interesat me ato të klanit. Individët brenda grupit kujdesen për njëri-tjetrin dhe fuqizohen brenda tij. E kundërta ndodh në shoqëritë individualiste ku individët kanë pak lidhje mes tyre dhe veprimet e secilit shfaqen përtej grupit. Në këto shoqëri, individi është më shumë i orientuar ndaj vetes dhe rrethit të ngushtë familjar e nuk del përtej tij. Vendet me shkallën më të lartë të individualizmit janë sërish Shtetet e Bashkuara, por edhe Australia, Britania e Madhe, Holanda, Kanadaja dhe Italia. Ndërsa kulturat më të spikatura kolektiviste janë në vendet e Amerikës Latine, disa vende të Europës Lindore, të Lindjes së Mesme, të Azisë Konfuciane dhe të Azisë Lindore etj.

Shqipëria i takon grupit të shoqërisë me kulture kolektiviste ku klani bën fuqinë. Në këtë vend mendimi i lirë apo i pavarur është shkak përjashtimi, ndërsa përfaqësimi nëpërmjet mendimit të klanit të jep famë, sukses dhe privilegje. Edhe pas vdekjes suksesi apo mohimi, harresa apo glorifikimi do të të ndjekë vetëm nëse kujtimi yt do t’i shërbejë klanit që sundon për momentin. Këtu e gjen shpjegimin fakti që shumë mendje të hapura shqiptare nuk kanë mundur të kenë sukses në vendin e tyre, pikërisht se nuk janë bërë pjesë e klaneve dhe në kërkim të suksesit ata kanë emigruar jashtë vendit.

 Maskiliteti përkundrejt feminilitetit

Ky është një tjetër dimension kulturor që dallon shoqëritë. Një shoqëri quhet maskiline nëse është e orientuar tek suksesi, pavarësia, karriera, këto apo dhe shumë vlera të tjera të njohura të seksit mashkull.

Nga ana tjetër, nëse një shoqëri është e dominuar nga vlerat apo tiparet arketipa feminilë të tilla si: kujdesi, shërbimi, modestia, apo edhe tendenca për bashkëpunim, atëherë ajo quhet feminile.

Në vendet me tipare maskiline, është mashkulli që merr përparësi në shoqëri dhe femra mbetet më shumë në misionin e saj klasik të kujdesit për fëmijët dhe familjen. Japonia është vendi me shifrën maksimale të dimensionit maskilin. Suedia, e pasuar nga të gjitha vendet nordike të Europës radhiten, me shifrat më të larta ndër shoqëritë feminile. Këtu gjejmë edhe përgjigjen përse të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut e kanë burimin nga këto vende.

Shtetet e Bashkuara apo Gjermania janë shoqëri maskiliste. Shqipëria është po gjithashtu një shoqëri maskiliste. Ky dimension kulturor i bën shqiptarët dhe liderët e tyre të shfaqin mungesë modestie të theksuar, kanë maninë e madhështisë, të bujës e rrëfimit të forcës edhe kur nuk kanë asgjë për t’u mburrur.

Shmangia e paqartësisë

Ky është dimensioni i katërt kulturor, por mbetet edhe një ndër më të ndërlikuarit. Në shoqëritë që kanë shifër të lartë në këtë dimension, individët synojnë të kenë një jetë sa më të kontrolluar dhe sa më të parashikuar. Çdo fenomen ndryshe merret si i rrezikshëm dhe ndalohet me çdo kusht, ndryshimi në vetvete shihet si i frikshëm. Këto janë përgjithësisht shoqëri konservatore dhe aspak të hapura ndaj një opinioni të dytë. Kjo i bën liderët e kësaj kulture dhe të këtyre vendeve, që të kenë mungesë të theksuar përshtatjeje apo të mos pranojnë bashkëpunimin, konsensusin. Interesante është se individët e kësaj shoqërie kanë natyrë ekspresive dhe i shprehin hapur emocionet, inatet apo edhe reagojnë pa komplekse. Ata e shohin konfliktin si pjesë të jetës. Përpiqen për një jetë më të mirë brenda disa konvencioneve, pa tentuar ndryshimin. Kur shohin se nuk arrijnë të kontrollojnë plotësisht fatin e tyre, e vendosin atë “në dorë të Zotit”.

Greqia mban shifrën rekord në këtë grup kulturor, ndërsa Shqipëria mbetet në kuota vërtet të larta. Pikërisht me anë të këtij dimensioni kulturor mund të shpjegojmë pse në Shqipëri konfliktet nuk rreshtin kurrë apo marrëveshjet sot nënshkruhen si historike, nesër harrohen apo tradhtohen. Në luftë të vazhdueshme me këdo, në konflikt të pandërprerë mes vetes dhe të tjerëve. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të paqartë në rrugën e tyre; edhe kur e kanë gjetur orientimin e duhur shumë shpejt kanë përhumbur në harresë. Konsensusi është parë si dobësi, marrëveshja si tradhti dhe bashkëpunimi si nënshtrim.

E kundërta ndodh me shoqëritë që kanë tregues të ulët në këtë dimension kulturor. Në këto kultura dhe në këto vende, individët janë më të paqshëm dhe më të hapur. Për to bashkëpunimi dhe dialogu janë pjesë e pandarë e ekzistencës. Singapori mban rekordin për shkallën më të ulet të këtij dimensioni kulturor.

Përfundim

Falë studimit të Hofstedes jemi në gjendje të kuptojmë pse lidershipi i një vendi është i ndryshëm nga ai i një vendi tjetër. Bindemi se asgjë nuk përbën forcë më të madhe në lidership, se kultura e vendit nga vjen. Në rastin shqiptar, sepse i takojmë një kulture me shkallë shumë të lartë distance me pushtetin, gjejmë përgjigjen pse kemi qenë gjithmonë të nënshtruar ndër shekuj dhe ndaj kujtdo që kemi pasur në krye.

Në faktin që jemi kulturë maskiliste, gjejmë edhe përgjigjen pse jemi udhëhequr dhe vazhdojmë të udhëhiqemi nga liderë që drejtojnë mes arrogancës dhe forcës, më shumë për bujë dhe famë sesa për shërbim.

Sepse jemi shoqëri e modelit kulturor kolektivist ndaj dhe çdo mendje e pavarur nuk ka mundur të mbijetojë jashtë klanit. Kur vepron brenda klanit, je në fuqi dhe ke sukses, kur je jashtë klanit në dështim apo emigrim!

Sepse është një shoqëri që i shmanget paqartësisë dhe gjithmonë e ka pranuar me vështirësi ndryshimin, por edhe kur e ka pranuar, e ka tradhtuar atë në mes të rrugës. E shkuara është pranuar si nostalgji, e ardhmja si e  frikshme, as andej as këndej, gjithmonë në një tranzicion që nuk rresht kurrë.

E gjithë historia e lidershipit shqiptar është pasqyrë e qartë e kulturës së këtij vendi ku fatkeqësisht janë pleksur në një formulë të paekuilibruar të katër dimensionet kulturore në një formë të tillë që vështirë të çojnë tek lidershipi i suksesshëm, për të mos folur për lidershipin ideal!

 

 

Please follow and like us: