Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: KOHË E ÇMENDUR…

Ibrahim Emiri

 

Mbresa

Nuk u befasova aq nga hapja papritur me forcë e derës së zyrës së kantierit, se sa nga bërtitja e personit të irrituar, që u shfaq aty befas.

– Ti je inxhiner ?! – thirri dhe, pa pritur fare përgjigjen time, vazhdoi – Që nga ky moment jemi hasëm bashkë!

– Unë nuk kam ardhur këtu të bëj as hasmëri e as krushqi – iu përgjigja qetësisht – kam ardhur vetëm për të bërë një ndërtim. Po, ti kush je?

– Më dëgjove ç’të thashë?! Do më njohësh mirë se kush jam, mor bythëq…! – klithi ai, i cili pasi përplasi derën e zyrës iku duke sharë e bërtitur si i çmendur.

Sjellja rrugaçërore e këtij personi të panjohur, më shumë se më befasoi, më shqetësoi. Kush ishte ky rrugaç me fytyre të zeshkët e me mjekër të zezë, që ia bënte edhe më të egër pamjen? Çfarë kërkonte në kantier e çfarë borxhi i kisha pa shlyer, që më kërcënoi të më bënte hasëm?!

Ishte viti 1996. Unë isha përgjegjës i kantierit të kompanisë “Triss-Ndërtim” për realizimin e objektit “Qendër biznesi” në Vlorë. Për ndërtimin e objektit shumë katësh kishim instaluar një vinç kullë, tip “Potain”, i cili kryente më së miri të gjithë transportet vertikale e horizontale të materialeve ndërtimore. Krahu i gjatë i vinçit, jo vetëm që mbulonte të gjithë hapësirën e objektit, por dilte edhe jashtë rrethimit të kantierit. Puna e këtij vinçi ishte përcaktuese, jo vetëm për vazhdimësinë e proceseve ndërtimore të disa skuadrave të specializuara, por edhe për shkarkimin e ngarkesave të rënda, që vinin në kantier. Vinçier Besua, i cili qëndronte gjithë ditën në kabinën e komandimit në krye të vinçit, nuk merrte dot frymë nga puna, për të plotësuar kërkesat e vazhdueshme të skuadrave të specialistëve të ndërtimit për transport materialesh. Pra, vinçi “Potain” ishte “shpirti” i kantierit: lëvizja e krahut të tij ishte jeta e kantierit, ndërsa ndalimi për ndonjë difekt, ishte asfiksim i kantierit. Prandaj, të gjithë i kishim sytë nga vinçi, sidomos unë dhe teknik Pëllumbi, që kishim përgjegjësi, jo vetëm për realizimin e punimeve sipas grafikut, por dhe për krijimin e kushteve të punës, në mënyrë që ndërtuesit të shpërbleheshin për punën e kryer. Fatmirësisht, puna në kantier vazhdonte normalisht sipas grafikut, ndërsa vinçi punonte “sahat”, e për këtë të gjithë ishim të kënaqur sa nuk na dukej lodhja, deri sa… ndodhi e papritura.

Atë mëngjes erdha me pak vonesë në kantier, se isha për rakordim tek zyrat e investitorit. Nga makina dukej që së largu që vinçi po punonte duke lëvizur krahun, prandaj po vija i qetë në kantier, por sa hyra në objekt u befasova kur pashë të gjithë skuadrat e ndërtim-montimit që kishin pezulluar punën. Vinçi ndërkaq po punonte për të transportuar dheun e nxjerrë nga themelet, që kishin filluar të hapeshin për një objekt jashtë kantierit. Tekniku i objektit po më priste mjaft i shqetësuar. Më sqaroi se e kishte lejuar vinçierin të punonte jashtë rrethimit të kantierit, i detyruar nga kërcënimi i një banditi të rrezikshëm, i cili kishte filluar ndërtimin e një objekti ngjitur me rrethimin e kantierit tonë.

I revoltuar, urdhërova kthimin e vinçit menjëherë në punë në objekt, si dhe ndalimin kategorik të punës së tij jashtë rrethimit të kantierit. S’kaluan as dhjetë minuta që isha në zyrë duke punuar, kur… ndodhi ajo që ndodhi me banditin.

Kuptohet që nuk isha i qetë, megjithatë u mundova të vazhdoja punën me dokumentet teknike të objektit. Mbas pak hyri në zyrë shumë i tronditur tekniku i objektit. Atij i kishte ikur fare fytyra dhe, duke gulçuar, mundohej të më sqaronte:

– Ai është rrugaç shumë i rrezikshëm, inxhinier… Tani që iku duke sharë e bërtitur, tentoi me nervozizëm të shkulte panelin elektrik të kantierit. Shyqyr që nuk ra në tension elektrik, se do hanim kot burgun, për shkak të një të çmenduri.

Britmat dhe sjellja rrugaçërore e tij kishin shqetësuar të gjithë kantierin. Kishte nga ata djem të fuqishëm e gjak-nxehtë, specialistë ndërtim-montimi, që të ndjerë të fyer nga sjellja e veprimet e rrugaçit në kantier, ishin gati ta kapnin e t’i jepnin një mësim të mirë, por unë iu luta të ruanin gjakftohtësinë, se çdo gjë do të zgjidhej pa sherr. Rrugaçi u zhduk e nuk u pa më atë ditë, por puna në kantier gjithë ditën vazhdoi në gjëndje të tensionuar psikologjike.

Ishte kohë e çmendur!

Të nesërmen në mëngjes roja i objektit më njoftoi se tek hyrja e kantierit më kërkonin dy persona. I lashë të më prisnin pak, sa i sqarova teknikut disa detaje teknike në projektin e objektit. Kur dola tek hyrja e kantierit, njeri prej dy burrave të panjohur, mbasi më përshëndeti, më ftoi për kafe për të bërë një bisedë, që e konsideronin të rëndësishme. Pranova, duke iu lutur të më mirëkuptonin se nuk mund të rrija shumë, mbasi kisha mjaft probleme teknike për të sqaruar në objekt. Mbasi u ulem tek kafja, që ishte shumë afër kantierit, personi që më ftoi filloi bisedën, duke u futur drejt në thelbin e saj.

Ne kemi ardhur apostafat nga Fieri, për t’ju takuar e për të sheshuar një konflikt që ka ndodhur dje këtu në kantier midis jush dhe një njeriut tonë. Unë jam me profesion jurist dhe kam respekt të veçantë për vellain tuaj inxhinier në Fier, kurse ky miku im është kunati i personit, me të cilin jeni konfliktuar dje. – u prezantua fieraku.

–  Unë nuk e njoh fare personin që më kërcënoi dje dhe nuk i kam asnjë borxh. Ai donte të më pengonte, duke lënë te gjithë objektin pa punë, gjë që nuk mund ta lejoja kursesi – sqarova unë.

– Pikërisht për këtë kemi ardhur – më ndërpreu bashkëbiseduesi – se ju nuk e njihni personin me të cilin jeni konfliktuar. Ai është njeriu ynë, por nuk është si ne. Ai është tip rrugaçi e tërë jetën e ka shkuar burgjeve, prandaj me atë duhet gjetur gjuha e komunikimit. Atij nuk ia del dot me të keq, por mund t’ia hash kokën vetëm me të mirë.

– Nuk ju kuptoj – ndërhyra – mua nuk më lidh asgjë me atë, kështu që nuk ka pse të kem asnjëlloj komunikimi me të, as të mirë, pa le të keq që jo e jo.

Dakort – e mori fjalën juristi – kështu veprohet normalisht, por ajo që na detyroi të vimë t’ju  takojmë sot është situata alarmante që do të ishte krijuar dje për familjen tuaj, po të mos t’ju kishte ndihmuar fati. Në gjaknxehtësi e sipër, ai që ju kërcënoi, ka ardhur dje në Fier për të marrë peng një nga fëmijët tuaj. 

Befas më kaluan mornica në trup. Djersë të ftohta më përshkuan trupin e u rënqetha i tëri nga lemeria që sapo dëgjova. Me siguri që u zbeha në fytyrë. Çfarë ishte ky tmerr që po me dëgjonin veshët?! Njera nga vajzat e mia të merrej peng e të terrorizohej nga një bandit i ndyrë, për t’u hakmarrë ndaj babait të saj? Çfarë borxhi i kisha unë atij përbindëshi me fytyrë njeriu? Çfarë dreq krimineli ishte ky, që fati i keq ma solli të përballem me të? – mendoja me nofulla të shtrënguara.

Qetësohuni – më tha juristi, i cili, me siguri nga përvoja profesionale, e vlerësoi gjëndjen time shpirtërore. – Për fatin tuaj të mirë, kur “hasmi juaj” po interesohej në Fier për të mbledhur të dhëna për ju, për adresën tuaj e të shkollës së fëmijëve, dikush që ju njihte mirë i tha se ju keni mik një person të fortë e me shumë ndikim në Fier. Mos guxo të prekësh inxhinierin, e këshilloi miku i tij, se do gjesh belanë e do pendohesh keq. Të njëjtën këshillë i dhanë atij edhe disa të tjerë, kur e morën vesh pse kishte ardhur në Fier. Vetëm kjo e detyroi të tërhiqej nga veprimi i çmendur i tij. Ju ka shpëtuar fati nga ajo që s’jua priste mendja! Ne erdhëm sot t’ju sqarojmë vetë për këtë veprim të shëmtuar, para se ta merrni vesh nga ndonjë tjetër e të njoftoni mikun tuaj të fortë. Ky, kunati i atij, ka ardhur me mua sot t’iu kërkojë falje e t’iu lutet ta konsiderojmë të mbyllur këtë çështje. Ju keni plotësisht të drejtë të revoltoheni, por gjykojeni me gjakftohtësi – vazhdoi bashkëbiseduesi – është e mira të mos e bëni problem, mbasi ne ju garantojmë që ai faqeziu nuk do guxojë më t’iu shqetësojë asnjë fije floku.

U ktheva në kantier për të vazhduar punën, por nuk mund të isha i qetë. Tentativa për rëmbimin e njerës prej vajzave të mia, ky akt i poshtër kriminal, më turbullonte trurin e më errësonte shikimin. Mezi prisja të mbaronte dita e punës e të kthehesha në shtëpi të takoja vajzat. Çdo mëngjes herët vija nga Fieri në Vlorë dhe çdo darkë vonë kthehesha nga Vlora në Fier së bashku me gruan, e cila punonte gjithashtu në Vlorë në atë periudhë. Dy vajzat i linim në gjumë në mëngjes e i gjenim para gjumit në darkë, pra i linim vetëm gjithë ditën. Vajza më e madhe ndihmonte më të voglën shtatë vjeçe, ndërsa të dyja ishin bërë të zonjat e vetes për t’u përgatitur për shkollën, për t’u ushqyer e për t’u rregulluar vetë, deri sa ktheheshim ne. Pra, sakrifica, që bënim, ishte familjare dhe seicili kishte pjesën e tij. Në darkë, kur mblidheshim të gjithë në shtëpi, vajzat gjallëroheshin, kurse ne prindërit sikur çliroheshim nga gjithë ajo lodhje e stres i ditës.

Atë darkë, gjat gjithë rrugës së kthimit Vlorë-Fier tëmthat më rrihnin fort nga shqetësimi, por nuk e hapa gojën. Kur hymë në shtëpi dhe pashë vajzat si dy engjëj, krahërori mu mbush me frymë. I përqafova e i putha sikur të isha ndarë prej kohësh, sa që gruaja më tha e habitur: “Ç’ke kështu sot? Gjithë rrugës ishe i ngrysur, kurse tani kaq i malluar?!

Ajo as nuk mund ta imagjinonte dhe as që e mësoi kurrë arsyen e vërtetë. Atë shqetësim aq tronditës e mbajta vetëm për vete. Jeta nuk të mëson të jesh i fortë, por të detyron të jesh!

Ishte kohë e çmendur, kohë kur mungonte kryesorja, siguria për jetën e familjen.

Ishte fillimi i vitit të mbrapshtë 1997.

Për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë të çmendur, janë të nevojshme disa sqarime, që mund të duken edhe ireale.

Firmat piramidale financiare u shembën papritur, duke zenë nën vete shumicën dërmuese të popullit të dëshpëruar, që ishte mashtruar tragjikisht. Në Vlorë, ku ishte kryeqendra e firmave piramidale, kishin plasur protestat popullore me thirrjet “duam paret tona”. Vendi po kalonte rrëmbimthi në kaos dhe përplasja e dhunshme me shtetin po bëhej dramatike. Në situata të tilla të pazakonta përfitojnë vetëm banditët e rrugaçët, të cilët me kërcënimin e armëve terrorizojnë e grabisin gjithandej, bile vrasin kot edhe njerëz të pafajshëm. U krijua sakaq një situatë e rrezikshme kaosi e pasigurie totale. Ngjarje e jashtëzakonshme, e padëgjuar ndonjëherë, ishte hapja e depove të armëve të ushtrisë, ku banditët grabitën arsenale armësh të lehta e të rënda, kurse njerëzit e thjeshtë u armatosën me armët, që mund të siguronin për vetëmbrojtje. Krismat e pandërprera të armëve të shumta gjithandej krijonin një situatë terrori e frike.

Në këto kushte anormale shkoja nga Fieri në Vlorë me një grup të vogël montatorësh, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të pa kuptimta e të rrezikshme. Ura e Mifolit ishte e bllokuar nga patrulla të armatosura të “Komitetit të shpëtimit publik të Vlorës”, që kontrollonin çdo person që donte të shkonte në Vlorë, si dhe ndalonin çdo të dyshuar si proqeveritar. Flitej se Ura e Mifolit ishte minuar nga “Komiteti i shpëtimit publik”, për ta hedhur në erë në një rast ekstrem, për të ndërprerë çdo mundësi të hyrjes së forcave të motorrizuara qeveritare në Vlorë.

Kantieri i objektit që ndërtonim në Vlorë po grabitej, por kishte akoma paisje e materiale që grabitësit nuk kishin mundur t’i ngarkonin me krahë. Pikërisht këto donim të shpëtonim nga grabitja, prandaj po organizoheshim t’i ngarkonim me vinç në mjete transporti e t’i sillnim në  kantierin e parafabrikateve në Fier.

Për fatin tonë të keq, vinçi nuk mund të vihej në punë, se ishte difektuar nga plumbat, që vinin me breshëri, jo vetëm nga automatikët që s’pushonin, por edhe nga mitrolozët e instaluar aty rrotull. Ishte një gjëndje lufte e pakuptimtë, një garë e çmendur për të shkrehur armët e për të krijuar terror, ndërsa municionet e grabitura s’kishin të sosur. Nga kontrolli që bëri vinçieri rezultoi se nga plumbat ishte dëmtuar paneli i komandimit në kabinë, si dhe ishte këputur kavo e çelikut në krahun e vinçit. Rrugaçët, jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijet, qëllonin me armë gjithandej, pa menduar fare se ku shkonin plumbat, bile argëtoheshin pa masë, sidomos kur godisnin ndonjë objektiv të paracaktuar, që mund të ishte send, kafshë, shpend, apo edhe ndonjë njeri fatkeq.

Së bashku me montatorët vendosëm që të riparoheshin difektet dhe të vendosej patjetër vinçi në punë. Rreth njëzet metra lart, në kabinën e vinçit, hypën vinçieri me elektromekanikun, kurse në fund të krahut të vinçit, me gjatësi rreth dyzet metra, shkoi një montator. Unë me teknikun e objektit i ndiqnim me shqetësim veprimet e tyre. Mbas një çerek ore,  intesiteti i krismave të armëve u shtua, sidomos breshëritë me automatikë, apo edhe me mitroloz. Situata u bë e frikshme, por montatorët lart vazhdonin punën të përqëndruar. Minutat, që na dukeshin orë, mezi po iknin dhe shqetësimi e tensioni ynë, që po i ndiqnim me sy lëvizjet e shokëve, arriti kulmin. Ata, atje lart në majë të vinçit, ishin shumë të rrezikuar, jo vetëm nga plumbat që fishkëllinin pa adresë mbi kokat tona, por sidomos nga shënjestra e ndonjë rrugaçi, që mund të merrte shenjë thjesht për t’u argëtuar e për t’u mburrur tek të vetët. Do na vrasin ndonjë nga shokët, mendova dhe sakaq m’u errën sytë. Më i rrezikuar ishte montatori me xhup të zi, që mund të merrej fare kollaj si nishan në majën e krahut te vinçit. Ku kish të paguar ajo punë! A mund të vlerësohet me pare heroizmi?!  Në djall të vente puna, para jetës së shokëve. Nuk bëhej shaka me jetën!

– Zbrisni, lereni punën e zbrisni urgjent! – iu bërtita, por asnjeri nuk po lëvizte nga vendi. Bërtitëm më fort të dy me teknikun, por ndoshta nga zhurma e krismave ata lart nuk na dëgjonin… Britmat i vazhduam me lëvizjen e krahëve, por ata s’e kishin mendjen tek ne, por tek puna, që duhej përfunduar sa më shpejt. Nuk e di sa kohë kishte kaluar, por gjaku na ishte bërë ujë prej ankthit, të krijuar nga breshëritë e armëve, që s’pushonin.

Më në fund, montatori lëvizi mbi krahun e vinçit e po kthehej tek kabina, mbasi me siguri e kishte lidhur kavon e çelikut. Qëndroi pak aty, sa provuan vinçin në punë, pastaj të tre, njeri pas tjetrit, zbritën nga vinçi me fytyra të gëzuara, që ia kishin dalë mbanë. Ata ishin të gëzuar që arritën të riparojnë difektet në kushte jashtëzakonisht të vështira e të rrezikëshme, ndërsa unë dhe tekniku ishim të lumtur që ata zbritën në tokë shëndoshë e mirë. Ne, me siguri, kishim humbur kile në peshë.

Ishte kohë e çmendur!

Të nesërmen shkova në Vlorë me grupin e punës dhe me makinë për tërheqjen e materialeve. Në atë kohë të mbrapshtë Vlora nuk mund të kuptohej pa breshëritë pa mbarim të armëve. Veshët po na mësoheshin me krismat, aq sa filloi të na dukej si normalitet kjo çmenduri. Fatmirësisht vinçi nuk kishte pësuar dëmtime gjatë natës e mund të punonte. Kishim planifikuar që të çmontonim e të ngarkonim hekurin e montuar tek soleta, që nuk u arrit të betonohej, por, për habinë e të gjithëve, hekuri që dje e kishim lënë të montuar në soletë, sot ishte zhdukur. Brenda natës ishte çmontuar e grabitur rreth tridhjetë ton hekur. Grabitësi bandit, me siguri nën kërcënimin e armëve, kishte organizuar një grup saldatorësh e puntorësh, që kishin mundur ta bënin gjithë atë grabitje gjatë natës. Natyrisht që u mërzitëm shumë, por më shumë na vinte inat që nuk mundëm ta parandalonim dot atë grabitje.

Ndërsa po bisedonim si do ta organizonim punën në këto kushte të papriturash, mbriti aty një “mysafir” i padëshiruar. Ishte një djalë rreth të njëzetave me të meta mendore, i cili më parë vinte here pas here në kantier, kërkonte e i jepnim lekë për të pirë ndonjë birrë. Sapo na pa që ishim kthyer në kantierin e braktisur, erdhi gjithë gaz e kërkoi lekë si më parë.

Ik, i thamë, se tani nuk kemi lekë as për ujë e jo më për birrë.

Si të doni, na tha, duke nxjerrë nga xhepet një granate dore dhe një mekanizëm shkrehësi, të cilat filloi t’i montonte. Granata gjithmonë është e rrezikshme në duar të pasigurta, por në duart e një njeriu anormal është më se e frikshme.

Pa hezituar, i dhashë lekët e birrës, duke iu lutur të largohej sa më parë nga kantieri. Sa ktheu krahët budallai, ndërsa montatorët po më falenderonin që e largova, u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, që na mblodhi kruspull të gjithëve. Rreth dhjetë metra larg nesh, ai e kishte hequr qafe granatën, duke e plasur në një hendek. Fatmirësisht, nuk pësuam gjë nga ciflat e granatës, që ishin shpërndarë gjithandej. Na shpëtoi Zoti!  Sikur të mos mjaftonin krismat e breshërive pambarim të plumbave, u desh edhe shpërthimi i granatës fare pranë nesh!

Ishte kohë e çmendur!

 

Please follow and like us: