Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: Martirët e Kishës sonë, dëshmi e vlerave universale të shqiptarëve!

 

Katër vite nga lumnimi i martirëve të kishës.

Ata janë 40 martirë të këtyre trojeve që u lumnuan nga Vatikani.

Sheshi ‘Shën Pjetër’ para katër vitesh foli shqip.

Edhe pse të martirizuar ata vazhdojnë të ndriçojnë ndër këto troje dritën e besimit tek e ardhmja.

Ata janë 40. Ky numër nuk është rastësi as në historinë dhe as në numeralogjinë kishtare!

Në vitin 320,

40 martirë në Melitene të Armenisë Romake u ekzekutuan.

Ata u lanë lakuriq në një liqen të ngrirë ku dhe ndërruan jetë, por asesi nuk pranuan të mohojnë fenë e krishterë.

Ky makabritet për fat të keq u përsërit shekullin e kaluar në trojet tona po me 40 martirë.

Nga këta vetëm njëri është viktimë e kohës së Mbretërisë dhe një tjetër i vrarë nga dhuna serbe në Kosovë, ndërsa 38 janë viktima të mizorisë e barbarisë së diktaturës komuniste në Shqipëri!

Që nga Imzot Vinçens Prenushi e deri tek Dom Gjon Gazulli secili ka një histori torture e makabriteti, por dhe një histori qëndrese e lavdie.

Ne sot lutemi për martirët.

Lutjes sonë i bashkohet jo vetëm krishtërimi, por mbarë qytetërimi botëror!

Ata janë jo vetëm krenari por së pari dëshmi… dëshmi që duhet të na shoqërojë që ky vend të mos gabojë më!

Ata sot na ftojnë që të reflektojmë thellë se ku jemi e ku duhet të jemi!

Është paradoks që sot në Ditën e Lumnimit të këtyre martirëve Shqipërinë e drejtojnë përsëri bijtë dhe pinjollët e atyre që urdhëruan ekzekutimin e tyre.

Biles ata jo vetëm nuk i njohin fjalët ndjesë e falje për atë mizori që shkaktuan etërit e tyre, por përkundrazi dekorojnë ekzekutorët e kriminelët.

A nuk dekoroi Edi Rama hetuesin që me pashpirtësi torturoi At Zef Pllumin?!

A nuk gëzon sot pension special kryeprokurori i diktaturës, kryekrimineli Aranit Cela?!

Jo vetëm kaq por banda e pinjollëve të kuq ka rikthyer haptazi dhe fjalorin bolshevik të etërve duke fyer e diskretituar martirët.

A nuk shohim sot sesi tallet e ironizon kryeministri bllokmen Edi Rama martirët që u vranë nga Mehmet Shehu në Lushnje apo martirët e Qafë-Valmirit në Mirditë?

Shpirti i martirëve nuk njeh hakmarrje, por falje siç fali vetë Jezu Krishti.

Po ashtu kanë dëshmuar se dinë të falin qindra të burgosur e të persekutuar politikë në këtë vend.

Se fisnikët dinë të falin…

Por gjithçka ka kufij.

Kjo shtresë që nga gjiri i saj fali kaq martir duhet të marrë vendin që i takon në shoqërinë shqiptare.

Në një çerek shekulli vendi i tyre është vjedhur tinëzisht bash nga bijtë e atyre që në këtë vend mbollën makabritete të pashoqe në glob.

Prandaj sot le të lutemi e në heshtje të mejtojmë e reflektojmë të gjithë me besim tek Zoti, por dhe me dashuri për Atdheun që pret shumë nga secili bir e bijë e tij.

E shpirtërat e martirëve fluturojnë të lumnuem në qiell për të qenë dëshmi dhe gardianë të përjetshëm të besimit e lirisë!

Kodi ynë fisnik gjenetik fetar e njerëzor është falja, por aspak harresa!

Please follow and like us: