Albspirit

Media/News/Publishing

Pse shumë bashkatdhetarë e duan apo votuan për Trump dhe pse SHBA zgjodhi Joe Biden?!

Iris Halili

https://www.botasot.info/opinione/1420199/pse-shume-bashkatdhetare-e-duan-apo-votuan-per-trump-dhe-pse-shba-zgjodhi-joe-biden/

Së pari, duhet pranuar se Donald Trump është një çudi jo vetëm në politikën amerikane, por dhe në atë botërore. Unë mendoj se një ndër arsyet që solli këtë prurje a profil në lidershipin amerikan është mbi të gjitha ndryshimi demografik në SHBA në këto dekadat e fundit dhe që si rrjedhojë e rënies së murit të Berlinit pruri emigrantë nga shoqëritë komuniste të Europës Lindore apo dhe prurjet e Latinëve nga shoqëri edhe këto ish-komuniste, të gjitha të konsideruara si shoqëri kolektiviste që adhurojnë liderin narcizist. Ky elektorat që ndër vitet e fundit është shtuar së tepërmi në SHBA iu bashkëngjit pjesës solide republikane, që sollën fitoren e Trampizmit në SHBA në vitin 2016, por që do ta kishin sjellë edhe në 2020, nëse një masë e madhe demokratësh nuk do të dilnin në votime.

Por ndërsa, sikur e quajnë analistët, Trumpizmi është një kult dhe si i tillë do të dojë kohën e vet të analizohet dhe zbërthehet, sot le të ndalemi tek pyetja që kam hedhur në titull: Pse shqiptarët e duan Presidentin Trump masivisht?

Për t’i dhënë shanse, Trump hyri në politikë si profili i liderit të drejtpërdrejtë që thotë çfarë i vjen në mendje dhe nuk mendon gjatë për pasojat. Kjo lirshmëri e tij u pranua masivisht nga njerëzit e lodhur prej fjalëve të përzgjedhura të politikanëve të karrierës. Duket se në pak vite shumë kuptuan se edhe në politikë sado ta ushtrosh lirshmërinë e fjalës e drejta jote për të thënë çfarë mendon, qofsh ti edhe kryelideri i botës, më jep mua të drejtën të të skualifikoj si të tillë nëse ti prek ndjenjat e mia. Kjo erdhi pasi në mos në një formë në një tjetër Trump nuk la shtresë sociale, etnike, politike, raciale, seksuale apo ndërkombëtare pa etiketuar apo ofenduar. Por ndonëse ky stil komunikimi shumë shpejt u bë i lodhshëm për shumë amerikanë, ai nuk i lodhi Trumpistat apo dhe shumë shqiptarë të tillë dhe kjo ka arësyet e veta. A nuk vimë nga një mjedis që kur një person me të meta mendore dilte në rrugë, ne në vend që ta ndihmonim, talleshim me të apo i binim me gurë; a nuk jemi zhvilluar ne si njerëz në një mjedis ku etiketimet për njeri-tjetrin nuk na bënin përshtypje? Sa herë kemi thënë: ajo hundmadhja, ajo këmbështrembta, ai pederasti, ai maloku etj., etj. Kur dolëm nga mjedisi i izoluar shqiptar ne e kuptuam se ky qëndrim yni jo vetëm që nuk është etik, por është i papranueshëm dhe i dënueshëm në shoqëritë e zhvilluara. E pranoj, u ndërgjegjësuam, por tashmë ishte vonë, arketipi ynë i trashëguar do të nxirrte kokë sa herë t’i jepej rasti.

Së dyti, shqiptarët e pëlqejnë Trump se ata i tërheq lideri narcizist. Në vendin tonë ne kemi pranuar të drejtohemi vetëm nga liderë të tillë. Në një shkrim timin të mëparshëm bëhet një analizë e liderit narcizist dhe atje vihet theksi që ndjekësit shqiptarë gjithmonë kanë pëlqyer të udhëhiqen nga liderë të tillë. Nuk besoj se kohët moderne apo ato të shkuara kanë pasur një lider me shkallën e narcizizimt të Donald Trump. Jam e bindur se mijëra teza doktoraturash do të shkruhen për të analizuar narcizimin e tij. Nën presionin e kulturës sonë zgjedhja apo aprovimi i Trump është pjesë organike në përzgjedhje të liderit narcisist dhe kuptohet këtë kulturë instiktivisht ne trashëgojmë kudo ku jetojmë. Shumë herë e modifikojmë, e zhvillojmë, e integrojmë, por shumë herë ajo ngre krye pa kuptuar dhe na ndjek ne si e tillë.

Deri këtu rreshtova ato faktorë ndikues që janë tregues i arketipeve tona apo kulturës që ne përfaqësojmë si komb. Përpos këtyre ka dhe disa arësye të tjera. Shqiptarët nga natyra kanë qenë gjithmonë, sipas proverbit që ata e kanë po të tyren “Jam me atë që merr kalanë”. Po të bësh një vëzhgim të vogël përqindja më e madhe e shqiptarëve që kanë votuar Trump ne SHBA vjen nga shtete apo qytete shumë konservatore ku numri më i madh i popullsisë është me Trump. Nëse jeton në mjedis të tillë, shumë herë jo urban, do bësh dhe biznes me atë komunitet, do i përshtatesh, do mbijetosh dhe kjo është në traditën e shqiptarëve që nga koha e Turqisë…

Një arësye tjetër pse shqiptarët janë me Trump e gjen bazën se shqiptarët emigrues apo të diasporës janë shumë të lidhur me rrënjët dhe atdheun dhe kjo është një supervlerë e jona. Kudo të jenë shqiptarët nuk e harrojnë vendin e tyre. Dhe këtu unë gjej shpjegimin se si ka mundësi që një shqiptar derdh djersën dhe punon në Amerikë për 9 dollarë ora, është pa shërbim shëndetësor dhe sërish voton për Trump, kur nga ana tjetër Biden i premton shërbim shëndetësor dhe t’ia rrisë orën e punës në 15 dollarë? Unë mendoj se ky qytetar shqiptaro-amerikan e bën këtë se ka lidhje organike, shpirtërore, të qënësishme dhe konstante me vendin e tij dhe ka informimin që Shqipëria në këto 30 vjet është menaxhuar shumë keq nga njerëz të përzgjedhur nga Soros që i bie të jenë me Partinë Demokratike në SHBA, por pa asnjë funksion në të dhe pa asnjë lidhje direkte me Joe Biden. Shqiptari i thjeshtë në SHBA apo Tiranë bëhet instiktivisht me Trump si refuzim dhe urrejtje që ka për politikat dhe njerëzit e Soros në Shqipëri. Kësaj ndjenje natyrale i vë kapakun politika dhe media shqiptare me demagogjinë apo afrimet e saj aspak profesionale. Përmbi të gjitha, kur vjen puna të mbrojë Joe Biden në ekranet shqiptare si për ironi të antisorosistëve thirren të flasin sorosistat që s’kanë paguar një ditë taksa në SHBA e jo më pastaj të kenë eksperiencën e përditshmërisë së jetës në këtë vend, apo të jenë ekspertë të politikës apo lidershipit amerikan, e mbi të gjitha sorosistë me lidhje direkte me qeverinë shqiptare që paturpësisht nuk u pozicionua politikisht për Joe Biden! Nga ana tjetër, është e çuditshme të dëgjosh një politikane të PD që intervistohet të flasë për zgjedhjet në SHBA e në mes të tjerash të thotë se “Trump i duhej Amerikës” kur pjesa më elitare dhe avangarde apo super mendje e SHBA, përfshi këtu edhe elitën republikane thotë se Trump ishte një aksident i pafalshëm i Amerikës. Natyrshëm çdo shqiptar tek dëgjon këto zëra për një apo një tjetër arësye instiktivisht bëhet Trumpist. Jo çdo qytetar ka kohë të ndjekë politikën botërore, atë amerikane e kështu me rradhë. Ndaj në vendet e zhvilluara kur vjen puna të bëjnë propagandë apo ekspertizë zgjedhin njerëzit e duhur dhe që kanë njohjen e duhur, ndryshe krijohen shoqëri të çorientuara!

E në gjithë këtë atmosferë Presidenti Trump me të drejtë mund të thotë: “Unë nuk e di ku bie Shqipëria, por këta më dashkan kaq shumë, shumë më tepër se Bushët dhe Bekerin, apo Klintonin që ka bërë aq shumë për ta”!… Nga ana tjetër Presidenti Joe Biden mund të thotë “Unë kam bërë kaq shumë për Kosovën, djali im ka luftuar në Kosovë, nuk e kuptoj pse më mungoi vota masive e shqiptarëve”?! Ne vetë si shqiptarë kudo ku jetojmë, kurrë nuk e kuptuam pse e kemi kujtesën shumë të shkurtër dhe të mirën që na bëhet e harrojmë kaq shpejt!…

Një grup tjetër shqiptarësh u rradhitën pro Trump pasi ky krijoi dhe i mëshoi teorisë konspirative antimarksiste që qarkulloi si qarkore, sidomos në radiot latine, se me të ardhur dyshja demokrate Biden-Harris në SHBA do të vijë socializmi! Amerika si themel, kulturë dhe shtyllë udhërrëfyese është e gjitha kapitaliste, është aq kapitaliste sa i gjithë motori i saj politik ecën mbi shinat e biznesit, sikur thotë edhe proverbi “Në SHBA ka vetëm një parti, ajo e biznesit”. Të dyja partitë janë thelbësisht të lidhura me botën e biznesit, aq sa e ke të vështirë t’i ndash. Si ka mundësi që në krahun e kundër të Trump “antisocialist” u rradhitën gjysma e koorporatave më të fuqishme të SHBA? Nuk kanë frikë këta superkapitalistë që Biden ‘komunist” do t’iu sjellë komunizmin e do të shtetëzojë pronat?! Amerika nuk preferon as ekstremin majtas dhe as ekstremin djathtas. Kjo është është përgjigja e prerë që dhanë zgjedhjet e fundit dhe arësyeja që Joe Biden u zgjodh president.

Amerika ka ndryshuar shumë që kur unë shkela për herë të parë në të, 20 vjet të shkuara. Ajo do të vazhdojë të ndryshojë dhe ne gjithmonë e më tepër do të njohim liderë që i përshtatet diversitetit të kulturave të shumta në vend e që po rriten gjithmonë e më shumë. Megjithatë mendoj se SHBA gjithmonë ka ditur të mbrojë identitetin e saj pa u përzier në ideologjira të çfarëdollojshme dhe që për të kanë qenë gjithmonë trup i huaj. Besoj se edhe këtë herë, pjesa më përparimtare dhe e edukuar, ajo avangardë dhe elita e biznesit amerikan duke zgjedhur president Joe Biden vuri veton dhe në fund të ditës amerikanët i treguan botës se ata njohin vetëm një ideologji – Amerikanizmin!

Please follow and like us: