Albspirit

Media/News/Publishing

Anjeza Manastirliu: SOS për Tropojën, dhjetëra banorë në rrezik për jetën!

 

 

 

Tashmë qyteti i vogël alpin falë ‘kujdesit’ është shënuar me të kuqen e rrezikut në hartën nacionale të rrezikut nga Covid -19. Por nuk është ky subjekti dhe as intensioni i këtij shkrimi-alarm. Se sidoqoftë pandemia është globale dhe pas kësaj mund të fshihen strucët e korrupsionit që e bënë Tropojën arenë të virusit pa asnjë shkak. Është diçka tjetër që mund të evitohej nëse dikush do ishte i përgjegjshëm për jetët njerëzore. Është fjala për dy godina të ndërtuara që në vitet ’50 në rrezik shembje në të cilat janë strehuar dhjetëra banorë. Jashtë çdo standarti e duke tejkaluar dhe getot e dikurshme në perferi të Johanesburgut askush nga shteti e mileti nuk merr iniciativë të largojë banorët nga këto godina të amortizuara duke parapritur një katastrofe humane që mund të ndodhë nga momenti në moment. Gazetarë e televizione kombëtare vitin që shkoi dhanë alarmin, por ky shqetësim ra vesh të shurdhër. Ndoshta edhe sot nuk do ishin shkruar këto radhë nëse nuk do kishte tërmet në Turqi e Greqi dhe dje edhe në trojet shqiptare në Maqedoninë e veriut. Reporterët tanë na kanë derguar fotot e godinave të cilat flasin vetë. Si gazetare u interesova direkt për këta njerëz në vobektësi dhe konstatova se godinat kanë kohë që janë privatizuara dhe banorët nuk kanë asnjë kontratë me bashkinë, madje nuk paguajnë as energji elektrike!

Ndaj përveç përgjegjësisë njerëzore përgjegjësia ligjore është e pronarëve të godinave të cilët urgjentisht duhet përmes përmbarimit dhe organeve ligjzbatuese të lirojnë sipërfaqet e uzurpuara duke shpëtuar jetë njerëzish. Duhet thënë se qeveria shqiptare ka akorduar në Tropojë fonde për ndërtimin e 75 apartamenteve dhe shumica e këtyre banorëve janë aplikues e përfitues. Shqipëria është pjesë e vijës së zjarrtë globale të tërmeteve ndaj urgjentisht këto familje duhet të evakuohen. Është jo vetëm njerëzore, por detyrë e qeverisë vendore e qendrore të marrin masa që sot sikundër dhe e pronarëve të godinave të evakuojnë banorët. Nuk do të doja që në rastin e një katastrofe t’i drejtoja qytetarëve dhe gjykatës këto rreshta paralajmëruese. Se përpara jetës së njerëzve tanë nuk ka asgjë më të shtrenjtë. Sot ju lutem përgjegjësve të marrin masa… po po sot se nesër ndoshta mund të jetë vonë. Besoj se këto foto shoqëruese flasin vetë.

Please follow and like us: